Idriz Zeqiraj: Kur qeveritë dakordohen, bota miraton
| E Marte, 04.04.2017, 08:40 PM |

KUR QEVERITË DAKORDOHEN PËR DEMARKACIONIN, BOTA MIRATON

- NËNDEGA E LDK-SË NË BAVARI MBAJTI  MBLEDHJEN E RADHËS -

SHKRUAN IDRIZ ZEQIRAJ

Nëndega e LDK-së në Bavari, mbajti mbledhjen e radhës, me ç`rast debatoi për rrjedhat politike në Atdhe dhe veprimtarinë e LDK-së në Bavari. U konstatua se aktivitetet në Nëndegë janë shtuar dhe synimet janë për një hop sasior dhe cilësor në të ardhmen. Nisjativa e Nëndegës klasike të LDK-së, në përshtatje me stututin e ri, të hartuar nga LDK-ja në Kosovë, po bënë ndryshimin e Aktivave në Nëndegë. Në rrethanat e Diasporës (Mërgatës), organizimi i ri paraqet disa vështirësi, në raport me organizimin në Kosovë. Por, duke bashkëpunuar me Degën e LDK-së në Gjermani dhe konsultimi e harmonizimi i Degës, me LDK-në në Kosovë, vendimet e përbashkëta për rregulloren e punës, do të kenë rrjedhë të mbarë dhe të suksesshme.

Nëndega e LDK-së në Bavari, me kryetar Idriz Zeqiraj, vendosi ta organizojë shënimin e datës historike, 12 Qershorin, ditën e çlirimit të Kosovës, nga forcat ndërkombëtare, të bashkuara në aleancën ushtarake NATO. Për këtë organizim festiv, u ndanë detyrat përkatëse.

Në mbledhje u debatua edhe për themelimin e Nëndegëve të reja si dhe riorganizimin e Aktivave ekzistuese, tashmë, të konvertuar në Nëndegë. Gjithashtu u vendos që ditën e dielë, më 26 mars, të themelohet Nëndega e LDK-së në Mynih, dhe një javë më vonë, Nëndega e LDK-së në Landau an der Isar dhe kështu me radhë, në qendrat e populluara me shqiptarë.

Anëtari i LDK-së, Rexhep Nikçi, Inxhinier i Diplomuar dhe magjistër i Gjeodezisë dhe i Gjeoinformatikës, i shkolluar në Universitetin e Zagrebit dhe i punësuar në Institutin përkatës në Mynih, udhëheqës i një firme për punë Gjeodezike dhe Gjeoinformatike, paraqiti dokumentacionin shkrimor dhe filmik, kryesisht, të zonës kufitare Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlepit. Zoti Nikçi, me shumë kompetencë, foli për metodologjinë e përcaktimit të kufinjëve shtetërorë, elementet dhe faktet e domosdoshme, që duhet pasur në dispozocion, për të shmangur çfarëdo kontestimi, mospajtimi ndërmjet shteteve kufitare. Dhe, kjo është përgjegjësi madhore për brezat e ardhshëm, në vijimësi.

1) Marrëveshja tërësisht e paligjshme dhe konsppirative, për shënimin e vijës kufitare Kosovë - Mali i Zi, e bërë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, është një akt i rëndë i fajësisë, me elemente të bollshme të tradhtisë, sepse kontrabandohen sipërfaqe të mëdha tokësore, në favor të fqinjit verior - Malit të Zi. Vendim-marrja vetanake e konspirative, për çështje madhore, siç janë mijëra hektarë të falura, në këmbim të amortizimit të një procesi, tashmë, të hapur hetimor, përbën një precedent të rrezikshëm për shtetin e brishtë të Kosovës tonë.

2) Duke folur për Komisionin shtetëror, të kryeruar nga Murat Meha, specialisti Rexhep Nikçi thotë se zelli i Mehës, për t`u shërbyer padronëve, e ka çoroditur atë në njëanshmëri dhe papërgjegjshmëri fatale për Kosovën. Diletanti Meha, së bashku me shtetarët dhe pushtetarët, bënë gabime të përsëritura, që, tashmë, janë faje të rënda dhe, nëse nuk stopohen e korrigjohen, rrjedhojat do të jenë të paparashikueshme.

3) Shtetarët dhe pushtetarët mjeranë të Kosovës, manipuluan dhe mashtruan popullin, me të ashtuquajturin Komision Ndërkombëtar, me specialistë amerikan, anglez dhe gjerman. Qëllimshëm i zgjodhën nga tre vende mike dhe përcaktuese të çlirimit të Kosovës, për t`ia mbyllur gojën popullit. Dhe, çfarë hulumtoi, realisht, Komisioni në fjalë: Vetëm, brenda zyrës të Komisionit qeveritar, lexoi procedurat e përdorura të këtij komisioni dhe asgjë tjetër!!!  Dhe, që këtej dolën me komunikatën klishe, pa bërë asnjë hulumtim apo studim shtesë! Shtetarët e Kosovës i devalvuan dhe i turpëruan, keqas, komisionerët e vendeve mike pa hile të shqiptarëve. Dhe, ky poshtërim, assesi, nuk duhet të kalojë pa përgjegjësinë e duhur të manipulatorëve shtetarë dhe pushtetarë të Kosovës.

4) "Ratifikimin e vijës kufitare Kosovë - Mali i Zi po e kërkojnë miqtë tanë amerikanë dhe evropianë", - çirrën rrejshëm shtetarët dhe pushtetarët tanë.  Por, specialisti Rexhep Nikçi thotë se kur qeveritë e dy vendeve, shteteve kufitare, dakordohen për vijën ndarëse të kufirit, pra, të Demarkacionit, bota e miraton, pavarësisht saktësisë, sepse për këtë janë marrë vesh të zotët e shtëpive të tyre. Dhe, nuk ka asnjë arsye të merret me një çështje, tashmë, të zgjidhur nga palët e interesuara. Me këtë rast cullakohet një poshtërsi skajore manipulative, se gjoja edhe amerikanët me aleatë, e kanë studjuar këtë vijë kufitare dhe rezulton tërësisht e saktë, me atë të Komisionit tonë qeveritar!

Kumtesa faktuese për Demarkacionin nga Rexhep Nikçi, Inxhinier i Diplomuar dhe magjistër i Gjeodezisë dhe i Gjeoinformatikës:

Kufiri Kosovë - Mali i Zi

- Çfarë po ndodhë?! -

Argumentet Parësore për përcaktimin e vijës kufitare ndërshtetërore janë: dëshmia se kush e ka administruar një territor,  apo nën autoritetin e kujt ka qenë ai territor. Quhen parësore pasi që ato kanë peshën më të madhe,  me rastin e përcaktimi të kufijve ndërshtetëror, ndërmjet dy shteteve.

Argumenti i banorëve të asaj zone, sepse të gjithë banorët e asaj zone e dinë mirë se ku ka qenë kufiri. Dhe, këtë jo vetëm banorët e Kosovës, por edhe banorët e Malit të Zi. Është e vërtetë e pamohueshme për të dyja palët (banorët) se Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlepit, kanë qenë dy pika kufitare, apo rrugë nëpër të cilat ka kaluar kufiri Kosovë – Mali i Zi. Kjo mund të vërtetohet lehtë me vizitat e banorëve, në të dyja anët e kufirit.

Argumenti i rrugëve

Rrugët Pejë – Çakorr dhe Pejë – Kullë janë:

1. Mirëmbajtur nga Kosova, si para dhe pas luftës.

2. Janë ndërtuar nga Kosova (Serbia).

3. Policia e trafikut e Kosovës (Serbisë) ka kontrolluar trafikun në këto rrugë deri në Çakorr  e Kullë.

Të gjitha këto argumente ekzistojnë në institucionet aktuale të Kosovës si dhe në arkiva të ndryshme, mirëpo këto, për çudi, nuk merrën parasysh fare, nga pala kosovare,  përkatësisht, Komisioni qeveritar!

Argumenti i pyjeve

Ka plotë argumente, që pyjet që po i kalohen  Malit të Zi, janë pyllëzuar nga pala kosovare, (shkolla, akcione pyllëzimi, etj.) Pastaj ka argumente të banorëve të asaj ane që për shfrytëzim të lëndës drusore, në pjesën që po mbetet në Mal të Zi, kanë marrë leje dhe kanë paguar tarifa në organet përkatëse të Kosovës. Përfaqësuesi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës nuk u pajtua me konkluzionet e “Komisionit” të fundit, pasi që konkludoi se në një pjesë (afër Kullës), mbi 600 ha (6 km2) të pyjeve po i kalojnë Malit të Zi.

Argumenti i Kullosave

Pjesa që po mbetet në Mal të Zi, është shfrytëzuar nga banorët e Kosovës, të asaj ane për zhvillimin e blegtorisë. Ajo anë njihet shumë mirë me Stanet e saj. Të gjithë këta blegtorë e kanë ditur dhe e dinë se ku ishte kufiri Kosovë - Mali i Zi.

Argumenti i Projekteve

Ka Argumente të dokumentuara se në atë pjesë nga Kosova (Serbia), janë planifikuar projekte të ndryshme ndërtimi të objekteve të ndryshme, sidomos në fushën e shfrytëzimit të ujërave. As këto dokumente nuk merren parasysh nga pala kosovare, përkatësisht, Komisioni qeveritar!

Administrimi i territorit ( përfundime mbi argumentet parësore)

Përkufizimi i shtetit, (republikës, krahinës, provincës), mes tjerash, ka të bëjë me territorin, të cilin e ka nën ADMINISTRIM. Pa kurrëfarë dyshimi, autorizimet e një shteti (republike, krahine,…)për:

1. Transport – ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve;

2. Kontroll policor;

3. Shfrytëzim të pyjeve, kullosave, ujërave, etj.

4. Ndërtim, apo planifikim, të objekteve të ndryshme ekonomike, turistike, infrastrukturore, flasin për ADMINISTRIM të një territori. Dhe Administrimi i territorit flet qartë se i KUJT  është AI TERRITOR. Administrimi i territorit është argumenti kyq edhe në gjykata arbitrazhi, në lidhje me kontestet ndërkufitare.

Argumentet Parësore - Dëshmi dhe shembuj

Këtu do të paraqiten disa shembuj, të cilët vërtetojnë se vija kufitare Kosovë – Mali i Zi , kalon nëpër Kullë e Çakorr. Këta shembuj janë të rëndësishëm, pasi që çdo vijë kufitare që nuk kalon nëpër Kullë  e Çakorr, është e gabuar dhe e papranueshme.

Ky imazh paraqet faqen 398 të Enciklopedija Jugoslavije të vitit 1956.

Rëndësia e këtij argumenti është se kemi të bëjmë me përshkrim të kufirit (të Malit të ZI –nënvizimet janë për pjesën e Kosovës), i cili është i rëndësisë parësore në përcaktimin e kufirit, nëse dy entitetet bëhen shtete.

Pse kjo nuk merret parasysh nga Kosova zyrtare, asnjë mendje e shëndoshë nuk di ta shpjegojë!?

Përshkrimi në Monografinë e ASHAK “KOSOVA”-2011

“Në pjesën veriperëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi. Linja kufitare ka gjatësinë rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, e deri te trekufiri Kosovë-Mali i Zi-Serbi, linja kufitare shtrihet nëpër kotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiçevicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, prehet me dy arterie rrugore automobilistike: në Qafë Kullë (1795 m) dhe Qafë Çakorr (1849 m), që trajtohet si njëra ndër qafat më të larta malore në Ballkan”.  (“Kosova”, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës).

Përshkrim i njëjtë me shembujtë e mëparshëm, nga Programi Ndërkufitar i IPA, për Kosovë dhe Mal të Zi (dokumenti final i vitit 2014)

Në Rregulloren për kategorizimin e rrugëve shtetërore (Uredba o kategorizaciji drzavnih puteva) të Serbisë, të vitit 2013, në faqen 3 dhe 7, përmenden rrugët që kalojnë nëpër Kosovë deri te vendkalimet kufitare. Siç shihet, nga imazhi më poshtë, këto dy pika kufitare janë KULLA dhe ÇAKORRI. Pra, Serbia, që e ka humbur Kosovën, ia njeh asaj Kullën dhe Çakorrin, ndërsa vetë Kosova, sjell “argumente”, se ato janë me kilometra larg territorit të vet!!!

Kjo është kopertina e Programit Investues të Rrugës së Kategorisë të Dytë Rozhajë – Pejë, i punuar në Mitrovicë dhe mban datën 18.11.1964. Në slajdin në vazhdim paraqitet rruga e projektuar Rozhajë – Pejë, ku qartë shihet kufiri Mali i Zi – Kosovë, i cili kalon nëpër Kullë. Shihet se Kufiri qartë kalon nëpër Kullë.

Ku janë Kulla e Çakorri tash?

Kulla e Çakorri, natyrisht, janë aty ku kanë qenë gjithmonë. Por aty mungon Kosova, e cila tash është me kilometra larg nga këto dy pika. Që ironia të jetë më e madhe, vetë Kosova zyrtare, sjell “fakte” që Kulla e Çakorri “kurrë nuk kanë qenë të Kosovës”. Ku ka rrëshqitur kufiri, shihet mirë, nga dy slajdet në vazhdim.

Kulla larg kufirit rreth 5 km, nëpër rrugë, pas “Demarkacionit”

Për ta lokalizuar Kullën në Google Maps, kërkoni duke shtypur: 42.7870, 20.2253. Pastaj mund të krahasoni me kufirin që Kosova në "Google" ia ka vendosur vetës, Çakorri larg kufirit të Kosovës mbi 4 km në vijë të drejtë. Për ta lokalizuar Çakorrin në Google Maps, kërkoni duke shtypur: 42.6687, 20.0075. Pastaj mund të krahasoni me kufirin që Kosova në Google ia ka vendosur vetës.

Pse dhe si ndodhi kjo?

• Në Kosovë, secila punë institucionale bëhet shkel e shko.

• Komisioni Malazez, ka bërë propozimin e kriterit – Kadastrin. Pastaj ka bërë udhëzimin për punën e Komisioneve. Dhe në fund ka bërë edhe rregulloret dhe të gjitha dokumentet përcjellëse, duke përfshirë edhe Marrëveshjen finale, e cila është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi.

• Komisioni ynë, qëllimin kryesor e ka pasur, shëtitjet dhe mëditjet dhe stërzgjatjen e procesit. Sa më shumë zgjatë, aq më shumë mëditje, udhëtime e qejf.

• Komisioni ynë e ka kuptuar se Kulla e Çakorri po mbesin jashtë Kosovës, vetëm pas reagimeve brenda Kosovës. Kjo shihet qartë nga “dokumentacioni” i Komisionit të Kosovës i publikuar në web faqen e Kryeministrisë së Kosovës.

• Ky dokumentacion është bërë pasi që puna është kryer dhe qëllimi i vetëm i tij është të dëshmojë se Kulla e Çakorri nuk janë të Kosovës!

• Të gjitha ligjet, dokumentet dhe faktet, në të cilat thirret ky Komision, kanë të bëjnë shumë pak, e shumica aspak, me procesin e Demarkimit.

Pse dhe si ndodhi kjo?

• Duke parë gabimin që kanë bërë, ata thërrasin që të sillen fakte kadastrale: “Sillni dokumente kadastrale – pronësore, për tokat që po pretendoni se janë të Kosovës”.

• Nga neglizhenca, moskokëqarja dhe puna shkel e shko, ata harrojnë se procesi i demarkimit nuk ka të bëjë shumë me çështje pronësore, po me çështje të administrimit  të territorit, pa u kontestuar nga fqinji i parë (Mali i Zi). Dhe, pse të kontestohet, kur edhe ata e dinë se ai tërritor nuk u përket.

Pse Komisioni "Ad Hok" tha OK?

• Komisioni i Jahjagës ka kërkuar përgjigje në këto pyetje:

– A janë pajtuar të dyja shtet që të përcaktojnë kufijtë shtetëror? – Po

– A janë themeluar Komisionet përkatëse? – Po

– A i kanë miratuar udhëzimet dhe rregulloret e punës? – Po

– A kanë miratuar kriteret si bazë për punë? – Po (edhepse vetëm një kriter –  Kadastrin).

– A kanë punuar në bazë të rregulloreve dhe kriterit të miratuar? – Po

– A është miratuar në fund marrëveshja nga të dyja Komisionet? – Po

– A ka kontestim zyrtar nga Kosova e Mali i Zi – Jo

Prandaj, Komisioni "ad hok" as që ka mundur të bëjë ndonjë konstatim tjetër. Mandati i tij ka qenë të shoh se a janë përcjellur procedurat e dakorduara nga të dyja palët. Pasi që edhe  të dyja qeveritë po thonë në rregull është, atëhërë ky Komision në fund  thotë: “Hajde more,  Për Hajr Ju Qoftë”!!

Pse ShBA, BE… po thonë OK?

Sepse nuk mund edhe të thonë asgjë tjetër, pasi që:

• Të dyja komisionet janë pajtuar në çdo pikë;

• Të dyja qeveritë janë pajtuar në çdo pikë;

• Pra, zyrtarisht, nuk ka probleme në mes dy vendeve.

Prandaj -  Bashkësia Ndërkombëtare -, nuk mund të bëjë asgjë tjetër, përveç që të bëjë “presion”, që marrëveshja të ratifikohet. Në fund të fundit, - Bashkësia Ndërkombëtare -  nuk mund të na i kryejë dhe zgjidhë problemet tona. Dhe,  për më tepër, edhe po të falim edhe gjysmën e Kosovës, me marrëveshje, do të na përkrahte pa rezervë.

Ku është Problemi?

• Problemi i parë është se Ekspertë të Demarkacionit nuk ka shumë as në rang botëror, që është e kuptueshme, sepse Demarkacionet nuk ndodhin në baza ditore.

• Po edhe ata ekspertë të pakët që janë, kanë botime të shumta në lidhje me këtë  çështje, të cilat edhe mund të gjenden "online".

• Problemin kryesor e kemi se Qeveria, me Komisionin e saj, ka bërë një punë të mbrapshtë dhe këtë e di, por nuk po do të tërhiqet.

• Problemi tjetër është se edhe kundërshtuesit e Demarkacionit, janë të fokusuar së tepërmi në harta dhe sipërfaqe, duke harruar se hartat, edhpse të rëndësishme, nuk janë faktori përcaktues i kufijve. Ndërsa, sipërfaqja nuk ka të bëjë fare me demarkacionin.

• Dhe problem mbi problem është se të gjithë flasin për këtë çështje, pa e marrë mundin që të lexojnë diçka në lidhje me të.

A ka lidhje Siperfaqja?

• Sipërfaqja nuk ka kurrëfarë lidhjeje me përcaktimin e kufirit. Sepse kufiri përcakton sipërfaqen dhe asnjëherë e kundërta.  – Sipërfaqja nuk përcakton kufirin. Se sa absurde  është tendenca, që më sipërfaqe të vërtetohet kufiri, shihet në pikat vijuese.

• Kosova me “matje” të Komisionit, të ashtuquajtur për matje, ka dalë se i ka 10.905 km2. Gjatësia e kufirit të Kosovës, me këtë kufi (kadastral), është rreth 741 km. Nëse një shtet në formë katrori ka sipërfaqe 10.905 km2, atëhere gjatësia e kufirit të tij do të ishte rreth 418 km. Përderisa shteti në formë rrethi, me sipërfaqe 10.905 km2, do të kishte gjatësi të kufirit prej rreth 370km.

• Kosova teorikisht mund të kishte gjatësinë e kufirit 21.812 km (10905+1+10905+1) dhe sipërfaqen prej 10.905 km2, nëse do ta kishte formën e një drejtëkëndëshi, me brinjë a=10905km dhe b=1km. Kështu do t’i dilte rezultati këtij Komisioni për “matje”. Absurd mbi absurde.

Kur do të kishte lidhje Siperfaqja?

Sipërfaqja mund të përdorej si argument, për të vërtetuar se a është bërë mirë  Demarkacioni VETËM nëse:

• Janë të njohura dhe të verifikuara të gjitha pikat kufitare pa kurrëfarë dyshimi;

• Nëse janë të njohura procedurat, metodologjitë dhe mjetet, që janë përdorur për matje të sipërfaqes para demarkacionit (10.877km2, p.sh).

Se sa ka lidhje sipërfaqja me kufirin, dëshmon edhe fakti që Serbia në të gjithë vjetarët e saj statistikorë, e nënvizon se Sipërfaqja dhe Gjatësia e vijës kufitare të saj duhet të konsiderohen të përkohëshme, pasi që Serbia nuk është e mbuluar komplet me matje (kadastrale) dhe se kufijtë me ish-republikat kanë qenë vetëm administrativ dhe ende nuk janë arritur marrëveshjet për demarkacion. (Kërko në Google me: "Statisticki Godisnjak Srbije").

Sipërfaqja e Kosovës!!??

• Duke u ndërlidhur në fjalinë e fundit në lidhje me sipërfaqen e Serbisë, në Vjetarët e saj Statistikorë, mund të konkludojmë se:

  Sipërfaqja e Kosovës është kadastrale;

– Kjo sipërfaqe nuk është definitive, sepse merr parasysh vetëm pjesën e Kosovës, që është e mbuluar me Kadastër. Mosmbulushmërinë e tërë territorit të Kosovës me Kadastër, askush nuk e ka marrë parasysh. Ky është njëri nga gabimet më të mëdha në këtë proces. Dhe, për këtë shkak Kadastri na ka sjellur në këtë DEREXHE.

– Dhe çfarë bëmë ne? Territori që nuk ishte i mbuluar më kadastër iu FAL Malit të Zi.

Kjo do të ishte e pafalshme, sikur ta bënin edhe fëmija, e lëre më nga “alamet zyrtarësh e profesionistësh”!!

– Dhe, për më tepër, një sipërfaqe të përkohshme e shpallëm DEFINITIVE E ZYRTARE!!

Çfarë është Demarkacioni, shpjeguar katunarqe? (1)

• Supozojmë se kemi dy fshatra fqinje: A dhe B

• Fshatarët e A dhe B në një mënyrë apo një tjetër, janë marrë vesh se Kodra që i ndanë, të ndahet nëpër pikat më të larta.

• Kështu është e ditur për të gjithë se ku i kullosin bagëtitë, marrin dhe, dru apo diçka tjetër.

• Nëse dikush nga njëri fshat ka shfrytëzuar anën e gabuar të Kodrës, “ka kërsitë stupci”!

• Dhe, ta zëmë se dy shtete krijohen, duke ndarë këto dy fshatra. Kufiri i shtetit duhet të kalojë nëpërmes të njëjtës vijë, që këto dy fshatra kanë pasur në shfrytëzim prej kohësh, pa marrë parasysh se, ndoshta me kadastër, kufiri i fshatrave dallon.

• Kjo vlen edhe për Kosovën (Fshati A) dhe për Malin e Zi (Fshati B).

Çfarë është Demarkacioni, shpjeguar katunarqe? (2)

• Pse është kjo kështu? Sepse marrëveshjet dhe mënyra e shfrytëzimit, janë shumë më të vjetra se sa kadastri dhe kufijtë e zonave kadastrale, në shumicën e rasteve, nuk përputhen me relievin përrreth. Bile-bile, duke vëzhguar kufirin e ri Kosovë – Mali i Zi, pasi që matje kadastrale ka pasur vetëm në anën nga Kosova, shihet qartë se matjet janë bërë dëri në vendet, ku terreni ka filluar të paraqitet i papërshtatshëm për matje.

Dhe, ne fund, po e përmbyllim me thënien e famshme të Albert Eintsein: "Problemi (i shkaktuar nga

Kadastri) nuk mund të zgjidhet me të njëjtat metoda (me Kadastër), që e kanë shkaktuar atë

problem".

Pas kësaj ekspozeje shumë të qartë dhe interesante, e cila u përcoll me vëmendje dhe kurreshtje të madhe nga të pranishmit e shumtë, Inxhinieri i Diplomuar, magjistër Rexhep Nikçi, u përball me pyetjet serike të mërgimtarëve, lidhur me Demarkacionin, si kryetemë mbizotëruese, përtej një viti, në të gjithë Shqiptarinë e kudondodhur.

Po japim vetëm disa nga pyetjet e shtruara:

- A caktohet kufiri me Kadastër? -Përgjigja: -Jo.

- A caktohet kufiri me Sipërfaqe? -Përgjigja: -Jo.

- Çfarë zone është ajo që po kontestohet? -Përgjigja: - Është një zonë, që ka shumë histori, për ne shqiptarët.

- A kanë qenë këto dy komisione të kompletuara (gjithëpërfshirës)? - Përgjigja: - Jo. Kanë munguar:

1. Ekspertë të sigurisë;

2. Përfaqësuesë të zonave që i njohin shumë mirë ato;

3. juristë, gjeodetë, gjeografë, hartografë dhe të tjerë, që kanë të bëjnë me këtë çështje.

- Për fund, mungesa e parimeve Demokratike është e dukshme, në trajtimin e çështjes madhore, siç është markimi i vijës kufitare Kosovë - Mali i Zi.

- Është kufi i ri, i cili nuk ka ekzistuar kurrë.

- Komisioni i njëanshëm, i pamenduar, madje i dirigjuar nga pushtetarët batakçinj.

-Transparenca e qeverisë është zëro.

- Asfarë kompetence, madje as njohuri të mjaftueshme.

- Demarkacioni aktual nuk prodhon qetësi në atë rajon, përkundrazi, hapë probleme.

- Të mos luhet me kufirin, se (Rugova) Kosova po humbë shumë.

- T`u përmbahemi dokumenteve të Jugosllavisë të AVNOJ-it.

- Qeveria nuk ka qasje serioze për zgjidhjen e këtij problemi. Më shumë provokon popullin, se sa punon për një zgjidhje reale dhe fatlume.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: