Kalosh Çeliku: Poezia është grua e prapë
| E Merkure, 07.06.2017, 08:14 PM |


POEZIA ËSHTË GRUA E PRAPË KURTIZANE DHE PAK VETA E RRËZOJNË NË SHTRAT

Arbër Çeliku: Me Veten flas (poezi, 2017)

NGA KALOSH ÇELIKU

Historikisht, poezia: dje, sot dhe nesër do të marri frymë dhe jetojë si një Grua e prapë kurtizane. Grua, të cilën vështirë e ke ta lidhësh me kërpesh në grazhd. Shtëpi. Shkaku, se: Ajo e këputë litatrin dhe e kërcen gardhin, del në Livadh. Arave, rrëzë Çukës. Maleve. Dhe, pak veta që i turren përmbrapa me vite, një ditë do ta rrëzojnë në shtrat.

E them këtë, se: Edhe, sot poezisë i turren përmbrapa me të katra një Kope poetësh në Trojet Etnike Shqiptare, dhe nëpër botë. Fatkeqësiht, pak veta e kanë rrëzuar në qilimin me këmbë arushe mes librave. Në Letërsinë Botërore: Uollt Uitman me Fije bari, Bodleri me Lulet e së keqes, Hajne, Pol Elyar, Edgar Allan Poe, Safo, Ana Ahmatova, Jesenini e Pushkini. Padyshim, edhe ndonjë kalorës tjetër luftarak me penën në dorë mbi kalë me shalë. Në Letërsinë Shqipe: Lasgush Poradeci, Frederik Rreshpja, Mirko Gashi, Hida Halimi dhe Gani Xhafolli.

Shumica e “poetëve” vetëm kanë radhitur vargje të arnuar, plot përshkrime, parulla të thata patetike pa shpirt e gjak. Vetëmse, ato kalorës të dalldisur nuk kanë shkruar poezi. Librat i kanë mbushur me vargje të arnuar arnë përmbi arnë, vetëm sesa, për t’u dukur para pushtetarëve dhe hequr veten si poetë. Arratisen pas posteve politike partiake, vendi pune, ose rrëmbimit të ndonjë çmimi letrar shtetëror. Dukuri e shpeshtë kjo, në shtetet paskomuniste. Imzot, por kjo nuk është poezia?! Zonja e rëndë aristokrate me dy shtamba verë nën sjetulla, kur delë si Zanë Mali nën Rrap. Prandaj, librat e tyre me vjersha, nuk jetojnë gjatë në jetë, vdesin para autorëve dhe hyjnë këmbekrye në varr. Nësër, akush nuk do t’ua përmend as emrin. Edhe, atë: kur dihet se poezia që nuk ka shpirt dhe gjak, nuk është poezi.

E thashë pak më lartë: Poezia është Grua e prapë kurtizane me dy shami lidhur për brezi. Dhe, pak veta e shtinë në dorë. Pasmesnate, e rrëzojnë në shtrat. Burra e gra i janë turrur me shekuj përmbrapa nëpër sallone aristokrate, oborre mbretërore e pas ferre, në pusi me “nagëntin” në dorë, ta shkrepin vargun. Shumica, kur e kanë takuar dhe parë në rrugë nga frika u ka rënë arma nga dora. Ndonjërit i është ngatërruar pushka, nuk e ka shkrepur asnjë fishek.

Librin me poezi: Me Veten flas të Arbër Çelikut, që e pata nëpër duar me vete thashë: fatmirësisht, i paska shkrepur disa fishekë. Edhe pse, e dija se kam të bëj me një autor që ka shtrydhur një kulturë të pasur e arritur leximi nëpër bibliotekat e Atdheut dhe botës, në fillim e mora me pak frikë. Përmëtepër, se: ky autor e kishte përkthyer Ujkun e Stepës dhe Demjanin e Hermann Hesse, J. Habrmas, R. M. Rilke, E. E. Schnit, F. Duurrenmat, M. Weber, J. Zeh, Max Fisch, D. Kehlmann, Robert Walser, Theodor W. Adorno, Erik Kastner me Klasën fluturuese, Emilin dhe detektivët e ndonjë tjetër emër të Letërsisë botërore, më befasoi me librin e tij të parë me poezi. Edhe atë, sot kur i gjithë populli shqiptar shkruan poezi, e kemi shumë pak poetë. Ose, siç tha në një bisedë rasti satiristi i mirënjohur shqiptar: Niko Nikolla gjatë një Akademie Përkujtimore për Mehmedali Hoxhën, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar të Shkupit, në Strugë (1997): Nuk ka popull shqiptar, por ka popull shkrimtar. Librat e tyre me poezi i ngjajnë njëri - tjetrit si veja vesë të pulës Koperativës bujqësore. Poezi plot Facebook, librat e biliotekat, por shumë pak vargje origjinal të arrirë artistikisht. Fatkeqësisht, “vlera artistike” pa ndonjë sitë shkencore me kritere artistike të hudhura në Librat e Këndimit, Lektyrat shkollore e plan-progranet shkollore dhe universitare.

Përçudi, ky autor arriti të më befasojë edhe me shtegun pas Shtëpie nga i kishte hyrë poezisë. Shteg, krejtësisht ende i pazbuluar në shoqërinë shqiptare. Unë si poet, atë shteg artistik në poezitë e mia të publikuara nëpër libra e kam pagëzuar: Hyrje për oxhaku.

Përderisa, shoqëria e sotshme politike -antipoetike, poetëve ua ka mbyllur të gjitha dyert e dritaret, Arbër Çeliku me këtë libër arrin sot të na hyjë për oxhaku.

Poema e arrirë artistikisht për Xhaxhain Ramë Çeliku është plot shpirt, gjak dhe mall. Kujtimet e tia fëmijërore në Katund janë hedhur në letër me aq mjeshtri, saqë edhe mua më ktheu pas kaq viteve duke bredhur pas poezisë në atë mes familjar. Nuk e di pas leximit të këtyre poezive, pse mu duk vetja se u zgjova nga një ëndërr e frikshme në Katund, përpara Shtëpisë nën hijen e Lisit midis Livadhit, rrëzë Çukës. Kujtime, që gati i kisha harruar krejtë duke u turrur pas poezisë, mos e zë në Livadh. Ose, mes maleve.

Dhe, shi sot pas kaq viteve, im bir m’i sillte aq të freskëta ato dhiare me poemën për Xhaxhain:

Ç’ndjenjë e bukur, pas kaq vitesh,

të të shoh në ëndërr, Xhaxha

I urtë, buzagaz, me plisin e bardhë në kokë si gjithmonë,

Njëjtë siç ishe, para se të ikje në spital ende i ri,

Në çast më kaploi një ndjenjë gëzimi dhe nga malli qava…

Vargje malli, dëshprimi dhe krenarie për të cilët edhe unë si autorë i disa librave me poezi, ia pata lakmi për arritjet e vlerave artistike.

Xhaxhain e tij me kësulë të bardhë, ai e sillte të gjallë në këtë poemë, edhe atë: përmes vargjeve artistike, që unë po të doja me ditë e netë, vështirë se do t’ia arrija qëllimit.

Vargje të arrirë artistiksiht dhe origjinal, mund të hasim edhe tek poezitë e tjera të këtij libri. Poeti shihet se posedon një kulturë të gjërë letrare, përveç arave të Vendlindjes ka bredhur me vite edhe fushave pjellore të botës. Syri tij i  mprehtë poetik, arrin t’i pikasi në shoqërinë shqiptare edhe anët negative edhe ato pozitive. Natyrë e këtillë krijuese, gati e përshkon gjithë librin. Herë pas here arrin edhe, kulminacionin artistik. Sidomos, tek poezitë: Atdheu në lot, Vendlindja ime, Me veten flas, Matanë dhe këtej Vardarit, A të kujtohet miku im, Mbreti i kotecit, Qyqari e ndonjë tjetër.

Shkrim rasti, të cilin unë do ta ilustroja këtë libër me poezinë: Me Veten flas. Titull poetik - filozofik edhe i këtij libri:

Me veten flas,

Sa herë që nuk mund të flas më të tjerët

për pakënaqësitë e jetës

I bërtas, e shaj, shfryhem mbi të

Më hidhërohet, dhe i hidhërohem

E marr inat dhe më merr

E urrej dhe më urren

E duroj dhe më detyron

 

Me veten flas,

Sa herë që nuk mund të flas më të tjerët

për dukuritë e shëmtuara shoqërore

Më dëgjon, e dëgjoj

Më ngushëllon, e ngushëlloj

Më inkurajon, e inkurajoj

Nuk e zhgënjej, e as më zhgënjen…

Baba Tomorri është larg. Poezia qiellore edhe më larg. Çajupi, moti kohë si Azreti Isai nga minarja e xhamisë fluturoi në Qiell. Mistikja, sotpërsot gati ende e paarrtishme nga poetët. Rruga për në Baba Tomorr, larg. Pak veta i janë ngjitur në majë atij Mali të Perëndive. Çajupi me miq ku ngrente dolli mes Zanave të Malit. E shkruante poezinë… Kryveprën e tij jetësore: Baba Tomorri. Dhe, bënte dashuri majëmali, në Tyrbe me Poezinë…



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: