Luan Kalana: Thesare letrare
| E Merkure, 03.05.2017, 06:13 PM |

THESARE  LETRARE -TE  NJE  PENTALOGJIE

Nga Luan Kalana

Obligim qytetar, përkushtim intelektual, pasion dhe mjeshtëri profesionale në katër nga pesë librat e studjuesit të letrave shqipe, Kosta Nake: "Poloska e visareve" (kërkime dhe vëzhgime, 2014); "Ky Devoll që mërmërit" (përsiatje, 2015); "Drithërimat e shpirtit" (ese analitike, 2015); “Antologjia Poetike e Devollit” (2016). Katër vepra shpirtërore, obelisk në altarin e Devollit të punës dhe të trimërisë. Katër vepra letrare që nga përmbajtja dhe mesazhi që përcjellin, bëjnë një vepër dokumentare dhe reale; dëshmi e gjallë, jetësore e argumentuar dhe tepër e besueshme për ata që nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin të kaluarën. Katër libra origjinalë, të shkruar me pjekuri dhe mjeshtëri profesionale, nga një penë me përvojë dhe talent, siç shkruan në letrën e tij në hyrje të librit të parë njëri nga idhujt e visareve të autorit, veterani dhe shkrimtari publicist, Ylli Poloska.

E ndieja si borxh, si mik i librave, për të shkruar dy fjalë për këto libra të shkrimtarit me penë brilante, nuk e teproj, për shkrimtarin erudit e poliglot, universal, enciklopedist, përkthyes dhe publicist, kronikan i ditëve të sotme për Devollin, intelektualin e kompletuar, mësuesin e letërsisë në Librazhd e në Devoll, redaktorin e palodhur të disa librave, Kosta Nake.

Talenti i tij letrar shfaqet po afirmohet këto dy dekadat e fundit, duke qenë promotori i letërsisë së re moderne kombëtare, pa ngjyrim partiak, mendjehapur e progresiv.

Nuk ishte rastësi sipërmarrja e tij publicistike, nxjerrja dhe drejtimi i dy gazetave, lokale për nga hapësira, por kombëtare për nga përmbajtja, "Bilishti" në vitet 2007- 2011 dhe "Eorde" më 2012, dhurata humane për vendlindjen dhe për publicistikën tonë, duke qenë njëkohësisht sekretar i këshillit të bashkisë së qytetit të Bilishtit, detyrë që e kreu me ndershmëri për më shumë se 14 vjet, duke gëzuar një popullaritet maksimal, si personalitet intelektual i nderuar në Devoll dhe jo vetëm.

Duke lexuar dhe rilexuar librat, jo vetëm si devolli, nuk përjashtoj ndjenjat nostalgjike për vendlindjen, por me modesti dua të them dhe dy fjalë reale ashtu si janë vetë veprat e tij, me përshkrime gjithë fanatatzi, krijime të palexuara ndonjëherë. Autori lë gjurmë dhe vazhdon traditën e paraardhësve të tij të visareve letrare të Devollit që kanë shkruar dhe shkruajnë me devotshmëri, që nga Dritëro Agolli, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Skënder Rusi, Thani Naqo, Luan Xhuli, Fuat Memelli, Skënder Demolli, Thanas Jorgji, Nizami Morava, Ali Gega e shumë të tjerë, deri te më të rinjtë, një plejadë e re autorësh që s’do të ketë mbarim.

Njëkohësisht s'ka se si të mos shpreh edhe kënaqësinë shpirtërore për lidhjen dhe njohjen që kam me visaret e Devollit në tërësi dhe të Poloskës në veçanti, lidhjet miqësore që kam me ta, hallën e babait dhe djemtë e saj trima, veteranët Zarif, Halim, me Xhevat Skermon, heroin e pashpallur, Matrazovin e Shqipërisë, dëshmorin e Luftës Çlirimtare, rënë në betejën me gjermanët në Malin e Thatë; për pishtarin e dritës, historianin patriot, kolegun mësues të Pogradecit dhe Devollit, drejtorin e palodhur e fjalëmbël, Andrea Palloj, për të cilët autori shkruan në librat e tij me finesë, pa subjektivizëm. Visaret, personazhet e librave që penëshkruesi i portretizon nga puna dhe jo nga guna, duke hyrë thellë në botën e tyre shpirtërore, si një mentor, për të nxjerrë në pah bukurinë e tyre morale dhe mesazhet dritëdhënëse, ka njohje me ta, shkuarje të gjatë dhe me mbresa të pashlyeshme, mirënjohje, respekt dhe krenari. Më vjen mirë që në veprat e tij autori thellon traditat, pasqyron fidanishten e re të trashëgimisë së visareve, të gjeneratave të reja duke ecur në gjurmët e tyre.

Së fundi shpreh dhe krenarinë time për visaret, se kam qenë për disa vite mësues në shkollën e Poloskës martire, siç thotë në këngën e tij njëri nga artistët popullorë të Poloskës, poeti dhe këngëtari Endri Fifo, duke ruajtur kujtimet dhe mbresat më të bukura për kolegët dhe për nxënësit e mi inteligjentë e të dashur, pëllumbat e visareve, siç janë dhe shkrimet e mia për Poloskën e diturisë.

Nuk kam njohje personale me Kostën, me të jam njohur vetëm nëpërmjet penës dhe krijimtarisë së tij, pasi ai ishte mësues në Librazhd e unë në Pogradec, kur ai erdhi në Devoll, unë kisha ikur në Amerikë. Njohja jonë letrare është më e plotë nëpërmjet korrespodencës, duke “u dashuruar" ai me shkrimet, me krijimtarinë time për Devollin dhe devollinjtë, duke i botuar në gazeta, ai u bë redaktori letrar i dy libravet të mi për Devollin, sprovë dhe përjetime.

Librat e tij përbëjnë ajkën letrare të letërsisë, me risi dhe me përmbajtje origjinale, duke derdhur përmbajtjen në një formë letrare me mjeshtëri profesionale dhe artistike, me një gjuhë të pastër letrare shqipe që e bën lexuesin e çdo moshe t’i lexojë me kureshtje dhe me një frymë.

Përmbledhja e pentalogjisë është një unison letrar, në veçanti një lidhje organike letrare si peizazh i tablosë së një piktori dhe së bashku pasqyrojnë një ndërthurje fiziologjike, mjekësore të një kirugu letrar, jo me bisturi por me penë, që ndërhyn thellë për të nxjerrë margaritarë jo nga molusqet por nga trupi dhe shpirti i visareve të Poloskës, Devollit dhe Shqipërisë, kështu mund t’i titulloja metaforat e librave të Kosta Nakes.

Për t’i lënë hapësirë studjuesve dhe kritikëve letrarë që të merren me këto vepra letarare, për të nxjerrë e përgjithësuar pahun dhe nektarin e çmuar të librave dhe të penës së autorit dhe kërshërisë së lexuesve, po sinkronizoj subjektin e librave:

"Poloska e visareve, kërkime dhe vëzhgime", është një libër me vlera muzeale, një enciklopedi në miniaturë për vendlindjen, që nga lashtësia deri në ditet e sotme, me dokumenta dhe dëshmi historike dhe gojore, një studim i gjatë disavjeçar i autorit, që pasqyron dhe pasuron vlerat arkivore. Merita e autorit dhe e reja letrare e përmbajtjes së librit qëndron te fantazia magjepëse, duke u dhënë jetë edhe gjurmëve edhe shpirtërave të gjallë të flasin vetë, të bashkëbisedojnë me lexuesit me argumenta bindëse dhe reale, për visaret dhe thesaret e mençur, trima, artistë dhe punëtorë të pashoq.

"Ky Devoll që mërmërit, përsiatje", – është një vepër letrare me dy pjesë. Në pjesën e parë janë refleksionet e autorit për ngjarjet dhe problematikat e ditës, por ndjeshmëria fokusohet më shumë në problemet e shkollës, të mjedisit dhe rolin e pushtetit vendor. Në pjesën e dytë janë shënimet e udhëtimit në fshatrat e Devollit dhe në lartësitë rreth tyre. Përshkrimi shoqërohet edhe me informacione historike dhe përbëjnë një përpjekje për një guide turistike për Devollin.

"Drithërimat e shpirtit, ese analitike", – është një përmbledhje për dyzet autorë dhe më shumë se pesëdhjetë vepra të tyre. Libri hapet me dy intervista me Dritëro Agollin, pastaj analizohen botimet poetike, më pas proza dhe gjini e zhanre të tjera letrare. Shumica e autorëve janë devollinj, por studiuesi del edhe përtej kufijve gjeografikë të Devollit duke u ndalur në vepra të Ismail Kadaresë, Ben Blushit, Vangjush Zikos, Agim Bajramit, Istref Haxhillarit, etj.

“Antologjia Poetike e Devollit” është një akumulim 10-vjeçar i autorit i cili kërkon të dëshmojë me një vepër se Devolli nuk është vetëm treva e njerëzve punëtorë dhe meritojnë t’u ngrihet një obelisk, por është edhe treva e krijuesve me një botë të pasur që jep ndihmesën e vet të çmuar në altarin e letrave shqipe. Ai ka meritën që ngriti një obelisk për shpirtin e devollinjve dhe që ka për të shërbyer si pike orientimi kur të flitet për Devollin.

Në laboratorin e shkrimtarit është edhe pjesa e pestë që do përvijojë konturet e plota të pentalogjisë duke sjellë “Antologjinë Devollite të Prozës.”.

Kosta Nake kreu studimet e larta në ILP "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit dhe  u diplomua mësues i gjuhës dhe i letërsisë. U emërua dhe punoi me pasion në rrethin e Librazhdit, në zonën e thellë malore të Çermenikës, duke afirmuar personalitetin e tij, duke fituar përvojë jetësore. Ministria e Arsimit i dha në vitin 1984 titullin "Mësues i dalluar." Më 1986 vazhdon studimet pasuniversitare për gjuhën shqipe, pasionin dhe studimet e tij për gjuhën shqipe i gjejmë të evidentuara në librat e mësipërm, si në pasurimin e fjalorit me fjalët e vjetra të shqipes dhe me një frazeologji të pasur figurative me metafora të arta.

Profesionin e tij të përkushtuar si mësues i letërsisë, pas 13 vjetësh në fshatrat e Librazhdit e vazhdon në Devoll, në Hoçisht dhe Bilisht, ku banon aktualisht. Gjatë kësaj kohe i thellon njohuritë dhe përvojën letrarë, si një lexues dhe studiues pasionant duke evidentuar e pasqyruar progresin dhe diversitetin artistike-letarar, duke punuar vullnetarisht dhe si redaktor i mirëfilltë i librave të autorëve devollinj.

Kosta Nake është në kulmin e pjekurisë së krijimtarisë letrare, jo vetëm për brumin që gatuan dhe ka akumuluar, por për mjeshtëri të rrallë të të shkruarit me një fantazi magjepëse, duke zënë vend të merituar në panteonin e letërsisë për të lënë dëshmi veprat e tij, etalonin kreativ. Mbi të gjitha, Kosta është njeri bujar, me zemër të madhe dhe me shpirt human që rrallë herë lindin nënat, lum si ne që e kemi mik, shok, koleg të nderuar dhe me fat do të jenë ata që do ta shtojnë në rrethin e miqësisë. Pasioni dhe mesazhi jetësor që na përcjell me modesti është kitara me serenatat, biçikleta dhe eksplorimi enciklopedik me moton ditore: "Muzikë, ecje të gjata, lexim dhe shkrime pambarim"!

Urime per botimin veperes se e re letrare,Anatologjine poetike me 99 poete nga Bota,pergezime dhe suksese pa mbarim ne libra te tjere artistike.

Lexoni Kosta Naken dhe do të befasoheni me krijmtarinë e tij, me fjalët dhe frazat e këtij gojëmjalti, nektar krjimtarie, kurorë homeriane, krenari kombëtare.

Luan Kalana,SHBA

Nëntor 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: