Gëzim Hoxha: Format e korrupsionit zgjedhor
| E Diel, 07.05.2017, 10:02 AM |

Ja cilat janë format e korrupsionit zgjedhor me të cilat përballen shqiptarët.

Nga Gëzim Hoxha

Një dukuri sa e vjetër aq edhe e re me të cilën përballet Shqipëria gjatë viteve të pluralizmit, është edhe korrupsioni zgjedhor. Si term relativisht i ri njerëzit nga mosdija kanë të drejtë të pyesin se: “Cfarë është ky lloj i ri korrupsioni?” dhe për këtë ka një përgjigje të gatshme Konventa Penale për Korrupsionin e miratuar nga Këshilli i Europës në Strasburg që në vitin e largët të 1999-ës.

Në të thuhet korrupsion përbën çdo veprim i cili kryhet me qëllim premtimin, dhënien ose ofrimin, direkt ose indirekt, të çfarëdolloj avantazhi që nuk i takon askujt që siguron ose konfirmon se është i aftë të ushtrojë ndikim në vendimmarrjen e çdo personi, kur avantazhi që nuk i takon është për atë vetë apo për të tjerë, sikurse dhe kërkimi, marrja ose pranimi i ofertës ose premtimi i një avantazhi të tillë, në përputhje me këtë ndikim, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose jo, ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar çon ose jo në rezultatin e synuar.

Pse thuhet se fenomeni është sa i vjetër aq edhe i ri sepse në këto 18 palë zgjedhje parlamentare dhe lokale që janë zhvilluar në Shqipëri zgjedhësit janë përballur patjetër me një prej formave të korrupsionit zgjedhor. Forma më tipike e tij është shit-blerja e votës, ku votës i caktohet një çmim i caktuar në vlerë monetare ose në natyrën e ndihmave ushqimore apo në veshmbathje dhe u kry. Vetëkuptohet se e mira e shit-blerjes së votës as që mund të krahasohet me të këqiat e këtij veprimi foshnjor dhe të pamatur. Kështu ti kontribuon në triumfin elektoral të një force të caktuar politike dhe për plot 4 vjet ti nuk ke të drejtë të kërkosh llogari as deputetit nga i cili ti përfaqësohesh dhe aq më pak forcës politike e cila edhe falë votës tënde (të blerë tashmë) ta ka rrëmbyer pushtetin.

Një formë tjetër shumë e përhapur e këtij korrupsioni është edhe këmbimi i votës me premtimin e sigurimit të një vendi pune të një posti apo të një shtëpie. Së bashku me shitblerjen e votës gjë për të cilën rëndom sot gjithë ditën flitet nga opozita, këto janë format më të dukshme të korrupsionit e mund të thuash edhe më pak të dëmshmet.

Një formë e padukshme e këtij korrupsioni është edhe financimi i partive politike. Mund të thuhet me plot gojën se kjo është edhe më e rrezikshmja ndër të gjitha format me të cilat manifestohet korrupsioni zgjedhor.

Në një raund tryezash të rrumbullakta KRIIK Albania në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë sjell disa fakte që të trondisin. Nga të dhënat e saj mësohet se fushatat janë bërë nga viti në vit ku e ku më të kushtueshme. Dhe natyrisht për financimin e tyre nuk mjftojnë asnjëherë fondet publike edhe pse edhe këto kanë shënuar rritje për çdo fushatë. Për të përmbushur nevojat e mëdha që ka secila fushatë e në përgjithësi aktivitetet politike para dhe pas saj, çdo parti e në veçanti 3 partitë e mëdha kërkojnë burime të tjera financimi.

Mësohet se PS ka siguruar nga fonde private financime me vlerë prej 107.023.570 lekë për 2013-tën për 2014 5.745.000 lekë dhe për 2015-tën 59.713.817 lekë. PD është financuar nga fonde private në këto vitë respektivisht  me vlerat monetare si vijon: për 2013-tën 73.111.360 lekë, për 2014-tën 415.000 lekë  dhe për 2015-tën 10.057.921 lekë. Edhe LSI nuk ngelet prapa përsa i përket financimit me fonde private. Kjo forcë ka për fituar këto vlera monetare: për 2013-tën 31.283.241 lekë, për 2014-tën 15.418.175 lekë  dhe për 2015-tën 52.898.438 lekë.

Rritje kanë pësuar edhe financimet me fondet publike në këto vite për këto parti politike. Por rritja e financimit me fonde publike ka vetëm një të keqe që është shumë më e vogël se sa rritja e financimit me fonde private. Duke menduar për të parën, them se ajo është sipas meje edhe e keqja më e vogël.  Ajo  ka të bëjë vetëm me mirë apo keqadministrimin e të ardhurave të cilat mblidhen nga taksat tona dhe që supozohet të shpenzoheshin për t’i ofruar disa të mira publike më shumë shtetasve, të cilët i paguajnë ato. Ndërsa e tjetra tjetër e cila mund të përkufizohet si e keqja më e madhe, lidhet me lirinë ekonomike të pakufizuar e cila shkëmbehet me këto financime.

Kjo liri ekonomike përfshin në vetvete të drejtën për të përfituar nga punët publike, e cila në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe, se në fund të fundit dikush do të duhet t’i bëjë edhe ato. Por e keqja qëndron në faktin se në këtë mënyrë vritet konkurrenca e lirë dhe tregu përçudnohet në mënyrën më të dhimbshme të mundshme. Veç kësaj ka edhe një të keqe akoma edhe më të madhe, e cila lidhet me shpërndarjen e pasurisë. Kështu duke qenë të paracaktuar fituesit e kryerjes së punëve publike apo të blerjeve qeveritare, ne kontribuojmë në theksimin e mëtejshëm të klasave shoqërore të klasifikuara sipas pasurisë duke i bërë të pasurit edhe më të pasur dhe të varfërit edhe më të varfër.

Edhe pse ne qytetarët e këtij vendi kemi një perceptim shumë të keq për shtetin tonë këtë fenomen nuk e vuan vetëm Shqipëria por edhe BE-ja.

Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë edhe për vetë Evropën. Një fenomen i tillë i kushton ekonomisë evropiane rreth 120 miliardë dollarë në vit. Kjo e dhënë merret nga Raporti Anti-Korrupsion i BE për vitin 2014, ndërsa nga një studim i kryer nga Instituti i kërkimit RAND Europe në Mars të vitit 2016 thuhet se korrupsioni i kushton Bashkimit Evropian një shifër e cila varion nga 179 deri 990 miliardë euro për cdo vit.”

Zgjidhja e propozuar në një nga tryezat e zhvilluara prej kësaj organizate është e tejet e thjeshtë. Ajo lidhet me uljen e tavanit të financimit nga fondet private nga 1.000.000 lekë në 100.000 lekë si dhe zgjerimi i rrethit të dhuruesve privatë dhe kjo të jetë e vlefshme për çdo kohë dhe jo vetëm për fushatat elektorale.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: