Bilall Maliqi: Baki Ymeri - Mbretëria e fjalëve
| E Diel, 09.04.2017, 09:15 AM |

Vështrim kritik

PËRJETËSINË E FITOJNË VETËM ATA QË DASHUROJNË…

(Baki Ymeri “Mbretëria e fjalëve”, poezi, 2017)

Nga Bilall Maliqi

Poeti, publicisti dhe përkthyesi i njohur Baki Ymeri, para lexuesve, tani doli me një libër me poezi, me të cilat shpërfaq botën e tij frymëzuese, të shkrirë në vargje poetike, të cilat janë me gjetje të ndryshme motivuese, të shkruara me një përkushtim të madh nga autori.

Motivet që ngjeshen brenda brumit poetik të poezive janë në të shumtën e rasteve të dashurisë, por, poeti ka gjurmuar edhe motive të tjera si: të jetës së përditshme, sociale dhe atdhetare, me të cilat ka bërë një vëllim poetik, me një individualitet të theksuar. Kjo dëshmon qartë angazhimin e tij brenda poezive, të një game të gjerë motivuese, me poezi të drejtpërdrejta, pa ndonjë hermetizëm të theksuar, në të cilat poezi, ka shprehje dhe fjalformime nga autori, të cilat veç sa ia ngrisin vlerën e gjithmbarshme të poezive.

Përveç kësaj, gjatë leximit të lëndës poetike, vërejmë se brenda poezive gjejmë edhe figura stilistike, si: krahasimi, epiteti, metafora, ironia, sarkazmi etj., me të cilat forcohet vargu dhe vlera e përgjithësuese e poezive.

Nëpër poezitë e librit të ndarë në katër cikle: /Hyjnesha e dashurisë/, / Dialog me jetën/, /Shpirti i fjalës/ dhe/ Jeta kosovare/,  gjejmë poezi të cilat japin ngjyrim të lloj-llojshëm, si nga gjetja motivuese, poashtu edhe nga mënyra e mbarështrimit të lëndës poetike.

Në ciklin e parë poetik, para nesh na shfaqet një botë me pasqyrime të dashurisë:

“Ti vjen si një ylber në gjirin e vargut tim

Fjalët tua duken petale kurse ylberi dridhet

E lëshohet poshtë si një nënë e mallëngjyer

Që e merr fëmijën në kraharorë…

Fjalët tua duartrokasin me kënaqësi”

Në këto vargje të shkruara me mjete poetike, vërejmë figurën e krahasimit, e cila bën që poezia në fjalë ta arrijë gradacionin e duhur poetik.

Poezitë që e rumbullaksojnë ciklin e parë, japin ngjyrime emocionale, me të cilën shprishen ndjenjat e autorit, për ta plasuar tërë atë vrull poetik të mbledhur brenda vetes, për ta shpalosur brenda vargjeve poetike, si një universialitet poetik. Duke u nisur nga ky pikvështrim mund të themi se poezitë e këtij cikli, janë si bazamenti kryesor i fillit të dëshirës për lexim dhe rilexim të tyre.

Cikli i dytë, prezanton poezi, me të cilat poeti lirshëm dialogon me perzonazhet e imagjinuara poetike, të cilat i fut brenda vargjeve.

Poeti dialogon me: jetën, me heshtjen,  me fjalët, me dritën, me kohën, me dashamirët, me ëndrrat, me frikën, me varfërinë, pleqërinë, me vdekjen, me engjëjt etj.

“Në hambarin e drithit

Fshihet hija e babait tim

I njohur për ndershmëri të lartë

Në perandorinë e pakufishme

Të shpirtit shqiptar”...

E cekëm më lart, poeti në këtë cikël dialogon edhe me varfërinë. Ai kthehet në një kohë të pakohë, duke pasqyruar gjendjen e rëndë të shqiptarëve, gjendje kjo që lidhet paralelisht me kohën e sodit.

Në këto vargje të shkëputura, jepet tipari kryesor i unit të një shqiptari të ndershëm e punëtor. Një përshkrim i bukur poetik.

Edhe në poezitë e tjera, kur poeti dialogon me titujt e lartcekur, lexuesi gjenë shprehje interesante, fjalformime dhe mbarështrim të mirë të lëndës poetike.

Cikli i tretë, /shpirti i fjalës/, në vete ngërthen poezi që emërues të përbashkët e kanë fjalën. Pra këto poezi poeti i ka shkruar në stilin e poezive të ciklit të dytë:

“Fjala ka nevojë për shpirt

Dhe shpirti ka nevojë për fjalë...”

Këto dy vargje të shkëputura nga poezia /shpirti i fjalës/ flasin shumë, janë vargje që ndërlidhen forcërisht në mes veti, kanë kuptimshmërinë dhe mesazhin e fortë drejtuar lexuesve. Në poezitë tjera lexuesi gjatë leximit të vëmendshëm mund të shkëpus ilustrime të tilla me vlerë, nga poezitë prezente.

Cikli i fundit poetik me titull/ Jeta kosovare/, para nesh na paraqiten poezi, të cilat i përkasin motivit patriotik e të (atdhe)dashurisë. Në poezinë / Retrospektivë/, paraqiten emra fisesh të ndryshme e toponime, të cilat janë interesante për lexim dhe shtjellim:

“Nga Parajsa erdha ta shoh

Se si e prisni dritën në vatër

Dhe si i lansoni ëndrrat

E Shqipërisë

Kur Zoti ishte Zot

Në kryeqendër të Dardanisë.

Fëshfërimë yjesh,

Thëllëzat, shtojzovallet,

Engjëjt e librat,

Fran Kola e Mnjaku,

Vokallarët dhe Gjura,

Bishat e Vardishës

Dhe Përroi i Kishës”

Në poezitë e tjera të po këtij cikli, poeti me anë të vargjeve poetike, jep një tabllo shumë reale të ndodhive për shqiptarët në përgjithësi.

“Kosova e ka NATO-n në zemër

Dhe KFOR-in e Amerikën në kufi

Dhelpra e Ballkanit nga xhelozia

Le të dehet me shovinizëm e raki”

Në këto vargje të shkëputura, autori i inkurajon shqiptarët e Kosovës se në mbrojtje kanë Naton, Amerikën, ndërsa dhelpra (Serbia), le të dehet me shovinizëm e raki. Vargje interesante dhe shumë reale, të cilat japin të kuptojmë se armiku gjithmonë është ushqyer me shovinizëm dhe urrejtje ndaj shqiptarëve.

Marrë në përgjithësi libri me poezi “Mbretëria e fjalëve” i autorit Baki Ymeri, e ka arritur nivelin e duhur artistik, duke u thirrur në gjetjet motivuese, figuracionin poetik dhe forcën shprehëse, brenda poezive të librit...



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: