Puntorie Ziba: Kur ditët zverdhen
| E Marte, 16.05.2017, 07:44 PM |

Puntorie Muça-Ziba

 

KUR ZVERDHEN DITËT

 

Kur ditët zverdhen

të gjithë fshajnë

të gjithë tërbohen

frika sëmbon në palcë motre,

atë vendi-vend se zë.

Ajo kërcëllen gishtërinjtë deri në palcë:

ah, edhe ti kopil Bruto

që kurrë s’pate kurorë

në shtrat dafinore

i rrethuar

me lukuni egërsirash

me shpirtin kashtë e byk

boshatis rrugët

i fryen prushit

dhe braktis atë fije drite

në sy të paqës së brishtë...

Ore ti kopil Bruto

që gdhihesh në hotele luksoze

dhe gëlltit odatarin,

të shitoftë zana e pyllit tim!

Eh, ti që deri dje

me kandrra ke shtruar darkën,

na paske mbetur

t’i rrasësh turinjtë

e ta fusësh hundën në pellgje klorofili

e të dëshirosh

që unë të vdes për pak ajër

me sy të vakët

mbi kokrra vese.

Po sikur të na rrok dergja e syve

po sikur në pellgje klorofili të japim shpirt,

ku do të futen lakuriqët e tu

që në zgrip gremine si hu janë ngul...

Të gjithë fshajnë

të gjithë tërbohen

vetëm motrën vendi-vend se zë.

 

 

Udha e dalldisë

 

Vibroi zemra nga kumt i largët

ajëri rrahu flokët e thinjur

në asht sëmbuan fjalët e tij:

"Do vi dhe unë në tokën mëmë

të zbraz kujtime kur rigon shi

do gërvishti qiellin me thonjë të lodhur

t'rikthej të njomën miqësi.

Gufoi e s'pëlciti zemra ndër vite

kapur në eter drejt një beteje.

Marr hov ta thyej hënën hënuar

mos t'na mësyshon ndonjë çift i ri

para se të prehemi në tokën e fildishtë

që dikur s'e preknim me sy."

Tingujt hyjnor dalë nga zemra

sikur më bënë një varr nën bli,

vesha këmishën endur në veg

s'doja të vdes akoma për ty.

Të prita natën në guvë të errët

ku puthen rrugët në tunel të ri

ah, ti më erdhe me shumë dalldi.

Në ankth të prekjes u fute si rrufe

dantellat e bardha mbetën n'gishtërinj.

Shumëçka u ndrydh nëpër një jetë

na ishte tretur aty nën sy.

Nga lëndinë lotësh përzier me shi

brenda tunelit që na paqëtoi

nisëm të këmbenim mall e dashuri,

fytyrë ngrysur mbetem ngujuar

në dheun e shkriftë të nënës Shqipëri.

 

Tiranë,2017

 

 

Një copëz histori

 

Ditë të lume nuk shikove kombi im,

mbase nëna i shkrehu mallkimet

kur s'mbante vath në vesh.

Funerali buzëmavijë

shkiste rrugë më rrugë

si me dalë prej zgafellës

nga del një predhë.

I vdekuri mbeti i shkishëruar

pa varr

e kortezhi i pa shuguruar.

Asnjë trim s'polli Judbina

asnjë

të gjithë mbufaten maleve me minj

e malet s'bëzajnë.

Ah, ç'na u futën në dert

bijtë e shembëlltyrës,

mbase nëna i shkrehu mallkimet

kur s'mbante vath në vesh

e tradhëtari tagjitej me bijtë e tij.

Vetëm zgalemët bisht bigëzuar

hapën kraharorin karshi stuhisë

që ua hodhi dritën në zgarbë.

 

 

Ditë e ëndërrt

 

Papritmas vetëtiu pranvera

rigoi shi, erdhën tërmete

ikën zogjtë botës së larme,

s'mbeti flatër shpirti nën strehë...

Në dallgë përrenjsh

u mbytën ofshamat e nënave

fytyrë vyshkura si me dalë nga morgu.

Mbeti nishan një copë marxhë e qelbur

në tokën e bukës së kombit.

Vjershëtorja përkëdhelte erën jugore

dhe varg pas vargu

mbi gjethet lakuriqe pranverore

ndjellte lirinë filigrane.

Djemtë trojan pinin raki në kovaçhanen e fshatit

dhe ia mbathën sytë vidës laramane

që puthte pranverën e shirave dhe tërmeteve.

Ajo nuk dëshiroi të thith ajërin e huaj

rrugëve të botës jallane.

 

 

PËR ATO

 

Figura grash

formë bajameje,

gjunjëprera kërkojnë diellin

kur si grashine në grykë

u ngec fryma e jetës,

ngaqë i shkelën n’besë ata me frak.

Ato vajtojnë veten me ligje,

loti u bëhet breshër mbi qerpikun fije-fije

në shtratin e ftohtë.

Vajin nuk ua dëgjon

as gruaja besnike e burrit gjarpër,

as i bukuri i mrizave,dëllinjave,daullexhinjëve...

O turmë sehirxhinjsh

mos ju rrini para e pas

grave fytyrëlyera me vaj bajamesh

që tempullarët shtinjak ua thajnë jetën,

kur ato numërojnë nekrologjet

e skenaristëve gojëshqyer

që e hanë botën nga inati.

 

Veleshtë, 28 prill 2017

 

 

Afri gjaku

 

(Legjendës së demokracisë

Zijadin Selës)

 

Aromē jete më erdhi

andej nga dejtë e nënēs

kur i miri i Drinit

një natë pranvere

me sy që shkrepëtinin

në shtëpinë e ligjeve

rrotullonte kometet

me fjalë të njerëzishme

me mushtin e një aksiome.

Profeti i një paqeje

zgjaste shikimin

mes poteresh

të atyre që e kishin gjak në sy

gjakun e trimit

derdhur në dyshemenë e ligjeve,

gjakun e sojit tim

në një qelizë të vetme mbush me histori.

 

 

Sytë e Homerit

 

(Ulërijnë çaprazët

nga frika se t’mirën dritë dielli ua ke marr

kaltrinë e qiellit  n’grushtë po e mba.)

 

Përmes syrit tënd të përgjakur

pash të paqmen botë Homeri i mirë

kur dita e hajthme zbriti

mbi mitin e këmishës bardhë borë

që mbeti në ashtin e pëllëmbës

së buz ëdrinases kur fërkonte me dorë

njollat e plazmës kuq

dalë damarëve tu.

Ulërijnë çaprazët

nga frika

se t’mirën dritë dielli ua ke marr

kaltrinë e qiellit  n’grushtë po e mba.

Ata u përplasën zgrip

në piskun e vapës

xhuxhe kanë mbet

s’mbledhin mendtë në gji

të marrosur nga dehja

janë zehru

nga një kup vrerë  në gardhe të vjetra kanë vjellë.

Le të digjen brenda gjakut tënd të trazuar

se nadje të kanë bishtnu.

I mblodha gurët e kalldrëmeve

Homeri i mirë

me ua mbyll shikimet çaprazëve

se po të msyshojnë

udhës tënde të mbarë.

Këto ditë të hajthme të kësaj pranvere

sytë në tokë ju kanë piku

gjakun tënd kur e kan pa

hije terri mbi sy ju ka ra,

kanë frikë se dielli rrëmbyeshëm zbret mbi ty.

Prej barkut te nanës së Drinit doli gjama

çdo fije floku e saj

gjarpër u rrit

gjarpër që fishkëllen

e t’bëhet mburojë...

Me helm le ta ngjyejnë bukën çakejtë e tu

se ujët, gurët, fushat me gjakun tënd janë la.

Kurmi t’u mboll mes lulesh të bukura

Homeri i mirë,

hëna e dielli mbi supe po të fle

se hove zgjimi po merr.

ah, hove zgjimi po merr...

 

 

Përhitje

 

Skllave më kanë bërë

ca ëndrra të shpeshta,

të gjallë e të vdekur dhunëtar

me tërkuzë zhuke n’duar

më godasin në kurm.

 

Ç’janë këto ëndrra të vrazhda

që më vënë dhunë

gafil më zënë

dhe tingulli n’fyt më ngec

e arma s’më shkrep.

 

Ato më heqin zvarrë

hendeqeve të ngushtuara të ditëve

e më ftojnë në misticizmin mesjetar.

 

Eh, gjumit gjumë

mos i thënça kurrë.

 

 

Shpjegim

 

Pa mistifikime për atë Zot

Ma kanë skllavëruar shpirtin ca ëndrra të shpeshta ku të gjallë e të vdekur vijnë me tërkuzë zhuke në duar dhe ushtrojnë dhunë fizike mbi mua. Ç’janë këto ëndrra që më zënë gafil, më heqin zvarrë hendeqeve të ngushtuara të ditëve të sotme e më ftojnë në misticizmin mesjetar. Këtij gjumit tim, mos i thënshin gjumë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: