Rexhep Shahu: Çadra e rojeve të demokracisë
| E Premte, 07.04.2017, 07:39 PM |

ÇADRA E ROJEVE TË DEMOKRACISË NË TIRANË

NGA REXHEP SHAHU

Nëse këtë vend e cilësojnë ende demokratik, nëse ndokush beson ende se ka ngelë shpresë se nuk është instaluar plotësisht diktatura e re e një kryeministri që thotë gjithçka e s’bën asgjë, që mashtron këdo dhe nuk ka cipë pse mashtron, as skuqet as zverdhet, por mburret me mashtrimet e tij dhe rrenat e veta i duken të verteta, që dënon gjithkënd më papunësi, me dëbim nga puna, me uri, me dëbim nga atdheu, dhe që shqiptarët që punësohen në Europë ai i shkruan si të punësuar prej tij, kjo e të gjitha këto ndodhin vetëm për faktin e thjeshtë se në Bulevardin e Mbretit në Tiranë, që e ndërtoi mbreti Zog, që e emërtuan Deshmorët e Kombit, i bëjnë roje demokracisë së kërcënuar e të rrezikuar një grup vajzash e djemsh shqiptarë, burrash e grash shqiptare, që për fat të mirë e për turp të kryeqytetit, vijnë nga të gjitha cepat e Shqipërisë, me intervale, me ndërrime dhe bashkangjiten me qëndrestarët e kryeqytetit dhe me pazarxhinjtë e pushtetit të ri që nuk mungojnë askund asnjëherë.

Rojet e demokracisë së brishtë shqiptare, rojet e lirisë tonë që po e dhunon qeveria me arrogancë e propotencë, me shpërfillje e ligësi të projektuara me marrë gjithë pushtetet me mashtrime për vetting gjyqtarësh e jo politikanësh sikur gjyqtarët emërojnë politikanët e jo anasjelltas, pra këto roje demokracie aty te çadra e lirisë, aty te sheshi te dera e kryeministrisë dhe Komitetit Qëndror të PPSH, këto roje na ruajnë ne, demokracinë tonë, të ardhmen tonë, që të mos e bëjnë më të zezë se të zezë bosët e drogës që kanë marrë peng qeverisjen e këtij vendi.

Rojet e demokracisë shqiptare të mbledhur aty te çadra e lirisë, te sera e së ardhmes, të kësaj demokracie të brishtë që e kërcënon droga dhe qeveria që i shërben drogës me hir a pahir, po i bëjnë nder të madh kryeministrit të vendit, po i lejojnë kryeministrit që çadrën ta paraqesë si aset demokracie e lirie për të protestuar e kundërshtuar, po u lejon tellallëve të pushtetit që të hedhin baltë mbi të, si akt lirie, tellallëve që lehin ku hanë pa patur minimum dinjiteti, pa u kujdesur për shtyllën e tyre kurrizore, duke pohuar se si e sa keq poshtrohen duke shërbyer si lehës profesionistë.

Kryeministrin nuk e zë gjumi prej çadrës e banorëve fisnikë të saj. I ka zili, sejcilin prej tyre e ka zili se ata janë roje lirie, të lirë, ndërsa kryeministri një zot e di se ushtar i kujt është nga bosët e neveritshëm të drogës që e bëjnë lolo kryeministrin duke e detyruar që të gënjejë nga tri herë në ditë nëpër ekrane televizionesh dhe të mos dijë kurrë se çfarë thotë.

Çadra filloi ta bëjë esëll kryeministrin që është kujdesë në mënyrë përfekte që ta treqindfishojë drogën e Lazaratit nëpër Shqipëri nën urdhërat e s’di kujt.

Çadra, që gjasme nuk pyet për të e banorët e saj kryeministri ynë trim, gjergjelezali a micsokol, arriti disa fitore kolosale. E detyroi kryeministrin tonë gjigand t’ia mësojë emrin Lulzim Bashës dhe ta lusë publikisht atë që të takohen ku e kur të dojë Basha e të vendosin për të ardhemen.

Çadra e rojeve të demokracisë që ndokush e disa e shajnë si të keqe, ndërsa çadrën e dhunës të PS të para ca vitesh po aty, e quajnë kishë a xhami të shenjtë, e ka detyruar kryeministrin tonë të pamposhtur të ulet në tokë të marrë hundët e tij në tokë dhe të belbëzojë kudo nëpër ekrane e podiume që është gati t’i shkojë kudo e kurdo Lulzim Bashës në takim për bashkëbisedim.

Sa di e besoj unë, çadra e rojeve të demokracisë në bulevard mes kryeministrisë e Komitetit Qëndror të PPSH, nuk ka qëllim marrjen e pushtetit nga ana e Partisë Demokratike, por ka qëllim rregulla të ndershme loje, zgjedhje të lira, mos ndryshim rregullash në mes të lojës, mos hedhje lekësh droge për blerje votash.

Çadra e rojeve të demokracisë nuk e ka fuqinë as mundësinë të ruajë shpërndarjen e lekëve të drogës për blerje votash. Ajo çadër që unë e shoh se bën thirrje e apel moral për ndershmëri, nuk mund të ndalojë blerjen e votave me lekë droge. Siç nuk mund të ndalojë blerje banesash e pallatesh me lekë droge në mes të kryeqytetit, siç nuk mund të ndalojë blerje postesh me lekë droge, blerje diplomash, titujsh e gradash me lekë droge kur droga, prodhimi e tregtimi i saj janë të vetmet punë fitimprurëse e jetëvrasëse në këtë vend që veç pakësohet në njerëz dhe i vdes optimizmi me shpejtësi.

Çadra e rojeve të demokracisë nuk mund të ndalojë së vepruari nenin 449 që u jep amnisti por jo pafajësi kriminelëve të bardhë të pushtetit në kupolë sepse amnistia nuk është pafajsi. Ata do ta bëjnë amnistinë pafajësi…

Çadra e rojeve të demokracisë në bulevard nuk mund të urdhërojë politikën që të bëjnë veting politikanësh dhe pastaj është gjëja më e lehtë vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve.

Ne sheherlinjtë e rinj e të vjetër i shohim me bezdi banorët e çadrës, këto roje të domkarcisë se na mëson përditë e përnatë qeveria e televizionet e saj që t’i shohim me bezdi, me përbuzje me urrejtje.

Me bezdi ndonjëherë i sheh edhe ndonjë kopil komunist a enverist i ri që vjen në bulevad si argat i thirrur nga qeveria dhe i duket se e shëmtojnë selinë kryeministrore të nënës Shqipëri dhe i shan me përbuzje protestuesit - rojat e demokracisë, sikur u vjen era djersë, llom, sikur të lënë shtatzanë me sy.

Me bezdi i sheh ndonjëhere edhe ndonjë shetitëse që kërkon hamshor në çadër a rrotull dhe nuk gjen e ikën e dëshpëruar për këtë shkak. Deshmorët e kombit që kanë vdekë moti dhe nuk i ka përfillë askush nuk ngrihen dot me pallue kurvat shëtitëse që shkojnë edhe te çadra e protestës dhe ngaqë nuk e përfillin rojat e demokracisë ajo i shan dhe ua mban dertin se nuk kanë ku bëjnë shurrën, pa e ditë se rojat e demokracisë shurrën e bëjnë te kryeministria, te Komiteti Qëndror dhe në kafe-restorantet rrotull. Rojet e demoracisë shqiptare, banorët e çadrës së lirisë nuk janë në ngujim, nuk janë në grevë urie me bërxolla e pica si grevistët e çadrës së PS. Jo, këta janë të lirë të hyjnë e të dalin, të shkojnë në kafe, të luajnë shah mat me qeverinë, të qeshin, të bëjnë teatër, t’ia këndojnë edhe ndonjë serenatë ndonjë vajze të bukur që shkon t’i shohë ku e bëjnë shurrën.

Shëtitësit apo shëtitëset kronikanë historie që i shërbejnë kryeministrit të sotëm që u mplak e rrakat kaq shumë në tre vjet, nuk duan ta dijnë se kjo çadër nuk është si ajo e kryeministrit para ca vitesh, kjo çadër nuk është piceri, restorant, motel, nevojtore, nuk është çadër e bijve të dhunës së partisë, kjo është çadër e hapur, e çelur, ku hyn e del kush të dojë, që rri kush të dojë, që mëson qëndresë kush të dojë, që duron dhe toleron lloj lloj muti e rruspije që e përgojon.

Kjo çadër nuk është pra nevojtore me koridore e anekse ku mund të bësh seks çasti dhe të marrësh sasinë e nevojshme të drogës.

Jo kjo çadër është ngritë e hapur anash që të hyjë kush të dojë jo vetëm ata që kërkojnë pushtet dhe që të vrasin për pushtet.

Është ngritë e hapur anash që të kesh nga të ikësh prej atyre që të shkelin ty që ti rrinë ngjitur te bytha Bashës.

Është ngritë e hapur çadra por çatinë e ka. E ka çatinë që të mbrohet nga pështyma e fjalët e që hedh kryeministri nga zyra e tij.

Çadra e ka çatinë që të mbrohet nga pështyma që hedh mbi të Komiteti Qëndror, godina përballë kryeministrisë.

Çadra e rojeve të demokracisë nuk kërkon pushtet, kërkon vetëm të jetë roje e demokracisë dhe kjo është madhështore - roje e demokracisë.

Roje e demokracisë do të thotë zgjedhje të lira, të drejta, jo më të pranueshme apo më të mirat që janë bërë deri tani. Jo!! Vetëm zgjedhje të lira, të ndershme, pa frikë se i vjedh policia a qeveria, që i blen me lekë droge policia a qeveria.

Rojet e demokracisë te çadra janë sot qytetarët më fisnikë të vendit, ani se ata nuk e dinë një gjë të tillë.

Ne që hamë mut e miza nëpër ekrane, që llomotisim si demokratë apo socialistë, ne jemi larg atyre.

Ata na mbrojnë e ne llomotisim, ata janë rojet e kësaj demokracie të rrezikuar që kemi. Dhe po e mbrojnë demokracinë tonë.

Faleminderit banorëve të çadrës së bulevardit – rojeve të demokracisë tone!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: