Vangjush Saro: Është kështu siç them unë
| E Hene, 03.04.2017, 07:59 PM |

“Është kështu siç them unë…”

Përndryshe: Ekstremizmi, “shkollë” shqiptare

Nga Vangjush Saro

Mund të thuhet edhe: Është kështu siç më intereson mua, klanit tim. Që nga kohët e harruara e gjer më sot, tani, këto çaste, kur ende e gjithnjë kemi mungesë ekuilibri, drejtpeshimi. Këtë e them me keqardhje. Por le t’i hedhim një sy tablosë: Këtij zotërisë që (gjoja)drejton opozitën, i kërkohet nga të gjitha krahët dhe pikat e horizontit, edhe nga të vetët, që të kthehet në Parlament, të mos pengojë reformën në drejtësi dhe të përgatisë partinë për zgjedhjet e 18 qershorit. Jo që jo! Këtyre të tjerëve, që i ndjeri P. Arbnori i quante “specialista”, iu thoshin që ka mbytur hashashi fushë e mal, aq sa gjethja e tij mund të vihet në flamur; jo që jo! Tani, në fund të mandatit, na paskan vendosur të ndihmojnë fshatin e fshatarët dhe të ndryshojnë nuancat e jeshiles…

Pastaj, ja edhe të vjetra e të reja të tjera: Deputetë pa shkollë ose me diploma të vjedhura, ca më keq të ngatërruar në krime e çështje të errëta. Sekserë që krijojnë një shtet paralel në pikë të ditës, një halabakëri e pafalshme. Sistem marrëdhëniesh i cunguar, që ushqen parazitët ose thjesht militantët dhe gjithaq, nuk njeh vlerat e individit. Tregtohen ushqime të rrezikshme për shëndetin dhe askujt s’ia bën syri tërr. Vështrime konfliktuale dhe ekstremiste mbi historinë, vlerat e kohëve të caktuara, sa edhe mbi gjuhën letrare, që ende (e për fat të mirë) është një standard zyrtar. Revansh i paparë në të gjitha fushat. Troje pa sedër. Vjedhin e çnderojnë në mes të ditës dhe prapë i shikon super të nderuar nëpër mbrëmje-gala. Ngrihet ai letrari më i fundit dhe që s’e njeh as lagjia dhe hedh baltë mbi figura të njohura e të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare, pranuar gjerësisht nga opinioni mbarëshqiptar dje dhe sot, gjithaq e ndoshta më me brohori edhe nga përkthyesit, gazetat, botuesit më të njohur në botë. Komb që herë pas here ha vetveten…

Nuk e duan modelin perëndimor, atë të diskutimit të hapur dhe të shoshitjes së gjërave me njëlloj drejtpeshimi. Duan zgjidhje ekstreme. Ulërima. Ka vajtur puna te llomotitja për një nga faqet më të rëndësishme të jetës së atij vendi: Lufta Nacional-Çlirimtare apo le të themi pjesëmarrja e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore… Jo! Bërtasin ekstremistët. Ishte luftë civile. Thuaju sa të duash zotërinjve se me të vërtetë duhet pranuar që pati elemente të një lufte civile, por në të tërën e vet, ishte një luftë çlirimtare, kontribuese për fitoren mbi fashizmin. Thuaju që u nda ajo e shkretë hartë në dy kampe, ashtu e bënë të “mëdhenjtë”; jo që jo! Përpiqu që ta kuptojnë se ajo çfarë u ndërtua e çfarë u bë, edhe në sport e kulturë, ishte megjithatë një stërmundim për këtë popull, përfshirë intelektualët dhe krijuesit. Jo! Duan “pullën e kuqe”. Është kështu siç them unë, siç më intereson mua dhe klanit tim… (Shoqëri e kapur ideologjish edhe në këtë shekull, që shpresuam ndryshe të ishte.)

Po qëndroj edhe pak te kriza kulturore. Prej disa kohësh, ca të ashtuquajtur antikomunistë, drejtorë, kritikë a letrarë me frymëzime të dukshme politike (prapë ashtu ne, nuk e ndryshojmë modelin) kanë marrë në dorë shpatën e revanshit dhe kërcënohen andej e këtej sikur të ishin Zeusi: Për gjuhën letrare, për letërsinë, për filmat. Siç është bërë e njohur, së fundi i ka zënë meraku me këto të fundit, aq sa duan ta shikojnë Kinostudion, siç thashë edhe më lart, me… “pullë të kuqe”. (Domethënë, filmat e “asaj kohe” të shoqërohen me logo që thonë pak a shumë kujdes ose kolera a diçka e tillë.) Këto përçartje, klithma histerike, manira, kanë bërë që “fshati” të bjerë shumë poshtë; që “fshatin” ta mbulojë vreri dhe hakmarrja. Kjo zhurmë e poshtër ngrihet e ngrihet pareshtur, edhe duke e ditur fort mirë që një pjesë e madhe e atyre filmave, doemos, janë tejet të ngarkuar me ideologji, sikundër jo pak prej tyre përcjellin edhe probleme të kohës, madje me art dhe përkushtim. (Sepse kishte periudha, sidomos në fillim të viteve ‘80 e këtej, që censura vinte në Kinostudio mjaft e dobësuar.) Për më tepër, kjo është historia e këtij arti në Shqipëri, sepse ai nuk mund të fillojë nga zero, siç do të donin për gjithçka zotërinjtë ekstremistë. Por ata shohin vetem zi dhe i bien vetëm në një vrimë fyellit. “Është kështu siç them unë…”

Shprehje të tilla debile, kanë mbushur pak a shumë edhe arsimin, veçmas arsimin e lartë. Etje e paparë për universitete private, që më pas rezultojnë të zhytur në një tufë problemesh, si abuzimet, shitja e diplomave, mungesa e perspektivës për të “diplomuarit”, etj. Me këto gjëra “luhet” shumë mirë; njerëzit, sidomos me të rinjtë, mund të “kuptojnë” për një çast se “Ky” qenka më i “mirë” dhe më “zemërgjerë” se “Ai”, sepse “Ky” thotë: “Ne do të rihapim filialet e mbyllura!” Ashtu të lumtë! Që pastaj të diplomuarit e panumërt të luten për të punuar kamarier. Ose që ai më i pazoti, edhe pse mund ta ketë marrë shkollën me lekë, të vijë e të bërrylojë atë që meriton vërtet një diplomë. Jo, zotërinj! Shkolla e lartë, universiteti, për të mos folur pastaj për tituj e grada, duhet të jetë gjithashtu një ndjekje e modelit perëndimor dhe jo një “Kështu them unë…” Nuk ka dhe nuk mund të ketë një vend që t’i diplomojë të gjithë qytetarët e vet, të zot e të pazot për shkollë.

Jo më larg se disa ditë më parë, një nga politikanët më të suksesshëm të Botës, Angela Merkel, tha: “Të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe jo për njëri-tjetrin…” Po kush ta dëgjojë. Këta duan ulërimën, zgjidhjen bërtitëse, ekstremin; të gjithë, nga ata të pandreqshmit, atje lart, deri te militantët e mjerë. Sa më parë të çlirohemi nga kjo histeri, sa më parë të kuptojmë se duhet drejtpeshim në vlerësimin e të gjitha dukurive, si edhe të aspekteve të historisë, kulturës, aq më mirë do të jetë për atë që duam të gjithë, ikjen nga e shkuara dhe hedhja e vështrimit, në radhë të parë, përpara, në çfarë duam të ndërtojmë tani, duke përballuar hallet e panumërta që ka vendi.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: