Shkreli: Senati ratifikoi anëtarësimin e Malit të Zi
| E Merkure, 29.03.2017, 08:49 PM |

SENATI MERIKAN RATIFIKOI ANTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË NATO

Nga Frank Shkreli

Me vota dërmuese, Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikoi të martën e kësaj jave, anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut Perëndimor, NATO.  Vota 92 në favor dhe 2 kundër shikohet nga ekspertët si një shënjë e qartë e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, jo vetëm që është kundër ndërhyrjeve dhe influencës së Moskës në Evropën lindore dhe Jug-lindore, por edhe se është gati të bëjë diçka në lidhje me përpjekjet e Moskës për të futur hundët në këtë pjesë të Evropës.  Pastaj traktati i miratuar nga Senati do t’i dërgohet Presidentit Trump, i cili pritet që ta nënshkruaj, pasi këshilltarët e tij të ngushtë -- përfshirë Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson dhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis -- kanë shprehur, kohët e fundit, mbështetjen e tyre të fortë për pranimin e Malit të Zi si anëtar të Aleancës ushtarake NATO.   Disa media amerikane njoftojnë se në një letër që Z. Tillerson u ka dërguar kohët e fundit udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara, krye diplomati amerikan është shprehur se anëtarësimi i Malit të Zi në aleancën perëndimore ndihmon integrimin më të madh rajonal, si dhe reformat demokratike, tregtinë dhe stabilitetin në radhët e vendeve fqinje.  Sekretari Tillerson, në letrën e tij dërguar udhëheqsve të Senatit ka thënë se antarësimi i Malit të Zi në aleancën Perëndimore, “Është pa asnjë dyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara”.  Ata kanë ngulë këmbë që miratimi i antarësimit të Malit të Zi të bëhej përpara mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet me 25 maj në Bruksel e ku, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, pritet që Presidenti Trump të shpreh angazhimin e tij të fortë ndaj aleancës së NATO-s.   Kjo masë pret tani mbështetjen e plotë të 28-vendeve të NATO-s dhe të parlamentit malazias.  Sipas lajmeve, Spanja mbetet tani për tani, vendi i vetëm që nuk e ka aprovuar ende anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, por që pritet të bëjë një gjë të tillë së shpejti.

Në mbështetje të miratimit për të pranuar Malin e Zi në NATO folën një numër senatorësh.  Senatori republikan dhe kryetari i Komisionit Senatit që merret me Forcat e Armatosura, Xhon Mëkejn, sipas Zërit të Amerikës, u tha kolegëve të tij se, ”Kemi të bëjmë me diçka më tepër se me pranimin ose jo në NATO të një vendi të vogël prej 650-mij banorësh. Kjo është një provë në garën në të cilën jemi angazhuar me Presidentin rus Vladimir Putin”, u shpreh Senatori Mëkejn.  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Maryland, njëkohësisht edhe demokrati kryesor në Komisionin e Jashtëm të Senatit,  Ben Cardin, ka thënë se, “Antarësimi i Malit të Zi në NATO do të rritë sigurinë tonë, do të përforcojë aleancën dhe njëkohësisht do t’i dërgojë Rusisë një mesazh të fortë vendosmërie”, nga ana e Perëndimit. Ndërkohë që Senatori republikan i Karolinës së Jugut dhe njëri prej ekspertëve të Kongresit për politikën e jashtëme, Lindsi Graham -- duke folur në favor të anëtarësimit të Podgoricës në NATO -- tha se, “Mali i Zi po përpiqet të bëjë çdo gjë që urren Putini.  Aleancat e demokracive janë tmerri më i madh i tij”, u shpreh senatori republikan.  Në një  raport të Komisionit të Senatit mbi Punët e Jashtme, bashkangjitur rezolutës për ratifikimin e antarsimit të Malit të Zi në NATO, thuhet se, “Një sulm kundër Malit të Zi, ose destabilizimi i tij si përfundim i subersioneve nga jashtë do të kërcënonte stabilitetin në Evropë dhe do të rrezikonte interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Ndërkaq, Rusia e cila dyshohet për përpjekje të një grusht-shteti fund vitin e kaluar në Mal të Zi, vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Podgoricës në NATO, duke e quajtur atë si një “provokim”.  Podgorica zyrtare ka bërë akuzën se kishte zbuluar një komplot për ndërhyrje me dhunë në procesin elektoral të vendit, me qëllim të rrëzimit të qeverisë për ta zëvendësuar atë me një administratë besnike ndaj Moskës, madje ka lëshuar akuzën edhe për përpjekje për të vrarë kryeministrin e vendit.  Mediat malazeze kanë njoftuar se komplotistët u kanë thënë hetuesve të shtetit malazez se në  përpjekjet për destabilizimin politik të Malit të Zi, ata kishin ndihmën e zyrtarëve rusë.

Siç dihet, Mali i Zi siguroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, por në atë vend ka një komunitet të konsiderueshëm serb, i cili tradicionalisht ka qenë dhe vazhdon të jetë besnik ndaj interesave ruse në Mal të Zi dhe në rajon.  Si i tillë – dhe në përputhje me politikën e Moskës – ashtu siç ishte kundër pavarësisë, nuk është për t’u çuditur se edhe tani komuniteti serb në atë vend, po kundërshton gjithashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Pa dyshim, se anëtarësimi i Podgoricës në NATO do bëjë që Mali i Zi të jetë më afër me strukturat politike, të mbrojtjes, të sigurisë dhe ato ekonomike me vendet e Evropës Perëndimore, por njëkohësisht do të thellojë edhe më shumë mosbesimin rus ndaj aleancës perëndimore, zgjerimi i të cilës drejtë lindjes ka zemëruar për së tepërmi Moskën zyrtare. Ndërkohë që Senati amerikan votoi në mënyrë dërmuese në favor të antarësimit të Malit të Zi në NATO, Rusia sikur donte të dërgonte mesazhin se mbetet gjithnjë e angazhuar në ushtrimin e influencës së saj politike dhe ushtarake në Ballkan, priti në fillim të javës në një vizitë zyrtare në Moskë Kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiqin.

Besoj se ashtu siç është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, antarësimi në NATO i Malit të Zi, si një vend që kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës, është edhe në interesin e dy shteteve shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithsi, por njëkohsisht edhe në favor të paqës dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.  Nënkuptohet vetvetiu se nëqoftse Beogradi dhe Moska janë kundër një gjëje të tillë, atëherë s’do mend se antarësimi i Podgoricës në NATO është  jo vetëm në interesin e vet Malit të Zi, por edhe në interesin e përgjithshëm të paqës, pavarësisë dhe integritetit për të gjitha shtetet e rajonit dhe të mbarë Evropës.  Ekspertët besojnë se një Mal i Zi i pavarur nga Serbia dhe anëtar i aleancës ushtarake të NATO-s – megjithë problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti shqiptar atje – është gjithashtu edhe në interesin e shqiptarëve nën Malin e Zi, që Podgorica të jetë e lidhur politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, me aleancat perëndimore, euro-atlantike ushtarako-politike, e jo me Moskën dhe me Beogradin.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: