Entela Binjaku: Intervistë me Floriana Igrishtën, CDU
| E Marte, 28.03.2017, 09:05 PM |


Intervistë me Floriana Igrishtën kandidate e CDU-së për deputete në Parlamentin e Republikës së Schleswig Holsteinit

Intervistoi Entela Binjaku

1. Përshëndetje dhe faleminderit që pranuat të zhvillonim këtë dialog sëbashku! Floriana si lindi tek ju ideja për t’u përfshirë në politikë dhe pse në CDU?

Floriana Igrishta: “Fillimisht ju falendëroj për interesimin tuaj për të marrë opinionin tim, përmes kësaj interviste! Në politikë jam përfshirë tash e gjashtë vjet me radhë. Ishte një aksion i madh ku komuniteti shqiptar në Kiel të Gjermanisë u mobilizuam për të mbështetur kandidatin tonë për deputet në asamblenë e qytetit të Kielit - Nue Oroshi i cili ka katër vjet që është deputet në asamblenë e qytetit në Kiel. Atëherë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare iu bashkova CDU-së dhe tash jam nëpër funksione të ndryshme si këshilltare në Bashkësinë e pjesës së qytetitë të Kielit në Mettenhof, si nënkryetare e Forumit të Gruas në Qytetin e Kielit si dhe tash kandidate për deputete në parlamentin e Schleswig Holsteinit. CDU-në e zgjodha për faktin se është një parti e cila di të qeverisë me shtetin, e cila i kushton një rëndësi të madhe familjes dhe është një parti e cila ka një vizion të ecjes përpara.

2. A patët ndonjë moment kur ju dukej se ishit mjaft  e re për të qenë në politikë?

Floriana Igrishta- Këtu në Gjermani qysh në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare fillojnë të rinjtë dhe të rejat të futën në politikë ku krahas shkollimit dalngadalë e mësojnë edhe rrugën e politikës. Politika ka nevojë për gjeneratën e re, gjeneratë e cila e bënë politikën tash me metoda moderne të komunikimit. Prandaj asnjëherë nuk jam penduar që kam zgjedhur këtë rrugë e cila e di se dotë jetë e gjatë ku kërkon shumë mund dhe sakrifica por ata që janë më të qëndrushëm në politikë ia arrijnë qëllimit.

3. Cila është jeta juaj dhe sa mendoni se ka ndikuar tek ju origjina shqiptare?

Floriana Igrishta-Unë edhe pse e lindur dhe rritur në Kiel të Gjermanisë vij nga një familje shqiptare nga Kosova. Jam krenare për origjinën time shqiptare. Jetën e bëj në mes të studimeve dhe politikës. Jam afër përfundimit të shkollës së lartë juridike, ku do të bëj edhe një studim shtesë për administratë.

4. Cilat janë pasionet tuaja?

Floriana Igrishta- Pasionet e mija janë: leximi e sporti ku kam luajtur vite me radhë edhe basketboll si dhe kam një qasje edhe në aspektin human ku kam shërbyer për një vit të plotë duke iu ndihmuar të sëmurve me hendikepe të ndryshme. Punë kjo e cila më ka forcuar që të jem e qëndrushme si  në jetë ashtu edhe në jetën politike.

5. Cila është përshtypja juaj mbi shqiptarët kudo ku jetojnë?

Floriana Igrishta–Ne shqiptarët jemi një popull  i mirë dhe i  mbarë. Por duhet të punojmë më tepër dhe ta duam vendin tonë, jo me fjalë por me veprime konkrete.

6. Çfarë kuptimi ka për ju politika?

Floriana Igrishta- Politika për mua personalisht ka një kuptim shumë të madh. Për faktin se vetëm duke qenë pjesë e politikës mund të ndryshohen gjërat në shoqëri. Gjërat nuk mund të ndryshohën duke qëndruar anash dhe pa marrë asnjë hap konkret për të ndryshuar gjendjën.

7. A i ndiqni zhvillimet e shoqërisë shqiptare në Kosovë e Shqipëri?

Floriana Igrishta- Zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë i përcjell kur kam mundësi të bëj një gjë të tillë për faktin se edhe unë personalisht jam pjesë e këtyre zhvillimeve dhe duhet punuar shumë që shtetet shqiptare të konsolidohen.

8. Çfarë këshillash do të kishit për të rinjtë shqiptarë që duan të jenë pjesë e politikës?

Floriana Igrishta- Rinia është ardhmëria e kombit. Edhe rinia shqiptare duhet të hyjë në rrjedhat e politikës pavarësisht që do të hasin në dhjetra pengesa, ata nuk duhet të dorëzohen asnjëherëë  por me punë konkrete duhen treguar rezultate dhe uroj që sa më shumë të rinj dhe të reja të jenë pjesë e politikës shqiptare.

9. A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri dhe a mendoni ta vizitoni ndoshta si përfaqësuese e CDU-së?

Floriana Igrishta- Zakonisht pushimet vjetore i bëj në Kosovë dhe Shqipëri me familje. Kemi një vend shumë të bukur por duhet punuar që këtë vend të bukur ta bëjmë edhe më atraktiv për turistët evropianë në përgjithësi, me theks të veçantë për turistët gjermanë. Gjithsesi në të ardhmen mendoj që ta vizitoj Shqiperinë dhe Kosovën së bashku me perfaqësuesit e CDU - së, parti kjo e cila e ka ndihmuar shumë çështjen tonë shqiptare.

10. Si e shihni të ardhmen tuaj?

Floriana Igrishta–Të ardhmen time e shoh ngushtë të lidhur për politikën gjermane. Krahas studimeve do të vazhdoj pa ndërprerë edhe me marrje intensive në politikë. Tash kemi hyrë në fazën finale të fushatës elektorale dhe më 7 Maj 2017 do të shihet qartë se si do të jetë rezultati im. Kjo varet nga shumë faktorë e sidomos nga përqindja që do të marrë CDU në nivel të Republikës së Schleswig Holsteinit. Së shpejti do të fillojmë me një fushatë derë me derë në kërkimin e votave sepse këtu në Gjermani është shumë me rëndësi të fitosh votën e votueseve të luhatur dhe që ende nuk janë të përcaktuar se për cilën parti apo kandidat të hedhin votën në kutitë e votimit.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: