Kalosh Çeliku: Dimëri tek porta e ne jemi krushq
| E Diel, 09.04.2017, 10:11 AM |

DIMËRI TROKET TEK PORTA

E NE JEMI KRUSHQ

 

NGA KALOSH ÇELIKU

 

(Baam - baaam, i paloj me vargje

pas  porte të Shtëpisë)

 

“Miqtë”, m’i ka lidhur kërpeshi kanapit në grazhd

Dhe, sulen pas shpine kur dal tek Livadhi Shtëpisë.

Edhe pse e dinë, se: Unë, nuk jam ka zgjedhe

Ferrave, tinëz nuk ha bar. Nuk e tërheq qerren.

 

Rrugës e kaloj Gardhin. Copë-copë e thyej zgjedhën

Ehu nënën, qerren me gjithë bar e kapërdis në përrua.

 

Anda, ende m’i ka vetëm Lulekaçet e Çukës Ilire

Edhe, atë: kur, çelin në sy Dielli e Hënë mbi Mal.

Dihet, me  raki rrushi. E, plot mes Dyshtambaverë

Zana Mali kreshnike, japin gji. Fuqi, sot për luftë.

 

Patjetër, në Livadh të Babait mbi kalë me shalë

“Nagëntin” në brez me fishekë. E dardhat “turke”:

Kokëmëkokë xhepave, fshehur në struken e zezë.

Nën ftua mbi pusin, përkarshi pragut Shtëpisë:

Rrëzë Çukës Kreshnike. Këmbëkryq, Gurin e Zi.

 

Stërgjyshit t’im kaçak: Emin Çeliku (Xhambazi)

Përtejzalli, si trashëgimtar: Kryeplakut familjar.

Edhe atë, pasardhësit: Im Atë, Pragu  i Shtëpisë

Përsëri, hipur si Dje mbi kalë të bardhë me shalë.

 

Dudumët i kanë hipur Pelës topalle. Cofën për pushtet

Tinëz, turren me të katra pas një posti politik?!

 

Trusakatët, nuk e dinë, se: i ka lidhur nyje Nëna Parti

Dhe, përjagen kot pas Meje. Porte. Torbën plot taxhi.

Përqafe, pas dere: laam-laaam. Këlyshët me zgjebe.

Nateditë,  duke lehur “roje besnike” pas porte. Gardhi

I Qeverisë të “Vëllazërim- bashkimit”, nëpër Çarshi.

 

O Imzot! Ndoshta, faj ka Rrapi. Livadhi i Shtëpisë

Sanço Pançot shqiptar, që na prinë sot në Histori?!

Pse, mos e them haptas, Unë: Edhe, grazhdi Qeverisë.

 

Lëmsh. pse m’i bëni vargjet. Shkrimet publicistike

Gjoja se, sot vetëm ju dini ta “lexoni” poezinë?!

E, jo Unë: që me vargje kryengritës, nateditë në Libër

Mesdite, në Lëmë: E zbres, Nuse me “duvak” Lirinë...

 

E, deshifroni poezinë, mes rreshtave tek Policia letrare

Përditë , e shpallni “nacionaliste”: Poezinë time lirike.

E akuzoni në Ministri si armike e Shtetit “përbashkët”

Faleminderit. E kam përnder: jam nacionalist shqiptar.

Përndryshe, s’do isha internacionalist ndërkombëtar.

 

Guximshëm më hudhni si shkrimtar jashtë Oborrit Shtetit

Larg, Librave të Këndimit  e Lektyrave shkollore.

Projekteve Qeveritare me mijëra  tirazh libra “artistik”?!

Tituj Qeveritar, Shtëpi botuese “humanitare” me qerre

Arshini juaj Kakademik, në të cilat i përfshinë “vlerat”:

Trusakatët politik, përveç Meje si Poet Nacionalistë?!

 

Televizioneve shtetërore çirreni, atyre të “pavarura” private

Gjoja, se: unë jam armik i shtetit. “Vëllazërim-bashkimit”?!

Jo, dudumë! Unë, nuk jam armik i  Shtetit të “përbashkët”

Po, shteti juaj “demokratik” është kundër Meje si shkrimtar.

 

Trusakatë, që përçudi ende jeni gjallë në Shtëpinë Publike

Falë “turqëve”  të Shkupit me këmbët dhe trutë në legen?!

Por jo, edhe shqiptarëve. Penës rebele, Botës time artistike.

Atdheut, që edhe sot e kësaj dite shkilet me dorë e këmbë

Nga dylberka juaj e palarë , “hale”: me shekuj historike.

Edhe, me atë:  ideologji primitive pushtuese osmanlliste.

Përhabi, deri më sot, njeri i gjallë nuk e nxorri, në Lëmë

Hipi në Trekëmbësh. Ekzektukojë, si politikë “balliste”?!

 

E ngatërroni Ditën me Natën e Madhe. Rrugën pas Çuke

Dhiare, që im Atë gjithë jetën eci pas hapave  të kaçakëve.

Dervish Carës kryengritës, dhe krahut tij të djathtë Kaçak:

Gjyshit, Emin Çeliku (Xhambazi), në Ktllanovë të Shkupit.

Burra pushke, që  e çliruan Shkupin nga armiku shekullor

Luftë me turkun, në Betejën e Katllanovës për Shkupin.

 

Diellin dhe Hënën i mbanin në ballë, përtej maleve:

Shkrepjen, e “nagëntit” tim, sot: në Robëri, për Liri...

 

 

(Dimri troket tek porta

e ne jemi krushq)

 

Zanë Mali, oj! Dimëri Madh troket tek porta

E, Unë Poeti nuk kam dru në vatër. Dimër?!

Përveç, ibrikëve të rakisë rrushit mbi kokë

Dhe, dy shtambave plot me verë, në sofër.

 

Zjarrin ndize Cucë e Maleve, vrik me flakë

Tymi t’i dalë flakë, sot mbi Çati përoxhaku!

Pse, jo edhe ndonjë xixë kryengritëse mbi çati

Majë lisave në Qiell, sjellë sot: Diell me shi?!

Krahpërkrahu, t’i dalim me vargje te pragu

Dimrit, si dikur: Babai me pushkë, në Katund.

Vargu im, vrik e rrok “nagëntin” në dorë.

Cuca, sëpatën pas dere, turr delë në Lëmë.

 

Dimëri, sot erdhi. Na troket tek porta

E ne, përçudi: gjithë jetën jemi krushq?!

 

Meleve, pa Nuse mali në koçi... Shtëpi…

 

 

(Vëllai i Vogël)

 

Nana ime, i lindi tetëmbëdhjetë fëmijë në jetë

Shtatëmbëdhjetë djem. Dhe, vetëm një vajzë.

Tre fëmijë, mezi mbetëm gjallë në jetë. Luftë:

Motra e Madhe. Vëllai Madh. Dhe, Unë sugari.

Që, gjithë jetën, në Katund xhindet mbi çatia

Nateditë, majë lisave na hudhnin dorë më dorë.

Majë më majë. Mal, e mbi mal. Dimër e Verë.

 

Motra e Madhe burra, ende është gjallë

Ikën gjithë të tjerët. Unë, ende jam në Mal.

E pres Ditën e madhe, zbres në fushë

Vargun, hudh dardhë më dardhë. Larg.

Krah për krahu me kreshnikët e maleve

Burimeve: Zanat e maleve të na japin gji.

Tambël. Fuqi për luftë në malin Çelëvjollcë

Majëmalin me kokë në Qiell, mbi Kërçovë.

 

Edhe, përçudi: I mjel delet e prapa, rrunza

Tek Jasakët e Tikeve  me kusi nën Dradhë.

Rrëzë Çukës. Përronit  të Thanës. Livadh.

 

Vëllezërve mes varreve, sot ua kam lakmi

Vëllait Madh. Që, nga Parisi iku në Shtëpi.

I mbuloi bari. Gjelbërimi. Lulet. Jo, bërlloku

Këmbekokë, siç i mbulon nateditë mes varreve

“Patritotët” e sotshëm me flamurin kuqezi...

 

 

(Shtëpia e Babait u shitë

rrëzë Çukës – Katund)

 

E shita burra, gjithë pasurinë e Babait:

Arat. Livadhet. Edhe, malet me lisa.

Pak më vonë, ia shita edhe Shtëpinë

Shtëpi, që Bukovski Madh pas vdekjes

Babait tij, ia shiti për pak para në treg:

Gjallë t’ia mbajë kurvat që la trashëgim.

 

Dallimi mes meje e Bukovskit, bohem:

Shtëpinë, nuk e shita për kurva rruge.

“Kurvat” e mia kishin para me thasë:

Unë Shtëpinë e Babait e shita për arsim

Dhe, mbajta gjallë kulturën Shqiptare.

 

Edhe, mbaj Veten në jetë me familje

Mes kulltukofagëve, i gjallë për Nesër.

Që, për arsimin dhe kulturën shqiptare

Dudumët, ende nuk e dhanë as një kafe.

 

Sot, më ka mbetur vetëm Vetëvetja: Poet

Edhe, disa livadhe shkretë. Male me lisa.

Nën gërmadhat e Termoeleketranës “Oslome”

Që, kutadi Unë: Nësër, ndoshta bëhen Liqe?!

Librat e mi të “rrezikshëm”: Kalosh Çeliku

Vepra, që nuk i shes përderisa jam gjallë

Në Qytetin e qyqeve. Hë për hë, nën Rrap...

 

 

(Gjeli s’e thirri Ditën)

( Emin Çelikut )

 

Babai lufton me terrin

Babai lufton me sëmundjen

Babai lufton...

 

Nata e gjatë na mban në grusht

Gjeli ende s’e thirri Ditën...

 

 

(Doktoroi në odë të burrave)

 

Babai luftoi me armikun

Babai luftoi me terrin

Babai e thirri Diellin.

 

Babai vdiste për mikun

Babai ngrihej më këmbë për trimin

Babai lindi në pusi

Babai flinte mbi varre

Babai zgjohej tek Ara

Babai doktoroi në odë të burrave.

Fjala e mundoi gjithë jetën

Besën thonte s’e luan as topi.

 

Babai fitoi në male

Babain e grabiti Nusja me ferexhe...

 

 

(Frikacaku e ruan trimin)

 

Shtëpisë i qajnë trarët

Hoxha te këmbët bën roje.

Ironi e gjallë Baba:

Frikacaku ta ruaj trimin?!

 

Ditë të tëra na ke thënë në odë

Frika si duket o djem?

Rrugës a e keni parë mbi kalë

Frika, a ka këmbë?

 

Lotët ma përvëlojnë zemrën...

 

 

(Aradha e Babait)

 

Katër krahë të nxjerrin nga porta.

 

Nëna sot nuk të përcjellë në arë

Vëllain e mundon pse ishe më shenjëtar.

Mua pse s’mundem të ta kaloj me fjalë.

 

Rreshti i gjatë këtu e tek Ureja

Luftëtarë vërtet paske në aradhë.

 

Vetëm kësaj radhe nuk shkoni në male...

 

 

(Nesër)

 

Edhe “miq” të penës, kotnasikoti e vrisni mendjen

Për mua si Poet. Sipas jush: i çmendur. Disident.

Nesër, a do të jem nën Rrap? Hije: mes Mikeve

Ose, Dy shtambave me verë. Gotave të rakisë rrushit.

Gjokun pullali, a do ta lidh për ndonjë dege Rrapi

Vapës Madhe, në Bit - Pazar: Dy shtambave me verë?!

 

Punemadhe. Moti i kam shkërdhyer ato “ideologji”.

 

Po. Edhe, Nesër do të jem para Dy shtambaveverë

Grave besnike. Dhe, “kashikarave” me raki rrushi.

Këmbëkryq, nën Rrap. Roje, tek pragu i Shtëpisë.

 

E, ju kënaquni si kulltukofagë me taxhi në grazhd

Para kamerave televizive duke u reklamuar, si:

Kunguj Stambolli me afat të skaduar përdorimi.

Prodhime, sotpërsot  turku -  partiake, në Bit-Pazar...

 

Dhe në fund

POROSIA E FUNDIT

E GRUAS BESNIKE

 

Edhe, një ditë kur t’i lësh “marrëzitë”

Armën e brezit me të cilën hyre në luftë.

Gratë besnike. Jo, edhe rakinë e rrushit

Luftën me penë. Dhe, poezinë rebele?!

 

Megjithatë, Mua ende më ke në Shtëpi

Edhe, pas vdekjes zgjohem nga varri:

Sëpatën pas dere e rrok në dorë për Ty!

 

Edhe, një ditë kur t’i lësh “marrëzitë”

Jo, edhe gratë e tua besnike nën Rrap!

Rakinë e rrushit. Dhe, poezinë rebele:

Ikë, tek unë Zana e Malit! Krah më krah

Neteditë, e ke hapur si Dje derën e Shtëpisë.

 

Unë, edhe po pate nevojë si poet rebel

Vetëm, ma bë një zë kaçku nga Mali!

Edhe pas vdekjes, zgjohem nga varri.

 

E di ti, Roje besnike rri, para Shtëpisë...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: