Fritz Radovani: Dhuratat për Stalinin e Titon
| E Shtune, 25.03.2017, 01:01 PM |

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VII.

DHURATAT  PER  STALININ  E  TITON NGA  MUZEU  I  FRETENVE

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”

SHKODER 1945 – JANAR...

Duhej “thye” brilanti i Klerit Katolik Shqiptar, Françeskanët e vendosun në Shek. XIII. Mbas një muej që Provinçiali i Françeskanve të Shqipnisë At Mati Prennushi, u ankue në komanden e ushtrisë N. Çl., per vendosjen e flamurit me “yllin partizan” në kompanjelin e Kishës Françeskane në Gjuhadol me 29 nandor 1944, në ditët e para të Janarit 1945 tek Provinçiali At Prennushi, mërrijti komandanti i forcave partizane në Shkoder, gjeneral Sheuqet Peçi, i shoqnuem me një grup ushtarakësh të ardhun nga Jugu si “çlirimtarë”.

Mbasi rane dakord per “zbritjen e flamurit të zhigatun me yllin jugosllav”, gjenerali Peçi kerkoi me vizitue Muzeun, ku ndodheshin objektet me vlerë të zbulueme nga Frati i njohun arkeolog në universitetet e Europës, dhe i vramë nga serbët At Shtjefen Gjeçovi...

Nga grupi i ushtarakëve, gjenerali mori mbas vetes në Muze tre ose kater vetë, dhe u nis mbas Provinçialit, i cili e hapi Muzeun... Porsa hyne mbrendë u drejtuen nga një raft ku ishin disa armë shumë të vjetra me doreza argjenti, dhe mbasi kerkuen me ua hapë ata rafta veçuene mbi një tavolinë gjashtë nga armët ma me vlerë... Veçimi i tyne nga një grup injorantësh i kishte ba shumë pershtypje At Prennushit, i cili në darkë i ka tregue Nanës sime jo vetem, sjelljen e tyne që mbasi i kanë marrë, i kanë dhanë një “pustull” si dokument të firmosun, por mbasi gjeneral Peçi, ka nxjerrë të gjithë grupin me armët e marruna në Muze, ka fillue me i ba presion Provinçialit se, “kam urdhër nga lartë, me ju njoftuar se duhet të filloni me organizuar mbledhje me të gjithë klerikët, per t’i njohur me vendimin e marrur lartë që Kleri Katolik Shqiptar, shumë shpejtë duhet të shkëputet nga Papa i Romës, i cili është armik i betuar i komunizmit. Për këte do njoftojmë shumë shpejtë edhe Argjipeshkvin Thaçi, si dhe Argjipeshkvin Vinçenc Prennushi në Tiranë.”

At Matia me gjakftoftësinë karakteristike asht pergjegjë: “Mos merrin zahmet aspak me njoftue Argjipeshkvijtë as, në Shkoder e as, në Tiranë po, thoni shokve tuej atje naltë, se më ka thanë Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë At Mati Prennushi, se para jush këte shkëputje me Papen e kanë kerkue edhe malazezët e Krajl Nikollës, po unë i kam thanë se ‘Jam gadi me u varë në konop dhe Betimin tim para Kryqit Krishtit n’ Elterin Shenjtë me 4 Prill 1904, nuk e kam ndermend me e shkelë sa t’ jenë jeta! Per këte që po ju  tham ju, jam i sigurtë se si unë, kanë me ju pergjegjë të gjithë shka bajmë këte zhgun!”

Pa kalue një javë... Nga gjysa e Janarit 1945, ka mërrijtë në Kuvendin e Fretenve, një nga kriminelët e Spanjës, komandanti i brigadës I sulmuese, gjenaral Mehmet Shehu, mbasi dy ditë para kishte kapë tradhtisht në shpellen e Selcës, Mikun e At Matisë, trimin e njohun Prekë Cali, bashkë me grupin e djelmëve që ishin me Te, dhe kishte vra e mbytë nder shkamijt e Atyne Bjeshkëve edhe 118 Burra pa gjyq, mbasi ua ka djegë shtëpijat dhe plaçkitë edhe gjanë e gjallë, tue i shfarosë perjetsisht nga pronat e veta...

Mehmeti fillimisht ka kerkue me vizitue Gjimnazin e Fretenve, ku ka folë me një gjuhë krejt tjeter nga e vetja. U ka folë studentave per “meritat e Françeskanve e rolin e Tyne në histori”... Kur At Matia asht ankue per “armët e marruna nga gjeneral Peçi...”, i ka premtue që mbrenda dy ditësh armët do ti kthente, dhe i ka sjellë perveç “dy armëve, që ishin dergue per Moskë, dhe në një ceremoni në Kremlin i janë dhurue Stalinit!!”...

Kur asht ngjitë naltë në zyre të At Matisë, ka persëritë edhe ky fjalët e Sheuqet Peçit, per “shkëputjen e Klerit Katolik nga Vatikani...” dhe, At Matia, i ka pergjegjë me ato fjalë që një javë para i ka thanë gjeneral Peçit...” Tue dalë nga dhoma i ka thanë: “Më tregoi para se të vij tek ju shoku Sheuqet, ti thashë ato se keni per t’ u penduar!” At Matia, ka mbyllë biseden me këto fjalë: “Ma shumë do të pendohen ata që do të veprojnë si doni Ju!”...

17 NANDOR 1946...KUVENDI I FRETENVE KTHEHET NË BURG...

Të gjithë Fretnit e ndodhun aty, prangosen dhe fillojnë hetimet... “Akuza kryesore ishte futja e armëve në Kishen e Gjuhadolit...” Dylloset Shkolla, Muzeu... dhe Biblioteka...

Blokohen të gjitha dorshkrimet dhe studimet me vlerë shkencore gjuhsore dhe letrare, historike, gjeografike, fetare dhe artistike, ku perfshihet edhe një statujë e ndodhun mbi tavolinen e At Gjergj Fishtës, “Zoja e zezë”, dhe një Figure “Zoja e Kelmendit”, per te më ka thanë perkthyesi Gjon Shllaku (1962), kur e kanë marrë në pyetje: “Ka pa me sytë e vet kornizen e asaj Figure, mbi koken e hetuesit dhe, në te e vendosun foto e Titos”...

***

HAPJA E DOSJEVE do të bajnë të kjartë edhe se “kush ua tregoi Sigurimit të shtetit edhe skutat e Kuvendit, ku ishin të murosuna dokumentat dhe dorshkrimet me vlerë të Etenve Gjeçovi,  Fishta, Donat Kurti, Palë Dodaj, Viktor Volaj, Harapi, Sirdani, etj., që ma vonë u pervetsuen dhe u botuene shumë prej tyne nga pseudo profesorët hajdutë...

Ka pasë edhe zane që thonin se shumë nga dorshkrimet e At Gjeçovit, janë “paketue dhe nder valixhe janë dergue në Bosnje, prej kah nuk janë kthye kurrma...” Sigurisht, ata janë marrë pa asnjë vështirsi, mbasi agjentët e UDB ishin të kudondodhun, kryesisht nder zyret e hetuesisë, dhomat e torturave, të arshivave e deri tek zbatimet e vrasjeve me gjyq e pa gjyq...Deri tek plutonet e ekzekutimit kur urdhnonte vrasjet vetë D. Mugosha. Por, në Kuvendin e Fretenve sytë e agjentave të Titos baheshin kater, se aty ishte vendi ku, me një perkushtim të madh punohej ditë e natë prej tyne siç: “Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit,..vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun e të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët !” At D.Gjeçaj, “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990”, botue Tiranë 1993.

Në lidhje me shkatrrimin e Kuvendit të Françeskanve në Shkoder duhet theksue se dhe mbas prishjes me Jugosllavi, lidhjet e UDB me Sigurimit të shtetit vazhdonin normal.

1948, Në dukje ishte një “prishje e lidhjeve” tona, po në fakt nuk kishte të bajnë fare me mardhanjet e mëshefta të vrasjeve të “organizueme” Shqiptaro – Jugosllave.

Shkatrrimi i Katoliçizmit ishte një qellim i perbashkët i Enver Hoxhës dhe Titos...

Këte e dinte edhe diktatori Stalin, i cili pajtohej me qellimin e tiranëve të Ballkanit...

1967 SHKATRRON ME REVOLUCION PERFUNDIMISHT BESIMET FETARE !

Mbas vitit 1946 kishin mbetë pak libra në Kuvendin e Fretenve të Arrës së Madhe dhe, pak gjana me vlerë tek Kuvendi i Troshanit... Tek Arra e Madhe vazhdonte me punue edhe pse i paralizuem At Justin Rrota. Me mbështetjen e Ramiz Alisë, punimet e Tij të gjitha perfunduen nder raftat e librave të hajdutit Jup Kastrati... Askush nuk flet as sot!

Kur Jezuitët e Shkodres ikën per Itali, Ata i shperndane librat dhe mjaft punime me vlerë tek disa mësues Shqiptarë, që mësonin nder klasat fillore... Më ka tregue Prof. Lluka Karafili, që edhe Atij i kishin dhanë disa libra. Prof. Lluka në vitin 1958, ka pasë punue një tabelë të plotë per “Pemen e Familjes Kastrioti”, të cilen e kam vizatue unë, rreth dy meter me të gjitha detajet deri në ditët tona. Profesor Lluka e dorzoi në Akademi dhe me pat tregue se “nuk i kanë dhanë asnjë pergjegje”. Humbi tabela e vdiq edhe Profesori...

E vetmja Bibliotekë e mbetun në Shkoder pranë objekteve Fetare, ishte ajo e ruejtuna deri në 1967, në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Me Revolucionin Kultural,  u dergue në Muzeun e Shtetit në Shkoder, dhe mbasi e vodhën Jup Kastrati, dhe kryetari i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëstëve të Shkodres, Vehbi Bala me “shokë” të tjerë, sigurisht, të besueshem të PPSH dhe Sigurimit të shtetit, tepricat i dorzuen në Biblioteken e shtetit të qytetit Shkoder... Disa libra i mori edhe Instituti Pedagogjik.

Kujtoj atëherë që mbasi kaloi një kohë e shkurtë mbas mbylljes së të gjitha objekteve të kultit në Shkoder, u pat krijue një grup hajdutësh i “besueshëm” pranë kom. Ekzekutiv të Shkodres, i cili filloi tek korrnizat e veprave të artit në Kishen Kathedrale, orët e vjetra të kompanjelave, njena prej të cilave u vue në Kalanë e Gjinokastres (dhe asht atje), si  dhe mobiljet e daltueme të drunit dhe, perfundoi tek qylymat e xhamija tue i shitë me disa shuma lekësh, (per mos me ua dhurue) disa aktivistave të njohun per fletë rrufetë dhe informacionet që i jepnin Ramiz Alisë, aso kohe kur flinte e zgjohej tek shoku i vet i vjeter Mihajl Prifti, dhe organizonin mbledhje me mikun e tyne të dashtun e besnik: “Kryetarin e Komisionit Perzgjedhjes Leteraturës Fetare Kishtare, shokun Jup Kastrati” ndersa, per detyrat e agjentave Sadik Rama, Angjelin Kumrija, Prekë Sokoli etj.., asht i njohun Selaudin Cena, që aso kohe bashkpunonte me “shoqen” Sofije Prifti...

Sikur të shkruhen të gjitha shkatrrimet e veprave gjuhsore, letrare, artistike: vjedhjet e bame nder objektet Fetare kryesisht Katolike, zhdukjet e veprave të artit dhe prishjet e tyne nga injorantët e sigurimit që nuk e dinin se shka kanë vjedhë... Shqipnia renditet nder vendet ma të shpartallueme nga pushtuesit e vet tiranë e barbar anadollakë, të shek. XX – Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia e pasuesit e tyne tradhtarë!

Të pakten botoni proces – verbalet me që materialet ua “dhuroi” Ramiz Alia...

Vazhdon Pjesa VIII.


Melbourne, 21 Mars 2017.

(Vota: 15 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: