http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Elvi Sidheri: Çmimi i vlerësimit të një jetë mes letrash
| E Shtune, 08.04.2017, 01:44 PM |

Çmimi i vlerësimit të një jetë mes letrash

Nga Elvi Sidheri

Në disa prej trojeve shqiptare përtej Shqipërisë 104 vjeçare, fjala “Çmim” në kuptimin e vlerësimit solemn që jepet për një vepër, që fitohet si trofe, etj, zëvendësohet edhe me termin “Shpërblim”.

Një derivat i drejtpërdrejt nga versioni sllav i kësaj fjale “Nagrada”, i mbetur ende në përdorim si pasojë e zgjedhës së gjatë dhe të përgjakshme e përvuajtshme sllave, (serbe, maqedonase, malazeze) mbi trojet shqiptare dhe banorët e tyre.

Por, meqënëse ky shkrim nuk ka aspak si qëllim qëmtimin dhe sqarimin e panevojshëm në këtë rast, të gjenezës së gjuhësore të “Çmimit” apo “Shpërblimit”, po vijojmë më tepër me thelbin e kësaj përsiatjeje.

Faktikisht, pavarësisht etimologjisë së papërputhëshme gjuhësisht me shqipen korrekte të “Shpërblimit” në kontekstin e vlerësimit solemn për një vepër përkatëse, në rastin që do të përmendim, të dhënies nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, për shkrimtarin shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, të çmimit “Letërsia Shqipe”, gjithësesi ky term, pak a shumë merr një ngjyrim dhe nuanca të reja, duke u bërë sakaq tërësisht i pranueshëm.

Sepse në këtë mënyrë, vendoset befas një “Pax Cultura” mes dy termave, etimologjive dhe kuptimit përkatës të fjalëve zulmëmëdhaja “Çmim” dhe “Shpërblim”, letrar në këtë rast specifik.

Thënë kjo ngaqë Çmimi “Letërsia Shqipe” që i kushtohet Ismail Kadaresë si vlerësim për veprën e tij jetësore është jo rastësisht “një çmim i veçantë që jepet për personalitete të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, në ngritjen dhe vetëdijësimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj (letërsisë shqipe) në përmasa ndërkombëtare” siç citohet në shpjegimin e thelbit të ardhjes në jetë të këtij çmimi.

Një Çmim pra, falë këtij përjashtimi nga rregulli, njësohet me botëkuptimin specifik të Shpërblimit, duke u çmuar kështu vepra jetësore e shkrimtarit tonë më të ndritur dhe përndritës të kaq brezave të tashëm, të shkuar e të ardhshëm shqiptarë (dhe jo vetëm), dhe njëkohësisht shpërblyer gjenia e shkrimtarit, përkushtimi i tij ndaj kombit, atdheut, letërsisë së ngjizur, frymuar e frymëzuar në gjuhën e tij mëmë, në shqipen e lëvruar aq fisshëm me një përkorje të epërme të mishëruar në vargje, rreshta e fjalë të një dëlirësie të denjë për reminishencat më të vyera Naimiane të gjuhë-dashurisë shqiptare.

Sepse të qenët shqiptar, siç Kadareja e di fort mirë, ndoshta më mirë edhe se të gjithë ne vdekatarët e tjerë të zakonshëm shqiptarë, ka të bëjë ndoshta jo kryekëput, por në dozë tejet të konsiderueshme, me mirëqenien dhe jetësimin e mëtejshëm të gjuhës sonë, mjetit dhe urës më të fuqishme ndërlidhëse të identitetit tonë të përbashkët shqiptar, aty ku farkëtohen e gjallojnë aq nuanca e dritëhije rajonale, çifligare, malore-fushore, fushëbeteja ndikimesh të brendshme e të huaja, prirjesh fetare e dialektore, mendësish e botëkuptimesh, që rrafshohen e shkrihen në një të vetme, në një “Un” thuajse epik gjithëshqiptar, veç nga rrënja e trungut tonë kombëtar, gjuha shqipe.

Këtë gjë Kadareja, ashtu si paraardhësit e tij, ky njeri që pavarësisht gjithçkaje, nuk ka sesi të mos cilësohet si “I fundmi” i Rilindjes së Vonë Shqiptare, e ka kuptuar vetvetiu shumë mirë.

Pa gjuhën shqipe, vështirë të ketë më shqiptarë.

Dhe ai, falë veprës së tij tashmë të dëshmuar prej dhjetëvjeçarësh si të përmasave botërore, ka ditur që shqipen si gjuhë, shqiptaren si kulturë, letërsinë e lëvruar, krijuar dhe frymëzuar si shqiptare, ta shpjerë drejt një niveli më të epërm e të fisëm, në një Olimp të ri të letërsishëm shqiptar, pikës së referimit ku do të orientohet e tashmja dhe e ardhmja e shkrimit, mendimit dhe lëvrimit letrar shqip për breza e breza të tërë në vijim.

Jo më kot, ky çmim-shpërblim (në të gjitha kuptimet) jepet pikërisht në Kosovë për shkrimtarin, gjeniun dhe mishërimin modern të mendimit intelektual dhe lëvrimit letrar shqip.

Kosova është toka ku lufta për arsimin shqip vijoi e zjarrtë përgjatë tërë shekullit XX, gjer në çlirimin nga pushtimi serb në fund të shekullit të shkuar.

Në Kosovë libri shqip mbeti simbol lirie, vetëdije kombëtare shqiptare dhe rezistence ndaj shpërbërjes kombëtare të synuar nga pushtuesi serbomadh.

Dhe gjithaq, në botën e qytetëruar, atë botë Perëndimore veçanërisht, që ngriti armët për ta zbuar okupatorin shekullor serb nga trojet shqiptare të Kosovës, që e çliroi këtë vend dhe e shpuri drejt pavarësisë e lirisë, zërat e ditur, të urtë, të mençur, të matur dhe mendjet e holla e gjeniale si e Kadaresë, bënë diferencën thelbësore në përballjen me makinerinë e shfrenuar të propagandës antishqiptare serbe, që akoma sot e kësaj dite, shqiptarët vijon t’i përshkruajë si specie e nënnivelit më të ulët njerëzor, qenie shtazarake me bisht që nuk arrijnë as të formulojnë dot mendime të mirëfillta evolutive njerëzore, e jo më të krenohen pra me mendimtarë, shkrimtarë e mjeshtra të letërsisë moderne, botërisht të njohur e vlerësuar, si Ismail Kadare.

Kadare për shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm për atdheun e tij Shqipërinë, por edhe në veçanti për Kosovën, pati mishëruar asin në mëngë në përballjen me shpifjet, sajesat e mënxyrshme dhe mashtrimet historike e aktuale serbe.

Çdo fjalë e peshuar mirë dhe tejet kuptimplotë e thënë prej Kadaresë, çdo novelë, shkrim apo fjalim i tij në favor të çështjes shqiptare dhe kundër shovinizmit serbomadh, ka qenë dhe do të jetë përherë, një armë e paçmuar, një ndihmë dhe një plus madhor për shqiptarët dhe Kosovën, një përparësi e pakrahasueshme në sytë e opinionit publik, në fokusin e qendrave vendimarrëse perëndimore, si dhe në prirjet anti, ose filoshqiptare të ambientit intelektual dhe kulturor europiano-perëndimor dhe amerikan.

Jo rastësisht, pavarësia e Greqisë në fillimin e shekullit XIX, siç të gjithë e dimë, që vënë në lëvizje dhe shtyrë përpara pikërisht nga opinioni publik intelektual, letrar, historik dhe kulturor europian, për hir të reminishencave helenistike të asaj që konsiderohet si gjeneza e qytetërimit perëndimor, Greqisë së lashtë.

Pikërisht ky është edhe roli i Kadaresë kundrejt Çështjes Shqiptare në ditët e sotme, sa edhe në të kaluarën e afërt.

Kadareja arriti të çmontojë mitet serbe antishqiptare, të thyejë propagandën serbe me argumentet, kthjelltësinë dhe oksidentalizmin qenësor të tij.

Për shqiptarët dhe kauzën e tyre jetësore, Kadare luajti rolin vetëdijësues në nivel ndërkombëtar, të atyre qindra e mijëra intelektualëve europianë, shkrimtarëve e historianëve që në fillimshekullin XIX, i garantuan Greqisë mbështetjen e Fuqive të Mëdha, për të ngritur krye (falë armëve arvanitase dhe suliote) kundër Perandorisë Osmane, dhe ngadhënjyer me ndihmën e Europës së qytetëruar.

Në njëfarë mënyrë, kështu ngadhënjyen edhe shqiptarët e Kosovës ndaj agresionit, pushtimit dhe gjenocidit etnik serb.

Duke siguruar, edhe falë veprës, mendjes, integritetit të epërm intelektual dhe vlerësimit të pamasë që Kadare gëzonte dhe gëzon masivisht në botën kulturore dhe intelektuale e letrare perëndimore, atë mbështetjen dhe njohjen e nevojshme (sine qua non) të drejtësisë së kauzës së tyre kombëtare në Kosovë.

Sot, pas këtij çmimi kaq të vyer, Kadare është sërish kandidat për një tjetër çmim madhor ndërkombëtar, të fituar tanimë njëherë prej tij (në vitin 2005), Man’s Booker Prize, për “Kamarja e Turpit”, ose në anglisht “The Traitor’s Niche”.

Një tjetër nderim, qoftë edhe vetë nominimi për këtë çmim përsëri, për shkrimtarin tonë të madh.

Garë e ngushtë për këtë çmim, që ndërkohë sheh të pranishëm ndër konkurrentët e tjerë edhe shkrimtarin e njohur frëng, Mathias Énard, fitues të çmimit më prestigjioz francez “Goncourt” në vitin 2015, i cili për rastësi, gjithashtu është botuar tejet profesionalisht në shqip pikërisht në Kosovë nga Botimet Buzuku, me veprën tepër të vlerësuar, që autorit të saj i ka sjellë çmimin e lartpërmendur francez dhe konkurrimin për në Man’s Booker Prize 2017, “Boussole”, ose “Busull” në gjuhën shqipe.

“Non a caso il caso” (Jo rastësisht rastësia) thonë kushërinjtë tanë italianë, dhe “rastësitë” e letërsisë të këtilla janë ngaherë, ku Prishtina bashkon Kadarenë, mjedisin letrar parizien dhe një rival të tij të nderuar në garën për Man’s Booker Prize 2017, si Mathias Énard.

Dhe për ta mbyllur, në këtë kremte kaq të rëndësishme për shkrimtarin tonë të madh, do të ishte me vend që të përkujtohej në prag (ndoshta) të një tjetër çmimi ndërkombëtar për Kadarenë, edhe përkthyesja e tij e parë në gjuhë të huaj, bullgarja Marina Marinova, e ndarë nga jetë në vitin 2012, që do të përkthente në bullgarisht shumë vepra të Kadaresë, duke nisur nga Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur (Генералът на мъртвата армия; Sofia, Narodna Kultura) në vitin e largët 1966 në Sofie.

Letërsia shqipe, gjuha shqipe, kultura shqipe, mendimi dhe lëvrimi i fjalës shqipe, mbetet çelësi i qenësisë kombëtare shqiptare, sot e gjithmonë.