Hoxha: Shqiptarët të bëjnë atë që bënë francezët?
| E Shtune, 13.05.2017, 07:18 AM |

A ka ardhur koha që edhe shqiptarët të bëjnë atë që bënë francezët?

Nga Gëzim Hoxha

Të gjithë e pamë dhe e përshëndetëm fitoren e MACRON-it. Ca, se ai mundi ekstremin francez të përfaqësuar nga Le Pain. Të tjerë e përshëndetën sepse firoja e tij ishte mbështetje për vazhdimësinë e projektit evropian.

Gjithmonë ka të gëzuar dhe të hidhëruar nga një lajm i caktuar. Edhe këtu tek ne duhet të jenë gëzuar dhe hidhëruar sepse çdo gjë e ka një nënkuptim. I gëzuar duhet të jetë çdo qytetar i thjeshtë, i gëzuar sepse duke parë një fytyrë e re në skenën e politikës evropiane, secili mund t’i gëzohet mundësisë që e njëjta gjë të ndodhë edhe këtu. Disi të shqetsuar mund të jenë politikanët aktual të cilët e ndjejnë se efekti domino nga zgjedhjet e bëra në fillim nga grekët, më pas nga spanjollët, italianët e amerikanët e së fundi edhe nga francezët po afron e do të ndodhë një ditë edhe këtu tek ne.

Francezët si një komb elitar e kuptuan se nuk mund të pritet deri në pafundësi për një zgjidhje që nuk mund të jepet nga dikush që është shkëputur nga masat dhe nga realiteti me të cilin ata përballen çdo ditë. Ata ia ofruan vetë zgjidhjen vetes, në një mënyrë të qytetëruar ashtu si vetëm një francez di dhe reagon. E gjithë kjo që pamë të ndodhte në Francë, mund të përmblidhet vetëm me një fjalë të vetme. DINJITET. Dhe dinjteti, vetëm dinjiteti që nuk iu mungon atyre.

Ka një gjë që e rregullon këtë shkëputje, ajo është vetëm qarkullimi i elitave. Kjo gjë shkaktohet më së shumti nga konsumimi politik. Kasta politike ekzistuese e ka humbur lidhjen me realitetin. Këtë humbje e shpreh më së miri ndryshimi i qënësishëm i përparësive, dihet nga të gjithë se të tjera prioritete kanë qytetarët e thjeshtë dhe të tjera kanë politikanët. Unë mund të flas shumë mirë për qytetin ku banoj. Konkretisht prioritetet e bashkisë janë infrastruktura dhe funizimi me ujë të pishëm, ndërsa për qytetarët janë papunësia dhe rritja e çmimeve. Ky ndryshim u soll në vëmendjen e një tryeze të rrumbullakët të zhvilluar në qytetin tim para ca javësh. Rezultatet u mblodhën nga 2 anketa të ndryshme të zhvilluara në mjediset rurale dhe urbane.

Në një moment të tillë kur një ndryshim i tillë bëhet tejet i dukshëm athere më e pakta që mund të ndodhë është ajo që quhet mungesa e përfaqësimit. Dhe vërtetë unë si individ nuk mund të ndjehem i përfaqësuar, kur ata që gatuajnë politikën e përditshme që na serviret përditë nga ekrane televizive, gazeta e portale të ndryshme nuk mendojnë për atë që më shqetëson mua dhe kushedi sa të tjerë si unë.

Unë mora si shembull shqetësimet dhe hallet e përditshme, por mund të vazhdohet edhe më tutje. Loja e politikës është e papranueshme për shumë prej nesh. Dikush kapet prej vetingut e një tjetër pas votës. Sa për ta ditur assnjë qytetari të thjeshtë nuk i interesojnë këto dy gjëra. Nuk i interesojnë jo sepse nuk i duhen, por ai është shumë i lodhur nga sigurimi i disa të mirave që përbëjnë si të thuash një minimum jetik. Këtu e ka katandisur politika të shkretin.

Një mesoburrë i pranishëm në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga organizata e vëzhguesve vendor filloi të irritohej e më pas të ngrinte zërin kur presidenti i kësaj organizate bëri një përmbledhje të gjatë të punës së bërë deri tani.

-Boll na lodhët duke na prezantuar se çfarë keni bërë, deri sa thoni që s’keni arritur asgjë, athere pse nevojitet e gjithë kjo punë. – gati klithte burri.

-Ne jemi këtu për të sensibilizuar, - ia ktheu kreu i organizatës.

-Ne duam zgjidhje! – e ndërpreu mesoburri.

Po sa të tillë ka. Sa të papunë ka që vërdallosen për një punë zyrave dhe nuk gjejnë asnjë njeri që t’iu zgjidhë hallin. Një nënë me një vajzë e cila është obeze dhe nuk del se nuk lëviz dot kërkon nga bashkia leje për një ashensor, ia japin këtë leje, më pas ajo bën çmos për të marrë një kredi për ta instaluar atë, po ashensori prish 2 – 3 shkallë që lidhen me një dyqan, i zoti i dyqanit mbledh nja 10 firma te komshinjtë dhe leja anullohet sa hap e mbyll sytë. Në një kohë kur ligji për aksesueshmërinë e objekteve nga personat me aftësi të kufizuara ka një jetë që është miratuar nga parlamenti. E pra në bashki i thonë pse e bleve shtëpinë pa ashensor!!!

Po kësaj nëne si i bëhet? Askush nuk ia zgjidh hallin. Po sa të pastrehë ka.  Sa? Sa fermerë ka që i hedhin kanaleve prodhimin e tyre për shkak se nuk kanë treg për t’i shitur ato? Sa punëtorë shfrytëzohen çnjerëzisht dhe punojnë 10 – 12 orë në ditë dhe paguhen aq sa i do qejfi pronarit? Sa të moshuar nuk kanë me se të blejnë ilaçet?

Sa e sa kanë kaluar në depresion se të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të mbyllur muajin. Sa e sa gra kanë frikë të lindin se iu ikën vëndi i punës, apo se nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë të dytë a të tretë? Sa? Sa njerëz kanë përfunduar si punonjës riciklimi vetëm e vetëm se nuk kanë mundësi të bëjnë diçka më të mirë? Rropaten rrugëve, shkrahen kazanëve të mbeturinave, shohin vëngër shoqi shoqin (se edhe në riciklim ka shumë konkurrencë), dhe përsëri ato të ardhura që mbledhin me punën e tyre të ndershme nuk iu dalin.

Sa lypsa ka nëpër rrugë? Sa prindër abuzojnë me fëmijët e tyre? Sa të tjerë trafikohen apo detyrohen të lypin pasi janë shitur e janë blerë si të ishin bagëti?

Për të mos folur për mësuesit dinjiteti i të cilëve nëpërkëmbet nga “TË DREJTAT E FËMIJËVE”, nga tekstet apo nga mungesat e bazës materiale. Apo të themi se shteti ka rënë aq poshtë sa edhe kartat e bukura të shëndetit u zëvendësëuan nga një fotokopje e thjeshtë prej letre. Të gjitha këto dihen.

E sa e sa gjëra ka që nuk ecin, mdaje kjo pranohet edhe nga politika e cila e udhëheq këtë vend, dhe kaq. Kaq se këto nuk janë shqetësimet e saj, këto janë shqetësimet e disa mjeranëve që thjesht kërkojnë të jetojnë, të jetojnë larg politikës dhe me dinjitet.

A ka ardhur koha që edhe në të bëjmë të njëjtën gjë sikurse edhe grekët, spanjollët dhe deri diku italianët dhe së fundi edhe francezët? A u ka ardhur shqiptarëve në majë të hundës? Duhet të presim ditën e zgjedhjeve që t’i mësojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve e deri athere ne jemi të destinuar të dëgjojmë e të shikojmë po të njëjtat gjëra.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: