Përparim Hysi: Kristaq Turtulli - Ikje prej vetes
| E Shtune, 13.05.2017, 09:11 AM |

Të ikësh nga e vërteta

"Ikje prej vetes", roman nga Kristaq Turtulli

(ese)

Nga Përparim Hysi

Sapo mbarova së lexuari romanin  e Kristaq Turtullit dhe, nën trysninë e këtyre mbresave, po mundohem të them përhtypjet e mia për të.

Nuk është  herë e parë që shkruaj për Kristaq Turtullin dhe them se nuk kam gabuar, kur në një nga shkrimet e mia kam thënë: "duhet t'i shtojë mbiemrit TURTULLI edhe epitetin Romani". Midis nesh, kur shkëmbejmë mesazhe, e përshëndes me: "Ku je, o Kristaq Romani!". Nëse ndodh kështu, nuk është se jam pak i njëanshëm apo kam ndonjë dozë ndikimi të veçantë  ndaj shkrimeve të tij, por, po ta ndjekësh në gjithë dinamikën e tij letrare, ke për t'më dhënë të drejtë.

*     *   *

Po kush është Kristaq Romani?  Është një njeri me shumë vlera se jo vetëm është një prozator polivalent, por është dhe piktor dhe në atë atributin"polivalent", lexuesi duhet të kuptojë një gjë: kemi të bëjmë me një shkrimtar që me penën e tij ka lëvruar në disa fusha. Kjo "lëvruar" asëll-asëll duhet bërë pak më e prekshme. Kristaq Turtulli penën e ka kthyer në plug duke lëruar në ara të"gjata". Është i çuditshëm: shkruan për fëmijë; shkruan prozën e shkrutër (në gjininë  e tregimit) dhe ca më shumë prozën e gjatë. Këtu, tek proza e gjatë, shkruan dhe novela dhe mbrrin apogjeun e tij edhe me romane, ndonjëherë dhe  me seri. Me ca tema që ta bën mendjen çorap, si: "Syri i Ritës" a ca më sinjifikativ si "Tulipani i Koresë". Pa qenë në Kore, me penë bëhet korean nga ata të Koresë së Veriut (si gjysëmvëllezërit tanë nën regjimin e Enver Hoxhës).

Ka shkruar gati  20 libra, nga këta: gjysma janë romanet. Ka botuar dhe në gjuhën angleze dhe është anëtar i UNIONIT TË SHKRIMTARËVE TË KANADASË. Ka fituar disa çmime kombëtare në gjininë e prozës. Dhe për ta bërë pak më të plotë portretin e tij prej krijuesi, duhet thënë që , veç si prozator, është dhe poet i mirë: shkruan dhe poezi, por dhe poema. Pa mohuar dhe një vlerë që ai, sikur e lë në "hije": është piktor që ka hapur disa ekspozita me pikturat e tij.

*     *    *

Kur mbarova së lexuari romanin e tij të fundit "Ikja prej vetes", natyrshëm fillova të gjykoj për të. " Të ikësh prej vetes,- thotë nobelisti, Bob Dylan, do të thotë si të ikësh prej të vërtetës. Dhe vërtet kështu ka ndodhur dhe me romanin në fjalë. Kristaq Turtulli sikur bën "anatominë" e familjes shqiptare në këtë tranzicion të gjatë. Duke trajtuar  një"ikje prej vetes", në gjykimin tim, sikur i jep përgjigje një sentence popullore që thotë:" Nga vendi i lik, mos ik; nga njeriu i lig, ik një sahat e më parë."

E kthej dhe e stërkthej romanin dhe, kur shoh rrokullimën e kësaj familje, zë e hulumtoj përmjet kujtesës ku më ravijëzohen jo dhjetra, po, mjerisht,edhe qindra familje që kanë humbur drejtpeshimin pas përmbysjes së sistemit.

Shoh një galeri të tërë personazhësh drejt zhbërjes së tyre nga faktorë objektivë e subjektivë njëherësh dhe, tek dua të dalë në një emërues të përbashkët ( e kthej letërsinë në racionale), më vjen ndërmend i bukuri i  pavdekshëm (ndërroi jetë në shkurtin e vitit 2016),UMBERTO ECO që thotë, mes tjerash: " Sikur unë do të sundoja botën, kisha për të vënë re se si njerëzimi po shkatërron veten... dhe shton: "natyrisht unë nuk do sundoj botën, por do t'i këshilloja njerëzit (do t'i detyroja, më saktë), që të lexonin librat e mi, se kështu do të kuptojnë se nuk duhet të kemi një sundimtar në botë."

Po ta shohësh romanin me sykritikë, vë re se familjet që marrin tatëpjetën sociale,janë të gjitha ato që në këtë "tranzicion kaq të stërzjgatur" humbin orientimin dhe në"kuinta" zënë e ndodhin drama që të mbresojnë.

Lupa vëzhguese e autorit jo vetëm që i nxjerr të vërtetat lakuriq, por kthehet në atë "bisturinë" e një kirurgu që tenton që të heqë  çibanë malinjë nga   një trup që po merr tatëpjetën.

Në roman ndodh ai fenomeni  astronomik i rrufesë: rrufeja godit pemët e larta! Kështu ndodh dhe me familjet shqiptare: rrufeja sociale godet familjet e ndershme. Ato familje që kurrë nuk i shkelën "vijat e bardha". E pësuan, së pari, njerëzit e ndershëm: të shkecës, të artit, të kuturës. Fati tragjik i  një dirgjenti si Roland Kaçureli; të një pianisti si Mina Skënderi; të një trompisti si Blerim Musaku (ky është dhe personazhi qenrdror në roman), janë dëshmi e një tatëpjete të dhimbshme dhe shumë domethënëse.

Shkon dhe nga shkon, dhe nuk ke se si t'i shpëtosh asaj drame që fillon me familjen dhe, sakaq, me metastazat vrasëse kthehet në një epidemi rrënqethëse.

Autori, sado larg nga Shqipëria, me të vërtetë jo vetëm që nuk është larg, po është fare afër. Ai e di mirë që në  këtë shtet që, sado që ka ligje, shpesh vendimet  i merr Maliqi dhe, kësaj plage kaq të madhe, nuk rri idiferent. Duke na dhënë perosonazhë sadistë si,Dako Damllaja apo "vëllai i ftohtë" i Blerim Musakut , ai sikur e vë gishtin mbi plagë.

Po sa para bën kjo ndershmëri e një kriujuesi. Me të drejtë, Bob Dylan, thotë:- Për të jetuar pa ligje, duhet të jesh njeri i ndershëm.

E ballafaqon këtë thënie me çka ndodh në roman dhe e vë re mirë kaosin social: "Damllat dhe Co... ku përfshihet dhe Çlirimi "vëllai i ftohtë" i Blerim Musaku, shijnë e bëjnë lesh e li dynjanë, kurse të ndershmit s'kanë një kacidhe; i nëpërkëmbin; i fyejnë dhe deri në përdhunim dhe, me të vërtetë, të duket si një absuridtet apo mos je duke lexuar një roman grotesk? Aspak. Është një realitet i dhimbshëm që, tek e vë re përmjet leximit, nuk ke se si mos prekesh.

*    *   *

Nobelisti  nga Kolumbia ,  Markes, kur flet për letërsinë, thotë: " Në fund të fundit, letërsia është zdrukthtari. Edhe letërsia, edhe zdrukthtaria kanë të bëjnë me një material të vështirë si druri.". Pra, të trajtosh relaitetin, si të  latosh një copë dru. E sa "gdhënja" ka ky"copëdru" i  realitetit shiqptar në këtë tranzicion që zgjatet e stërzgjatet për arsye subjektive dhe aq fyese sa të bëjnë që të kërcejnë kacabujtë.

Të gjitha këto, pak a shumë, i gjen tek romani "Ikja prej vetes" të Kristaq Turtullit. Dhe bindesh se, sa mund të ikësh prej realitetit, aq mund të ikësh dhe prej vetes. Por nuk do ta mbyllja këtë ese timen, pa iu rikthyer dhe njëherë të madhit UMBERTO ECO që thotë:"  Ne, shkrimtarët, bëjmë punën tonë. Protestojmë, por nuk mund që ta ndryshojmë botën". A nuk është një protestë e madhe ky roman i Kristaq Turtullit që do që ta ndryshojë "aktualitetin social" në Shqipëri?!


Tiranë, 9 maj 2017

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: