Reshat Kripa: Në përkujtim të Ardian Kaloshit
| E Marte, 06.06.2017, 06:59 PM |

Në përkujtim të Ardian Kaloshit

Nga Reshat Kripa

Gjashtë muaj më parë, në Toronto të Kanadasë u shua në moshën 46 vjeçare zemra e Ardian Sherif Kaloshit, ish-i përndjekur politikë nga regjimi totalitar komunist. Një dorë e zezë e qëlloi në pabesi pas shpine, ndërsa po hynte në një lokal ku e kishin ftuar. Skenari kriminal, i përgatitur me gjakftohtësi, realizoi ndërprerjen e jetës së  një burri të paepur, të një kalorësi bashkëkohor, që s’vritej për gjak. Policia kanadeze ende vazhdon të ndjekë  gjurmët e vrasësit “të pa identifikuar”.

Vrasja e Ardianit u përjetua si një humbje e thellë tragjike nga familja, të afërmit, miqtë e shokët e shumtë, në diasporë dhe në Shqipëri. Humbja e Ardianit ishte në vazhdën e dhjetra burrave e djemve të fisit të nderuar të Kaloshëve të Dibrës, të flijuar për liri dhe demokraci. Për të gjithë ata që e njohën nga afër, ndërprerja e jetës së Ardianit, ishte një goditje fatale, pikërisht në kohën që shpresonim se po mbylleshin plagët që na la diktatura më e egër në botë.

I linduar dhe i rritur në kampin gulag të Gradishtës, Ardiani e përjetoi rrëzimin e diktaturës me gëzimin sublim të daljes në liri. Si shumë djemve të tjerë tanët, atij i mungonin vetëm krahët për të fluturuar.

E gjithë familja e tij i mbështeti me të gjitha forcat proceset demokratike, duke përkrahur qeverinë e parë që u bë shpresë për të gjithë ish-të përndjekurit politikë nën diktaturë. Babai i tij, Sherif Kaloshi, përballoi me sukses detyrën e vështirë të Kryetarit të Komitetit të Përndjekurve Politikë, ku u realizuan mjaft detyrime madhështore për integrimin e kësaj shtrese. Ndërkohë, Ardiani me nënën, motrën dhe vëllanë emigruan në Kanada, të tërhequr nga gjyshi, emigrant politikë. U deshën disa vjet që ata të integroheshin normalisht në shtetin mikpriitës të kanadasë.

Vrasjen mizore të djalit të xhaxhait të tij, Bujar Kaloshit, më 1966, Ardiani e priti me pikëllim të thellë. Ai mendonte se diktatura kishte lënë prapa pinjollë fanatikë dhe kriminelë që  e urrenin shtresën e të “deklasuarve”. Atyre u vriste sytë çdo burrë apo djalë i ndershëm që shërbente në krye të institucioneve shtetërore, siç qe Bujari, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Edhe ai u qëllua në pabesi kur po shkonte në krye të detyrës. Edhe pse i shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe “Nderi i Kombit” vrasësit e tij janë ende të pa ndëshkuar dhe bredhin lirisht rrugëve të Europës.

Ardiani kujtonte me dhimbje gjyshin nacionalist, Azis Kaloshin, vrarë nga dikatura më 1945, edhe pse kishte qenë i internuar në Ventotene të Italisë si antifashist. Gjyshit nuk iu gjet kurrë varri, ashtu siç nuk i është gjetur as xhaxhait, Asllan Kaloshi, vrarë nga forcat e ndjekjes, as xhaxhait tjetër, Muharrem Kaloshi, vdekur në birucat e kalasë së Gjirokastrës ku e kishin mbyllur. Një fis dhe një familje me kaq shumë martirë meritonte një vend varri, meritonte, së paku, një jetë normale e cila iu mohua për 46 vjet rresht.

Ardiani, i integruar në Kanada, nuk e humbi ndjenjën e bujarisë, të altruizmit dhe të angazhimit fisnik. I respektuar ndaj prindërve dhe gjithë farefisit, ai ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo gjë për të ndihmuar të afërmit në nevojë. I përgjëruar ndaj vëllait dhe motrës, ai ishte një bashkëshort i përkushtuar dhe një baba i dashur dhe i dhëmbshur. Julinda, bashkëshortja dhe Mirela, e bija, do ta kujtojnë gjithmonë Ardianin gazmor, të zhurmshëm, tolerant dhe zemërbardhë. Komuniteti shqiptar në Kanada, e çmonte dhe e respektonte Ardianin, pasi ai ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte, madje edhe përtej mundësive të tij.

Ardiani ndërtoi marrëdhënie njerëzore të pastra  edhe me shumë banorë të komuniteteve të ndryshme. Shpirti i tij i lirë shpërthente me fisnikëri në  çdo mjedis, duke dhuruar dashuri e mirëkuptim tek të gjithë ata që e rrethonin. Ishte ajo pastërti shpirti që përçonte besim tek njerëzit. A mos vallë ky kalorës i së mirës dhe i së bukurës ngjallte zili? Ndoshta!

Disa shpirtra të nxirë e të ushqyer me krim, s’mund të përballonin rrezatimin e tij të lindur. Ndaj e vranë. Por ata nuk mund të vrisnin kujtimin e tij, vështrimin e tij të bukur besimin dhe shpresën e tij që ngjallte respekt tek të gjithë njerëzit. Prandaj, në këtë 6 mujor, mesazhi ynë është:

“Prehu i qetë, ANI,  se jehona e dashurisë që le në jetë, nuk do të shuhet kurrë!”



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: