Përparim Hysi: Lenica
| E Shtune, 06.05.2017, 09:35 AM |

Lenica

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Kam qenë me shërbim në atë qytezë të vogël, kur e kam njohur  Lenicën. Qyteza, vërtet e vogël, aq sa mund ta futje  në xhep, por kish dhe ç'ka mbaje mend prej saj. Kishte një natyrë që nuk ia gjeje shoqen kund: në të katra stinët. Kish edhe det, edhe liqenth, edhe mal,sado që ky vargmal nuk qe i lartë, por dhe një "ishull", ndonëse nuk qe në madhësinë e Sazanit dhe, sado që nuk ishte  hedhur në  asnjë hartë, prapë ekzistonte doje apo nuk doje ti. Dhe, për ta bërë pak më prezent këtë "ishullthin" (epo kot këtë "th" zvogëluese nuk e ka përdorur NAIMI!), po ju them vetëm kaq: në këtë "ishullthin" ka pas fjetur në kohën e fashizmit vet KONTI CHIANO!

*    *  *

Shërbimi im në këtë qytezë qe goxha i gjatë: plot tri vite të mira. Ngaqë qyteza qe e vogël, unë, pothuaj, i nxora ujtë e zi dhe,ngaqë ma donte puna që të trokisja në çdo portë, njihesha ashtu si parja e kuqe. Kur flas për shërbim, mos  e merrni si një të dërguar nga lart, nga  ata që bënin "kiametin", kur zbrisnin poshtë, por isha ushtar. Ushtar që ndaja fletëthirrjet për zborin e famshëm dhe, po të marrësh parasysh që  "zbori" apo stërvitja ushtarake qe një detyrim për çdo qytetar, kuptohet dhe prezenca. Aq i njohur qeshë për qytezën, sa askush nuk pyeste në kisha emër apo jo. Vendasit thoshin: ai, ushtari. Pra, ai, ushtari isha unë dhe ky nominim kish kaluar gojë më gojë dhe, gati, m'u bë si një vulëdëshmie. E kisha pranuar këtë nominim, se as më  prishte dhe as më ndreqte punë.

Epo, sikur e teprova pak. Më duket u nisa për SHam e sosa në Bagdat! Jam duke folur për Lenicën dhe harrova fare duke u stërzgjatur.

*    *   *

Lenicën e njoha, pikërisht, në atë qytezën e vogël. E njoha? Të paktën, në ata tri vjet të shërbimit tim, cilido që shkelte atje, do njihej, patjetër, me Lenicën. Kur them do njihej, se në  atë qytezë kish vetëm një klub dhe bash në atë klub, shërbente ajo: Lenica! Shërbente si kameriere dhe, sa hyje brenda, mbesje me gojëhapur. Sikur, sa hyre brenda, të shërbyen një pjatë me gjellë të nxehtë dhe ti, ngaqë je i uritur, mbush lugën e fut menjëherë  në gojë dhe, sakaq, goja të shkon vesh më vesh dhe nga sytë të kullojnë lot. Ngjashmëria është e njëjtë veç mungojnë lotët. Mos kujtoni se zë e zmadhoj nga ndonjë impresion i veçantë. Lenicën e kam njohur këtu e 50-vjet të shkuara dhe ishte, pa e tepruar aspak, si ajo Divja e HOLLIWOODIT, Lizabet Tejlori. Me një trup fidan, flokët korb të zinj dhe sytë si dy kullumbri që të shprehnin miklim. Tek shërbente,  bashkë me pjatat, pirunjtë, lugët të falte një nga ato buzëqeshjet intime, sa të trondiste. Kushdo që e shihte së pari, do provonte të vinte sërish vetëm e vetëm për të patur qoftë dhe një vështrim prej saj. Kuptohet që, tek merrte pagesën, e priste me shumë mirësjellje atë "thelën përmbi bisht" që i linte çdo njëri prej klientëve.

Gaci, një nga ata banorët e qytezës, si shkodran që ishte, thoshte:- E pse me shkue në kinema? Por, jo mor burrë i fortë, po e marr një krikëll birrë e "frruq-frruq" e ndjell me nge, e sytë nga Lenica,e ty, të rroftë, kinemaja. E bukur që t'i merte mendtë e kresë,- thonin,- por- pasha nji atë Zot,- thoshte Prenga,- me ba që me e ndreq me "ta", ia kam fal shpirtin lugetit, or ti!

Eh, e vogël qyteza, por "sherrnajën" e thashë e themet të mëdha. Dikush nëpër gojë e dikush caqeve a hullive të ngushta, sidomos në dimër, kur dhe banorët numërohen me gishta, nuk kanë gëzim  tjetër, po drejt e tek klubi. Një krikëll birrë, pak gjizë apo ndonjë sardele të tymosur dhe në gati 10- tavolina, ajo vete e vjen, gjithmonë e qeshur dhe, po e qeshur, tek shërben i mirëpret të gjitha epitetet: dikush "rexhinë" (princeshë); dikush "sojnike" e dikush (ky hiqej si më intimi),Nica apo:-Oj, Nicë, a ndjeve? Tek i drejtohej kështu, kthehej nga ne, të tjerët, dhe dukej sikur kish vënë domenin. Pra, një domen, që nuk duhet ta prekje. E prekje dhe ku-ku për ty! Dhe, ky i "domenit" qe Luigji që hynte në radhën e atyre "burrave të fortë" që kishte qyteza. Luigji në ushtri kish qenë mundës dhe mbahej me të madh sikur e kish zënë qiellin me dorë. Po ç'është e vërteta, askush në qytezë nuk i mbrente qetë me Luigjin   se është ashtu si thonë:- Më mirë të dalë nami se sa syri.

*     *     *

Fola e fola për Lenicën dhe harrova t'ju them kryesoren: Lenica e bukur kish për burrë,Mitron, që në qytezë bënte një  punë fare të rëndomtë. Të rëndomtë punën,- thonin,- po, kur po vjen ajo nata veç me i pas fatin,or ti,- thoshte Murrashi.

Xha Rakipi, një mesoburrë nga jugu, tek merrte pjesë në këto"orgji fjalësh", thoshte:- Ne,andej nga Përmeti,themi:-Dardhën e qullur, e  ha breshka! Dhe shkonte fjala gojë më gojë:veç Lenica kështu e Lenica ashtu. Dikush e kish parë Luigjin, atë mundësin, duke pirë me Mitron.

Aha,- tha xha Rakipi,- kësaj i  thonë:- I bie pragut që të dëgjojë dera!

Valla,-dikur kemi me ia pa sherrin kësaj pune,- profetizonte Ndoci. Se gruja e bukur, si kjo Lenica e Mitro-shkretës, e ka sherrin me vedi e njiaj,Luigji, po i del "mburojë" se dihet: nami i Mitros dhe"hallali" i Luixhos,-tha tërë mllef Ndoci.

E Lenica me ato sykulumbri, nga tavolina në tavolinë, buzëqesh këtu; shpotit me tjetrin diku   e sjellu e sjellu, kjo punë nga dita në ditë.

*     *   *

KIsh dalë dimri dhe, pas dimrit edhe pranvera, erdhi vera e nxehtë. Në verë qyteza e humb fizionominë: zë e rritet dhe bëhet si një qytet i madh. Plazhi ka rërën më të mirë dhe, po kështu, jodin aq të kërkuar. Tani klientët që vinë tek klubi i Lenicës jo vetëm janë më të shumtë, por bien në sy edhe për pasje. Nuk janë si këta, vendalitë që vetëm një punishte peshku kanë dhe s'kanë nga nxjerrin të ardhura. Të ardhurit, sidomos beqarët, ngulen gozhdë mbi tavolinat dhe nuk e kanë për gjë që ta "bombardojnë" dhe Lenicën me epitete kofidenciale. Ajo buzëqesh dhe i merr si krejt të merituara e të mezipritshme dhe, kështu, jo vetëm ndonjëri sëmbohen keq nga ajo. Mitro-ziut as i bie ndërmend të vij aty dhe duket se "vendin" e tij e ka zënë Luigji. Luigji vërtet është i njohur në qytezë, po të ardhurit as   e kanë në refene Luigjin. Sa   kanë parë si Luigji ata, aq të mira qofshin.

Ndërkaq, vendasit si të zemëruar me ardhësit, mezi prisnin që Luigji ta tregonte veten, se "boll po na i çanin  kryet, këta, ardhësit".

E thënë, e bërë. As dy javë nuk kishte një"ardhës" i veçantë që ngulu-shkulu dhe atje, në klub. Binte në sy,se asi kohe, i vetmi në gjthë qytezën dhe me ardhësit, vetëm ai kish një "tranzistor dore" dhe kaprdiesj apo nuk kapërdisej. Po dhe kur dilte në plazh, qoftë peshqiri i madh, qoftë kostumi i plazhit ishin të jashtëm. Qe i gjatë si lis dhe, pse mos ta them: bukurosh!

Ja,ky,- tha xha Rakipi,- është për Lenicën! Jo, po Mitro-ziu!

-Po Luixhi,- ndërhyri Gaci,- vallah ai bukurosh po ia sheh sherrin.

Dhe nuk zgjati shumë. Luixhi i Gacit na i del këtij "bukuroshit" në  pritë (sa me e lajmërue,- tregonte Gaci,pra)  dhe,qebesa, janë kaplue si në pashë me njani-tjetrin. Jo, mor, nuk paska kenë kap pashë.Se, ky, i ardhmi, paska kenë boksier me nam dhe, kur ja ka përvesh dy të forta  dhe ,ka ra, mor burrë i fortë, ky Luixhi, sikur lisi që e pret sëpata..

Ka ra lajmi në qytezë dhe ,tek prisnim me u gdhi, e me e ndjek vazhdën e këtij  "sherri, kur ballas vjen Prenga e na thotë:- Si keni ndje, burra?

Dhe na:- Mirë prej Zoti!

Boll mirë prej Zoti, se robi ka marrue e ka marrë rrugat.

E këto hidh e prit, rrotulla si thuhet atyre anëve, e kanë dhe kulmin  e tyre:- Ka ik, burra! Ka ik NICA e LUIXHIT me atë"ardhësin me rajdo doret", or ti!!!

- A je tuj rrejt ,a?

-Jo, mor, pasha bukën, ma tha vet Mitro-shkreta!

-Mooos!-bëmë njëzëri.

Sikur të gjithë të kishim  nga pak Lenicë?!!!

*Çdo emër është vetëm trillim. Përkimi mund të jetë rastësi e  një cope jetë.


Trianë, 30 prill 2017

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: