Frank Shkreli: Koha e errësirës së madhe?!
| E Marte, 11.04.2017, 06:44 PM |

A ËSHTË KJO KOHA E ERRËSIRËS SË MADHE?!

Nga Frank Shkreli

A është kjo periudhë e historisë shqiptare, koha e errësirës së madhe politike dhe morale?  Kur dihet rruga që duhet ndjekur për të mirën e përbashkët, por nuk ndiqet.  A është kjo një prej periudhave fatkeqe të historisë së shqiptarëve e cila po shfaqet si një prej më të shëmtuarave të mos besnikërisë së madhe ndaj njëri tjetrit dhe ndaj ardhmërisë dhe interesave afatshkurtëra dhe afatgjata të kombit?!

Nga ngërçi aktual politik në Shqipëri dhe nga polemika e intolerancës,  arritjet e shqiptarëve këtë çerek shekulli, janë në rrezik të pësojnë goditje të rënda, të cilat kollaj mundë të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të kombit shqiptar, të arritura me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë.  Fatkeqsisht, si përfundim i ngërçit politik midis pozitës dhe opozitës dhe luftës me fjalë që po zhvillohet midis palëve, sidomos në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më me imazhin e vendit, se imazhin e ka marrë dreqi, por kemi të bëjmë me lirinë dhe demokracinë e vendit, për të mos thënë me vetë mbarvajtjen e institucioneve të qeverisë dhe të shtetit, por edhe me marrëdhëniet e vendit me botën.   Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta deklaroi në fund të javës që kaloi se, “Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Evropës” nga gjëndja e krijuar, por kam drojë se është tepër vonë për këtë.  Dihet tashti se çka mendon Evropa për Shqipërinë dhe për klasën politike që e ka udhëhequr këto 25 vitet e fundit. Perëndimorët, me të gjithë të metat e tyre gjatë viteve, në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në periudha shumë kritike janë përpjekur, me shumë pak sukses, të ndihmojnë vendin dhe klasën politike të arrijnë në një konsensus të përbashkët për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të drejtësisë.   Duket se perëndimorët, në rastin e krizës aktuale të thellë politike, kësaj rradhe po rrijnë larg ndërhyrjeve dhe ndërmjetësimeve midis palëve kundërshtare të politikës shqiptare.  Edhe mirë bëjnë!  Këto nuk janë si çështje ndërkombëtare që në rast konfliktesh, nevojitin ndërhyrjen e një pale të tretë ose një organizate të paanshme ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose diçka e tillë, por janë probleme krejtsisht të panevojshme të krijuara prej klasës politike të vendit, për interesa personale e partiake dhe si të tilla konfliktet midis tyre duhet të zgjidhen nga palët vendase.  Ky konflikt duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët!

Perveç problemeve të shkaktuara nga vetë klasa politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të cilat kane rrezikuar seriozisht, sidomos gjëndjen e mbrendshme, por në disa raste, përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me vendet aleate të Përendimit -- janë edhe  influencat dhe provokimet nga jashtë, sidomos provokimet nga fqinjët dhe sponsorizuesit e tyre putinistë dhe erdoganistë – që presin gjithmonë të peshkojnë në ujra të turbullta --  e të cilët historikisht, kurr nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, as nuk ja duan tani.   Të huajtë, fqinjtë dhe padronët e tyre, nuk i kanë dashur kurrë të bashkuar shqiptarët -- por kështu të ndarë e të përçarë politikisht siç janë sot -- në gjëndje kaotike – me qëllim për të justifikuar pretendimet e tyre historike se shqiptarët nuk kanë ndërgjegjen dhe as interesat e përbashkëta për formuar shtet të tyre.  Lista e provokimeve dhe e përpjekjeve për të nxirë imazhin e shqiptarëve është e gjatë dhe e gjithanëshme dhe siç duket e koordinuar mirë nga qarqe të mirënjohura anti-shqiptare.  Qëllimi i të gjitha këtyre masave e akuzave armiqësore anti-shqiptare ka qenë dhe është që të shkaktohet dëmi maksimal ndaj  intersave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve, por edhe emërit të mirë dhe prestigjit që sado pak gëzon sot kombi shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.  Fatkeqsisht, duke se ata po ia arrinë qëllimit.

Pa marrë parasyshë se sa serioze mund të jenë  ndërhyrjet dhe provokimet e jashtme, besoj se është në dorë të shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i kombit shqiptare, ashtu siç mendohej dhe siç pritej.  Shqiptarët sot janë më të lirë se kurr për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre -- nëqoftse kanë kurajo politike dhe morale.  Breza të mëparshëm të shqiptarëve mbijetuan një prej regjimeve komuniste më të egra të botës, si edheu shpëtuan shtypjeve, terrorizmit e gjenocidit të Serbisë  kundër shqiptarëve në Kosovë -- me ndihmën e aleatëve perëndimorë -- luftuan dhe më në fund fituan kundër një prej regjimeve me raciste dhe terroriste të Evropës dhe botës.

Historia e kombit shqiptar është një testament guximi.  Ky guxim historik duhet të shëndërrohet sot në një mirëbesim dhe mirëkuptim e respekt të përbashkët, në radhë të parë, midis kësaj klase politike konfliktuale, në të gjitha trojet shqiptare, e sidomos të klasës politike në shtetin amë.  Në këtë moment të konflikteve dhe ndërçit politik në lidhje me zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri, është detyrë e përgjegjësi politike dhe morale, por mbi të gjitha përgjegjësi atdhetare -- e këtij brezi politikanësh shqiptarë që të kenë parasyshë ndjenjat e popullit dhe që në të njëjten kohë, të pasqyrojnë dëshirën dhe vullnetin  e zgjedhesve, në vendimet politike të qeverisë e të shtetit për të mirën e epërbashkët, afat-shkurtër dhe afat-gjatë të kombit shqiptar.  Paraardhësit dhe rilindasit e kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar, sidomos karshi njëri tjetrit, por edhe para botës, nuk presin as ma pak as më shumë, që politikanët e sotëshëm të pozitës dhe të opozitës, të tregojnë atdhedashurinë  e tyre me sjellje të mira e vetdije të thellë të detyrave dhe përgjegjësive shoqërore e kombëtare.

Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik, përveç të shkruarjes përpara duke ecur së bashku në udhën e mundimshme të këtyre kohërave të fundit që vetë ju me sjelljet tuaja kini krijuar.  Nuk ka as shpëtim tjetër për ju as për Shqiprinë dhe as për kombin shqiptar, veçse bashkpunimi me njëri tjetrin, si individë, si parti politike dhe si shqiptarë.  Bashkimi i politikës është masa më e fuqishme për të siguruar bashkimin dhe shpëtimin e shqiptarëve.   Pozita dhe opozita, në  një shtet demeokratik, kanë nevojë për njëra tjetrën.  Nuk ka as parti socialiste as parti demokratike pa Shqipëri.  Kujdes, se po humbisni Shqipërinë dhe gjithë arritjet e deritanishme të saj.  Ka ardhur koha për një kethesë historike në mendime dhe në sjellje ashtu që më në fund, kjo klasë politike të perqendrohet jo në  konflikte,  mos tolerance, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre per interesa thjeshtë personale e partiake.  Shihet rezultati i konflikteve poltike të këtyre 25-viteve të fundit. Nevojitet një besëlidhje e re ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, për të çuar përpara idenë e pajtimit të pikepamjeve tëndryshme dhe bashkjetesës politike në interes të kombit.  Këte, ia kini borxh historise, fëmijëve tuaj, nipave e mbesave si edhe brezave të ardhëshem të kombit shqiptar, që ai të jetojë në paqë me vetvehten dhe me të tjeret.

Përgjegjësia morale, politike dhe atdhetare është krejtësisht e juaja! Koha për të vepruar është tani, për ndryshe në mungesë të një zgjidhjeje, historia do ta konsiderojë këtë periudhë të shqiptarëve, jo vetëm si koha e errësirës së madhe politike por edhe si periudha e mosbesnikërisë së madhe ndaj atdheut dhe historisë së kombit shqiptar.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: