Skënder Kapiti: Lëvizja politike Kokëdhima
| E Enjte, 06.04.2017, 07:53 PM |

Lëvizja politike “Kokëdhima”

Nga Skënder S. KAPITI

Lëvizja politike e ndërmarrë nga z. Kokëdhima që me të drejtë është emërtuar  “Zgjidhja” pasi zgjedhjet elektorale në Shqipëri nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë të lira dhe të pamanipuluara; dhe si të tilla, ato dhe pseudodemokracia shqiptare nuk kanë zgjidhur por vetëm sa kanë rritur e shtuar probleme si dhe kanë komplikuar dhe konfliktuar politikën, demokracinë, individin dhe shoqërinë gjatë këtij tranzicioni.

Pra, së pari: Kokëdhima kërkon zgjidhjen e problemit qëndror dhe esencial të demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe te ndershme që sipas vizionit largpamës të  tij, njëkohësisht me këtë zgjidhje fillon edhe reformimi dhe funksionimi i lirisë dhe i Drejtësisë, pra ndërtimi i shtetit ligjor me standarte demokratike i cili i hap rrugen edhe integrimit per ne BE.

Dhe së dyti Lëvizja “Zgjidhja”e Kokëdhimës i shërben edhe emancipimit demokratik jo vetëm të Partisë Socialiste por të të gjitha partive politike shqiptare kudo ato janë si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni: kjo si zgjidhje t’i shërbejë demokratizimit të brëndshëm të tyre kundër monopolit autoritarist të elitës dhe të establishmenrit politik,  ku kryetarëve të partive  t’u hiqet pronësia  mbi  partinë të cilën ata e konsiderojnë si material njerëzor, si dhe ku vendimmarrja të mos jetë apriori e kryetarit por të jetë atribut  dhe e drejte e antarësisë dhe jo e establishmentit “elitist” partiak te ngushtë dhe klientelist  e klanor.

Në Shqipëri është shumë e vështirë që të dalë një Lëvizje antiestablishmet si ajo e Presidentit Donald Trump në SHBA, pasi as politika dhe as elektorati nuk e kanë akoma pjekurinë e duhur politike dhe demokratike sepse Shqipëria tepër vonë ka hyrë dhe me shumë vështirësi po lëviz drejt demokracisë dhe integrimit.

Por një Lëvizje e tillë është më se e nevojshme për vëndin për të dalë nga kjo anarkodemokraci  traumatike 25 vjecare, e cila , në jo pak aspekte është treguar më e dëmshme se vetë  komunizmi. Ҫdo  parti politike  në Shqipëri duhet  të bëjë një vetë-VETING për t’u cliruar  nga kapja  dhe nga pengmarrja që u është bërë atyre nga kyetarët autoritaristë dhe establishmenti politik  i ngushtë servil dhe i paaftë  rreth tyre, të cilët mendojnë e veprojnë vetëm për përfitime dhe për intersa të ngushta personale, klanore dhe nepotike.

Por shënjat për një Lëvizje të tillë  me sa duket po verehen dhe jane tek ajo të cilën publiku e quan tashme si Lëvizja “Kokëdhima” brenda  Partise Socialiste në pushtet. Lëvizja e Z.Koҫo Kokëdhima ka  kohë  e cila  ka filluar tashmë si një Lëvizje kundër establishmentit aktual të PS-së, si një Rilindje e duhur  kundër “rilindasve” të pseudoRilindjes qeverisëse aktuale të PS-së si një domosdoshmëri dhe si nevojë për të afruar të dëbuarit  dhe të braktisurit socialistë potentë intelektualisht e politikisht si dhe meritorët e vërtetë të së Majtës Shqiptare në shërbim të të braktisurve, të përjashtuarve dhe të të harruarve hallexhinjë të cilët  i besuan dhe e votuan PS aq shumë në qershor të vitit 2013, por që tashmë ata janë shumë të zhgënjyer prej qeverisjes se “rilindasve” te saj.

Ndoshta Z. Kokëdhima ka dhe e ndjen se PS mund ta pësojë ashtu si PD para 4 vitesh me të ashtuquajturin KOP në vitin 2013 pikërisht po prej kësaj lloj politike si kjo aktuale, prej këtij establishmenti të pushtetit politik partiako-shtetëror të sotëm i cila ngjason me atë të establishmentit  të PD-së dhe pothuajse me të gjithë establishmentin pluripartiako-politik  në Shqipëri: me mashtrime, me premtime të pambajtura, me qeverisje klienteliste, të korruptuar dhe me të paaftë si dhe me po të njëjtin model kualicioni sic e qeverisi Shqipërinë edhe PD-ja.

Pra në Shqipëinë e vogël, të varfër, të papunë dhe pa influencë  dhe me rëndësi periferike për Perëndmin, reformatori Koҫo  Kokëdhima kërkon reformimin real të PS-së së pari; së dyti një dekriminalizim  real të politikës dhe një zbatim po real të Reformës në Drejtësi në funksion  Reformimit të Shtetit shqiptar dhe të  integrimit të tij për në BE.

Koҫo Kokëdhima  mendoj se ka konkluduar  ndryshe nga të tjerët pasi nuk është rezultativ fakti i largimit nga Partia dhe krijimi i ndonjë partie të re sic janë krijuar  dhe kanë  sterlindur me dhjetra partiza politike në Shqipëri, fakt që ka sjellë vetëm parazitizëm, maskarallëk, korrupsion dhe matrapazllëk  të ulët dhe servilizëm politik që vetëm sa e ka përkeqësuar demokracinë, patriotizmin  dhe vetëm sa ka shtuar vuajtjet, hallet ,problemet dhe ka rritur kostot për taksapaguesit shqiptar për ta mbajtur këtë parazitizëm pluralist politik.

Lëvizja “Kokëdhima” duhet parë si një Lëvizje e guximshme intelektualisht dhe politikisht në përballje së pari me establishmentin autoritarist  të Partisë Socialiste ashtu sikurse bëri dhe Trump në Partinë Republikane në SHBA dhe që pastaj votuesi amerikan e votoi për President.

Këtë duhet ta kuptojë antarësia socialiste po deshi që të fitojë zgjedhjet në Qershor 2017, pasi aktualisht, PS dhe pushteti e qeverisja e saj është kapur nga kjo pseudoRilindje që ka zhgënjyer jo vetëm qytetarin shqiptar por edhe vetë masën e antarësisë dhe të simpatizanëve të PS, e cila mund të ndëshkohet ne Qershor 2017  ashtu si  Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013.

Është i thjeshtë dhe i kuptueshëm vizioni i reformatorit Kokëdhima i cili ka deklaruar qartë dhe pastër se: “duhet të ftojmë në skenë popullin..., jo kandidatët  për deputet t’i caktojë kryetari i Partisë . Nuk i reformojnë kryetarët partitë ”.

A nuk është pra kjo një thirrje antielitë dhe antiestablishmet politik për demokratizimin  jo vetëm të PS , por të politikës shqiptare në përgjithësi e cila e ka privatizuar politikën, pushtetin(pozitën), kundrapushtetin(opozitën)  si dhe shoqërinë dhe të drejtën shtetërore. Dhe u takon së pari mediave që si pushteti antipolitikë dhe antikorrupsion që duhet të jetë, ato duhet të përhapin dhe të propagandojnë cdo nismë kurajoze dhe vizionare që kërkon domosdoshmërisht koha, progresi, moderniteti, integrimi dhe jo të bëhen palë me establishmentin politik dhe me mosndryshimin.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: