Kadri Tarelli: Vilhelme Vranari - Çmimi i dualizmit
| E Marte, 16.05.2017, 07:45 PM |

NUK I HEQ DOT TAPËN, LËPIN DHE THYEN SHISHEN E VERËS

Vilhelme Vranari në librin “Çmimi i dualizmit”

Nga Kadri Tarelli

E lexoj dhe e rilexoj novelën “Çmimi i dualizmit”, të shkrimtares tashmë të shumënjohur Vilhelme Vranari, ose Vivra, një pseudonim i kombinuar bukur, që e vendos në çdo fund poezie dhe fundshkrimi. Libri, në faqe të parë e të fundit ka dy poezi, ku shtjellohet artistikisht e gjithë përmbajtja. Një zgjedhje e bukur e autores, për ta futur lexuesin në magjinë e fjalës, për atë që pret dhe atë që nuk pret të ndodhë.

Kam ndjesinë se kështu do t’i ndodhë cilitdo lexuesi, kur të ketë sosur e mbyllur edhe faqen e fundit të këtij libri të vogël, sepse i dalin shumë pyetje që i bëjnë vetes dhe nuk gjejnë përgjigje: Ç’ univers fshihet në qënien e një femre, që kërkon të sundojë botën mashkullore? Nëse e arrin, cila është kënaqësia, ku qëndron fitorja dhe suksesi? Bukuria është dhuratë perëndie, pse duhet dhunuar e vrarë? Më pas: kush e vret këtë vegim e bekim hyjnor, varfëria, pasuria apo lakmia? Pse bota është kaq e ngatëruar me dallime njerëzore, pasunore e shoqërore, që nuk gjejnë zgjidhje të paqta, por përfundojnë me ndëshkim e krim?

Novela është e shkurtër, punuar artistikisht dhe stil mjaft të arrirë, fjalor të krehur, ndaj përpihet e tëra në pak orë leximi. Shtjellohet në një skenar të ujdisur bukur, me vetëm tre aktorë, secili një botë më vete:

Elisa një vajzë e re, shumë e bukur, model arti që tërheq këdo që e sheh, e ul në gjunjë cilido që i afrore dhe e prek sado pak. “A nuk të pëlqej? Jam e vetëdijjshme për gjithçka që bëj… sepse jam femër e jo imazh. Jam portret i topmodeles. A nuk jam shembëlltyra e femrës së kohës moderne në përditësinë e saj?”. Ajo ia di vlerat bukurisë, ndaj me çdo mjet kërkon të bjerë në sy e të ndezë lakmi. “Në sytë e zinj si katrani, shndëriste një dritë përvëluese. Kurse goja pak e hapur, dukej e etur për jetë dhe sikur kërkonte një burim të kristaltë uji për t’u shuar. Gjithë qënia e saj të linte përshtypjen sikur digjej si prushin në mangall”. Me këto fjalë e vesh Vivra kët krijesë që e ngre në qiell për bukurinë, e mëshiron dhe nuk e fajëson për gjetjen dhe zgjedhjen e jetës së saj. “Princesha”, jonë, përpiqet të shpenzojë e të duket si aristokrate, kur nuk është e tillë. Bukuria e saj, një kryevepër e gjallë, shigjetë frymëzimi, hap udhën e fjalëve magjike: T’i hapë sytë ditës, ndez diellin. T’i hapë udhë natës, e ndrit hënën. Me grushta shpërndan yje, të stolisë qiellin. Me pishtar i sulet detit!... Mos, thërret e ndizet poeti! Ku të shuhem unë i shkreti, po mori flakë edhe deti!? Dhe Vivra përgjigjet në vargje: “Aty ku shkel ti…/Universi lëvizjen ndalon!”-

Përballë bukuroshes, një plak i pasur, por i kërrusur i gërmuqur dhe i lodhur nga vitet që mban mbi shpinë. Frymor pa emër, pa fytyrë, pavarësisht se vishet me shumë sqimë. Kërkon të kthejë rininë, me para të blejë fuqinë, por s’ka takat të heqë tapën, ndaj shishen e verës lëpin dhe, në fund zhytet në krim. Çuditërisht, jo pa qëllim, autorja nuk thotë asgjë për të shkuarën, as për veset e tij. Gjithçka e le në sfond gri, si penelata të trishta e të zymta, të hedhura në një qiell dimri të acartë. Edhe pasurinë nuk e thotë vetë, e le të nënkuptohet, por ndihet i fuqishëm e autoritar dhe urdhëron e vendos në emër të saj. “Paraja, -shpërthen Vivra, -Është mendja dhe goja që bën ligjin, që e ekzekuton dhe e mbron atë. Kush ka paranë ka pushtet dhe drejtësi. Ky është morali që kemi jetuar dhe jetojmë, ku për fatin e kujtdo, gjykon dhe vendos vetëm paraja”. Këtu çdo njëri nga ne kërkon një përgjigje dhe e zbulon nëpërmes fatit tragjik të bukuroshes dhe plakushit të mjerë, të uritur e shpirt zhurritur, që e lakmon dhe e vret dashurinë. Vivra e fundos në vargjet: “U tret dhe u plak…./U përbuz dhe u përbalt…./Pa dashuri…..pa lumturi”.

Mes tyre gjendet një kalimtar i rastit, edhe ky pa emër dhe pa atdhe, por që autorja e vendos nga Ballkani. Ai shijonte bukuritë e artit të Romës, këtij qyteti të lashtë, si muze i hapur, që lumturon mijëra vizitorë me bukuritë e shumta. I tërhequr si me magnet nga bukuria femrore, nga instikt i mashkullit, futet në mes të këtij çifti enigmatik. “Për një çast u kthye nga unë e më drejtoi një shikim të mjerë, ku përfshihej dëshira për të jetuar, pasion për të shijuar, lutje për t’i shuar flakët e erta të shpirtit….”. Ai rrëfen atë çka pa dhe preku, pasi e njohu fasadën e bukur të “jetës së lumtur” dhe oborrin e pasëm, plot të pa pritura, të hidhura e të pista, ku morali ndeshet e pajtohet me antimoralin, që autorja me kast i zhduk kufinjtë mes tyre, duke lënë në pikpyetje një përgjigje: Vallë kjo është jeta e kohëve moderne?

Drama me një fund tragjik, përmban në vetvete një shpërthim të ngjeshur veprimesh në një kohë të shkurtër, pak orë brenda dy ditëve. Skena vendoset në hapsirën e një territori të ngushtë: një vilë e bukur, një copë rruge ecje në këmbë dhe një lokal modern dhe i shtrenjtë, ku venë ulen veç të kamurit.

Ajo që bie në sy është ndërthurrja me mjeshtëri e të gjithë veprimeve, diku me dashje e diku si pa dashje, veç me një ide të përcaktuar qartë: të japë mesazhe njerëzore e njëkohësisht me përmbajtje të thellë filozofie. Kam përshtypjen, se këtu rreh e godet edhe synimi i autores. Ajo, si njohëse shumë e mirë e jetës dhe shpirtit njerëzor, futet pa vështirësi në të fshehtat e qënies të gruas, që kërkon të triumfojë në botën e ashpër, plot konflikte pasunore e mashkullore. Ajo me guxim futet dhe shpalos pjesë të karakterit të shprishur, të personalitetit të dyzuar të natyrës njerëzore, pa kërkuar të na japë shpjegim për shkaqet. Këto le t’i nxjerrë lexuesi.

Merita e autores është se, veprën e ka mbështetur në dallimet apo mosngjasime që ka jeta. Këto ia vesh personazheve që lëvizin vrullshëm e pa pengesa. Me mjeshtëri vendos përballë rininë me pleqërinë, bukurinë me shëmtinë, pamjen me qënien, seksin me dashurinë, virtutin me tradhëtinë, pasurinë me varfërinë, brutalitetin me fisnikërinë, mburrjen me pafuqinë, zgjuarësinë me mendjelehtësinë, vetpërmbajtjen me lakminë, dëshirën me pamundësinë, të keqen me mirësinë. Në mes tyre rrjedh pasuria dhe paratë, një lumë që i ndan dhe i bashkon të gjitha, aq sa nuk mund të jetojnë e të bëjnë pa njëra tjetrën.

Autorja si pa dashje, pa e thënë, është futur në koncepte fillozofike, të qënies dhe të luftës mes dy të kundërtave. Lundron lirshëm në këtë det të hapur, sepse me mjeshtëri i shkrin sinoret mes letërsisë dhe filozofisë. Ajo këtu qëndron dhe kundron, sepse mbi valët e tërbuar atë këtij lumi e llumi të parasë, zhytet dhe lëviz udhëtari i rastësishëm, i mençur dhe i fuqishëm, që nuk është i pasur, por nuk ka lakmi për para, ka kulturë e përpiqet të arsimohet më lart. Ai e përcjell me dhimbje këtë realitet të trishtë. Një njeri që e ka kaluar moshën e shpërthimeve, por që nuk i shmanget vorbullave mbytëse, që të përpijnë. Megjithatë: “O zot, ai shikim i plotpushtetshëm më futi në dhe të gjallë!”. Me këto fjalë, ai hyn në aventurë i turbulluar, i trullosur dhe i marrosur nga bukuria, por që di dhe ka guxim të tërhiqet, të çlirohet nga pasioni i çastit, sepse pëson zhgënjim. Nuk mbytet si miza në mjaltë, madje e braktis me neveri jetën boshe të çiftit, jetë pa përmbajtje, pa qëllim, që në në fund ka edhe një çmim, të pritshëm deri në krim.

Në një cast qetësie, Vivra jonë, nga maja e olimpit të filozofisë zbret në tokë, te njerëzit e thjeshtë me plot halle e mundime për të jetuar. Ajo mediton:

Dhe ne pyesim veten, se si ka mundësi që shumë të rinj futen në rrugë të gabuar, sapo përballen me botën e panjohur! Dhe më tej: Nëse fati do më hidhte në rrugën e madhe, pa para, pa punë, pa strehë, natyrisht do të isha bërë pre e së keqes…… dhe a do të mundja vallë të dilja?!

Lexuesi pasi të ketë mbaruar edhe faqen e fundit, me siguri do të mendojë: Vallë ç’e mban jetën në binarë e qetësisë, të rregullit e mirësisë!? Përgjigjen, pa shumë mundim e gjen te vetja, sepse shoqëria në përvojën e saj mijëra-vjeçare, ka zbuluar e zbatuar disa parime morale, në përballjet me vështirësitë dhe në marrëdhëniet mes njëri-tjetrit, që na bëjnë zot të vetvetes dhe të pranueshëm në shoqëri. Nuk po them gjë të re, veç po theksoj atë që kemi mësuar dhe e kemi provuar, se jeta e lumtur, e qetë dhe e begatë, fitohet veç me punë, mësim dhe dituri. Është i mjerrë ai që gjen dhe zgjedh rrugë tjetër, rrugë të lehtë, pa mundim, pa frymëzim, shpesh me rrezik.

Analiza e personalitetit dhe karakterit të tre pëesonazheve, është një “autopsi”, apo “diagnozë”, që do ta kishte zili edhe Frojdi. Mbase po të ishte gjallë, do ta ftonte shkrimtaren tonë për kafe, madje edhe në forume shkencore, të diskutonte mbi këtë temë të vjetër sa vetë jeta, por që nuk shterron edhe në ditët “moderne”.

Vetë popujt kanë krijuar thënie apo fjalët të urta, të mbledhura nga nektari dhe helmi i jetës, për ata që kanë karakter të dyzuar e që bëjnë jetë të dyzuar. Askush nuk i përkrah apo mbështet tipa të tillë, si në qëndrim dhe ca më shumë në veprim, që përpiqen të “fshihen pas gishtin”, në frymën e të qënit “modern të kohës”. Nga shumë thënie, po përmend vetëm tre-katër që më kujtohen në çast, të cilat i kemi dëgjuar që në vogëli, ua rrëfejmë të vegjëlve dhe kohë pa kohë, ua përsëritim të rinjëve: “Nuk të bën veshja prift”. (Italiane), “Molla është e kuqe nga jashtë, por e kalbur nga brenda”, “Mos i shiko tjetrit gunën, por shikoji punën”, “Dora me baltë, buka me mjaltë”. “Që të luash dhëmbët, më parë luaj duart dhe këmbët”, etj, etj.

Pikërisht këtu qëndron edhe merita e shkrimtares sonë Vivra, që me motivin e këtyre fjalëve të arta, na sjell një novelë të tërë, të stisur e ujdisur bukur, që të le pa frymë gjer sa ta mbarosh, duke ditur e pritur me nakth edhe fundin tragjik. Vetë kësaj novele i shkojnë për shtat fjalët e thëna nga Volteri i madh: “Është i pasur ai që kufizon deshirat e veta”.  Mësim urtësie, që në çdo kohë i përcillet pa kursim rinisë.

Kadri Tarelli

Itali. Legnano më: 07, të Majit, 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: