Qazim Shehu: Diktatura të nxinte jetën për martesën
| E Diel, 14.05.2017, 09:37 AM |

DIKTATURA NUK TË NDALONTE MARTESËN, PO TË NXINTE JETËN PËR MARTESËN E GABUAR

Lidhur me romanin ”Ajo s`ështe e jona” të Osman Hysës

Nga Qazim Shehu

Pa disa romanesh, Osman Hysa sjell një vepër të re me një shpalosje tjetër,  ngjitur në një kuotë më të lartë të vështrimit realist, po edhe të thellimit psikologjik të autorit, dhe kjo të gëzon se ai e ka ndjekur dhe e laton fjalën duke  i zgjeruar mushkëritë e frymëmarrjes narrative. Që në fillim nuk na rrihet pa e “zbuluar”romanin, fabulën e tij:Lida, baba të ekzekutuar nga regjimi komunist, dashurohet me një djalë të nomeklaturës, por  i ati i djalit e refuzon me mendësinë vrastare se”ajo s`është e jona”. Djali nuk e braktis vajzën, nuk luhatet në këtë, para një të ardhmje të shkëlqyer që e pret, ndërsa e rropos fati:vdes në aksident. Vajza i kalon ditët në vetmi, e tjetërsuar nga dhimbja, ashtu si personazhi femër tek proza e Camajt “Rrungaja në mars”.

Të marrësh një fabul të njohur dhe ta ngresh në art, kjo është zotësi, ta mbushësh atë me gjakun e përditshmërisë që vërshon damarëve të ngushtë të jetës, mbetet  mjeshtëri. Ta japësh kohën siç ka qenë në detajet e saj, kërkon njohje dhe studim. Po mbi të gjitha, të përshkruash personazhet dhe fshatrat, Tiranën e atyre viteve, sërish është një meritë dhe një risi. Këtë autori e ka realizuar me një meritë që i duhet njohur dhe që përbën sukses për atë që pëlqen romanin e tablove të gjëra dhe autentike. Osman Hysa nuk kërkon bujën letrare, por tenton të arrijë marrëveshjen  sojnike me fjalën që të mos e tradhtojë atë, për t`ia dhënë maksimumin e shprehjes dhe forcës së saj bukurtingëlluese. Thamë se na pëlqen ta zbulojmë fabulën që në fillim. Po vetëm për ta treguar për arsyet e mësipërme, sepse në të vërtetë gjatë leximit të romanit fabula të josh drejt të papriturave që nuk i mendon dhe, me këtë, autori krijon atë që quhet sekret i intrigës artistike, ”karremin” e padëmshëm për ta peshkuar këshërinë tonë. Dhe, vetëm në fund, pasi t`i ka dhënë të gjitha të çon drejt një zgjidhjeje të papritur  që nuk do dëshironim të ndodhte, por që ndodh për shkak të alogjikës ideologjike të kohës. Dhe vërtet të vjen keq, tronditja e beftë të rrëqeth e nga kjo fillon e mediton pse të ndodhë kështu, si mund të mos lejohet dashuria për shkaqe ideologjike kaq absurde. Po kjo ndodh, e, prej të ndodhurës, autori shkëndijon një realitet ngjethës e trishtues që të shkundullon edhe sot pas kaq e kaq vitesh.

Këto efekte përftohen prej zotësisë së autorit, sepse nuk kemi të bëjmë me një kronikë të dokumetimit kohor, po me një spirale të dhunës që qepte parrullat me beze të kuqe ku reklamohej lumturia dhe drejtësia. Kjo spirale kishte një kufi ndarës: ne dhe ata, një kufi që në një moemnt afrimi sillte tërmete shpirtërorë dhe kundërshti absurde, sa sot mund të rrudhësh buzët e të ndjesh pështirosje për zhganin e njerëzve të indoktrinuar .

Lida Koleci, vajza e internuar, pasi njeh ndihmën e njerëzve të mirë, mund të”rehabilitohet” deri diku, dhe të punojë mësuese në malësi. Duke ndjekur linjën e kompozimit digresiv, autori e paraqet atë si një njeri të heshtur. I gjithë gëzimi sillet në marrëdhëniet me njerëzit, fshatarët e kësaj ane. Brenda heshtjes së saj turfullon e përndizet një vullkan’’që fle i fashitun’, siç thotë Migjeni. Ajo është e dënuar nga diktatura dhe nga fati. Kështu, çdo ditë vyshket e mbyllet, duke u bërë  humnerë e vetes. E vetmja gjë që e mban gjallë janë kujtimet, ato më të bukurat, por ato janë pak. Ashtu si kthesat e malësisë që gjarpërojnë buzë humnerash, kështu edhe jeta e saj ka pësuar zigzage të panumërta, me kthesa të forta e malore fati. Këtu krijohet një paralelizëm figurativ  që shtrihet në vlerë simbolesh. Autori përshkruan natyrën  e malësisë, pyjet, retë, horizontet ku mbizotëron bora. Pse bora?Sepse edhe këtu ai e kërkon simbolin në dobi të përqasjes me botën shpirtërore të personazhit të vet, ku ftohtësia dhe largimi prej jetës, vjen, dhe çdo ditë, merr pamjen e një ikjeje pa kthim. Interesant është ai në përshkrimin e Tiranës së atyre viteve.

Tirana bënte jetën e saj të gjallë, njerëzit mundoheshin të jetonin mbërthyer në vështrimin dhe përkrahjen e njëri tjetrit, por nën këmbë u rrëshqiste toka dhe ata mbaheshin fort. Rrugët, fshesarët, klubet, këngët e vetmuara me ndonjë fjalë a tingull të huaj, institucionet, ngushtësia e tyre, parullat gjigandeske, sërish njerëzit dhe komunikimet midis tyre, janë kapilarët e jetës ku vërshonte limfa e paktë e saj. Detajet thuren me kujdes, thuren në gadishmëri të përmbushjes së qëllimit artistik të autorit, në vizatimin dhe thellimin e gjendjeve shpirtërore dramatike, në dukje të qeta, të konformuar me këtë realitet gri dhe të fortë e aq të thyeshëm, sa për sy e faqe, kurse të gjithë e dinë se ky realitet do t`i përtypë një ditë . Gjithçka i ngjet një horizonti që vjen e mbyllet, pavarësisht se dëshirat kërkojnë me shpërthye”pa frikë e pa zori”. Kundërshtia e një dashurie të zjarrtë nuk është një kundërshti që vjen prej ndonjë paragjykimi, përveç kundërshtisë ideologjike. I ati i Fatmir Ramës, Kanani, djalit që do Lidën, është një homo politkus, një manekin i pushtetit, ai, për hir të ideologjisë, kishte braktisur gruan e tij ruse. Ky homo politikus  nuk mund t`ia lejojë të birit këtë. Ndryshe lamtumirë karrierë, dhe hapu burg. Dhe në këtë konflikt  vjen e gatuhet krejt ngjizja e bërthamës së romanit, magma përndezëse dhe helmuese, që shpërthen poret e lëkurës narrative prej nga buron tmerri i dramacitetit drithërues. Lexuesi mendon :po sikur mos ndodhte aksidenti çfarë do ndodhte?Fatmiri me Lidën do shkonin në Maravesh, fshat i largët, atje do ua gjenin rastin, dhe dihet si do përfundonin. Diktatura nuk ta ndalonte martesën, po të ndalonte jetën. Dhe kjo jepet me një vorbull ndodhish që mblidhen e shtyhen drejt një honi të kujtesës, ku asgjëja dhe gjithçkaja përqeshin njëra tjetrën. Po a është një zgjidhje aksidenti?Autori na i lë gjërat të nënkuptueshme. Aksidenti është një e paritur dhe, të  tilla, jeta i sjell përmes verbërisë së saj. Lexuesi mund të mendojë  si të dojë dhe romani mbyllet me një fund të hapur idesh dhe mundësish interpretative.

Hysa  shpalos një prozë sa realiste aq poetike, sa të shtrirë e të detajuar, aq të ngjeshur në ide dhe vëzhgime të holla, sa ironike aq edhe lirike me çaste të ngrohta. Ndonëse në diktaturë jeta afron pak gëzim edhe kur ti je mirë, sepse nuk është mirë njeriu jot, i afërmi apo shoku. Përpara se t`i bëjë një autopsi diktaturës, ai i bën një preje çezariane trullosjes që shkakton, sa peshon ajo mbi supet e brishta të ndjenjave të njerëzve, si e krijon  hutueshëm dhe dhimbshëm këtë efekt edhe kur duket se nuk ka punë me ty. Meritë e tij është se nuk synon ta japë diktaturën në çjerrjen e maskës së saj propagandistike, po në efektin dramatik të malit ngurtësues që “s`bza”e njerëzit mbajnë mbi supe, në shkatërrinmin total që i kishte bërë njeriut, duke e kthyer në homo politikus. Me intuitë dhe zgjuarsi ai i është dhënë këtij këndi të vështrimit psikologjik, se kështu ia kërkon detyra prej shkrimtari dhe këtë detyrë artistike e realizon me seriozitet dhe me largpamësi estetike, pa bërë moral të hapur, po duke dhënë moralin e zbërdhulët dhe të flashkët të asaj kohe, me mjete të bollshme artistike.

Në aspektin vlerësues të stilit  si frymë, vijnë në ndihmë  arsenale fjalësh vërshuese dhe të rrjedhshme, të cilat autori i zgjedh e i funksionalizon për të sjellë vërtetësisht botën e personazhit, që e trajton shterueshëm aq sa të duket se ai është pranë teje dhe ti ia ndjen dhimbjet. Kjo meritë konceptuale  shihet dhe ndjehet dhe, njëherit, jepet sfondi kohor që e shpalosin duart e shtrigës ideologji e çmendur, që sot duket si lojë e pakuptimtë, po atëhere nuk ishte lojë  . Përshkrimet e vendeve mbeten të rrjedhshme dhe përshtat botës së personazhit, ashtu si edhe kthimet kompozicionale arsyetojnë artistikisht besueshmërinë dhe kthesat dramatike të personazheve  që, aq me finesë dhe  vërtetësi, plotësohen në rrugën e sendërtimit artistik  nga autori, Osman Hysa.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: