Vladimir Muça: Modeli i njeriut në poezi
| E Shtune, 13.05.2017, 08:01 AM |

Triniteti bijë- femër- nënë

dhe

modeli i njeriut në poezi

(Vëzhgim rreth përmbledhjes poetike “Vrap i çmendur”  e poetes Mimoza Rexhvelaj)

Nga Vladimir Muça

Poetët janë përçuesit më besnikë të temperimit në vlimin kohor; si të tillë ato grumbullojnë në subkoshiencën e tyre, emulsionet e kohës. E tillë vjen dhe poetja Mimoza Rexhvelaj, e cila si një bletare poetike, me nektarin dhe emulsionin e jetës, duke e derdhur në format artistik, në produkt poetik. “Vrap i çmendur”, shembull amalgamash të përzgjedhura, si me megametafora, është cikli i dytë  “Duke dalë nga tyneli i tundimit”, ku autorja nëpërmjet aseteve poetikë ngren godinën e personalitetit të vet artistik. Do desha  që ky cikël të hapte horizontin krijues në faqet e para të  librit si një preambul, si një thagmë e mendimit poetik, stiluar me shumë përkujdesje e ndjenjë.

Në këtë vëllim të katërt të Mimozës duket qartë një premtim vazhdimësie për produkte me valenca më të larta besueshmërie me kontributet në shkencën humane të letrave. Kjo dukuri evidentohet me përpjekjet, vizionet e qarta në përgjithësimin e ideve përmes vargut tradicional, por dhe përmes vargjeve të lira, të bardha, me një rimim të brendshëm, që ngjiz mendimin poetik më lirshëm në qartësimin e ideve e të mesazheve. Autorja ka ditur që këto mesazhe dhe ide, ti shtjellojë në qëllimin për të arritur gjykime e përfundime të drejta artistike e stilistike.

Në kaleidoskopin mendimor të poetes, trirohen shumë ide, sepse ajo është një vëzhguese e imtësirave shoqërore. Nga vargu në varg e poezia në poezi, në asnjë rast, personazhi poetik nuk qëndron   pozita pasive, por bëhet matricë e gjithëçkaje që gëlon brenda shoqërisë, pjesë aktive e së cilës është dhe vetë autorja.

Në tërësi, poezitë kanë veçorinë si poezi meditativo- filozofike, ku poetja rreket të gjykojë jo vetëm ndjenjën e vet, të partnerit, e të njerëzve më të dashur që e rrethojnë, por dhe fenomenet shoqërore që e ndjekin dhe i suportojnë marëdhëniet mes tyre.

Personazhet poetikë, me statusin e një lirizmi, hera- herë dhe dramatik, kërkojnë dhe gjejnë pozicionin e vet në këto fenomene, luftojnë e mundohen të inponohen në këtë proçes zhvëllimor- social duke lënë dhe gjurmët e tyre. Nga kjo më lind e drejta të definoj se Mimoza është vetëvetja në atë çfarë shkruan, pa zbukurimet e artificave artistike. Ajo ka krijuar stilin e saj në të bërit poezi, duke u mbështetur në të shumti në të thjeshtën poetike, herë- herë gjer në një kigo. Në tërësi figuracioni  nuk vjen si objekt në vehte si ornament, por si një bashkësi e të shprehurit artistik.

Pas  viteve ’90 në shumi, në poezinë shqipe, e në tërësi në letërsi, nuk shëmbëllejnë  më heronjtë  letrarë, sepse letërsia në këtë tranzicion letrar po kalon periudhën e deheroizimit, të krijimit të një modeli më prototip, më gjithëpërfaqësues. Për Mimozën, njeriu model ( babai, nëna, motrat,  i dashuri, fëmijtë, shoqet e shokët) me pastërtinë e tyre shpirtërore, subkoshiencën e gjykimin e tyre, janë prototipet poetikë, prej ku gëlojnë mesazhet dhe idetë. Në këtë kontekst, bashkë me shumë poetë bashkohorë, në proçesin e katarsisit estetik, ajo jep vizionin e personazhit si fenomen i ri shoqëror. Ndaj më të shumti, pavarësisht disa dukurive deklamative në disa poezi si” Dhe dashuri qofsh”, “ T’ju them dua” , “ Ekstazë”, poezia vjen e lirë, shpërfill ngurtësimin në konceptin stilistik. Mbart një shumi shijesh  e ndërthurjesh rrymash realisto-ekzistenciale, herë- herë  dhe impresioniste, sa që nuk e kupton  se ku fillon e ku mbaron një stil poetik.

Gjithçka vjen e lirtë, si subkoshienca e poetes, e cila në filozofinë e saj sociale nuk pranon mëdyshje, por e merr jetën siç i vjen e siç e koncepton, duke patur si udhëzues sentencën e Umberto Ekos se “...e vetmja forcë që vë në lëvizje intelektin filozofues është e vërteta”. Ndaj edhe në këto poezi, sidomos tek cikli “ Duke dalë nga tyneli i tundimit” gjithëçka vjen me shpërthime të sinqerta lirike, me meditime për trandjet   dhe dilemat e subjektivitetit lirik,   i cili zien në erupsion në shpirtin e autores.

Refleksionet që lindin nga vargëzimet, përshkohen me thelbin e dashurive universale, si dhe të qenësisë individuale, nëpërmjet elementëve përbërës të gjallimit. Poetja abstragon brenda realitetit dhe përditëshmërisë, duke e qëndisur vargun me fjalën e përzgjedhur, duke mos huazuar  figura reminishente  nga poetë të tjerë. Çdo gjë e thurur në varg vjen si sintezë e shijeve të saj artistike, duke e thurur poezinë me artin mjedian të fjalës, me anë të kolorit dialektor, me një shpirt krijues, mbushur me nektar të folkut.

Kjo lloj poezie, vjen në këtë produkt poetik me një prezantim dinjitoz, md tendenca në intertekste poetike, si një fjalëkryq  ndjenjësor, i cili si çelës, si botë princërore, ka zgjedhur atë princeshë poezi e cila e ve lexuesin të meditojë. Kjo është dhe  magjia e një arti të vërtetë.

Në poezinë impresioniste ”Unë di pse lodhet deti” natyra ndërsjell trillin dashuror, si në kigot japoneze tanka, ku fenomeni natyror vesh me një retush gjithçka erotike, nëpërmjet një paralelizmi figurativ, si një invers i fenomenit dashuror ku:

“Deti tendos muskujt/ Dhe ndërsen dallgët e buta/ për ta retushuar atë hapësirë/ Në breg ku fjetëm atë pasdite,” apo: “ Endrrat i këput era/  Siç bie dardha nga dega/ vegshi i ndiesive të mia/ Notoi me mijra lega.” Gjithçka e thënë bukur, me mesazhe e ndjenjë, ka ndjeshmërinë e tharmit artistik të mendimit e mesazhit, duke reflektuar problematikat e kohës.

Një vëmendje dua të tërheq, në këtë aspekt, në ruajtjen e raporteve të ndjenjës  e mesazheve, mendimit në një barazpeshë, sepse, në rast se ngulmojnë që peshorja të anojë nga mendimi  si tek poezitë “Sot”, “ Ende sot”, “ Variacione me kohën dhe jo vetëm,”, “Fiket si qiri”, poezia vjen e thatë, pa nerv poetik, por edhe kur anon më shumë nga ndjesitë artistike që autorja tenton të fusë me sforco, si artifica artistike, poezia vjen e shtirur, pa mesazhe e ide.

Në mbajtjen e ballancës, siç përshfaqet estetikisht në shuminë e poezive, autorja ka arritur të na japë ndjeshmërinë e tharmin  artistik, mendim e mesazhe, duke reflektuar artistikisht problematikat e kohës. Mendimi filozofik i poetes vjen nëpër vargje si një përrua psiqik nëpërmjet imazheve të natyrshme, si një dhunti e falur nga natyra me biodiversitetin e saj shoqëror.

Ky imazhinizëm poetik vjen me natyrë figurative duke strukturuar identitetin e metaforave, si dy  klithma të ndryshme shpirtërore të poetes, por që këto figura plotësojnë njera tjetrën, duke krijuar arketipet poetike, si vetëdije e njeriut, i cili  si primare në jetë shtjellon idenë e më pas veprimin e personazhit poetik në karakter tipizues. Ndaj dhe imazhi poetik në poezitë e poetes Rexhvelaj është siç  koncepton Ezra Paund në një ese të tijën mbi estetikën: “ me karakter vizual të elementëve artistikë” duke nxjerrë në pah protonizmin e embrionit të fjalës.  Një poezi e tillë që ecën në këto pasarela estetiko- stilistike, vjen si shembull i një arti autonom i fjalës e personazhit poetik ( autores).

Kjo është dhe burimorja, pse poezitë reflektojnë shtjella shpirtërore të personalizuara, por që më të shumti e kalojnë dhe cakun personal, shoqërizohen si përjetime universale ekzistenciale të njeriut të sotëm modern, ku me poezinë “ Trans i ndërmjemë” autorja manifeston kurmin e saj poetik në konceptin psiko-analitik, ku lirika shoqërore rrjedh këndshëm si një lum psiqik, pavarësisht oshilacioneve shoqërore që e kanë ndjekur autoren në jetë. Megjithë këtë autorja, duke marrë forcë nga universi dashuror, me statusin poetik ” gdhend” statujën filozofike të jetës me thagmën e subkoshiencën e vet ku:

“ E mjera  vetmi/ Maiset e tkurret/ Gjithë neveri,/ Unë e shpotit/ si rrigën në shi”, sepse ” Më grish ta ndjek e me të të bëj gili- vili”.

Në këtë kuadër stilistik, siç jep mesazhin dhe tek poezia “Gjaku mjeran i shtrigave” zen fill burimorja e interteksteve, ku ekzistencializmi dhe impresionet e dypersonalitetit  të njeriut  dalin në pah si një koncept filozofik sepse:

“ Pasionet e rinisë kur nisja për diku/ Eshtë tjetërçka e jo maskë e çjerrë”, lakon autorja me besim në botën e saj shpirtërore sepse ”Toka nuk u përmbytka për çudi/ Nëse me sytë e tu mërgon një stuhi...”

Siç definojnë dhe filozofët e estetët e mëdhej, arti i vërtetë lind tek vetëmohimi i subkoshiencave, i luftës me vetëveten, lind nga diçka që në një apo tjetër formë është  vetëmohuese.

Sot kur letërsia, në kuadrin  e një pluralizmi  krijues, po kalon si gjithë shoqëria handikapet e saj, poetja Mimoza Rexhvelaj, me katarsisin vetmohues, ka gjet vetëveten në linja të reja krijuese. Poetja, si një vlerë universale e risive, imbursohet nga realizmi i mirëfilltë, në tërësinë poetike edhe në ato raste kur mitikja, legjenda, tradita, vinë si pjesë thelbësore e trendit poetik.

Por me trandjet personale, ajo mbetet brenda një erosi të madh, një dramaciteti sa liriko- erotik, aq dhe shoqëror, si një sens i pandarë, të cilët plotësojnë njera- tjetrën, e ushqejnë atë. Në këtë dashuri të madhe, shumë dimensionale, poezia e Mimozës bubrron risi në vetevete, duke u përmbajtësuar në trinitetin ekselent të poezisë natyrale, me amalgamën e natyrës- njeriut- dashurisë për vendin sepse; “Etjen ma ndez me eshkë Jezerce/ Mbi ballë një fanar  më saldon,/ Me perçina ndjenjash të holla / Me një ngutje që shpesh më huton”. E më pas  si paralelizëm figurativ, vijnë metaforat me intertekstet e tyre, të cilat autorja i maturon brenda habitatit natyror, ku dhe gjethet e verdha ”Janë të trishtuara ku pikat e shiut/ Deri në palcë patën shtrirë / Mbretërinë e tyre të lagët.”

Interesant është këndvështrimi që ka autorja në një trinitet tjetër shoqëror: si bijë- femër ( grua) –si nënë. Shumia e poezive në ciklin “Duke dalë nga tyneli i tundimit” maturojnë këto tema liriko- sociale, kaq shumë të domosdoshme sot kur problemi i familjes shqiptare është agravuar në përmasa shkatërrimtare për familjen. Divorci është bërë kangrenë, ind patogjen i shoqërisë. Duke ngulmuar në shembullin e këtij dramaciteti social, autorja e sjell këtë trinitet, këtë gulmë shpirtërore të ndërlidhur ngushtas me dramacitetin lirik dashuror, si një psiko terapeutikë sociale e shoqërisë.  Poezitë “ Më duhet pak kohë”, “ Ata që u mbështetën në ushtën e fjalëve”,”Babi më sheh prej larg”, “ Rruga pa kthim”, “ Baa si të kam” , “ Të pata dashtë aq fort”, “ Gratë janë të forta vërtetë”, “ Pse jo, rastis”, “Lotët mbeten të kristaltë”, lirizmi social shkrihet me atë dashuror në formatin e këtij triniteti. Ai vjen si stoicizëm, si virtut i poetes, si luftëtare e të vërtetave shoqërore, si promotorr i lirive individuale, sepse ajo guximshëm: “ I bëj sfidë të pamundurës kryeneçe/ Egon e sëmurë e harroj s’di se ku/Perden e harresës nuk e le të bjerë/ Rastis ta qëlloj dhe me grusht.”

Këto janë dhe poezitë më pikante, më dramatiket, më mesazhieret, ku raportet shpirtërore dhe ato shoqërore  përmes mohim- pohimeve të ndërsjellta, bëhen bërthama e lëndës poetike në gjithë produktin poetik. Ky trinitet, i realizuar në okielon e një realizmi të trashëguar, brenda një metri me një rimim alternativ, ku asonanca dhe tropet vinë natyrshëm përmes  magjisë të shpirtit poetik pa ato kornizat metrike apo kozmogonitë e “ qiejve që pikojnë yje”.

Në këtë kontekst estetiko- stilistik, muzikaliteti i vargut, tingëllimat poetike, mendimi dhe idea, nuk i len shteg sakrifikimit për hir të rimës, ku hera – herës humbet ndjenja, apo mendimi vjen i vakët.  Duke qenë vetëvetja, autorja, si personazh poetik, vjen si idhujtare e Uollt Uitmanit të madh, i cili definon: “ Nëse  kërkon të gjesh të bukurën, mos ngarend kot, por shihe se atë e ke tek e thjeshta, para syve.”

Kjo e thjeshtë, e ka ndjekur Mimozën në triorimin e përzgjedhjeve e trilleve poetikë. Për poeten, poezia nuk ka vetëm ndryshime e zhvillim, por sipas Ernesto Sabatos, “ ajo është dhe një lojë ndjenjash, mjet njohjeje, angazhim sociologjik, diçka e bukur, hyjnore, zotërim apo kontroll i të shprehurit të ndjenjave.”

Çdo lexues, në këto poezi, do të gjejë të ndërthurur  personalen e emocionit, dashurisë, por dhe dramat e dhimbjeve, duke përjetuar një evolucion shpirtëror, përplasje emocionesh në çaste kundërshtishë. Në  to do të gjejmë ditarë mardhëniesh, gjëndje shpirtërore, raportet me të dashurit, kujdes, dhimbje, mirënjohje, vargun që fërgëllon nga situata të brishta lirike por dhe të ashpra njerëzore.

Maj 2017

Vladimir Muça

Shkrimtar, kritik



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: