Ndue Dedaj: Takimi fatal me diktatorin
| E Marte, 16.05.2017, 07:17 PM |

TAKIMI FATAL ME DIKTATORIN

(Historia unikale e një mësuesi të viteve’60)

NGA NDUE DEDAJ

Asnjë mësues i para 90-s në Shqipëri nuk do të donte të kishte fatin e mësuesit shkodran Gjetë Vocaj, por mbase secili nga mësuesit e djeshëm e të sotëm ka nevojë ta njohë historinë e tij të rrallë, jo vetëm si kërshëri. Është padyshim një roman i trishtë, që do të nderonte çdo shkrimtar, por që e ka shkruar në formën e dëshmive e kujtimeve vetë protagonisti i ngjarjes së bujshme të viteve ‘60, Gjeta, tashmë tek të 80-at, një zotni i vërtetë.

Ai nuk e kishte ndërmend të shkruante, pasi nuk e quante zejen e tij shkrimtarinë, por një shkrimtar i njohur shkodran, që e kishte dëgjuar historinë dramatike prej tij, e kishte këshilluar që ta shkruante atë. Dhe një ditë të vitit 2009 del në qarkullim libri “Takim fatal me diktatorin”, që do të befasonte dhe vetë autorin për mënyrën se si u prit. E pati marrë dhe nënshkruesi i këtyre radhëve librin në atë kohë nga dora e autorit duke dëshiruar që ai të kishte më shumë jehonë, por Gjeta nuk ua thoshte këtyre punëve, si shumë autorë të tjerë seriozë, që nuk e ndiejnë se duhet të merren ata dhe me publicitetin e veprave të tyre. E këtu nuk ishte fjala për marketing, pasi libri ishte shkruar thjeshtë për të plotësuar një “urdhër” të ndërgjegjës, sipas motos së At Pllumit “rrno për me tregue”, për të dëshmuar ato ndodhi që ishin mbuluar nga tirania e kohës dhe e heshtjes. Shiheshim me Gjetën, hera-herës, në Shkodër, te Gjomarkajt, apo në bibliotekën e qytetit “Marin Barleti” dhe gjithnjë e ngucja për librin e tij, ç’do të bëhej më shumë për të. Por, do ti, që mbeta dhe vetë borxh gjithë ato vite, pa shkruar dy fjalë për librin e spikatur, që është njësh më autorin. Më shkundi nga “përgjumja” një njoftim mediatik se me librin e sipërthënë në fokus do të organizohej në Tiranë një nga Takimet e Kujtesës, si “reflektim për fatin e individit në totalitarizëm”, takim që tashmë është zhvilluar.

Po cili kishte qenë mësuesi i ri dhe historia e tij unike? Kishte mbaruar shkollën e mesme “Skënderbej” në Tiranë dhe ishte emëruar në Dukagjin, atë fillim vitesh ’60 dhe atje zbulon një nxënës 6-vjeçar me prirje të jashtëzakonshme në matematikë. Mësuesi i ri entuziast më 1962 shkruan një artikull në gazetën “Mësuesi” dhe kaq u desh që në kryeqytet të zgjohej intersi për rastin tejet fatlum. Me përkujdesjen e shkrimtarit Bedri Dedja, kryeredaktor i gazetës dhe ndërmjetësimin e Ministrisë së Arsimit, mësuesin e Dukagjinit e pret në takim vetë Enver Hoxha, por jo dhe nxënësin ekselent, me arsyetimin e çuditshëm, që të mos i rritet mendja!? Udhëheqësi, siç mund të merret me mend, do të këshillonte që gjeniu i vogël, Nika, bashkë me “rrotullimin e tokës e yjeve” të mësonte dhe politikën marksiste-leniniste, së pari emrat e antarëve të Byrosë Politike, një “ushtrim” për të gjithë fëmijët e asaj kohe etj. Nis kështu shkëlqimi i Gjetës dhe një karrierë pedagogjike mbase si e askujt tjetër, fillimisht duke u diplomuar për matematikë. Për nxënësin e talentuar zbatohet një rregull i veçantë - Gjeta caktohet mësuesi personal i tij, duke e shoqëruar dhe gjatë kohës së verës, ku fëmija ushtrohej në matematikën e zbatuar, duke habitur cilindo me zgjidhjet matematike që bënte në çast. Të dy bashkë, mësuesi dhe nxënësi, për mjaft kohë flisnin kudo veç gjuhën abstrakte të matematikës, në klasë, në shtëpi, në plazhin e Durrësit dhe kushedi ku do të kishin mbërritur, nëse gjerat do të kishin rrjedhur siç qenë nisur!…

Por le të ndjekim fatin e mësuesit “hero”, që duhej të ishte pa medyshje i dekoruar me titullin më të lartë të kohës, “Mësues i Popullit”, sepse çfarë mund të bënte më shumë një mësues i ri në malet e Dukagjinit se sa të përgatiste një djalosh me dhunti të pazakonta matematikore, që nesër mund të bëhej nga matematikanët më të shquar të vendit e rajonit? Ndoshta duke ripërtërirë gjeninë e Gjon Gazullit, matematikanit dhe astronomit të madh të shekullit XV, me origjinë po nga malet dukagjinase. Mirëpo pas shkëlqimit të njëmendët nis rënia pingul e mësuesit emblemë, që nuk e dëshironte lavdinë, por vetëm suksesin në karrierëm pedagogjike dhe në jetë. Atëherë kur ishte bërë një emër i përveçëm i arsimtarisë së kohës, organet e Sigurimit kujtohen se ky njeri duhej ndalur të mos shkonte më tej dhe nisin e gërmojnë me zell në biografinë e tij për të gjetur doemos ndonjë kleçkë. E kush mund të ishte pa to në një vend ku komunizmi nuk kishte qenë asnjëherë “fe”? Nuk mund të pranonte ai regjim që të kishte njerëz më statusin special të të paprekshmit, për shkak të meritave personale apo profesionale. Prandaj Gjeta, personazhi ynë ndryshe, duhej të kuptonte se ishte vetëm një shërbetor i turmës dhe jo një individualitet, aq më tepër sui generis. Ylli i tij nuk mund të merrte shkëlqimin e yllit të Partisë.

Ashtu, gur pas guri e fjalë pas fjale “zbulohet” se ai kishte patur dijeni për arratisjen e një shoku të tij në Amerikë shumë vite më parë dhe me 1979 për Gjetën hapen dyert e burgut të madh të Shkodrës, ku kishte qenë e salvuar para tij gjithë elita shkodrane e veriore. Dhe pas gjyqit shembullor Gjeta “armik i popullit” përfundon si i dënuar politik për shumë vite. Gjithçka tashmë kishte marrë rrokullimin, vetëm një gjë jo, karakteri i tij i palëkundur, dinjiteti i tij njerëzor e intelektual. Ai kryen dënimin, punon punëtor në një ndërmarrje të qytetit pa iu hequr nga mendja ai takimi fatal me diktatorin, që i kishte sjellë teposhten. Po të mos kishte ndodhur ai takim, nuk do të kishte tërhequr vëmendjen e askujt. S’duhet harruar, asokohe kishte një “filozofi”, të gjithë intelektualët duhej të ishin të barabartë dhe askush nuk duhej të guxonte të ngrihej mbi të tjerët. Kjo ishte një paranojë klasore, politike, ama kaq kishte mjaftuar që për Gjetën të shqiptohej verdikti “Në emër të popullit”, kur populli mësuesit i zot i donte për t’i mësuar fëmijët dhe jo për t’i cfilitur në kampet e punës së detyruar në miniera a tharje kënetash.

Po pse për mësues Gjetën takimi me Hoxhën rezultoi fatal, kur thuajse gjithë të tjerëve që kishin fatin e lum të takoheshin me të, iu hapej çdo derë, futeshin në Parti, ngriheshin në përgjegjësi, venin delegatë në kongrese ku mbanin fjalime patetike, bëheshin heronj të punës socialiste etj.? Ka vetëm një shpjegim, Gjeta nuk ishte njeriu në rresht, ai nuk formatohej dot sipas kanoneve ideologjike të kohës, nuk duartrokiste, nuk bënte “urra” për fitoret e socializmit të varfërisë, nuk ia dinte për nder Partisë meritat e tij vetjake, donte të ishte një qytetar sipas modelit paraardhës. Por ai padashur kishte bërë “politikë” me numrat, ekuacionet, kalkulimet matematike, në të vërtetë, me famën e tij, që e kishte veçuar nga të tjerët. Nëse do të kishte qenë racionalizator që do të kishte “shpikur” ndonjë mekanizëm që lehtësonte punën e krahut në ndërmarrjen iks, me siguri do të ishte bërë hero i punës. Kurse heronjtë e mendjes nuk i duheshin pushtetit komunist. Ndërkohë që pa përvoja unike diturore si e tij, nga Mirdita e të parëve nuk do të dilnin profesorë të shquar të matematikës, në Universitetin e Tiranës, si Luigj Gjoka e të tjerë.

Gjetë Vocajn e kemi në Shkodër, brenda dhe jashtë kapakëve të librit të tij intrigues, shkruar me kulturë, realizëm ngjethës dhe pa gjuhën e urrejtjes. Kur të shkoni atje, i bëni zë për të pirë një kafe me të. Ai është një sojnik për të cilin kemi nevojë të gjithë, një zë i admirueshëm nga radhët e ish - të përsekutuarve politikë për më shumë drejtësi sociale në këtë vend. Në ligjërimin e tij duket se janë gërshetuar dy tonalitete, i njeriut të odës e kuvendit të trevës së Mirditës, me të intelektualit të kultivuar përmes diturisë dhe sakrificave.

Nëse një ditë Ministria e Arsimit, apo Presidenti i Republikës, do të shpërndajnë dekoratën e lartë “Mësues Simbol”, për arsimtarët me rrezatim diellor në shkollën shqiptare, me siguri Gjetë Vocaj do të ishte nga të parët meritorë të saj.


PANORAMA, 13 maj 2017

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: