Skënder Blakaj: Për ty këndoj Kosova ime
| E Diel, 14.05.2017, 08:13 AM |

Skënder Blakaj

 

PËR TY KËNDOJ KOSOVA IME

 

Kosovë, oj nanë kreshnike..

Fatit të zi kurr s’mund i hike!

Mend se mbahet që nga moti,

Prej se turku këndej pat’ardhë,

Qysh se vdiq Gjergj Kastrioti,

Asnjë ditë s’e pate të bardhë.

Shumë qindë vjet q’andej kaluen,

Romakë, turq, serbë e bullgarë,

Kombin tonë s’mund e faruen,

Jem zogj të shqipes,jem shqiptarë,

Jem nipë arbëri, stërnipë iliri,

Këtu kem rranjë e këtu kem farë,

Kush nga këtu s’mund t’na dëliri.

Kot mundohen me na hjekë,

Me mashtrime e rrena tjera,

Bima farën ku e pjekë

Për dhe aty e shtron dhe era.

 

Kapne, nxirrne t’huejin jashtë,

Ia paguani të dridhmet në borë,

Të vjetit të flliqtë pesëdhjetë e gjashtë!

Lëshoni tokët e gjyshëve tanë,

Kthenu mbrapa, shkoni, ikni,

Vorre e shtëpi ku i keni lanë!

Se shqiptari shumë duron,

Por kur mbushet me tërbim,

Si lumi i bjeshkës që vërshon,

Që vërshon e merr teposhtë,

Në rrugë të vet gja s’e pret,

As s’del forcë që e mposhtë

Për të mbrojtë shtëpi e nder’n e vet.

Hajde ju,zgjidhni ma duert,

Nalt flamurin ku nxin shkaba!

Për Tivarin lypne hakun,

Për djemtë tanë atje që i vranë,

E Drenicës nxirrnjani gjakun,

Si për krejt ç’kanë ba në këto anë!

Shqypja folenë naltë ku e ka,

Tjetër shpend nuk lenë me ra,

Mos bini me fytyrë dheut,

E keni gjak’n e Skënderbeut!

Nxirrni huj e gjeni armë,

Çerdheve të tyre venju zjarr!

Zgjonu ma, djem kosovarë,

Të gjithë në luftë për liri,

Ju luaj të kombit shqiptar,

Mbroni nder,tokë e shtëpi!

N’Guri të Shpuem e në Tivar,

Ngrituni an’e mb’anë,

Ta çlirojmë Kosovën nanë,

Ngrituni të gjithë në kambë,

Që t’i kthejmë liri e namë,

Që t’i kthejmë nam’ e liri,

Si ka qenë ta bajmë Shqipëri!

(Pejë, 22 shtator 1968)

 

Vargjet u shkruan në vitin e shënimit të bujshëm të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. U bënë shkrime te gazetat. “Rilindja” botoi një numër librash që lidheshin me temën shqiptare, kurse na vetë, një gjeneratë e tërë nxënësish të Pejës, mësimdhënës në Klinë, e shënuam aty 500 vjetorin e Skënderbeut, në mënyrën më madhështore e më të pabesueshme. Kjo atmosferë dhe leximet legale e ilegale i kanë prodhuar këto vargje. Vjersha është shpërndarë e kopjuar nga duar të ndryshme. Mendonim që pa emër është rrezik më i madh, dhe kopjet janë nënshkruar herë Shpend Bardhi, herë Shpend Sokoli. Jusuf Gërvalla po i bënte dy vjet që ishte në studime në Prishtinë. E ka shpërndarë aty dhe më ka përmendur njerëz të shkrimeve që e kanë pëlqyer. Shumë më vonë, poeti i burgsur vetë ma ka përmendur këtë. Kopjen që kam e ka shkruar një shoqe klase e Enver Kastratit. Kopjen e mora mbas lufte. Enveri s’është më. Kur e vizitova në javët e para mbas luftës, e nxori nga muri rrethues i shtëpisë së djegur, ku e kishte ruajtur me vite. E ruaj edhe si kujtim të këtij shoku të jashtëzakonshëm. Regjistrimi në magnetofon,  ishte tipi më i ri i “grundigut”, është recituar nga autori Skënder Blakaj. Regjistrimin, me muzikë klasike të fuqishme në sfond, e patën përgatitur Jusuf Gërvalla, Enver Kastrati, Agim Kada (pllakat e gramafonin ishin të tijat), dhe Sefedin Arifi. Jusuf Gërvalla, Enver Kastrati dhe unë njëherë jemi ngjitur në mal përmbi Gurin Tangall, dhe e kemi lëshuar disa herë me krejt zërin që kishte magnetofoni i fuqishëm. Tash, në terr e në dritën që hyn  në atë birucë të burgut nga dritarja aq e vogël, iknin mendimet te gjurmët e mundshme që ka lanë lëvizja e atyre vargjeve që mund t’i zbulojnë këta që janë prapa dryrit të madh të derës sonë. Pos druajtjes sime,në fakt nuk pati asgjë më shumë. Atëherë ishim në njëfarë dalldie me ato vargje, ishin shumë të egra, pa ndonjë latim të posaçëm, me ndonjë imitim,sigurisht, por shumë rrëmbyese, posepo.

(Fragment nga libri Ndjekje, Arbi, Prishtinë 2013)



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: