Kadri Tarelli: Intervistë me prof. Murat Gecaj
| E Shtune, 29.04.2017, 12:49 PM |

NJË JETË MES NJERËZVE DHE LIBRAVE

Intervistë me prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Nga Kadri Tarelli

Profesor. Dr. Murat Gecaj, gjithë jetën ke shkruar e intervistuar të tjerët. Sot e kam unë nderin dhe radhën t’u pyes:

. Si ndjeheni tani, që u “rritët” edhe një vit e u bëtë me dy shtata? Pasi unë jam mësuar dhe më pëlqen t’i numëroj: 55, 56, dhe tani 57 vjeç?

-Sigurisht, ndjehem mirë, por dhe paksa “i pezmatuar”…Ndjehem mirë, që i ngjita këto shkallë të jetës sime, pa ndonjë problem të veçantë, vetjak as familjar. Sigurisht, po të kërkonim imtësira ose “qiqrra në hell”, ankesa e dëshira të papalotësuara kam, siç janë të zakonshme për të gjithë njerëzit…. Ndërsa jam pak  “i pezmatuar”, sepse, siç e thatë më lart në pyetjen tënde, tani nuk mund të bëj ndonjë “korrigjim” të kësaj shifre, sepse, ngado që ta rrotullosh, më mbetet po ajo, pra 77!?…(ha,ha)

. Keni fituar gradë e titull shkencor. Sa u ka ndihmuar kjo gjë, në veprimtarinë krijuese dhe shoqërore?

-Siç e dini dhe ju, unë kam mbaruar studimet e larta në degën gjuhë-letërsi shqipe, pranë Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Por, më tej, meqenëse kisha shkruar në shtyp që në moshë të re, më emëruan në gazetën e kohës “Pionieri”, më pas në “Bashkimi” dhe, së fundi, 22 vjet radhazi punova në gazetën “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Ndërsa, kur shërbeja në gazetën arsimore, më lindi mendimi që të jepja provimet përkatëse dhe të përgatitesha për mbrojtjen e disertacionit, në fushën e  historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Pa e zgjatur, arrita të merrja gradë e titull shkencor në këtë fushë. Sigurisht, kjo gjë me solli aftësi të reja e më dha më tepër mundësi, që të merresha me kërkime në këtë fushë me rëndësi të arsimit kombëtar shqiptar. Krahas kësaj, shkrimet e mia publicistike morën hapësira të reja. Kështu, botova dhjetëra artikuj studimorë, në revista të ndryshme, si brenda Shqipërisë e jashtë saj. Që nga viti 2000 e deri sot, kam botuar edhe 15 libra, studimorë e publicistikë. Ndërsa  kam të gatshëm për botim edhe libra të tjerë, të cilat mund të shkonin te lexuesit e interesuar, në se do të kisha mbështetjen e duhur financiare.

. Me sa di unë, ju keni udhëtuar e vizituar shumë vende: në Rusi me studime, në Itali e Francë te fëmijët; në Suedi, i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, (me veprimtar të njohur, mikun e përbshkët, Sokol Demaku);  dy herë vizitor në Nju Jork, por dhe disa herë në trojet tjera shqiptare të Ballkanit, pra në Kosovë, Maqedoni,  Mali i Zi e Preshevë. Për cilin vend keni shkruar, më shumë e më gjatë?

-Është e vërtetë që m’u ka dhënë mundësia, sidomos pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar, që të vizitoj mjaft vende të Europës, por dhe Amerikën. Në të gjitha rastet, pas kthimit në Atdhe, kam shkruar e publikuar artikuj publicistikë, në gazeta e revista, por dhe në faqe të ndryshme Interneti. Ndësa libri im i parë është, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), me shënime e mbresa dhe mjaft fotografi. Ndër të tjera, aty kam dëshmuar heroizmin e pashoq të popullit vëlla kosovar, në luftën e paepur, për t’u çliruar nga zgjedha e huaj. Po kështu, kam folur, me fakte e dëshmi konkrete, për mizoritë dhe krimet çnjerëzore, që shkaktuan kriminelët serbë në Kosovë.

Mw tej, me tamatikë nga vizita në qytetet Boras e Goteborg të Suedisë, si dhe lidhjet e bashkëpunimi me emigrantët shqiptarë atje, por edhe njohjet me miqtë suedezë, janë librat, “Me zemër në vendlindje”. (Tiranë, 2012). “Me shpirt atdhedashurie”. (Tiranë, 2015). Me mbresa e shënime nga udhëtimet në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin, është libri tjetër, “Rrahin zemrat arbërore”. (Tiranë, 2011). Por edhe nëpër libra të tjerë kam përmendur ngjarje e figura të shquara, që kam patur rastin t’i njoh ose të studioj për ta.

. Ju admiroj në punën e gazetarit, pasi shkruani jo vetëm për tema ditore e aktuale, që nderojnë dhe shqetësojnë shoqërinë tonë, por edhe për takime të zakonëshme miqësh e kolegësh. Të gjitha janë si fotografime, që fiksojnë kohën, duke i shërbyer historisë, por edhe jetës së miqëve, duke u bërë pasuri shpirtërore për secilin. Dëshiroj të pyes: A do mund t’i përmblidhni, të gjitha këto shkrime, në libra të veçantë?

-Të falënderoj, përzemërsisht, për dashamirësinë tënde, i dashur koleg e mik i kahershëm, Kadri Tarelli!...Siç thashë më lart, kam të gatshëm libra të tjerë për të botuar. Ndër ta, padyshim, janë shkrimet e përditëshme, mbresat nga përurimet e librave dhe pjesëmarrja në ditëlindjet ose festa tjera të  kolegëve e miqëve, etj.

. Në profesionin e gazetarit, keni punuar në disa organe të shtypit tonë qendror. Ku e keni ndjerë veten më mirë?

-Përgjigja është paksa e vështirë, për mua… Megjithatë, kujtoj këtu se kam nostalgji të veçantë për afër tetë vjet të punës në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, me një kolektiv mjaft miqësor. Gjithashtu, i kujtoj me nderim e respekt kolegët e gazetës “Pionieri”, nga më dërguan me qarkullim në rrethin e Tropojës, ku shërbeva  tre vjet, me rininë dhe pesë vjet, kryeinspektor i kulturës. Sigurisht, plot kujtime e mbresa të pashlyera janë dhe afër 22 vitet e punës në gazetën “Mësuesi”, ku dola në pension, në vitin 2002.

Profesoni i gazetarit është shumë i bukur. Më lejo që, këtë mendim, ta ilustroj me një fakt të thjeshtë, por kuptimplotë për mua. Disa vite më parë, kolegu e miku im, prof. Hamit Boriçi, botoi një vepër të rrallë në llojin e vetë, kushtuar shumë figurave të kësaj fushe, gjatë periudhave të ndryshme kohore. Pata nderin që, në faqet e atij libri voluminoz, “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”. (Tiranë, 2005), të jetë dhe një jetëshkrim i imi. Kur e mora një kopje të tij, në faqen e brendshme, shkrova këto fjalë: “Sikur ta nisja jetën edhe një herë nga e para, pra të isha ende i ri, përsëri e përsëri, do të zgjidhja vetëm profesionin e gazetarit!”

. A ju vjen keq, që u mbyll gazeta “Mësuesi”, kur e di që keni botuar  dhe njw shkrim “proteste” për këtë gjë? Po kështu,  jeni ankuar, deri në organet më të larta shtetërore, duke qenë me detyrën shoqërore, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë…

- Tashmë, është e njohur edhe për ty, si bashkëpunëtor i rregullt i saj, se gazeta “Mësuesi” e nisi jetën në shtatorin e vitit 1961, me kryeredaktor të parë, tani të ndjerin prof. Bedri Dedja, Akademik. Gjatë udhës së saj, ajo u bë shumë e dashur për masën e gjerë të mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve dhe prindërve të tyre. Për mua, mbyllja e kësaj gazete (pavarësisht nga arsyet e paraqitura) ishte një hap i gabuar dhe jo i menduar mirë. Si “zgjidhje”, u gjet kthimi i gazetës në revistën, po me të njëjtin emër, pra “Mësuesi”, që edhe kjo nuk e pati jetën të gjatë?! Pa e zgjatur, vazhdoj t’i qendroj mendimit tim, se kjo gazetë duhet të funksionojë, pra të jetë përsëri tribunë e mendimit dhe e përvojës së gjallë, në shkollat tona. Ndërsa, në se janë mundësitë financiare, mirë është të ketë dhe një revistë a buletin të dikasterit qendror të arsimit, ku të publikohen udhëzime e urdhëra të ndryshëm, vendime të Qeverisë etj., që lidhen me këtë fushë mjaft të rëndësishme të jetës sonë.

. Duke u aktivizuar  në jetën shoqërore, jeni pjesëtar në disa shoqata kombëtare dhe mbarëkombëtare. Si e vlerësoni këtë pjesëmarrjen, në dobi të ndërsjelltë?

- E përmenda dhe më lart, kam rreth 20 vjet në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Po kështu, jam përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Për disa vite radhazi, kam qenë anëtar i  Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës, me qendër në NJu Jork; jam “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkdrimtarave e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi dhe “Anëtar-Nderi” i Shoqatës së Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali e tjerë. Sigurisht, këto janë  kënaqësi e vlerësime, që më bëhen për punën time shoqërore, por dhe më kanë ngarkuar me detyra e përgjegjësi për t’i kryer ato, sa më mirë. Pra, është dashur të marr pjesë aktive në përgatitjen dhe zhvillimin e mjaft veprimtarive të larmishme të shoqtavae të mësipërme dhe kam diskutuar e shprehur mendime, në tubime të tyre. Gjithashtu, kam bërë publikime, në shtyp e në internet, për veprimtaritë e zhvilluara ose kam ndihmuar në redaktimin e shkrimeve për libra të ndryshëm, siç është rasti i disa numrave të “Thesarit Kombëtar”, botim i ShShA-Suedi, etj. Gjej rastin këtu t’i falënderoj e t’i përshëndes nga zemra, për bashkëpunimin frytdhënës, që kam patur me kolegë e miq të mi, në këto organizma joqeveritare, si: me të ndjerin dr.Ibrahim Gashi, Yllka Beçin, Hysen Ibrahimin, Albana Mëlyshin, Tajar Domin, Nikollë Lleshin, etj.

. Si njeri mjaft i njohur në fushën e letrave dhe në gazetari, keni njohur dhe  takuar shumë personalitete të politikës, shkencës, letërsisë dhe artit. Cili  u ka bërë më shumë përshtypje dhe cilin nga ata do të donit që ta takonit përsëri?

- Edhe në këtë pyetje, i dashur Kadri, nuk është aq e lehtë për t’u përgjigjur. Kjo, për faktin se janë vitet që kanë rrjedhur me kaq shpejtësi dhe levizjet e shpeshta që kam bërë, si brenda vendit e jashtë tij. Një pjesë e atyre personaliteteve edhe janë ndarë nga jeta. Duke të kërkuar mirëkuptim, po them vetëm se kam bërë takime dhe jam  i njohur me figura të shquara e të panumërta, të fushave që përmende më lart, si në Shqipëri, para vitit 1990 e në kohën e Demokracisë, por dhe gjatë vizitave të bëra në: Prishtinë, Çair të Shkupit, Ulqin e Preshëvë, por dhe në Nju Jork e Boras të Suedisë, etj.

Në këtë pjsë të bisedës sonë, dua të shtoj diçka. Gjatë jetës më kanë lindur edhe probleme e shqetësime të ndryshme. Ndër  të tjera, kanë dashur të më largojnë nga shtypi, etj, por kjo gjë nuk është  bërë. Ndonjëri, më ka pyetur: “Kush të mbron ty Murat, pra cilin ke kaq mik, me pozitë të lartë, që nuk arrijnë dot të “nënshktrojnë” ty dhe as të realizojnë planet e tyre dashakeqe?” Ndërsa unë jam përgjigjur, me sinqeritet: “Kurdoherë jam udhëhequr nga parimi: Miku më i madh e më i çmuar i jetës sime, jam unë vetë!”

. Një fushë mjaft e rëndësishme dhe e dobishme e juaja, është botimi i disa veprave studimore. Cilat janë temat, që ju tërheqin më shumë? Po, cilit punim do t’i riktheheshit edhe një herë, për ta plotsuar më mirë?

- Të merresh me studime, në fusha të ndryshme të diturisë njerëzore, është diçka e bukur, por dhe që kërkon shpenzim të fuqive e aftësive tua, mendore e fizike. Këtë gjë e përjetova edhe kur shkrova temën e disertacionit tim, në fushën e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Konkretisht, ajo trajtonte ndihmesën e mësuesve kosovarë për arsimin kombëtar shqiptar, duke përshkruar rolin që kanë luajtur në këtë drejtim, Normalja dhe Gjimnazi i Shkupit. Më pas, bazuar në këtë punim, shkrova dhe botova librin “Pishtarë të Normales së Shkupit”. (Kumanovë, 2002). Ndërsa një vit më parë kisha botuar librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, ribotuar me përmirësime, në Tiranë, më 2008. Botime me karakter studimor e publicistikë janë librat “Filologë që nuk harrohën”. (Tiranë, 2002), “Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”. (Përmbledhje kujtimesh, (Tiranë, 2010) dhe “Mësuesi veteran Salih Myftar Kolgeci”. Monografi. (Tiranë, 2005). Nuk dua që të komentoj gjatë, për librat e botuar, për të cilët janë shkuar mjaft artikuj në shtyp e në Internet dhe është folur në  radio e TV. të ndryshëm.  Por vetëm shënoj se, pjesa kryesore e tyre janë në tematikë e trajtim, me veçoritë e veta. Sigurisht, mund të bëhej ndonjë redaktim ose shtesa tjera, në këta libra. Ndërsa, nuk mendoj as dëshiroj, që t’u rikthehem më atyre për ripunim, pasi u kanë qendruar viteve!

Në përfundim të fjalëve të mia, për 15 librat e botuar deri tani, nuk e lashë se e “harrova” atë, që kam më për zemër, librin jetëshkrimor: “Ëndrrat “e grisura’ të jetës sime”. (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Nga një orë, që ishte parashikuar, veprimtaria zgjati dy orë e gjysëm, me një pjesëëmarrje shumë të madhe të familjarëve të  mi, kolegëve e miqëve, dashamirësve dhe njerëzve të njohur të arsimit, kulturës e artit, letërisë e shkencës, si dhe nga media e shkruar e ajo elektronike.

Dua të shtoj këtu se jam bashkautor në disa libra të tjerë, ku janë botuar punime studimore e shkrime publicistike nga unë. Por nuk dua t’i përmendi këtu ata, për të mos e zgjatur këtë bisedë tonën.

. Kohët e fundit keni botuar dy libra kushtuar grave e vajzave të suksesëshme, në krijimtarinë letrare, në art dhe veprimtari të dobishme shoqërore. Pse ju tërhoqi kjo temë, kaq e parrahur në fondin e botimeve shqiptare dhe si janë pritur nga lexuesit?

- Po, e ke fjalën për librat e botuar, ku flitet për rreth 150 femra krijuese, artiste dhe veprimtare tona të njohura, me titujt: “Për ju, krijuese”. (Tiranë, 2015). dhe “Kur flasin zemrat”. (Tiranë, 2016). Ato janë me banim jo vetëm në Shqipëri, por dhe në trojet tjera amtare të Ballkanit e në emigracion, në vende të ndryshme të Europës dhe në Amerikë e Kanada. Me këta dy libra, synimi im ka qenë për njohjen më mirë nga lexuesit e interesuar dhe nxitjen e mbështetjen sadopak të tyre.

. Nuk  pyes si e kalon kohën, pasi kjo pyetje u bëhet pensionistëve, të cilët  s’kanë veprimtari shoqërore e krijuese, si ju. Por më pëlqën të di, cila pjesë e ditës u tërheq më shumë dhe nxitoni, që të mos humbisni as minutën?

- Me këtë pyetje më kujtove profesorin e nderuar dhe shumë të dashur për mua, Akademikun Eqrem Çabej. Ai më tregonte: “Unë ngrihem herët dhe orët e para të mëngjezit janë më frytdhënëset, si në prgatitjen e leksioneve për studentët, por sidomos për studimet në fushën e gjuhësisë…”. Kështu, tani që nuk nxitoj të shkoj në punë në orët e para të mëngjesit, por dhe në mbrëmje, unë merrem me shkrime e lexime. Ndërsa gjatë ditës bëj takime për kafe, me miq e dashamirë, marr pjesë në përurime librash e festa ditëlindjesh të kolegëve e miqëve, shkoj në veprimtaritë e shoqatave të ndryshme, etj. Në një kohë të përshtatshme të ditës u jam përgjigjur kërkesave për të folur në Radio-Tirana. (me gazetarë e moderatorë Kozeta Hoxhën, Jaho Margjekën, etj.), sidomos në emisionet për arsimin dhe në Radio-Kontakt e Radion “Zëri i Mitrovicës”, etj. Gjithashtu, kam përgatitur shkrime dhe i kam postuar ato për publikim, në disa gazeta e qendra interneti, si brenda e jashtë Atdheut. Do të veçoja këtu publikimet në “Fjalën e Lirë”. (Londër), me Fatmir Terziun; “Diturinë”, në Boras të Suedisë, me Sokol Demakun; “Bota e Re”, me Vangjush Zikon; “Atuenis”, në Belgjikë, me Agron Shelën etj. Pra, në një farë mënyre, përpiqem t’i jap jetë, fjalës së urtë popullore, se “koha është flori”, dhe mos të luj domino a letra nëpër stolat e lulishteve a parqeve!

. Me sa di unë, libri juaj publicistik-letrar “Dorela”, kushtuar marrëdhënieve gjysh – mbesë, është i pari në llojin e vetë, në botimet shqiptare.  Pra, “gjyshi shembullor”, si e ndjen veten, tani që Dorela u rrit dhe ka më pak nevojë e kohë të rrijë me gjyshin?

- Po, vërtet, ende nuk di ndonjë libër të ngjashëm, të  cilin e ka shkruar një gjysh ose gyshe, për mbësen ose nipin e tij. Mesazhi, që kam dashur të jap përmes tij është ky: Prindërit, por dhe gjyshërit, duhet të qendrojnë pranë botës së fëmijëve dhe mbesave e nipave të tyre. Dhe kjo gjë arrihet, duke i marrë me vete dhe duke i shoqëruar ata, në shumë mjedise, ku shkojnë të vegjëlit, por dhe të rriturit. Sepse, kështu, ata do t’i njohin me mirë: vendlindjen, Atdheun e tërë botën.

Pa e shpjeguar me hollësi, tani më solle në kujtesë vizitën, që bëra edhe në bibliotekën e qytetit Boras të Sudisë, para afër katër viteve, bashkë me Viron Konën, Kozeta Hoxhën e Kadrije Gurmanin. Vërejta që aty vinin prindër, me fëmijët e tyre në karroca ose përdore, por dhe gjyshër, me nipat e mbesat e tyre. Drejtoresha e bibliotekës, Ana K. Robertson e pa habinë tonë, pra të katër vizitorëve nga Shqipëria dhe na u drejtua: “Ne dëshirojmë e punojmë, që fëmijët t’i sjellin të afërmit e tyre pranë librave që në vegjëli  dhe kështu të përshtaten me ta dhe t’ua ndiejnë nevojën, ashtu si e kanë për ujin e ushqimin…”.

Tani mbesa Dorelë është rritur dhe ka shoqërinë e miqësinë e vetë, në shkollë e jashtë saj. Por, në rrjedhën e jetës, kanë lënë gjurmë të pashlyera edhe shëtitjet dhe  veprimtaritë ku kam qenë bashkë me të, kudo  nëpër kryeqytet, si: në teatrin e fëmijëve e në cirk, në kopshtin zoologjik dhe në festat e Nëntorit, në përurime librash e në shfaqje artistike, etj. Afër 15 recensionet e publikuara për këtë libër, i kam përmbledhur në librin tjetër, me titullin “Qofsh e lumtur, mbesa Dorelë!”. (Tiranë,2013).

. Natyrshëm, çdokush do t’u pyeste: Pë tërë këtë jetë kaq aktive e frytdhënëse, në fushën e shtypit dhe me botimet e veprimtaritë shoqërore, çfarë vlerësimesh u janë bërë? Po dekorata a tituj të ndryshëm, a u kanë dhënë institucionet përgjegjëse?

- Pa bërë shumë komente, shënoj këtu se, kohë më parë,  Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka dekoruar, me dy Medalje e Urdhër “Naim Frashëri”. Më kanë dhënë mjaft “Mirënjohje”, si nga shoqatat e ndryshme në Shqipëri, por dhe ato në Kosovë e Shkup, Salerno të Italisë, Boras të Suedisë, Filadlfia të Amerikës etj. Ministri i Arsimit dhe dy herë Shoqata Nikaj-Mërtur e Tropojës, më kanë propozuar për titullin “Mjeshtër i Madh”. Po, për fat te keq, institucioni i Presidentit të Republikës, i ka shoqëruar ato propozime me heshtje dhe nuk kanë dhënë asnjë përgjigje as shpjegim?!

14. Ç’ merak i mbetur dhe brengë e patretur, ju shoqëron, pasi koha rrjedh shpejt dhe realizimi bëhet gati i pamundur?!

- Megjithëse nuk jemi në një moshë, me këtë pyetje edhe ju e ndjeni se sa me shpejtësi u rrjedh koha të moshuarëve. Por mendoj se ka shumë rëndësi që të dimë ta shfrytëzojmë atë, sa më mirë dhe me punë të dobishme, si familjare e shoqërore. Sepse kështu, përherë, do ta ndiejmë gëzimin, kënaqësinë dhe lumturinë e jetës sonë. Në përgjithësi, jam i kënaqur nga jeta e kaluar, e cila sigurisht ka patur dhe shqetësimet e veta.

Në mbyllje të kësaj bisede modeste, që zhvilluam bashkë, të falënderoj përzemërsisht, i dashur koleg Kadri Tarelli,  për respektin e treguar ndaj meje dhe shoqërinë e miqësinë që më ke afruar, sidomos në këta vitet e fundit! Gjithashtu, ju uroj gjitha të mirat dhe paçi përherë vetëm gëzime e lumturi, familjarisht!

Intervistoi

Kadri Tarelli

Durrës-Tiranë,  prill 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: