Gjekë Gjonaj: Vdis që të të nderoj
| E Premte, 12.05.2017, 07:20 PM |

Vdis që të të nderoj

Nga Gjekë Gjonaj

Në ceremoninë mortore të piktorit të mirënjohurë shpitar, maestro  Rudi Gogës në Ulqin, m’u kujtuan fjalët e një shkrimtari anglez që ka thënë:” Më mirë u thoni fjalët e mira njerëzve të mirë kur janë gjallë, sesa t’u ngrini një monument pas vdekjes...”  Vërtetë është shqetësuese  që figurave të shquara   në fushën e artit e të letrave sa janë gjallë nuk u bëjmë nderimet që meritojnë. Dhe vetëm  kur ndahen nga jeta, na bie ndërmend t’i themi disa fjalë të mira për ta. Sikur atë ditë po na “ ndigjet shpirti për kapedanin e pavdekshëm”.   Në këtë mënyrë po krijojmë  traditën që njerëzit e dalluar duhet të vdesin, që t’i kujtojmë e t’i nderojmë, Në fakt, kështu po ndodh, për fat të keq.  Respekti i duhur dhe i merituar për ta sa janë gjallë  mungon, përjashto rastin për ndonjë, të cilëve u shkruajmë ndonjë artikull me disa radhë të ndonjë gazete, duke e bërë të pranishëm mendimin e popullit “ vdis që të dua” . Të njohur në botë, por jo në shtëpi. Ky është realiteti ynë i hidhur.  Nga ky trishtim pyes: Ku i lamë artistët tanë?  Mos vallë,  këto personalitete të shquara të kulturës sonë   kanë lindur dhe jetojnë në vendin e gabuar?   A ka vlerë të jeshë sot  artistë, shkrimtarë, poetë, muzikantë i madh? Çfarë shoqërie jemi ?  Sa mirënjohës jemi ne shqiptarët ?

Populli në përgjithësi  artistin e çmon dhe e nderon edhe kur është gjallë, edhe kur është vdekur.  Ndërkaq, institucionet e shtetit  që do të duhej të jenë të popullit shpesh, për të mos thënë  gati gjithmonë, po harrojnë t’i nderojnë siç duhet njerëzit e shquar të tij, të cilët me veprat e tyre na pasuruan  dhe morën me vete dhimbjen.  Autoritetet  më të larta shtetërore  kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë indiferentë ndaj artistëve e krijuesve tanë, derisa ata me shumë  brenga ndahen nga jeta.  Mendoj se njerëzit e artit e të letrave  nuk kërkojnë t’u  thurë  lavdi shteti, as institucionet e tij.  Ata  nuk duan të jenë “ të përkëdhelur”  nga shteti.  Nuk kanë nevojë e as që dëshirojnë të promovohen nëpër salla të institucioneve të shtetit, mbasi nuk ka artist të repsektueshëm që e ndërton suksesin e vet nëpër korridoret e burokracisë.   Por presin  të gjejnë mbështetje e vlerësim nga institucionet e shtetit me politikat e tyre kulturore, në rrugëtimn e tyre në ambientet profesionale të artit dhe kulturës botërore.

Është repsekt për ata që i nderojnë artistët, por edhe një obligim dhe detyrim qytetar i organeve kompetente të pushtetit vendor e qëndror për të vlerësuar veprat e tyre që i kanë shërbyer  ngritjes së imzahit të shtetit  e qytetit  të vet  nëpër galeritë më  të njohura  evropiane dhe botërore. Në këtë kuptim them se duhet të kemi një ndërgjegjësim më të madh të shoqërisë në përgjithësi dhe autoriteteve kulturore  më të larta shtetërore në veçanti  për t’u qëndruar afër për së gjalli personaliteteve tona të mirëfillta të  kulturës. E,   jo t’i lëmë në heshtje si deri më tash.  E,  t’i kujtojmë formalisht  vetëm ditën e shkuarjes së tyre në amshim.

Si përfundim. Bëjmë mirë që nderojmë njerëzit e shquar kur ndahen nga jeta, por do të bënim edhe më mirë t’i nderojmë ata më shumë edhe kur janë gjallë.  Kësaj të vërtete dua t’i shtojë edhe fjalët që ka pohuar Aleksandri i Madh: “ Varroseni trupin tim dhe mos më ndërtoni asnjë monument”. M’i lini duart jashtë që njerëzit të kuptojnë se ai që fitoi botën, vdiq duarthatë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: