Dedaj: Gjeo-poetika e një antologjie të përbotshme
| E Merkure, 24.05.2017, 05:22 PM |

GJEO-POETIKA E NJË ANTOLOGJIE TË PËRBOTSHME…

NGA NDUE DEDAJ

“Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” është një antologji e poezisë botërore, që erdhi me marsin nga “MAPO editions”, zgjedhur, përkthyer dhe pajisur me shënime nga Rudolf Marku, njëri nga poetët tanë më të njohur, që prej dy dhjetëvjeçarësh rron në kryeqytetin anglez e kthehet në Shqipëri herë pas here me botime të reja, ku është nderuar me çmime letrare në Tiranë dhe Prishtinë. Nga krijimtaria poetike e tij e viteve të fundit veçohet libri “Një ballkanas në Londër” (2012), vlerësuar nga lexuesi dhe kritika për prurjen origjinale, si dhe romani “Tri divorcet e Viktor N.”, që i solli shkrimtarit çmimin “Kadare” 2015.

Në “shkretëtirën” politike shqiptare të ditës, ardhja e një libri të ri poetik, aq më tepër e një përbledhjeje të poetëve botërorë shihet si një ngjarje. “Retë që shkasin atje tej…” është një punë 40-vjeçare e autorit në lëmin e përkthimit të poezisë, çka nisi në qytetin e lashtë historik rrëzë kalasë e buzë Drinit. Për ata që ia njohin prej kohësh shllimet letrare Rudolf Markut, ai ka një biografi gjenetike të tijën që është poezia. Kur themi poezia, ajo e shkruar prej tij, që nga fillimi i viteve ’70, si dhe poezia e përkthyer po prej tij qysh herët nga anglishtja në shqip, për shumë vite e shërbyer në mënyrë “klandestine” për miqtë e tij të artit në Lezhë e më gjerë. E gjitha nisi në një shtëpi të thjeshtë në anë të Drinit, ku tufat e poezive të daktilografuara zunë të shtegtonin si zogj të ndaluar. Nuk ishin poezi të pranuara nga linja zyrtare e letërsisë, përkundrazi ishin krijime të poetëve “dekadentë”, të mirëseardhur tashmë përmes kësaj antologjie. Dolfi, siç e thërrasin të njohurit, i ka treguar vetë miqtë e tij të asaj kohe, më së shumti poetë, por dhe ndonjë prozator a gazetar, të tillë si Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, Zija Çela, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Bujar Xhaferi, Remzi Lani etj., ku mbase dhe për këtë libri i parë poetik i tij mbante titullin “Shokëve të mi”, kur ishte vetëm 21 vjeç. Ashtu siç jo rastësisht redaktor i këtij libri ështe poeti Preç Zogaj, që ka shtegtuar gjatë me poezinë e Dolfit dhe përkthimet e tij të fshehta, disa fletë të zverdhura të të cilave i solli më vete si relike në ditën e promovimit të librit në UET shkrimtari Zija Çela, që i kishte ruajtur prej shumë motesh.

Asgjë nuk mund të ndodhte rastësisht, aq më tepër në provincë, por Dolfi ishte një personazh i Lezhës së viteve ’70 - ’80, ndryshe nga “njeriu i ri” i gjithkundshëm, me profilin e tij fshikullues ndaj burokracisë së kohës, që e shfaqte refuzimin ndaj soc-realizmit përmes ironisë dhe një stili vetanak të të shkruarit. Si i tillë, edhe pse ndër poetët e rinj më të talentuar e afirmuar të vendit, e kishin lënë mësues letërsie në Zejmen e më vonë në gjimnazin e Lezhës, për t’u punësuar redaktor në gazetën “Drita” vetëm në vitin 1987 kur ishte krijuar njëfarë ç’ngurtësimi ideologjik i shoqërisë. Rudolf Marku, duke shkruar një poezi pa adresime lokale e limite kohore e gjeografike, mbetet poeti që u ngrit nga poezia e qytetit të tij në majat e poezisë moderne, e mbrujtur herët në lagunat e Lezhës e në shekullin e 21-të në stacionet e metropolet e Europës.

Ka një rrethanë të pazakontë në jetën e poetëve të Lezhës. Ata funksionuan si “klub letrar” me njëri-tjetrin dhe me poetë të tjerë që i vizitonin nga Tirana, Shkodra apo Lushnja, që dhe ata e kishin atë “vesin” e gjërave të ndaluara, posaçërisht letërsisë së palejuar, të autorëve modernë të shekullit XX, si Xhojsi, Bodleri, Kuazimodo etj. Dhe gjeneruesi i së ndaluarës ishte pikërisht Rudolf Marku. Ngjan si e paimagjinueshme, kur vetëm pak kohë pasi Enver Hoxha kishte shenjëstruar poetin Xhevahur Spahiu për poezinë e tij “Jeta”, për qasje me filozofinë e Sartrit, Rudolfi të përkthente në Lezhë natën e vitit të ri 1976 novelën e po këtij autori “Të vdekurit”. Shpjegimi është i thjeshtë. Ishte karakteri dhe formimi i tij, përceptimi poetik modern, tërheqja nga e palejuara, për çka emri i tij ishte i mirëpritur në rrethet letrare elitare të ’70-s, sa herë publikonte cikle poetike në “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i Rinisë”, njëherësh duke zgjuar “fletërrufe” të kritikës letrare militante, apo ndalim libri për gabime ideologjike - pëshqesh nga Plenumi IV i zi. Por Dolfi, antikonformist i lindur, nuk e retushonte poezinë e tij për vijën politike të regjimit, përkundrazi në poezi të ndryshme të tij si “Kaligula” etj. kishte dhe nëntekste apo aludime antidiktatoriale. Ndoc Gjetja, i cilësuar si dekani i poetëve të Lezhës, na thoshte sa herë, se kishte qenë Dolfi frymëzuesi shpirtëror i atij “klubi”, që nuk kishte një seli, por mblidhej kudo ku frynte era e pozisë, në një kafenë të thjeshtë të Lissus-it, në një lokal peshku buzë detit, ku ndonjëherë ishin të pranishëm dhe Kadare, Agolli, Arapi etj. Ishte koha e poezisë së Ndoc Gjetjes, Xhevahir Spahiut, Rudolf Markut, Ndoc Paplekës, Koçi Petritit, Bardhyl Londos, Preç Zogajt, Ilirian Zhupës, Mimoza Ahmetit, Agim Spahiut, Sadik Bejkos, Petrit Rukës, Hamit Aliajt, Skënder Buçpapës etj., por nga mungesa dhe e asaj të Martin Camajt, Frederik Rreshpjes, Zef Zorbës, Visar Zhitit etj.

Rasti e solli që të ishim me Dolfin në të njëjtin kurs pasuniversitar të kritikës letrare në Universitetin e Tiranës, në vitet 86-87 dhe ishte po ai, polemist në auditore me pedagogët për një shikim tjetër të letërsisë, qoftë dhe asaj klasike të huaj, njeriu që nuk çlironte asnjë frazë për Partinë, përpos rrëfimeve për personazhe bohemë nga qyteti i tij, njerëz me situata e batuda tragji-komike në jetë, ku disa sosh i përfshiu në esetë e tij të vona botuar periodikish në gazetën “MAPO” të përmbledhura më pas në librin eseistik “Një letër që na vjen pas vdekjes”.

*

Por të vijmë te botimi i fundit. Lajmi nuk është se u shtua dhe një antologji poetike botërore, porse ajo është e veçantë në shumëçka. Autori askund nuk e thotë, por është një antologji e poezisë së dashurisë, diku erotike, diku femërore, diku filozofike, lirika të brishtësisë njerëzore që nga fillesa e njerëzimit, gjithnjë të pandërruara për nga vokacioni i brendshëm. Antologjia nuk është ndërtuar në bazë kriteresh të teorisë së letërsisë, shpesh skematike, ama ajo ia ka dalë të bëjë bashkë në një poetët më në zë të kohërave. Lexuesi jo vetëm shijon përkthimet e mrekullueshme, por dhe skedon në kujtesën e tij për më tej poetë jo gjithnjë të dëgjuar, por të shquar. Nis me Safon, dhjetë poezi të sajat lirike, që ngjajnë si të shkruara dje, vijon me poetë të tjerë antikë si Kalimaku, Katuli, Sextus Propertius, Ovidi etj. dhe mbërrin deri deri në kohën e sotme. Poezitë e poetëve të lashtë shpesh janë dhënë nën “përpunimin” e poetëve modernë, nganjëherë aq ngushtë sa ngjajnë si krijime të “përziera”. Një qasje e tillë ka bërë që poezia e lashtësisë të vijë në trajtë moderne, duke qenë njëherësh ajo e para. Autori thotë se kjo është bërë “për të dëshmuar se moderniteti fillon me poezinë shumë më herët se kalendarët e shumëkujt, të cilët nuk duan të besojnë se se në art koha ecën me ca ligje të tjera nga Rrobaqepësistë dhe Floktorët e modave”. Ndër poetët e lashtë antologjikë janë dhe dy kinezët Li Po dhe Du Fu, pak të njohur nga lexuesi shqiptar. Autori nuk ka dashur të zgjatet në shënimin hyrës, as të bëjë bilanc sa poetë apo poezi e përbëjnë antologjinë e tij, përkthyer jo vetëm nga anglishtja, por me raste dhe nga frëngjishtja, italishtja, rusishtja etj.

Është një rrugëtim nga më të bukurit, si atëherë kur poetët përfaqësohen me tre-katër a më shumë poezi, si në rastin kur prej tyre është sjellë vetëm një a dy poezi. Rudolf Marku ka folur prej më se njëzet vitesh për njohjen nga ne të poetëve të shquar të shekullit XX, Tomos S. Eliot dhe Ezra Pound, W. H. Auden, kryekrejet duke publikuar përkthime të poezisë së tyre, çka në këtë antologji do të vinin në një përkthim të ri të autorit. Lexuesi, fletë pas flete, takohet me emra të mëdhenj të poezisë botërore dymijëvjeçare, si Shakespeare, John Donne, Thomas Middleton, Efelia, William Blake, Fyodor Tyutchev, Lermontov, Whitman, Baudelaire, Dickinson, Tagore, Cavafy, Yeats, Kipling, Valery, Rilke, Apollinaire, Pessoa, Owen, Borhes, Seferis, Quasimodo, Hikmet, Pavese, Ricos, Galiç, Celan, Popa, Ginsberg, Brodsky etj. Mund të ndalësh te secili prej tyre, veçmas në poetët e gjysmës së dytë të shekullit XX, si Ted Hughes (Ted Hjuz), ndër poetët më të mëdhenj anglezë bashkëkohorë, shpallur Poet Laureate, te zonjat e poezisë, Sylvia Plath, që shkëlqeu në qiellin letrar amerikan të shekullit të vet për t’u shuar shpejt si një meteor, apo Wislawa Szymborska, poetesha polake e Nobelit të 96-s, etj.

Duket sikur autori e ka ridmensionuar rendin e poetëve botërorë, duke mos bërë ndonjë renditje të qëllimshme hierarkike të tyre. Ata janë sa të natyrshëm, tokësorë, aq dhe filozofë e profetë. Aristokratë të fjalës. Poezia e tyre është imazh, mendim, tingull, emocion. Gjuhë, hapësirë, përjetim. Magjinë e vëren si në poemën e Pound “Hju Sell-uin Moullberh”, apo atë të Eliot “Këngë dashurie për J. Alfred Prufrock”, po ashtu në poezi si “Dashnia e fundit” të Tutçev, “Një grua më pret” të Uitman, “Ligji dhe dashuria” të Auden, “Kujtimi i Francës” e Celan, poezia emblematike “Qyteti” e Kavafis, sa për të shënuar disa tituj. Është një rrugëtim mahnitës nga njëri poet te tjetri, nga njëra poezi te tjetra, nga njëra epokë në tjetrën.

Antologjia “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” është mishërim i njerëzores, të përdishmes, të përjetshmes, lirikës së shpenguar, pa kornizë a censure të asnjë lloji. Ajo dëshmon se poezia nuk ka “atdhe”, gjeografi, kohë, moshë, kombësi, edhe pse poetët janë të kombeve të ndryshme, anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, rusë, grekë, spanjollë, kinezë, izraelitë, indianë, japonezë etj., aq sa tërësia e poetëve dhe e poezisë së kësaj antologjie përbën një si gjeopoetikë të rruzullit. E veçanta është se mbase si askund tjetër poetët komunikojnë me përkthyesin-poet si më një mik të vjetër, që ia dinë dhe ua di gjuhën, duke qenë dhe vetë njëri nga ata.

Poezia nuk ka nevojë për reklamë, si vezët, domatet, metrazhet, aq më pak ajo e kësaj antologjie. Pasi e ke lexuar atë mendon se tash fillon leximi i vërtetë, domethënë rileximi i saj. Të kujtohet ndër të tjerë Ali Podrimja që në një tubim gjimnazistësh e vetmja gjë që e bënte të ndihej mirë ishte leximi i poezisë dhe jo shpjegimet për të, një rregull i pashkruar për të gjithë poetët e racës. Në këtë qasje do të doje fort që antologji si kjo të ishin në duart e nxënësve dhe studentëve, teatrove poetikë, studiove televizive, pasi do të nxiteshin leximet drejt poezisë së arrirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: