Skënder Blakaj: Skënderbeu midis nesh
| E Marte, 04.04.2017, 08:10 PM |

Skënderbeu midis nesh

(Pas një viti (2018) mbushen 550 vjet nga vajtja e Gjergj Kastriotit në qiell. Po e ribotojmë këtë shkrim që të parapregaditen shqiptarët ta kremtojnë me dinjitet 550 vjetorin e vdekjes së Gjergjit të pavdekshëm, siç e kremtuan më 1968, 500 e lindje së shqiptarit më të famshëm në botë. (Alban Voka)

Nga Skënder Blakaj

Arbëreshët e Italisë në një këngë të vetën thonë që, Skënderbeu gëzohet dhe zbret nga qielli kur janë bashkë gjithë arbëreshët. Shkasi për të qenë gjithë bashkë ishte edhe 17 janari i vitit 2008, që d.m.th. 540 vjetori i vajtjes së shpirtit të tij në qiell. Në qoftë se shpirtrat lëvizin, i shohin a i përjetojnë gjendjet e pa­sardhësve të vet, shpirti i madh i Gjergj Kastriotit duhet të jetë aq i pikëlluar këto ditë me shpërfilljen që ia bënë shqiptarët.  Pothuaj asnjë përkujtim i denjë në ditën kur u mbushën 540 vjet pa të. Dihet që në të gjitha kohërat ai mbeti më i madhi shkëlqim, më e madhja mburrje dhe më e madhja mbështetje jona. Fjalët që belbëzojnë e përplasen në këtë hapësirë të vogël të revistës nuk mund e përthekojnë as madhështinë e tij e as mjerimin tonë që pasqyrohet në këtë shpërfillje. Ai vetë mburrej me të shkuarën e të parëve.

Në një letër të vitit 1461, Gjergji përkujton : ”Të parët tanë…me Aleksandërin e Madh shkuan deri në Indi”. Fan Noli i përkujton fjalët e Sulltan Mehmed Pushtuesit të tmerrshëm :”Një luan të tillë do mos lind më dheu kurrë. Tani Evropa dhe Asia janë të miat. Mjerë krishterimi, se i humbi shpata dhe mburonja”. Pas vdekjes së Skënderbeut ushtritë e Mehmetit dolën në Itali. Papa i ngarkoi plaçkat në qerre, dhe Sulltan Pushtuesi, ashtu si kërcënohej, do t’i jepte kalit tagji në Kishën e Shën Pjetrit, të mos e ndalte egjeli prijësin e osmanëve. Napoleoni thonte se Skënderbeu ishte njëri ndër katër gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Te një botim gjermanisht të “Skënderbeut” të Marin Barlecit në shek XVI, shënojnë “…u pa rishtas me zell të veçantë, u përmirësua dhe u botua për të mirën e mbarë kombit gjerman”.

Gjergj Kastrioti ishte bërë model në Evropë për rezistencën e habitshme dhe për bashkimin e popullit në luftëra aq të mëdha. Për ne sot e gjithmonë ai mbeti shpata dhe mburonja hyjnore. Siç shkruan Abas Ermenji “figura e Skënderbeut ka lozur një rol kryesor edhe në kohët e pastajme të kombit shqiptar. Ajo i ka sunduar rrjedhimet e kësaj historie deri në ditët tona.” Në këtë trullim, në këtë mungesë të kujtimit të Kryeheroit tonë, po përdor një pjesë të Ismail Kadaresë “Ai ishte i vetmi prijës shqiptar që komandoi trupa të bashkuara shqiptare e evropiane kundër shtetit osman. Ndaj, më natyrshëm se kurrë rri sot shtatorja e tij në dy kryeqytetet, Tiranë dhe Prishtinë, përbri shenjave shqiptare dhe evro-atlantike, që më mirë se atij s’i shkojnë askujt “. Që duhet të jemi bashkë me të, sidomos sot, e thotë aq bukur pjesa përmbyllëse e Rezolutës së Kongresit Amerikan. “Prandaj, përmes kësaj Rezolute, që Dhoma e Përfaqësuesve –shënon të arriturat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe 600 vjetorin e lindjes së tij; lavdëron shqiptarët kudo për nderimin që i bëjnë prijësit të tyre trim, heroit dhe birit të tyre, Gjergj Kastriotit; dhe kërkon nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara që të punojnë me partnerët e vet evropianë në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, në njohje të kontributit dhe sakrificës që dha Gjergj Kastrioti dhe populli shqiptar në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga dominimi otoman ”.

Ani që kemi kënduar “Enver Hoxha midis nesh”, se edhe pushtuesin e dhunuesin e ri të Kosovës, J.B.Titon e kemi pritur “me bukë e kripë e zemër” dhe kemi larë tokën me lotë kur vdiq, po ai që përjetësisht duhet të jetë midis nesh është Skënderbeu.  Prandaj, ata që kujtojnë se e kapin atdheun në shpinën e vet të vogël ta çojnë në këto struktura të Evropës e të botës, me kapardisjen nga trullimi i pushtetit, nuk duhet ta harrojnë që diku larg para tyre është Komandanti i evropianëve, Skënderbeu, dhe që duhet të rreshtohen prapa tij. Ai ishte temë thuaja e të gjithë krijuesve tanë dhe e aq shumë të huajve. Prandaj shpërfilljet e tilla janë më shumë se mungesë kulture. Kulturë është, po ashtu, t’i përkujtosh Jusuf Gërvallën, Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, si tri hallka të mëdha të Lëvizjes e të luftës për liri e shtet. Miqtë e jashtëm, gjithsesi. Dhe ngrehina shpirtërore është kryesorja, ngrihet e ruhet aq vështirë.

Kosova është në prag të shpalljes së pavarësisë. Ajo do të jetë njëra prej ditëve më të gëzueshme në mbarë historinë e kombit. Në këtë pritje, në këtë hutim, se mos shteti që e ka mbajtur të okupuar deri më 1999, me logjikën e vet koloniale, krijon ndonjë telashe, na ka ikur ngapak edhe përgatitja shpirtërore për gëzimin që duhet të na kaplojë ato ditë. Dhe mendja na vete te Mitrovica, dhe te ndonjë pikë tjetër që mund të bëhen shkak për prishje të gëzimit kaq të vonuar. Pavarësia e 1912 u bë thuaja 100 vjet mbas kombeve të tjera të Ballkanit, kurse te kjo copë e atdheut po arrin mbas 200 vjetësh, krahasuar me to.

Duke e kujtuar Mitrovicën më vajti mendja te një letër e dërguar në janar 1905 Shahin Kolonjës. Letra doli në gazetën „Drita“, që ishte një zëdhënëse e fuqishme e patriotizmit shqiptar, themeluar, drejtuar dhe botuar në Sofje nga Sh.Kolonja për tetë vjet radhas, pasi ai braktis postin e lartë në administratën osmane:

Letrë nga Mitrovica: Zotni Shahin beg Kolonja, Letrën e par qi ta kemi pas que, e kishe shtypun në gazetën nr. 70. Fort tepër u gëzuem. Pse? Se masi t’shihet e të këndohet në gazetë kem uzdaj qi i dhimsem t’gjithve e kështu shpëtimi na afrohet ma shpejt...Na e dim fort mirë çfarë reformash kërkon Evropa nga Turqia, por faqezeza kuvernë ka inat shum kontra të ngratëve shqiptarë të Kosovës e me këtë shkak do me e pi gjakun e tyne...Zene bes,.. or  t’u ngatë jeta or zotni, nuk kemi sonte bukë t’ham !“ Po Sh. Kolonja vetë? Shikoni diçka nga letrat e tij dërguar mikut të vet, Hamdi Ohrit. „Për të nxjerrë numrin e ri, nesër do të shkoj të shes sahatin. Pastaj dhe mëtutje më ndihmoftë zoti..“ Në një tjetër letër: “Ka shumë kohë i dashur Hamdi që unë vuaj nga një mijë privacione...dhe sa keq jetoj unë...një grosh për  drekë dhe një grosh për darkë ...tani që po të shkruaj nuk kam asgjë për të ngrënë. Gjumi po më ikën dhe shpeshherë dëshpërohem...Megjithatë shpresa ime bëhet më e madhe, jo më e vogël dhe për sa kohë që unë jetoj nuk kam për të hequr dorë“.

Ngrehina e kulturës sonë kombëtare u ngrit me sakrifica të skëterrshme. Është mëkat i qeverive tona, kudo qofshin, të sillen shpërfillshëm ndaj saj.

(Nga ”Albanica” Nr. 76/2008)



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: