Skënder Kapiti: Shqipëria në anarkodemokraci
| E Diel, 02.04.2017, 09:00 AM |

Shqipëria prej 25 vitesh në anarkodemokraci

Nga Skënder S. KAPITI

Demokracianë Shqipëri por edhe ajo në Kosovë funksionojnë si një anarkodemokraci pasi  akoma edhe Sot, kjo “Demokracia” në Shqipëri  ashtu si edhe ajo në Kosovë kanë si emërues të përbashkët atë të te gjithë politikës    këtij tranzicioni si dhe të sistemeve politike  parardhëse dhe që është: luftë  e egër për të mbajtur dhe për rrëmbyer  pushtet me qëllim për të grabitur dhe fituar sundim, prona, para e pasuri duke bërë  edhe krimin, papërgjegjshmërinë, korrupsionin, hajninë dhe tradhëtinë.

Demokracia shqiptare keqfunksionon pothuasje në të gjithë komponentët institucional të saj, pra i tërë sistemi është në anarki,  i cili gjithmonë në Shqipëri ka gjeneruar kriza, paqëndrueshmëri politike, keqfunksionim të ligjit ,të shtetit dhe të shoqërisë në  dëm të integrimit e të sovranitetit të individit, në dëm të sovranitetit dhe  të interesit publik si dhe të atij kombëtar

Dhe, ajo fenomenologji politike dhe pushteti  që ndodh dhe përsëritet  shpesh në Shqipëri, pothuajse i  njëjti model dhe yrnek ngjet dhe ndodh edhe në Kosovë.

Pra, ajo se cfarë ndodh me politikën në Shqipëri reflekton dhe shëmbullohet edhe te politikanët dhe te politika në Kosovë dhe te ajo shqiptare në Maqedoni. Dhe prej politikës dhe  politikanëve shqiptarë  të tillë dhe të përhershëm, Shqipëria  është  gjëndur vazhdimisht në udhëkryq, krizë apo anarki kryesisht  politike, ekonomike, ligjore, eksodi etj.

Vëndi  është  në anarki sepse: pushteti, politika, shteti , ligji, drejtësia por edhe shoqëria funksionojnë  si në të kaluarën akoma edhe SOT: me anë lidhjesh nepotike, krahinizmi, klientelizmi, mashtrimi, hipokrizie  dhe sidomos  me lidhje  korrupsioni dhe pabesie ndaj publikut dhe interesave kombëtare.

Në dukje si fasadë kemi demokraci, ndërsa në praktikë demokracia, ligji, drejtësia dhe  politika  e pushteti, si  dhe shteti e shoqëria si prona të  këtij pushteti,  keqfunksionojnë në mënyrë të tillë sikur vëndi të jetë aktualisht jo në krizë, por në anarki, apo më sakt në një  anarki demokratike.

Dhe prandaj SHBA dhe BE këmbëngulën për dekriminalizimin e politikës dhe për Reformën në Drejtësi me qëllim për ta shpëtuar demokracinë shqiptare dhe për ta nxjerrë atë prej anarkisë  e cila vjen nga mosfunksionimi i shtetit ligjor; nga moszbatimi apo zbatimi i kriminalizuar dhe i korruptuar i ligjit; nga krimi mbi pronat, mbi ekonominë, krimi elektoral i shitblerjes së  votës dhe i manipulimit të  zgjedhjeve të cilat janë premisat e anarkisë demokratike në Shqipëri.

Edhe Kosova ka nevojë urgjente për një ligj lustracioni dhe për dekriminalizimin e politikës, ashtu sikurse edhe atje është mirë që të mos vonohet edhe ndërmarrja e miratimit dhe e zbatimit të një Reforme në Sistemin e Drejtësisë që të jetë në funksion të reformimit të shtetit, shoqërisë, të konsolidimit të demokracisë , të konsolidimit të Pavarësisë  dhe të integrimit europian të Kosovës.

Anarkia demokratike apo ligji i xhunglës erdhi dhe u vendos  në Shqipëri si rezultat i shpërthimit të egoizmave dhe të lirive negative te persona dhe individë të ulët, pa moral, halabakë, injorantë, gojëpisët që shajnë e përbaltin gjithcka të mirë; anarki që erdhi prej  të pabesëve që përcajnë e ngatërrojnë; prej hipokritëve, mashtruesve dhe frikacakëve, të cilëve, liria “demokratike” e shthurur  u dha atyre “shansin”  për të bërë para dhe pasuri me rrugë të pista korrupsioni, prostitucioni, trafiqesh njerëzore dhe të drogës e lloj-lloj  metodash hajdutërie, kriminale, tradhëtie dhe amorale, dhe antiligjore. Fillimisht këta sojsëzë blenë  politikanët, pushtetarët, akademikët dhe diplomat, postet dhe detyrat publike e pastaj edhe drejtësinë dhe u bënë edhe të pasur, edhe ligjvënës,  si dhe gjyqtarë, prokurorë, kryetarë bashkish, ministra, administrator, biznesmenë, madje edhe doktorë e profesorë.

Shqiptarët nuk kanë besim më sot as te politika, as te partitë, as te qeverisja as te shteti dhe as te ligji sepse vetë  ato , pra: partite,politika, shteti, pushteti , drejtësia,  dhe ligji janë problemet prej të cilave shqiptarët kanë humbur shpresën dhe po largohen prej vëndit ku sundojnë më “të fortët” e ligjit të xhunglës dhe të kanabisit (drogës)  dhe prej këtij fakti edhe Shqipërinë  po e quajnë mediat botërore Kanabistan.

Kështu: këta  frikacakë, ordinerë, injorantë, ateistë, ishkomunistë dhe spiunë e pinjollë të komunizmit, si  dhe ata të  pa traditë  dhe të pa trashëgimi fisnikërie e patriotike  u bënë VIP-a  (Persona me shumë  rëndësi) në këtë tranzicion; por edhe u bënë dhe  shumë  herë akoma më të ligj, të papërgjegjshëm dhe më  të dëmshëm shoqërisht dhe kombëtarisht nga sa  ishin më parë; pra, u bënë “VIP-a”;  por u bënë edhe trima e mafiozë pasi u  armatosën me pushtet, me politikë, me pasuri, dhe me  sigurinë për t’u mbrojtur me ligjin antiligj, me shtetin antishtet dhe me drejtësinë e padrejtësisë.

Fatkeqësisht e njëjta situatë është edhe në Kosovë, ku edhe atje politika ka pësuar fjasko, dështime  të mëdha dhe e cila nuk është në gjëndje as ajo për të zgjidhur problemet e mëdha dhe serioze me të cilat përballet Shtet i ri shqiptar i Kosovës, por përkundrazi, ajo, pra politika në Kosovë, është realisht vetë problemi kryesor, pasi ajo dhe papërgjegjshmëria kombëtare dhe ligjore e saj  po  e mbajnë peng konsolidimin e shtetit dhe të pavarësisë, demokracinë, ligjin, drejtësinë dhe integrimin për në BE.

Është  amoralitet  i madh edhe për politikën  në Kosovë e cila për interesa personale pushteti dhe përfitimesh të pandershme të  spekullojë kaq paturpësisht me genocidin, vuajtjet, sakrificat dhe me tmerret rrënqethëse që ka pësuar populli martir i Kosovës përgjatë një shekulli përballjeje e sfide kundër barbarizmit dhe genocidit sllavo-serb.

Janë amoralisht të këtilla edhe ajo shpurë sevilësh intelektualësh mediokër, mjeranë mediatikësh, analistësh, historianësh, manipulatorësh e falsifikatorësh, mercenarësh e sejmenësh të oborreve politike të pushtetit në Shqipëri dhe në Kosovë; këta mercenarë të komunizmit të djeshëm si dhe të pushtetit dhe të parasë së tij sot,  të cilët përpiqen që t’u ngrenë kulte heroike dhe shpëtimtarësh individëve politikanë  spekulantë , zullumqarë, matrapazë, të korruptuarish dhe të tradhëtisë, por që koha shpejt do t’i  rrëzojë nga froni i pamerituar ku pushteti dhe paraja sot i ka ngritur ata, por që patjetër do të rrëzohen prej andej; dhe koha do t’i përzejë ata nga tempulli i lavdisë  ku e kanë vendosur veten përkohësisht sepse në atë Tempull nuk ka vënd për lavdinë e rrejshme, për marrëzinë, babëzinë, hajninë  dhe as për hipokritët, dhe as për tradhëtinë.

Kjo politikë dhe ky soj politikani e pushtetari kanë sjellë atë që tashmë është pranuar si realitet, që është  kriminalizimi i politikës dhe degradimi, degjenerimi, kriminalizimi dhe korruptimi  i drejtësisë dhe i tërë  sistemit; rezultat i së cilës është ky realitet  anarkie demokratike në Shqipëri e Kosovë.

Në Shqipëri formalisht ka shtet,  pushtet, parti politike, parlament, president, administratë, ushtri, polici , shoqata , ligje e kushtetutë; por ama ato keqfunksionojnë; dhe kur pushteti, politika, drejtësia dhe ligjet keqfunksionojnë  dhe i shërbejnë politikës së pushtetit,  krimit dhe  korrupsionit atëherë shoqëria bie pre e anarkisë dhe e korrupsionit. Pra në Shqipëri funksionon krimi, hajdutëria, droga dhe korrupsioni i mirëorganizuar nga politika dhe sidomos nga pushteti dhe drejtësia e kriminalizuar dhe e korruptuar të cilat e  kanë infektuar rëndë edhe shoqërinë shqiptare.

A nuk e verteton këtë gjëndje edhe Raporti i 2017-ës i Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamentit Amerikan  të Shtetit kur konstaton se:

Krimi i organizuar ( trafiku, droga, zhvatja, ryshfeti, pastrimi i parave, prostitucioni, trafiku njerëzor) vazhdon të mbetet një shqetësim për shumicën e shqiptarëve. Statistikat e fundit të krimit tregojnë rritje të krimeve të dhunshme të kategorive , tentativë vrasjeje, grabitje të dhunshme, grabitje të armatosura. Krimi i rrugës (vjedhjet e shtëpive, dyqaneve, dhe dhuna në familje) janë të përhapura në zonat urbane, kryesisht natën…

Pra, a nuk është vëndi në anarki kur atë e sundojnë bandat dhe kanabisi? Kjo gjëndje e tillë e vëndit a nuk tregon realitetin e zymtë, kërcënues dhe të pasigurisë juridike dhe publike ? Dhe anarki a nuk do të thotë pasiguri , korrupsion, krim, drogë dhe  mosfunksionim i ligjit? Kjo a nuk është  realisht një demokraci në anarki ( përderisa nuk funksionon ligji dhe drejtësia njëlloj për të gjithë, demokraci me politikanë të kriminalizuar, demokraci dhe shtet jo  ligjor dhe pa vlera dhe pa standarte moderne shtetformuese)?

Si mundet të vazhdojë ky pushtet, kjo politikë dhe kjo qeverisje më tej: kur rinia shqiptare sot është e para në botë që kërkon largimin nga Shqipëria; kur Shqipëria sot është e para në Europë për numrin e azilkërkuesve për në BE; kur është vëndi më i varfër, me papunësinë më të lartë dhe vëndi më i palumtur në rajon dhe Europë?

Në këtë gjëndje që është sistemi, politika, pushteti dhe shoqëria shqiptare a mund të dilet nga ky qorrsokak  pa ndihmën e SHBA-ve; dhe se  pa ndihmën e SHBA-ve dhe të BE-së a mund të dilet nga kjo anarki demokratike, politike, ekonomike dhe ligjore ku e kanë zhytur vëndin dhe shoqërinë politika dhe politikanët shqiptarë?

A mund t’i besohet edhe kësaj politike dhe pushteti të sotëm se do të organizojnë zgjedhje të lira e demokratike, dhe kujt tjetër pjese të  politikës shqiptare  mund t’i besohet aktualisht  se  mund ta përmirësojë gjëndjen?

A nuk është edhe opozita, e cila e ka dominuar politikisht tranzicionin,  autore dhe bashkëfajtore  e akumulimit të kësaj gjëndjeje  anarkie demokratike 25 vjecare dhe që ka arritur kulmin sot, edhe pas 25 vitesh, por pa përjashtuar këtu as vetë shoqërinë  shqiptare, prej së cilës lind dhe po gjenerohet  gjithnjë po e njëjta politikë  dhe që shoqëria akoma nuk është e zonja për ta ndëshkuar dhe për ta ndryshuar gjëndjen për në të mirë të vetes së saj?

Dhe prandaj është e domosdoshme dhe pse jo edhe vendimtare ndërhyrja, ndihma dhe roli i BE-së, por  sidomos  ai  Aleatit tonë të madh, ai i SHBA-ve, për dekriminalizimin e politikës, dhe jo vetëm të saj, si dhe për zbatimin e Reformës në Drejtësi të cilat i hapin rrugën sundimit të ligjit kundër krimit e korrupsionit   dhe konsolidimit të rendit, shtetit, progresit, të demokracisë dhe të integrimit të Shqipërisë e të Kosovës për në BE; në mënyrë që t’i jipet fund traumave  të stërmundimshëm për shqiptarët, të cilët nuk po  janë në gjëndje që të dalin vetë nga kjo anarki dhe nga ky  udhëkryq demokratik dhe i integrimit ku e kanë futur dhe e mbajnë  politika dhe politikanët  shqiptarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: