Elvi Sidheri: Je suis Ziadin Sela
| E Diel, 30.04.2017, 09:10 PM |

#Je suis Ziadin Sela

Nga Elvi Sidheri

Kur nja dy vite më parë ca të fandaksur fondamentalistë mësynë dhunshëm në zyrat e një gazete satirike frënge, duke vrarë kë të mundnin dhe përhapur terror, doli në modë kjo shprehja “ #Je Suis “ ky, kjo, ai, ajo.

Neve kështu, kemi qenë shpeshherë diçka, kryesisht pas sulmit terrorist të radhës, vrasjeve makabre e ngjarjeve të ngjashme, por sot, pak ditë pas linçimit masiv të mbetur në tentativë në parlamentin e Maqedonisë, do të ishte me vend më tepër se kurrë, që këtë shprehje ta personalizonim më në fund për ne, si shqiptarë.

Dhe si të mos ndodhte dot ndryshe, edhe në këtë rast, megjithëse synimi i qartë parësor i shtazëve sllave që hynë dhunshëm në parlamentin e Shkupit, ishte dukshëm paria e partisë maqedonase LSDM, kryeministri “in pectore” Zoran Zaev, zëvendësja e tij Radmila Shekerinska dhe disa pjesëtarë të tjerë të kryesisë apo deputetë të kësaj partie të majtë, jo rastësisht, plagët më të rënda iu “përkushtuan” një shqiptari, Ziadin Selës.

Ziadin Sela, qëllimisht gjatë së paku dy muajve të fundit është vënë në shënjestrën e megafonëve të çjerrur e të çartur të mediave të (ish) regjimit shovinist të Nikolla Gruevskit, duke u krijuar brenda  kësaj kohe të mbushur me etiketime, përgatitja mendore e opinionit maqedonas për linçimin e ardhshëm publik të Selës.

Sela, tashmë kuptohet qartë se ishte vendosur të përbënte “kokën e turkut” shqiptare, të kasaphanës së 27 prillit 2017 në parlamentin e Maqedonisë.

Sepse, pavarësisht “vëllavrasjes” ndërmaqedonase që ishte kryefjala e synimit të mini-Grushtit të Shtetit të vënë në zbatim nga VMRO-ja, një viktimë shqiptare do të ishte e pashmangshme në secilin skenar.

Nuk ishte rastësi sidoqoftë, që u pëzgjodh pikërisht Ziadin Sela për këtë qëllim.

Kryetari i Komunës së Strugës, është një njeri që anës shoviniste të banorëve sllavë të Maqedonisë u ka qëndruar gjithnjë si halë në sy.

Një njeri që çau si fillim PDSH-në, dhe paskëtaj praktikisht hoqi qafe nga skena politike e shqiptarëve të Maqedonisë, një fosil politik si kjo parti shqiptare bisht e zgjatim trupor i VMRO-së, që ishte shndërruar në simbolin e “Uveren do smrt” (Besnikë gjer në vdekje) të Gruevskit dhe strukturave antishqiptare, antiperëndimore, shoviniste, neofashiste dhe filoruse të diktatorit të FYROM-it.

Në këtë mënyrë, Sela e privoi Gruevskin nga një “levë” shqiptare të përdorur rëndom nga regjimi i tij sipas nevojës.

Më pas, përveç 3 deputetëve të kësaj partie në parlamentin e ri që nuk iu përgjigjën ftesave, joshjeve, ofertave e ndoshta edhe kërcënimeve të VMRO-së për të kontribuar në pushtetin e tyre pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016, Ziadin Sela njëkohësisht gjatë këtyre muajve të turbullt ka spikatur si udhëheqësi më elokuent, më mendjehollë, më (mirëfilli) patriot, më ballëhapur dhe i qartë në përballjen me demagogjinë antishqiptare, racizmin dhe tentativat e klikës së Gruevskit për të përçarë shqiptarët dhe për t’i përdorur ata si mish për top në shërbim të mbijetesës së regjimit të tyre.

Ziadin Sela mund të jetë i diskutueshëm, i mbështetshëm, i kundërshtueshëm, i konkurrueshëm, etj, në shtjellimin e alternativës së tij politike për shqiptarët e Maqedonisë, por ndërkaq, pa as dyshimin më të vogël, mënyra sesi ky politikan shqiptar qëndron kryelartë përballë hordhive shoviniste gruevskiste, bie në sy dhe, do pranuar, se nuk gjen rivalë në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Sela ngaherë ka respektuar fqinjësinë dhe ekzistencën “de facto” të një populli që preferon të quhet “maqedonas”, duke ua njohur atyre të drejtën e ekzistencës dhe të autodefinimit të identitetit të tyre, por, dhe kjo përbën edhe “mëkatin e tij të pafalshëm”, mesa duket, të ndëshkueshëm me “dënim kapital”, ky politikan nuk pranon asnjë mufkë, sajesë fantazmagorike apo thagmë historike, ose identitare sllave, që formësohet në dëm dhe kurriz të historisë, kulturës e trashëgimisë shekullore shqiptare në trojet e Maqedonisë së sotme.

Një shembull kryeneçësie ky për politikën e shqiptarëve të Maqedonisë, kokëulur e në kufijtë e nënshtrimit poshtërues thuajse përherë ndaj tekave të bashkëpushtetarëve sllavë në Shkup.

Prandaj Sela qe i vetmi shqiptar që pasditen e vonë të 27 prillit 2017 u sulmua barbarisht, u godit shtazërisht, u rrekën ta linçojnë dhe (ndoshta) duke pandehur se këtë shqiptar kryelartë e kishin eliminuar tashmë fizikisht, e tërhoqën zvarrë si trofe lufte mizorisht nëpër korridoret e parlamentit të Shkupit vandalo-kanibalët sllavë, duke dashur të ngopnin urinë e turmës gjakdashëse, për pak mish të freskët shqiptari të nëmur.

Sepse, siç shumëkujt prej nesh (jo vetëm mua), i ka qëlluar ta vërejë jo rrallë faktin se në nënvetëdijen e mjaft prej këtyre prototipave të spikatur të “homo slavensis” modern (duke shmangur tërë përgjithësimet e panevojshme të rastit; një gjë janë ithtarët e VMRO-së, shovinistët serbë apo ultranacionalistët rusë, e një gjë është masa popullore sllave, qoftë edhe në Maqedoni, ku rreth gjysma e vetë popullit maqedonas, prej kohësh nuk e gjen më vetëm ekskluzivisht te shqiptarët burimin e çdo të keqeje jetësore, si dhe pikëshfryrjen e tërë ndrydhjeve  të veta si pasojë e mangësive të shumta identitare), nuk ka gjakderdhje të mirëfilltë, pa shqyer të gjallë e linçuar një shqiptar.

Dhe, keq na vjen ta themi e pranojmë përfundimisht një fakt që, qoftë edhe për fqinjët tanë sllavë - pavarësisht përvojave tona kryekëput të hidhura me ta, nuk do të donim ta konstatonim edhe sot, rreth 14 shekuj pas vërshimit të hordhive sllave drejt trojeve ilire dhe rajonit tonë - një pjesë së paku, e sllavëve të sotëm të jugut, dëshmuar edhe nga ngjarjet e të enjtes së kaluar, në vend të një evolucioni qytetërues, të pashmangshëm e të domosdoshëm nga çdo aspekt, sikur edhe thjesht për inerci evolutive, mendore e ambientale, gjithësesi, kanë mbetur në stadin zhvillimor të “hekurit dhe zjarrit”, të barbarisë primitive të shekujve V-VI-VII kur mësynë trojet tona të pambrojtura nga dobësia e Bizantinëve.

Faktikisht, mund të pohohet me plot gojë, se në këtë pikë kanë bërë një regres të dukshëm, duke dhënë prova të njëpasnjëshme të një “involucioni”, që është pikërisht e kundërta e “evolucionit” sipas pikëpamjeve darviniane.

Sepse, që në mes të vitit 2017, të shohësh shtazë me fytyra të përçudnuara njerëzore nga epshi makabër kanibalesk dhe etja e pashuar për gjak, që i vërsulen një njeriu të vetëm - një shqiptari, një udhëheqësi shqiptar që në sytë e tyre është i “linçueshëm” vetëm ngaqë ka “guxuar” të pohojë krenarisht identitetin e tij mijëvjeçar, të mos heqë dorë nga bindjet e tij patriotike (në dëm të askujt), t’u tregojë vendin sharlatanëve sllavë që ndërtojnë platforma skizofrenike identitare mbi kështjella letrash që mbahen në këmbë vetëm nga mohimi i shqiptarësisë dhe racizmi kleptoman ndaj historisë dhe ekzistencës së shqiptarëve – domethënë se për këta njerëz, barbaria ka mbetur “raison d’être” (arsye ekzistenciale).

Dhe kur je barbar në palcë, në ADN dhe mënyrën sesi e shpreh anembanë, 24/7, 365 ditë në vit dufin tënd patologjik dhe mostolerancën për asnjë qenie tjetër njerëzore që nuk përputhet me “virtytet” e tua të “maqedonizmës” skizofrenike, atëherë të tilla ngjarje bëhen të pritshme e të parashikueshme.

Ziadin Sela, faleminderit Zotit doli gjallë nga ai linçim primitiv, ndërsa barbarët që e sulmuan tinëzisht, akoma kremtonin nëpër rrjete sociale masakrimin e tij, duke ua përkujtuar kështu tërë shqiptarëve atë që i priste, nëse silleshin “shqiptarisht” si ky udhëheqës kryeneç shqiptar.

Jo më larg se të nesërmen e Puçit të dështuar, vetë Nikolla Gruevski, “i dhjerë, por krenar”, do të deklaronte në televizion, se tentativa për eliminim fizik të gjithë liderëve kundërshtarë maqedonas dhe linçimi i mbetur pa përfunduar vetëm falë ndërhyrjes qiellore, i Ziadin Selës, praktikisht qenë veprime të justifikuara.

Nëse Zaevin “Po të kishin dashur ta vrisnin, do ta kishin vrarë”, (përkthehet, të vrasim nëse akoma na lufton), Selën ndërkaq, “Na vjen keq për dhunën fizike ndaj tij, por vetë e kërkoi me ato që ka thënë dhe sjelljen e tij ndaj nesh”.

Një njeri të tillë, që e pohon krimin “live” në televizion, kudo tjetër në botë do ta kishin tërhequr zvarrë në birucën më të errët të burgut më të ashpër, dhe çelësat e qelisë do t’ia hidhnin në lumë që kurrë më të mos e shihte dritën e diellit.

Ky skenari ogurzi i planifikuar në detaje, nga një mendje okulte padyshim më e mprehtë dhe largpamëse sesa truri i mykur i Gruevskit apo presidentit të roitur Ivanov,  për fat dështoi, falë burrërisë së Ziadin Selës, Zoran Zaevit dhe udhëheqësve të tjerë që në parlamentin e Shkupit, votuan Talat Xhaferin kryetar të institucionit dhe u përballën për orë të tëra me turmat e ndërsyera vrasëse, pa thirrur në ndihmë mbështetësit e tyre, dhe shmangur kështu luftën civile.

Politikanët shqiptarë, do të duhej të mësonin prej tyre.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: