Fritz Radovani: Selca fisnike e Shqipnisë kreshnike
| E Hene, 08.05.2017, 08:41 PM |

O  SELCA  FISNIKE  E  SHQIPNISË  KRESHNIKE !

Nga Fritz RADOVANI

DOSJA NR. 2199: DON DEDË MALAJ asht lé në Selcë, me 19 Nandor 1917...

Asht Shugurue Meshtar në Gjenacan të Italisë në vitin 1939. U arrestue me 7 XI 1958.

U dënue nga Gjykata e Naltë Ushtarake, me grupin e “armiqve” me 27 Prill 1959.

10 MAJI 1959, Don Dedë Malaj në moshën 42 vjeçare u pushkatue buzë liqenit!

DON DEDË MALAJ asht nder brilantët e Klerit Katolik Shqiptar, i cili me një guxim të panjohun deri në gjyqin e Tij që u zhvillue në Kinema “Republika” të Shkodres, në Prill të vitit 1959, u tregoi të gjithë armiqëve të Maleve tona të Veriut se “Malësori yné per Fé e Atdhé e ban vdekjen si me lé!” Kjo Formulë shekullore e daltueme nder mendjet e zemrat e Atyne Trimave të Alpeve tona, qendronte si një mburoje e hekurt e daltueme kunder të gjithë atyne që nder shekuj punuene me asgjesue Ata Male Kreshnike!

Ardhja e brigadave të Ndjekjes dhe atyne partizane në Veri në 1944, kishte këto parime:

“Urrejtja si element qendror i luftës sonë! Urrejtja që është i papajtueshme ... urrejtja kaq e dhunshme sa që vë në lëvizje një qenie njerëzore përtej kufizimeve të saj natyrore, duke e bërë atë të dhunshme dhe një makinë vrasëse gjakftohtë ...

Ne refuzojnë çdo qasje paqësore. Dhuna është e pashmangshme.

Për të krijuar socializmin duhet të rrjedhin lumenj gjaku!

Armiku imperialist duhet të ndjehet si një kafshë që gjuhet kudo që ai shkon.

Kështu ne do ta shkatërrojmë atë! Këto hiena duhen asgjësuar.

Ne duhet të mbajmë urrejtjen tonë gjallë dhe të vazhdueshme!” — Nga fjalimi i Ernesto "Che" Guevarës në Konferencën Trekontinentale në Havana, Kubë, Prill 1966.

A ka ndonjë ndryshim nga fjalimet e Enver Hoxhës, apo nga komunizmi që predikonte në vitet ’60 PPSh në “Revolucionin Kulturor 1967” terroristi Ramiz Alia ?!

Dhe, ja cili ishte qendrimi i Klerit Katolik Shqiptar perballë këtij komunizmi gjakatarë:

Foli Burri i Selcës Don Dedë Malaj, bash atëherë kur “disa” thonin se “perballë PPSh dhe shokut Enver, nuk ka pasur asnjëherë kundershtarë të fjalës dhe mendimit të tij”!

“Unë jam anmik i komunizmit që në moshën 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sëpse jam brumosë me ato ide…”(Dosja 2199 dhe vazhdon...)

“Kam vazhdue me kenë anmik deri ditën e arrestimit, mbas asaj ditë nuk jam ma asgja. Nuk kam pasë si me iu dashtë unë ju, se në ditët e para që keni hy në Velipojë, më keni vra vëllanë!…”

–Ju kërkoni me më pushkatue edhe mue vetëm e vetëm se jam prift katolik!

– Kam pritë me shumë andje një Revolucion si ate të 1956 në Hungari, dhe më ka ardhë keq për disfatën e popullit hungarez të pësueme nga tanket sovjetike…

– Bashkimi Sovjetik ka shfrytzue të gjitha demokracitë popullore të Lindjes, mbasi prej tyne ka marrë të gjitha prodhimet tue përfshi edhe metale e minerale, ndërsa, ai atyne edhe ne na çoi disa hekura të ndryshkuna, që ba me ia hjekë ngjyrën del se çfarë vjetërsinash na çon edhe këtu, tue fillue me traktora, fabrika e kombinate.

– Përsa i përket dyshimeve të mija për Statutin e Kishës, unë i kam dërgue një letër Vatikanit nëpërmjet të Don Ivo Bozhiq në Jugosllavi, po kje se atë letër ai ia ka dhanë UDB – së jugosllave asht puna e tij, unë nuk i kam shkrue atyne, po Vatikanit, Papës në Romë, se dojshe me ditë se kush i ka aprovue ipeshkvijt që po shuguroheshin në Shqipni, për mos me ra në gabim unë vetë.

Kur prokurori e pyet se çfarë i ke thënë fshatarve për hyrjen në kooperativë? Ai tha:

– I kam thanë hyni e mos kundërshtoni! I kam thanë kështu se, e dijshe mirë sësa miljon vetë ka zhdukë Stalini nga ata që i kanë kundërshtue me hy në kolkoze.

– I kam thanë hyni se këta ju qesin fare, se Enver Hoxha nuk ndryshon aspak prej Stalinit, por shifni punën e mos bani za edhe pse nuk ju paguejnë mundin tuej.

– Fshatarit ju nuk i pagueni as një të dhjetën e mundit tij. Ai merr aq pak sa nuk siguron as bukën e fëmijve. Sikur të shpërblehej për djersën e derdhun në punë të kooperativës, ai do të ndërtonte pallate disa katesh e jo kasolla ku jeton sot.

– Ai nuk ha mish kurr vetëm njëherë në vit…edhe nuk di a e ka njëherë në vit!

Prokurori e pyeti nëse ti i ke lejuar për të ngrenë mish edhe ditë premte, pse e bëre këte gjë, përderisa ditën e premte juve ua ndalon feja?

– Sëpse nuk dojshe me i lanë pa hangër mish gjithnjë, mbasi në Shqipni asht përditë e premte,  madje, jo e premte, por e Premtja e Zezë…

E, Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!.”.(Dosja 2199. Arkivi M.P.M Tiranë).

Sigurisht, nga kushdo që lexon këta pak rreshta asht i kuptueshëm përfundimi!..

Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, me 27 Prill dha vëndimin për Don Dedë Malaj me vdekje me pushkatim…Kur doli nga salla e hypën në rrimorkjo të një kamjoni, sot kujtoj dy sytë e Tij të skuqun, madje të gjakosun, ku nuk dallohej as bebja e synit të kaltërt!

Kishte mbetë vetëm një njëri që interesohej për Té, mbesa e vogël jetime Drandja.

Vetëm Drandja 13 vjeçare do të përpiqej me i shpëtue jetën axhës së vet. Drandën e ndihmuen dy priftën në këte fatkeqsi që ishte, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që në vitin 1969, dhetë vjet mbas Mesuesit të vet u pushkatue edhe Ai, si edhe Don Pjetër Gruda, mik besnik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në burg në vitin 1989, plot 30 vjet mbas Don Dedës, pak muej pa plotsue dënimin…

At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” fq. 169, e shpjegon:

“Drandja me ndihmën tyne shkoi në Tiranë me 1 Maji 1959 për me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipnisë.

Mujti me takue sekretarën e tij, Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë.

Drandja e vogël tue e kujtue vetën para një “gjyshës”, ra në kurthën e asaj që populli e ka quejtë “pantera” dhe, vajza jetime me lot përfaqe i kërkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue asaj se nuk ka asnjë njeri në këte botë. Nexhmija iu përgjegj: “Pse t’ia falësh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi të interesohesh për te, mëse do e mbash ate?” Drandja, iu përgjegj: “Atë e mban burgu, s’ka gja veç, të jenë i gjallë, aman të lutëm ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!…”

Me 9 Maji 1959 erdhi përgjegja. “Lutja e yte refuzohet”. Kjo asht Nexhmije Hoxha!

Me siguri një nga dekoratat, Nexhmijes, i asht dhanë per pushkatimin e Don Dedës!

Melbourne, Maji 2017.



(Vota: 14 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: