Ilir Muharremi: Realizmi socialist dhe aroma e luleve
| E Hene, 03.04.2017, 09:03 PM |

Për ekspozitën e Zef Shoshit dhe Blerim Luzhës që po qëndrojnë të hapura në Galerinë kombëtare të Kosovës

Realizmi socialist dhe aroma e luleve

Nga Ilir Muharremi

Arti duhet të promovojë, në të njëjtën kohë edhe të mohoj, të dekoroj, por edhe të lartësoj, jo të hiperbolizoj, ndonëse artisti gjithmonë përkthen ndjenjat dhe i nënshtrohet shpirtit të tij. Çfarë ndodhi me artin e realizmit socialist dhe sa ndikim kishte shteti?  Shteti i cili ishte nën ndikimin e “realizmit socialist” nga artistët e asaj kohe kërkonte që arti i tyre të ishte: Proletar – art që i drejtohej punëtorit dhe kuptohej nga ai, Tipik – imazhe nga jeta e përditshme e njerëzve, Realist – dukja e imazhit, Partizan – besnik dhe mbështetës i qëllimeve të shtetit dhe Partisë. Si deshifrohet kjo në artin pamor? Portreti i diktatorit (udhëheqësit), njeriu i ri, vepër historike, jetë socialiste, ose ndonjë peizazh industrial. Këto tema u jetësuan në mijëra tablo ngaqë ishin nën vëzhgimin e rreptë të propagandës dhe Realizmi Socialist nuk ndryshoj padyshim askund, bile në Shqipëri lulëzoi pas Luftës së dytë botërore. Figurën e Diktatorit ndryshe nga tematikat e pagëzuan me supermaci të përkryer nën hierarki tematike, sepse Diktatori simbolizonte shtetin, pushtetin edhe vetë kombin. Kjo ishte detyrë e artistit, të materializonte Diktatorin. Figura dhe kulti i Diktatorit nuk është fenomen i shekullit XX-të, por gjejmë shtrirjen e tij thellë në antikitet, konkretisht shenjat e para i gjejmë në mbretëritë e faraonëve në Egjiptin e lashtë, ose te Perandorët Romak, vend ku për herë të par lindi edhe termi “diktator”. Perandorët romakë i trajtuan si shembull skulpturat e perëndive greke, kurse ato i gdhendnin skulptorët më të mirë të kohës. Njerëzit e thjeshtë këto skulptura i shihnin me gamën e madhështisë hyjnore: Dimensione mbinjerëzore, qëndrojnë në këmbë, të armatosur, kurorë dhe petk hyjnor. Nga këndvështrimi ky format asocon edhe me Aleksandrin e madh, ose Jul Cezarin dhe reflektuan tek Diktatorët e shekullit XX-të, në ngritje të kultit të individit. P.sh kemi gjestin hyjnor të dorës drejtuar lart nga Augusti dhe shikimi i tij i hedhur larg në kërkim të një frymëzimi universal, shpesh përdorej edhe në shek. XX-të si imazh i diktatorëve. Marrja e figurës dhe shërbesa e saj, e veshur me uniformë ushtarake, shërbente si karakter triumfor dhe paprekshmëri e vendit. E njëjta si te liderët antikë, po ashtu edhe ata modernë, identifikoheshin me kombin.

Veprat e Zef Shoshit

Si i paraqisnin artistët “modernë” figurat e udhëheqësve? Emblematike, të vetme, kurse sfondi ishte i trazuar, dikund me peizazh të zbraztë. Ja kemi veprën “Shoku Enver” (1973), të piktorit Zef Shoshi të ekspozuar ditë më parë në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të  Kosovës. Kjo figurë qe si tentativë për mposhtjen e vështirësive të materializmit, dhe duket shumë romantike, vizionare, si imazh i ardhur nga një botë tjetër. I vendosur shoku Enver zhytet në vetminë e idealit. Është i paraqitur me uniformë të lartë ushtarake, duket si i gjallë, sfondi i pastër monokromë. Portreti është shumë serioz, shikim të pastruar të larguar nga shikuesi, kurse mimika e tij është shumë solemne. Sytë paraqesin shpresën për të ardhmen, vizionin dhe besimin. Nëse e analizojmë më shumë këtë vepër të Shoshit, portreti duket edhe më serioz, gati me një qëndrim kërcënues, kjo qe veti e asaj kohe sepse rrezatonte karakterin e tij të pa tundur. Karakteri rrëfen vendosmërinë, qartësinë dhe vetëkontrollin e përgjithshëm. Figura është shumë statike, dhe ka një lëvizje të vockël të krahut të djathtë, si gjest thirrjeje për të vazhduar gjithmonë përpara, ose duket si nderim ushtarak. Është portrete me përmasa paksa gjigante, sidomos pjesa e gjoksit (muskulore), pjesa e rritur e duarve, sepse kjo rritje simbolizonte forcën ideologjike të tij. Nga ana tjetër, ky portret i punuar në gjilpërë të thatë në letër duket si mendimtar dhe intelektual. Përpara ka një fletore pune dhe mbanë shikim jashtë tablosë. Artisti Shoshi paraqet Enverin ashtu si donte regjimi i asaj kohe – mendimtarë dhe intelektualë, e jo shpirti artistik.

Në tablonë tjetër paraqet “Skënderbeu me kalorës” (2014), teknika: laps në letër. Figurën e tij e vendos nën shoqërinë e ushtarëve të tjerë, si pjesë përbërëse e rretheve të tyre. Kjo realizohej për të mbushur boshllëkun nga tablotë e shumta ku figurat dominojnë të vetmet në gjithë hapësirën kompozicionale, njëkohësisht shfaqet zëri i Skënderbeut plot qartësi në bashkëveprim me ushtarët e tjerë. Zëri i tij shprehet si jehonë  e zërave të tjerë. Pastaj, Shoshi shfaqet  me tablotë si:  “Portret vajze” (1965), “Malësorja e vogël”, (1975). Fëmijët i paraqiste të lumtur, plot prosperitet, tregues të së ardhmes, trashëgues të idealit dhe garantues për përjetësinë. Pozicioni i tyre në çdo tablo pothuajse është i njëjtë. Janë të shëndetshëm sepse vetë imazhi i tyre vjen si sukses i regjimit dhe të pacenueshmërisë. Në sytë e fëmijëve shohim një kënaqësi të përjetshme nga sistemi.

Kemi figurat e punëtorëve: “Portret punëtori”, (1979), “Bocet nga ndërtimi”, (1967). Këtu shohim një strehë shumë të mirë, definitivisht mbinjerëz si kultivues të çdo ideologjie totalitare. Unë e shohë si stereotip, propagandë dhe simbol i rikonstruktimi shoqëror, për të rritur besimin dhe forcën në partinë. Në këto dy vepra shohim triumfin e klasës punëtore, pastaj edukimin e masave dhe përçimin e mesazhit se transformimi socialist lulëzon vetëm me punë. Figurën e punëtorit e gjejmë si at të udhëheqësit, në kantiere, fusha, sheshe, këneta etj.. Kjo figurë e kudogjendur është si simbol i një ndërtimi të madhërishëm, dhe punëtorët mbajnë kazmën, lopatën, nganjëherë edhe pushkën. Si duket artisti ka marrë leje nga sistemi për krijim të kësaj pune. Realizmi socialist duket sikur t’i kishte qëndruar pranë Shoshi dhe u bë dëshmitarë i punës së palodhshme të tyre. Qëndrimi stoik, madhësia e duarve e cila është në disproporcion me pjesët  tjera ta trupit, ose gjoksi i madh, po ashtu edhe pjesa e qafës, japin portrete patetike, ndonëse punimet janë reale, me përmasa të deformuara. Krejt kjo makinë propaganduese për ndërtimin e imazhit të shtetit transformues dhe të pasur.

Te punimi “Bocet nga ndërtimi”, na planin e parë të kompozicionit kemi një punëtor mashkull të fuqishëm, muskulor, me duar të hekurta, shikim shumë të vendosur, buzëqeshje të lehtë e të sinqertë. Afër tij një grua punëtore me kaci në dorë, dhe krejt kjo shprehë punën e sinqertë dhe barazinë gjinore. Të dy personazhet herë janë romantikë, në harmoni me sfondin e vrazhdë. Vështrimi i punëtores është i qartë, tejet i vendosur, dhe ajo është e lumtur, shumë e vetëndërgjegjshme për punën që bënë dhe rolin e gruas. Në këto tablo, njeriu është si super njeri, dikund gjemë edhe inxhinierë, saldatorë.... Vetë sistemi ndërton me kujdes makinën propaganduese mbi kurrizin e artistit i cili përkufizohet punës. E ku mbetet shpirti krijues këtu? Ndonëse vetëm në prag të vdekjes ai ka guxim ta shpalos të vërtetën personale. Duhet kuptuar se arti nuk ka vetëm karakter historik, por shpirtëror dhe rregullator i së ardhmes, sepse arti nuk servilizohet nga koha, shkon më tej kohës, porse kërkohet shumë guxim. Populli nga frika kërkoj një art, kurse artistët nuk duhen t’i përgjigjen kësaj kërkese diktatoriale, arti tejkalon edhe Diktatorët.

A mund të dilet nga ky ankth i realizmit socialist? E kaluara po lexohet me gjuhën e së tashmes, ky art po mbetet aktiv. Nëse reprodukohet duhet përmes koncepteve bashkëkohore ose të shpërbëhet dekonstrukotohet.  Ky art Marksizëm-Leninizëm i servilizojë artistët dhe ndali konceptin e shpirtërores. Ishte çekiç i vërtetë për artistin dhe popullin. Cili qe misioni i tij? Propagandimi i mesianizmit laik të ideologjisë komuniste e cila sot nuk është shkatërruar tërësisht, jeton në heshtje tek disa nostalgjikë Shqiptarë dhe Kosovarë. Ky art paralajmëronte fundin e historisë dhe i shërbente pa kushte sistemit, ndërsa arti i sot postmodernistë tenton ta shpëton artin prej sistemit.

Veprat e Blerim Luzhës

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës po qëndron e hapur ekspozita retrospektive e krijuesit Blerim Luzha. Ai u paraqit me teknika të kombinuara: akuarel, temperë, guash tush.. Krijoj cikle: Projekte për pëlhura dekorative, projekt për pëlhura të veçanta, projekte për pëlhura të mëndafshta, projekte për pëlhura të pabukut dhe projekte për veshje solemne. Ajo çka u pa në Galeri është si dizajnim mbi pëlhura të motivuara nga lulet pranverore. Aty gjejmë lloje të luleve plot hirësi si dizajnë, dhe lidhen me karakterin e artistit. Trandëfili vjen me nuancime, tonalitete nga e kuqja e përshkallëzuar, roza, e herë indigoja dhe vërtetë ndjehet aroma e saj dhe kjo lule ka origjinën nga Azia dhe është konsideruar si akt i Zotit, bukurisë dhe dashurisë. Lulet paraqiten me ngjyra të forta , plot trajtë dhe vijë, dikund gjejmë edhe simetrinë, por edhe asimetrinë, dhe vetë artisti rrëfen shpirtin mbas formës- lules, e jo lules në përgjithësi si është.

Kemi luleborë, luledele, lulenuse, lulëkuqe, lulekëmborë, lule mosmëprek, luleshpatë, tulipan.... Luleborën e shohim si shumë delikate e ëmbël për nga ngjyrat dhe shtrirë në tërë kompozicionin, duke klithur për mirënjohje dhe solidaritet, krenari ose vlerësim. Po ashtu mbas kësaj lule gjejmë pastërtinë tonale, pafajësinë dhe besnikërinë. Luleborën në tablo e shohim shumëngjyrëshe nga bluja, e bardha veçanërisht nga roza, dhe shikuesi mbetet i kapluar nga spektri flakërues ngjyror që zhytet thellë në kopshtin e bukur të Edenit. Kjo lule u përdorë shumë nga Egjiptianët për të dekoruar produktet e qeramikës, ndërsa piktorët mesjetarë e përdornin si motiv dhe ndoshta këtu gjen prehje artisti Luzha. Nuk është fuqia e lules sa është kombinimi ngjyror i ëmbël që herë pas here kalon në dekoracion të tepruar, radhitet te “gobleni”, porse më shumë është art për dizajn enterier me mjeshtri kombinimesh dhe përshkallëzimesh.

E veçanta në kompozicionet e Luzhës është shumëllojshmëria ngjyrore, spikatja dhe pleksja e individualitetit. Veçantia ngritët edhe mbi formën duke e pleksur prej reales , abstraktes dhe ekspresionizmit gjeometrik, porse gjithmonë elementet pushojnë mbi ngjyrën. Vërejmë shkathtësi të kompozimit, dikund aplikohet edhe koloriti i njollave ose ngjyrave përmbi njollave, gjithmonë duke pasur kujdes në harmonizimin e plotë në aspektin e tërësisë kompozicionale. Gjithçka është dekorativo- simbolike e përgatitur për enterier ose zbukurim muresh – tapeta, çanta, karrige, veshmbathje, xhinse. Është art industrial, më pak shpirtëror.

Disa tablo vijnë të ftohta ku rrëfehet bota ujore me kolorit të kumbueshëm dhe ritëm dinamik ndërmjet blusë dhe gjelbërueses, porse format janë edhe gjeometrike që kalojnë në ekspresivitet të dukshëm. Kemi forma të mëdha, të larta dhe të vogla, porse në harmoni njëra me tjetrën të cilat përplasen në një sfond të zi neutral.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: