Ilir Muharremi: Nuk duhet të ndalohet kinemaja e komunizmit
| E Hene, 17.04.2017, 09:35 AM |

Nuk duhet të ndalohet kinemaja e komunizmit

Nga Ilir Muharremi

E para. Nëse e ndalojmë kinemanë e komunizmit, kufizojmë publikun. Shtrohet pyetja a jetojmë të lirë në demokraci? Ose shteti Shqiptar gjithmonë ka jetuar me urrejtje e pak mirëkuptim, tejet tendencioz, plot mllef, asnjëherë gjakftohtë (sot nëse flitet për këtë ish sistem), dhe kjo kinematografi duhet të vlerësohet me gjakftohtësi sepse arti është veçse art, kështu rënkonte edhe Nietzsche plot emocion. Shteti shqiptar sot shpallë armiqësi ndaj artit, ndonëse arti komunist kishte funksion të rrejshëm propagandistik, por mbi të gjitha qëndron e bukura. Kinemaja e asaj kohe qe propaganduese, lënduese, shumë fyese, depërtonte deri në cenimin e lirive njerëzore, por edhe shtetërore. Ky ton komunistë proklamonte rrënimin e vlerave estetike në dobi të atyre propagandistike. Atëherë, pse duhet ndaluar, nuk duhet rregulluar, ose përmirësuar, por shpjeguar ana regjisoriale që dergjej në propagandë. Apo t’i shpjegohej brezave të ri ky lloj i propagandës, ose të niset një film për xhirimin e filmave komunistë, të krijohet një kinema brenda kinemasë.

E dyta. Po flasim për kohën në të cilën janë krijuar këta filma. Syri ngopej me propagandë, sistemi kishte vënë gjithçka në shërbim të përjetësisë së tij. Kësaj s’mund t’i shpëtonte arti kinematografik. Njerëzit jepnin jetën për sistemin, ndonëse edhe nuk e dëshironin. Kinematografia ngrihej mbi faktet e pushtetit dhe nga njëra anën donin t’i tregonin këmbët dhe dhëmbët e sistemit, nga tjera kino-aktualiteti në të cilin lind e vërteta dhe gënjeshtra. Shumë shpesh, në filmat komunist ngritët urrejtja, përjashtohet seksualiteti, homoseksualiteti, paraqesin realitet gjoja të arritjeve, në anën tjetër është mashtrim i madh, kurse shoqëria ndahej në dy pjesë: armiku, dhe e drejta e disave që e meritojnë drejtësinë. Realiteti nuk paraqitej i tillë që prej tij të dalë një e vërtetë çfarëdo, ligjësi ose kuptim i çfarëdoshëm. Imazheve vizive ju hiqeshin lidhjet e ndërsjella, atëherë nuk qenë në gjendje të paraqisnin kuptimin e realitetit. Në ato filma nuk kishte hapësirë të mendohej se brenda realiteteve të kritikuara kishte edhe gjëra të vlefshme për shoqërinë. Urrehej njeriu, luftohej ekzistenca e tij, por jo fenomeni i korrupsionit, dhunës apo tradhtisë. Shqiptarët as sot nuk mund ti bashkosh për luftimin e së keqes.

E treta.  Fyhej figura e klerikëve, përbuzej feja, qëllimi që Kisha të nxirret nën ombrellën negative përmes artit dhe kjo shfaqej edhe  në vepra tjera arti si: piktura, letërsia, skulptura etj. Kinemaja botërore edhe sot bënë filma kundër kishës dhe priftërinjve, p.sh në filmin “Corpus Christi”, Jezusi tok me dishepujt paraqitet si homoseksualë. Kjo është artistike dhe tërheqëse, kurse komunizmi mohonte replikën, cenonte të drejtën dhe mendimin më ndryshe. Kufizonte publikun edhe sot ata që kërkojnë të ndalojnë shfaqjen e filmave komunistë janë më komunistë se vet kinemaja. Në këtë kinema zëri ndryshe ishte i heshtur. E vërtetë e dhimbshme. Koha e sotme e lejon “The Passion” të Mel Gibson, ose “Kodi i Da Vinçit” që shprehin një pozitivitet për kishën dhe fenë krishtere. “The Passion” është derivuar nga bibla dhe Gibsoni e shkurtoi mallkimin e Jezusit që i kishte bërë çifutëve tek Mateu me qëllim të mos quhej anti-semitik. Jezusi kishte mallkuar çifutët dhe fëmijët e tyre. Krishterët e lavdëronin filmin me qëllim të përhapjes së fesë së tyre. Papa e kishte përshëndetur filmin, pastaj e kishe mohuar. Vetë Gibsoni rrjedh nga një familje shumë fetare, sepse i ati i tij ishte ekstremistë i interpretimit të Biblës dhe tepër strikt, aspak tolerant. I ati i tij në një libër ka shkruar: “A është Papa katolik?” derisa e quante Papën si puthës të Kuranit.

E katërta: Ideologjia komuniste kishte helmuar dialogët në film, çdo batutë për të tjerët qe helm, dhe sot kur i sheh këta filma, aktorët të nënvetëdijshëm nxjerrin nga shpirti heronj, por edhe antiheronjë, ngadalë duke demaskuar regjimin. Ndodhi edhe censura dhe kjo qe tejet e rrezikshme për popullin dhe shoqërinë, kurse komunizmi e përdori në mënyrë kriminale shumë shëmtuese. Për ta rregulluar kinemanë e komunizmit, duhet përmes filmave të sotëm duke kritikuar figurat e trajtuara gabim në ato filma ose deformimin e së vërtetës. Me luftën kundër komunizmit nuk kthehemi në kohën e komunizmit, por ndriçojmë të vërtetën e komunizmit. Jo të ndalohen, por të tregohet banaliteti kulturor. Plagët e së kaluarës ende ndërtojnë raporte të gjalla edhe në ditët e sotme. Si të shërohen këto plagë? Me fytyrë nga e shkuara, plot ethe në kujtime të cilave duhet tu japësh një emër, vendndodhje, por plagët nuk shërohen me gjuhën e së shkuarës, duhet të harrohet e kaluara për të ecur kah e ardhmja. Brezat e sotëm ende nuk kanë shoqëri të pastër në Shqipëri. Edhe aktorët në film ndjehen të diskriminuar pak kush mund t’i kupton vuajtje e tyre, shumë njerëz drejtojnë gishtin kah ata të cilët patën role me internime e pushkatime, poshtërime. E  njëjta i bie sikur tek një person që donë ta vras veten t’ja përmendesh litarin ose pistoletën. Komunizmi ka vdekur dhe nuk ringjallet përmes artit, ose e pavdekshme është nostalgjia për të, apo përmes filmave duhet të kuptohet thelbi i komunizmit: fëmijët duke spiunuar në favor të regjimit, priftërinjtë duke përdhunuar murgesha të hijshme, mungonte humanizmi, histori dashurie, homoseksualiteti, romancë, vërshonte egërsia. Dominonin dogmat e armikut dhe vërshonin raportet për armikun. Historia e Shqipërisë e kësaj kohe, një pjesë e mirë e saj është shkruar në formë të gabuar dhe duhet t’i takoj kohës së arkivit.

E pesta. A shkelin Kushtetutën e Shqipërisë këta filma derisa prekin dhe fyejnë 35 % të popullsisë, të cilët kanë vuajtur gjatë diktaturës komuniste? Kritikët renditën një sërë titujsh problematikë të cilët duhet të shfaqen me shpjegime përkatëse dhe kërkuan të shfaqen në orare të vona gjatë transmetimit televiziv. Çfarë ndodhi me protagonistin e filmit? Ai është hero që punon dhe lufton për të ardhmen. Kurse Byroja politike kërkonte përmirësimin e prodhimeve letrare dhe artistike duke kërkuar: njohje të plotë të realitetit, evidentimin e heroit pozitiv, kuptimin e jashtëm të partisë, dhënien e veprës me mjeshtri artistike dhe paraqitje të mirë të formës. Në asnjë pjesë nuk përmenden emisarët jugosllavë sepse ata qenë thelbi në vitet 1941, 1944. Qartazi kjo kinematografi ka shkaktuar; manipulime historike, sidomos gjatë luftës, manipulim të vërtetave në rendin socialist, ngritjen e mitit të punës dhe vizionin e rrejshëm të shtetit.

E gjashta. Ja disa filma propagandistik: “Skënderbeu”, film shqiptaro-sovjetik (1953). Vatikani dhe Papa paraqiteshin si armiqtë e Shqipërisë ngaqë kështu e kërkonte politika ruse. “Fortuna”, (1959), tema i përket Luftës së dytë botërore. Krijohen skena imagjinatave të komunistëve kundër italianëve, një budallallëk tjetër është se britanikët paraqiten si miq me gjermanët. Vitet e para”, (1965), filmi rrëfen për një ngjarje të vërtetë. Amerikanët paraqiten si organizatorë të sabotimit, kurse intelektualët si tradhtarë dhe rreckamanët si njerëz që e donin atdheun. Fund e krye gënjeshtër. “Komisari i dritës” (1966), Kleri katolik na del si imoral, antikulturor, kurse komunistët përkrahës të kulturës. Fund e krye trillim. Filmi në fillim rrëfen për ngjarje të vërtetë. “Shtigje lufte”, (1974), diktatori Enver Hoxha paraqitet si organizator i mbledhjes së Pezës. Ndërsa, personazhi kryesor na vjen si terrorist e gjobëvënës, nga populli vlerësohet si hero. “Beni ecën vet”, (1975), vepër që udhëzohet edhe në ciklin fillor në Kosovë. Bazohet në filma sovjetik të cilët rrëfejnë për jetesën e mirë në fshat ngaqë fshati është më i mirë. “Rrugicat që kërkonin diell”, (1975), klasa puntore kundër borxhezisë, në luftë të  një rendi të ri dhe në fillim të filmit jepet se Partia Komuniste i sjellë të mirën Shqipërisë, gjë që ishte e pavërtetë. “Fijet që priten”, një shqiptar kishte bashkëpunuar me nazistët dhe vjen i maskuar pas disa vitesh kinse si shtetas i huaj. Është nën shërbim të Amerikanëve. Realisht asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

E shtata. Ligësi është të mbrosh ato tragjedi që gjenden brenda në film, ose të përkrahësh me fanatizëm atë ligësi. Nuk po flas për pjesën estetike, por për “vlerat historike” të asaj kohe, duhet të respektohen ashtu siç ishin dhe kishin ndikim shumë nga kinemaja italiane. Këta filma transmetojnë çdo gjë të asaj kohe veçanërisht absurditetin e regjimit dhe nuk duhet të ndalohen sepse as nuk rrezikon shikuesin e tashëm e as atë të së ardhmes. Edhe nëse ndalohen nuk mund të hiqen nga Youtube, prapë do të shikohen. Këta filma përbëjnë historinë e vendit, dhe një grup të ashtuquajtur artistë, e që më shumë janë poetë të Facebukut po hedhin baltë mbi një histori 50 vjeçare. Sot kemi një situatë krejtësisht tjetër, ka hapësira ku mund ta komandojmë pultin dhe atij që nuk i pëlqejnë këta filma mund të kalojë në një stacion tjetër, andaj jemi në demokraci sepse kemi hapësira pa limite. Shqipëria mund të rrezikohet të mbetet pa histori arti (film, muzikë, letërsi..) sepse tenton t’i zhduk nga kujtesa. Çdo film ka mangësitë e kohës, në fund të fundit është histori absurde e një vendi dhe historia nuk fillon nga individi, por nga shoqëria. Tendenca për ndalim është e gabuar sepse më shumë do të ndiqen këta filma dhe psikologjia e njeriut e pëlqen të ndaluarën. Kjo i bie sikur ta çmitizojmë Prometheun e Eskilit, ose Meden e Euripidit, apo Edipin Mbret. T’i flakim në harresë. Jo ore, censurë e filmit nuk duhet të jetë individi, por koha, sepse bënë matjen më të saktë. Arti më shumë i takon një populli sesa disa individëve të Facebukut, apo të ashtuquajtur poet të cilët shkruajnë recensione superlative për njëri-tjetrin, me lëvdata ekstreme.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: