Gani Mehmetaj: Engjëjt e çnjerëzuar
| E Premte, 24.03.2017, 09:24 PM |

Engjëjt e çnjerëzuar

(Fragment nga romani "Boritë e Apokalipsit", që do u promovua me 23 mars në Bibliotekën Kombëtare "Pjetër Bogdani").

Nga Gani Mehmetaj

Në veshë më ushtonin boritë e apokalipsit, ashtu si i kisha dëgjuar nga shumë filma. Para sysh më dilte Shën Gabrieli, më sillej vërdallë sa për të paralajmëruar praninë e vet. Dhe çdo mbrëmje më kujtohej filmi i Bergmanit "Vula e shtatë", kur personazhi kryesor i sapoardhur nga lufta luante shah me vdekjen, duke e sfiduar, por edhe duke e zvarritur fundin, sepse vdekja kishte ardhur edhe për të. Unë po ashtu luaja symbyllas me vdekjen pa i parë figurat, as lëvizjet e duhura të armikut në tabelën e shahut, edhe pse i fshihesha si lepuri, asnjëherë nuk i dilja ballazi, nuk isha as kalorës, as trim.

Loja me vdekjen ishte loja me mujsharët që lëviznin e vepronin përposh çatisë, në trotuar. Sikur të ngrinin kokën, në hutimin tim kur ndiqja seancat e tyre të vdekjes do të më shihnin. Dhe atëherë i vinte fundi lojës, vdekja fitonte mbi jetën, gjëja më e zakonshme këto javë në ferrin ku jetoja. Ata kishin një mision: të mbillnin vdekje. Po ne ç'mision kishim?

Nga librat e lexuar apo nga imagjinata më qe ngulitur në kokë se është diku në gjithësi një botë paralele e ngjashme me botën tonë. S'më kujtohet saktësisht kur nisi fiksimi se diku jetonin të tjerët, të ngjashëm. Netëve të ngrohta nga tarraca e shtëpisë i shtrirë në shpinë, ia ngulitja sytë kupës së qiellit, shpalosja palët e gjithësisë në kërkim të botës paralele. Dhe derisa më bëhej se e gjeta, e kërkoja veten në trupin e tjetrit, shihja të tjerët të njëjtë më të afërmit e mi: të atin, nënën, të afërmit, kushërinjtë. Ata lëviznin në botën paralele, punonin, pëshpëritnin, ndonjëherë shikonin nga ana ku isha unë, por mua nuk më shihnin. Ndonjëherë kisha përshtypjen që edhe kur më shihnin, e shpërfillnin praninë time. Ndonjëherë nuk e ndienin praninë time fare, punonin të qetë, të pazëshëm dhe më dukej vepronin disi të ngadaltë si në filmat e ngadalësuar. Në të dyja pamjet se si më dukeshin, të çuditshëm e të pazakonshëm, të njëjtë e ndryshe nga ne, real e imagjinarë, disi si të qenë krijuar nga fryma, pafundësia, por megjithatë dikush brenda meje më thoshte se ata janë nga mishi e gjaku. Mishi e gjaku në botën paralele funksiononte e dukej ndryshe, i thosha vetes shpesh.

Të shumtën e herëve kridhesha në fantazinë e botës paralele, pa u përpjekur t'u afrohesha, më mjaftonte besimi se ata jetonin diku, se më ngjanin mua, u ngjanin anëtarëve të tjerë të familjes, se bota paralele ishte si ajo jona, me disa ndryshime. Ne e quanim botën e tyre botë paralele, mbase ata e quanin ndryshe, ose neve na quanin njerëz të botës paralele. Nuk e di se kujt iu hapa, por më kujtohet që më tha se edhe fati i tyre ishte mu si fati ynë, lindnin, jetonim dhe vdisnim njëkohësisht. Në të gjitha versionet e fantazisë sime doja të besoja se fati i tyre ishte i përcaktuar sipas fatit tonë.

Nuk doja të besoja në ekzistimin e botës paralele, në ekzistimin e njerëzve të dyfishuar, sa do të doja që të bashkëbisedoja me ta, t'u flisja, t'i pyesja, t'u ankohesha, apo madje t'ua qaja hallin. Veçmas do të më pëlqente sot të imagjinoja për botën paralele të së mirës dhe të së keqes. Kridhesha në qiellin e yjve ndriçues, kapja koordinatat e yjësisë dhe pozicioneve të sistemeve të yjve të caktuar orientues, mirëpo nuk arrija ta përcaktoja ku është ajo botë paralele, nuk arrija as të besoja se ajo botë është reale, nuk është pjellë e fantazisë sime, sepse dikur e besoja atë botë. Sa të vetmuar e ndieja veten në një botë të vetme, në çatinë e ftohtë me qiellin e yjet mbulojë.

Vetëm një herë m’u kujtua në çaste të hidhura se si do të dukej rezervisti Strahinja me kipcin e tij në botën imagjinare, më qeshej kur mendoja se edhe atje do të duhej që policët të vraponin natën si të çmendur rrugicave të errëta.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: