Fritz Radovani: Nxirrni edhe nga varrezat!
| E Diel, 02.04.2017, 09:59 AM |

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e IX.

NXIRRNI  EDHE  NGA  VARREZAT !

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”

TË PRANGUEM TË GJALLËT...E TË PRANGUEM TË VDEKUNIT !

Asht kenë një thanje e vjeter: “Hall’ me vdekë dhe gjyq me rrnue!”

Enver Hoxha ushqehej me gjak klerikësh katolik Shqiptarë! Mbas vitit 1967 i duheshin kocka klerikësh katolik, me i mbajtë në gojë derisa zbuteshin, mandej i kafshonte...

Thonte një Plak në Gri...”Kur qeni fillon me ngranë njerzit e shtëpisë, ai duhet vra!”...

Ndersa, tek ne edhe tashti vazhdojmë me ju besue edhe klyshve të këtyne zagarve...

Nuk asht e largët ajo kohë që shumë nga këto fakte nuk kanë me u besue!

1945, SHKODER 25 MARS, pushkatohen 14 vetë të quejtun Grupi i Prekë Calit ku asht edhe Don Ndre Zadeja. Me tregonte mbas sa vitesh Pjeter Radovani: “Shkova me pa të vramë të shkretin Don Ndre në Zallin e Kirit... Kur u afrova gati më la zemra! Të gjithë Ata të vramë ishin të lidhun njenimetjetrin me sixhir hekuri të mbyllun me dryj. U afrova pak tek Don Ndreu, edhe Ky i lidhun...Por, per çudi, dryni tek duert ishte hapë, se plumbi i kishte ra drynit dhe ishte i vetmi i hapun... Në një moment kur roja u largue, e mora atë dry, dhe ashtu si ishte me gjak e futa në xhep në një shami të mbështjellun. Kur erdha në shtëpi, e mësheha në murin e shtëpisë dhe e murosa me pak gelqere nga krahu i majtë prej derës hymjes... U bane shumë vite dhe, njëditë, sesi mu dha me e kerkue, po, a e beson se e kam harrue vendin ku e kam mësheh... Nuk e gjeta!”

Kur po më tregonte Pjetri këte ngjarje kishin kalue 46 vjetë, ishte viti 1991... Koh’e gjatë.

Asht shumë e vështirë me i kujtue me hollsi ngjarjet e mnershme të atyne viteve !

Sterzgjatjet jo vetem fshijnë shumë fakte nga kujtesa, po edhe i hapin rrugë “Rilindjes”!

30 SHTATOR 1946, Dy nga vrasësit e njohun ma barbar Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, në hetuesinë e Shkodres i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine... Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë...nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue... Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator, në mengjes u perhap edhe “legjenda se Muzaferi u vra tue dashtë me ikë nga hetuesia...” Nuk dij çka thotë sot “zbatuesi i urdhërit vrasjes terroristi Aranit Çela?”

“Shoku komandant”kur u njoh “me zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes” u gëzue!

1951 Imzot Jul Bonatti ishte jashta Shqipnisë para 1944, e sjellin anglezët (e as sot nuk e dij pse?), dënohet 5 vjetë dhe mbas pak kohe e dergojnë në një çmendi... Kur shkon aty me e takue e mesa e vet, Imzoti i Nderuem i tha: “Kam provue tortura të pa ndigjueme e të pa lexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...” Shumë shpejtë një natë... E shkyejnë të çmendunit !! As nuk dij me i mendue ata “të çmendun” sesi kanë mërrijtë me shkye një dijetar aq të madh, vetem pse ishte Prift Katolik... E shkyene !!

Kjo ngjau në vitet e para, rreth vitit 1951... Ishte fillimi e, hetuesit ishin si kafshë t’ egra !

Po ma vonë, a u zbuten ata bisha që ushqeheshin vetem me gjak e mish njeriu ?!

1964(?)... Ishte mbrame vonë kur Alfred Ashiku, mbylli farmacinë në Vlonë. Dy xhelat të sigurimit të shtetit e morën me vete “për një sqarim në Degen e Mbrendshme!” U hap fjala në mengjes heret se: “Alfred Ashiku ka vdekë papritmas natën...në shtëpinë e vet”. Legjenda u besue! Ata që e njohën në Vlonë u piklluen per vdekjen e Tij të papritun!

Po, kur morëm vesh të vertetën u brengosen edhe ma shumë! Alfred Ashiku asht thirrë në degë të mbrendshme të Vlonës, dhe nuk ka pranue me “dishmue në rrenë per një mikun e Tij... E kanë mbytë xhelatët tue i derdhë acid në organet genitale... Natën, e kanë çue në dhomen e vet të vdekun...dhe, të nesermen u varros fatziu Alfred Ashiku...”

***

1967 DOSJA 2291... Nga Shqipnia “socialiste” dergohen grupe “të besuarish të PPSH, për të marrur eksperiencë nga zhvillimet e Revolucionit Ideollogjik në Kinë...”

Disa nga studentët shqiptarë që ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje masive të rinisë kineze në vënde të padijtuna, të shumë intelektualëve, profesorëve, ingjenjerëve dhe mjaft njerzëve të thjeshtë që u ndiqnin nga “gardistët e kuq”, drejt Tibetit... etj.

Qendrimi i shkrimtarëve dhe artistëve apo i Akademisë së Shkencave ndaj Revolucionit Kulturor as nuk zehet me gojë. Vetem po të rishikohen librat dhe revistat shqiptare të vitit 1967 e deri në 1991, do të dilte në shesh vneri dhe helmi i tyne antinjerzor...

Aso kohe janë kenë dërgue edhe nga Shqipnia shumë grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë “përvojën e re” të torturave nga specialistët kinezë. Nuk mjaftonin ato masakra që agjentët tanë aplikonin tek ne që nder ditët e para të “çlirimit” në 1944... Këta grupe i drejtonte katili Nevzat Haznedari me shokë. Qendra e hetimëve tashti u ba Tirana, ku hetonin, torturonin e mbytnin pa pikë mëshire kriminelë të zgjedhun si: Koço Josifi, Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Çoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët, me “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj.., mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”(Dosja 2291).

Me shumë kujdes Ministria e Mbrendshme emnonte kryetarët e degave të Tiranës dhe të Shkodres, dhe antarët e gjykatave të këtyne qyteteve nga Feqorr Shehu, Rexhep Kolli, Nuri Çakërri, Nuri Resmja, Faik Minarolli, Remzi Kruja, Irakli Bozo, Rustem Gjata etj.

Nder ma të besueshmit terroristë asht kenë monstra e sigurimit të shtetit Shyqyri Çoku, i cili, perveç sa e sa të tjerëve që ka zhdukë nga faqja e dheut, ky ka hetue edhe:

Imz. Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980) Mbas hetimeve nga krimineli i njohun Shyqyri Çoku, u dënue 25 vjet burg. U mbajt në hetuesinë e Shkodres...pa asnjë shkak perveç gjendjes randueme nga torturat dhe, një ditë e futen në një thes dhe e nisën per Tiranë. Atje i bane një injeksion dhe vdiq pa asnjë shpjegim...1980.

Don Pjetër Gruda (1922 – 13 Janar 1989) Arrestohet në 1974, hetimet i ban me Shyqyri Çokun, dhe dënohet 15 vjet burg. Në kampin e Sarandës asht gjithnjë i smurë... Tre muej para se me u lirue vdes në kampin Sarandë, 13 Janar 1989.

Don Lec Sahatçija...(1906 – 4 Prill 1986) U arrestue në 1976, u mbajt 225 ditë tue e torturue nga hetuesi Shyqyri Çoku, mbasi nuk pranon asnjë nga akuzat. U dënue 25 vjet burg...vetem se ishte Klerik. Vdiq në Burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986.

Hilë Gjoni ose Don Mikel Hilë Beltoja (1935 – 10 Shkurt 1974). Hetuesi kriminel Shyqyri Çoku nuk mungon me 10 Shkurt 1974, dhe bashkë me Alush Bakallin e marrin në Degen e Mbrendshme të Shkodres, me e dergue në Tiranë.

Nga terheqjet si kafshë i shkyjnë kambët dhe Don Mikeli vdes... E dergojnë në Tiranë dhe kufoma e Don Mikelit coptohet gjoja prej studentave të mjeksisë...

At Aleks Baqli...Dënohet per agjitacion e propagandë.

At Leon Kabashi...(Më mungon informacioni i saktë. FR)

At Zef Pllumbi...Dënohet me 25 vjet burg per tentativë arratisje...

Don Zef Hardhija Arrestohet dhe vuejti 12 vjet burg në Spaç.

Don Kol Toni...Vuejti 11 vjet dhe pak kohe mbrapa vdes nga vuejtjet në burg...

Fra Gasper Jubani...(Më mungon informacioni i saktë. FR)

Dom Gjergj Hardhija... Dënohet per agjitacion e propagandë...

●E kushedi, sa krime të këtij hetuesi nuk i dijmë as sot e, as nuk kemi me i dijtë kurrë!

Shyqyri Çoku gradohet dhe shperblehet edhe sot per masakrat ndaj Klerikëve Katolik...

E bashkë me Shyqin kemi Dhimiter Shkodranin, e një varg të pafund kriminelash...

Të cilëve u prinë Xheudet Miloti me grupin e Seksionit Katolik të Degës së Shkodres.

Ligji komunist i Shtetit vrastarë nuk lejonte që kufomat e të pushkatuemve të merreshin nga Familja dhe të kryhej ceremonia e varrimit. Vendi mbahej i mësheftë dhe shumica e të pushkatuemëve nuk dihen as sot ku janë pushkatue as varrosë...

Ata që vdisnin nder tortura në hetuesi, shumica zhdukeshin... Ndersa, kush vdiste nder burgje ose kampe pune varroseshin mësheftas në varreza dhe ju shenohej një “numur”, që dihej vetem nga zyrat sekrete të Ministrisë së mbrendshme...

●Po kështu, veprohej edhe per të vramit në kufi në “tentativë arratisje” etj...

E sa mija Nana, e gra e motra me lot perfaqe tue i marrë erë rrobave të viktimave, edhe pse të mbushuna me morra e të pista...Vetem pse i dukej se asht era e djalit, e vllaut...

Apo, e Babës apo e Nanës, që nuk do ta shohin persa të jenë jeta...

Disa mija të vramë pa varre... Asnjë Shenjë as Emen tek gropat...

●Nuk vonoi dhe nga Tirana e tiranëve u ndigjue një virrem me za të shkyem pikrisht nga zyret e komitetit qendror të zagarëve të PPSh: “Nxirrni edhe nga Varrezat..!” Ishin disa Burra të tjerë të dijtun, që i sherbyen Atdheut e nuk kursyen asgja per Shqipni...

I nxoren Eshtnat nga Vorret e Tyne dhe i treten... Vetem pse ishin Klerikë Katolik...

●U fillue me Poetin Don Ndre Mjedja dhe vazhdoi masakra ndaj të vdekunve edhe nder fshatrat ma të humbuna, tue perfshi edhe prishjen e të gjitha Kishave Katolike Shqiptare.

●E pra, pothuej, të gjithë kishin ma shumë se dhjetë vjetë që kishin vdekë para 1944 !

E mandej, u kujtuen dhe shemben edhe Kishat edhe pse ishin Monumente Kulture!

E mos t’ ishte Gjon Kamsi, u sheshuen edhe Varrezat Monumentale të Rrëmajit...

●Mbas 1967 në Shqipni, nuk kishte asnjë Kishë Katolike si pasojë e “harmonisë fetare”.

Edhe kater mure rrethuese që ishin qyshë me pushtuesit turq në Kala të Shkodres, të njohuna me emnin e Kathedrales së Shen Shtjefnit që në Shek. XV, edhe asaj po i thonë emnit “xhami’ vëllezërit e gjakut të tyne të “ringjallun” në Shek. XXI...

●As ky terror e shfarosje e Shqiptarit per urrejtje...nuk quhet as sot Gjenocid !?

Vazhdon Pjesa e X.


Melbourne Prill 2017.

(Vota: 17 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: