Zeqiraj & Cakiqi: Shoqata Sali Çekaj festoi pavarësinë
| E Enjte, 23.03.2017, 08:51 PM |

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" me mysafirë

SHOQATA "SALI ÇEKAJ" BËRI ZGJEDHJET DHE FESTOI PAVARËSINË E KOSOVËS

NGA

BLERIM CAKIQI, Nënkryetar i Shoqatës

IDRIZ ZEQIRAJ, Anëtar Nderi i Shoqatës

Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, mbajti zgjedhjet e rrugullta, për udhëheqjen e re të Shoqatës, me afat katër vjeçarë. Kjo Shoqatë është ndër më të zellshmet dhe më të zëshmet në Mërgatën Shqiptare. Veprimtaria e saj i kalon përmasat dhe misionin, që, zakonisht, kanë pjesa më e madhe e Shoqatave dhe të Klubeve në Mërgatë. Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane "Sali Çekaj", ka justifikuar plotësisht emërtesat destinuese, përcaktuese të saj:

1. Në lëmin kulturor, Shoqata është përkujdesur për organizimin e fëmijëve shqiptarë, në ruajtjen e traditave kombëtare, nëpërmjet folklorit burimor: vallëzimeve, recitimeve, duke zbutur, sadopak, mungesën e Shkollës Shqipe, të cilën Jugosllavia pushtuese e kishte organizuar dhe financuar, por jo edhe shteti i lirë i Kosovës!!

2. Në aspektin humanitar Shoqata "Sali Çekaj" ka ndihmuar varfanjakë, që nga Elbasani e Puka e deri në Dukagjin e Preshevë. Ajo që e veçon edhe më shumë, është se Shoqata në fjalë ka rinovuar dhe ndërtuar shtëpi, që nga Kaçaniku e deri në Tropojë, me parësi, luftëtarëve të lirisë, tashmë, invalidë të luftës.

3. Bashkëpunimi me palën vendore, gjermane, ka pasur një rrjedhë të mbarë. Fëmijtë dhe rinia e komunitetit shqiptar, nga Pfaffenhofen-i dhe qytezat fqinjë, kanë përfaqësuar, denjësisht, shqiptarët në javët e kulturës si dhe në festat vendore kombëtare dhe fetare. Kulmore ka qenë bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe kishtare, sidomos, me rastin e ngritjes të Shtatores të Nënës Tereze në qytetin e Pfaffenhofen-it. Mesha e përbashkët, e mbajtur në Kishën Qendrore të qytetit, ishte përmbushur si kurrë ndonjëherë. Kryetari i klubit shqiptar, Tahir Turkaj, me grupin e madh të valltarëve dhe të veprimtarëve, ishte nisur në ora 02 të mengjezit, nga Badeni i Austrisë, për të arritur në meshën e madhe, në ora 10 të ditës, në nderim të Nenës Tereze, në Pfaffenhofen të Bavarisë gjermane. Në këtë ngjarje të shënuar merrnin pjesë personalitetët zyrtare dhe fetare nga Shqipëria dhe Kosova.

Shoqata "Sali Çekaj" mbajti Kuvendin Zgjedhor

Blerim Cakiqi, nënkryetar i ri i Shoqatës "Sali Çekaj"

Si rëndom, Shoqata mban zgjedhje të reja në çdo 4 (katër) vjet. Nisur nga anëtarësia e gjerë e Shoqatës, zgjedhjet mbahen me seriozitet  dhe përgjegjësinë e duhur. Raporti 4 katët) vjeçar, i punës dhe i financës, është i begatë dhe shumë transparent. Votimi zgjedhor bëhet gjithëherë me votim të fshehtë dhe demokratik. Për këtë rend dhe rregull u shqua edhe kësaj radhe Shoqata "Sali Çekaj" në zgjedhjen e Kryesisë dhe të kryetarit të saj.

Në mbremjen solemne festive, moderatori Gazmend Dashi, anëtar i Kryesisë të Shoqatës, ftoi në tribunë Nënkryetarin e e ri Blerim Cakiqin, i cili theksoi: "Bashkatdhetarë dhe mysafitë të nderuar, fëmijë të dashur, në emër të Kryesisë të Shoqatës Kulturore Artistike Shqiptaro-Gjermane "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, ju përshëndes me përzemërsi, duke ju dëshiruar mirëseardhje dhe disponim të mirë kësaj mbremjeje. Njëherësh, ju urojmë 9 (nëntë) vjetorin e shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, ju dhe të gjithë shqiptarëve të kudondodhur. Na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre fizike përfaqësues të subjekteve politike, të shoqatave dhe klubeve në Bavari: Nëndega e LDK-së në Bavari, me kryetar Idriz Zeqiraj, Shoqata Kulturore Artistike "Abeja" (Bekim Berisha) nga Freisingu, e prfaqësuar nga Naim Haxhijaj, Aktivi i LDK-së në Starnberg, i përfaqësuar nga Hajzer Gashi dhe të tjerë, të cilët i përshëndesim.

Në këtë mbremje festive janë të pranishëm anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës "Sali Çekaj" si dhe shumë pjesëtarë të komunistetit shqiptar të Pfaffenhofenit me rrethinë. Andaj e shohim të arsyeshme të ju informojmë, shkurtazi, për Kuvendin Zgjedhor të Shoqatës tonë. Sipas kohës kalendarike, Kryesia e vjetër e mbaroi mandatin dhe misionin 4-vjeçar me shumë veprimtari dhe suksese të dukshme. Në respektim të statutit të Shoqatës, u mbajt Kuvendi Zgjedhor. Kryetari i Shoqatës, Osman Ferizi, informoi për veprimtarinë 4-vjeçare të kësaj Shoqate, ndërsa arkatari  Zymer Zeneli raportoi për financën e Shoqatës. Raportet në fjalë u miratuan nga Kuvendi.

Nisur nga interesimi i shtuar, për anëtarësim në Shoqatën "Sali Çekaj", si dhe veprimtarinë në rritje të Shoqatës, Kuvendi vendosi madhimin e Kryesisë, nga 9 (nëntë) anëtarë sa ishte, në 13 (trembëdhjetë) anëtarë. Kryesia e re ka këtë përbërje emërore:

Osman Ferizi - kryetar, Blerim Cakiqi - nënkryetar, Zymer Zeneli - arkatar, Gazmend Dashi, Shemsi Haziri, Adrian Ndreka, Mustafë Shala, Isuf Çeta, Shaban Muli, Naim Haxhijaj, Maxhun Smajli, Rafet Mehmeti, Ermal Hoxha - anëtarë.

Detyrat dhe obligimet u ndanë sipas Rregullores të Punës, në sektorë të ndryshëm, sipas kërkesës. Ky ishte informacioni bazë, nga Kuvendi Zgjedhor i Shoqatës "Sali Çekaj",- tha në referimin e tij nënkryetari Blerim Cakiqi, i cili është edhe në krye të një firme të suksesshme dhe kontribues solid i kësaj Shoqate me nam të mirë, në Bavari dhe më gjerë në Mërgatën Shqiptare.

Mërgata Shqiptare, kudo që jeton, krijon një atdhe në miniaturë. Të bashkuar, nga të gjithë Etnikumi Shqiptar, ara shënojnë me festim datimet madhore historike. Kështu u festua edhe Pavarësia e Kosovës, të cilën shqiptarët e pritën për një shekull radhazi. Moderatori Gazmend Dashi ftoi në tribunë kryetarin e Nëndegës të LDK-së në Bavari, Idriz Zeqiraj, për ta mbajtur referatin, kushtuar kësaj date historike:

PAVARËSIA E KOSOVËS - NJË HAP DREJT ETNIKUMIT SHQIPTAR

Mendimi se ne shqiptarët jemi vonuar në shtet-bërje, vazhdon të përsëritet, por jo edhe arsyet e kësaj vonese skajore, në krahasim me vendet ballkanike. Mendoj se dy janë arsyet bazë, që kanë promolguar, zgjatur në kohë pavarësinë shqiptare, nga zgjedha e Perandorisë Osmane: E para, shqiptarët ishin lojalë, besnikë dhe favoritë të kësaj Perandorie, të kalaveshur me ofiqe e poste të larta në hirarkinë perandorake; E dyta, shqiptarët ishin një oazë specifike në Ballkan.  Origjina jo sllave, fqinjët agresorë sllavë, i frikësonin, për t´u shkëputur e mëvehtësuar, nga një Perandori e fuqishme e kohës, të cilën, në heshtje, e pranonin si mburojë, karshi gllabrimit sllavo-orthodoks.

Nisur nga këta dy faktorë, përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi, kanë qenë të dyzuara, të hamendësuara dhe të lokalizuara.  Rebelimet, kundërshtitë e rralla, lokale e provinciale, më shumë kanë pasur karakter ekonomik, se sa karakter të mirëfilltë politik. Historiografia shqiptare, falsifikon, deri në banalizim, e cila, edhe një revoltë të fshatit, e nxjerrë jashtë kontekstit, e hipërbolizon, deri në legjendë, në stilin e metodologjisë komuniste e revolucionare.

Një hero tipik imaxhinar kemi Haxhi Qamilin e Enver Hoxhës, me të cilin shkrimtari Ismail Kadare ironizon Enverin dhe të gjithë kalanë e tij prej rëre dhe kashte.

Përpjekja e parë serioze, e organizuar, me një program kombëtar, ishte Lidhja e Prizrenit e viti 1878. Edhepse krerët organizatorë të kësaj Lidhjeje, ishin gegë e toskë,  pjesëmarrja e armatosur përfaqësohej vetëm nga gegët, madje, vetëm nga ata veriorë. Një pjesëmarrje e vakët, e pakët, me armë, paralajmëronte një dështim të pritshëm. Dhe, ashtu ndodhi. Një Lidhje tjetër, ajo e Pejës, e përmasave lokale, e prirë nga Haxhi Zeka, për të njëjtat arsye, ishte jetëshkurtër. Ndërkohë, kryengritjet e viteve 1910-1912, kryesisht, në Veriun e Shqipërisë dhe në Kosovë, ishin mirë të orgnizuara, por, pamjaftueshëm, për ta realizuar pavarësinë e Shqipërisë.

Në dekadën e parë të shekullit 20-të, Evropa ishte ndarë në dy blloqe kundërshtare: Rusia, Anglia, Franca, nga njëra anë dhe, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia,nga ana tjetër. Duket paradoksale, por është krejt e vërtetë se blloku i dytë, i prirë nga Austro-Hungaria, vendosi të hyjë në luftë me bllokun e parë, të prirë nga Rusia cariste. Rrjedhimisht, pavarësia e Shqipërisë u realizua nga Austro-Hungaria me aleatë dhe jo nga shqiptarët, siç pretendohet nga hisrotianët ideologjikë të monizmit.

Lufta e Dytë Botërore, rrjeshtimi i fajshëm i Shqipërisë në bllokun lindor, të prirë nga Rusia, armike klasike e shqiptarëve, shuajti shpresat për një Kosovë të bashkuar me shtetin amë apo shtet në vete. Përgjatë sundimit të egër të diktaturave komuniste, ka pasur edhe revolta e demonstrime të përgjakshme si: Revolucioni hungarez, i prirë nga Imre Nagi hero i Hungarisë, me klubin "Petefi"; "Pranvera e Pragës", me simbolin e saj Jan Pallahun, Hero i Pragës, i cili u dogj i gjallë, në shenjë revolte për pushtimin e Çekosllovakisë nga Rusia.

Ndërkohë, Kosova u ndjeh e gjallë pas "Plenumit të Brioneve", me demonstratat studentore të nëntorit 1968, përkundër atyre të mars-prillit 1981, kur momentumi nuk ishte favovirizues për shqiptarët. Protestat e punëtorëve të Portit të Gdanskit, në Poloni, të udhëhequra nga Leh Valesa; për të kulmuar me zgjimin e ndjenjës dhe të krenarisë të ligjshme gjermane, për t`i dhënë fund poshtërimit 40 vjeçar rus, duke rrënuar Murin ndarës të Berlinit, duke u dhënë shpresë e forcë - njëherësh popujve të Ballkanit, të Evropës Lindore dhe të botës mbarë.

Në këtë kuadër këndellën edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, të prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, duke u mbështetur edhe nga ajka intelektuale vendore si dhe populli. Pluralizmi politik, një faqe e re në ish botën komuniste, mundësoi mendimin e lirë dhe demokratik. Kjo demokraci ishte relative për shqiptarët jashtë shtetit amë, Shqipërisë. Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me kryetar Ibrahim Rugovën, si Lëvizje Kombëtare e kohës, në vazhdën e idealeve të Lidhjes të Prizrenit dhe me programin, Dekalogun e "Ballit Kombëtar", nismoi elementet e para, që shpienin Kosovën drejt çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe të demokracisë.

Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Kaçanikut, Referendumi, zgjedhja e Presidentit, zgjedhjet e lira e demokratike, me ç`rast konkuruan, simbolikisht, edhe parti të tjera, i dërguan mesazhin mbresëlënës Qendrave të Vendosjes dhe botës mbarë, se shqiptarët e Kososvës, e kanë vendosur, madje, njëmendësisht, çkurorëzimin më shtetin, sajesën hibride dhe të dhunëshme - Jugosllavi. Në kuadrin e kësaj njëmendësie ndarëse, shkëputëse dhe shpalljen shtet të Kosovës, shërbyen edhe krijimi i institucioneve paralele, rast unik, brenda një shteti të cantralizuar monist.

Rezistenca aktive e popullit të Kosovës, përgjatë viteve `90-a; dhuna, përndjekjet, rrahjet, maltretimet masive, e deri edhe vrasjet e aktivistëve liridashës shqiptarë, imponuan përgaditjen, tashmë, për rezistencën e armatosur. Djemtë e stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, ndër ta edhe Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti me shokë, do të krijonin çetat e para guerile në Dukagjin, Drenicë dhe Llap, për t`u shtrirë, më vonë, në tërë Kosovën. Ndërkohë, lideri shpirtëror i shqiptarëve, Presidenti Ibrahim Rugova, kishte punuar, në surdinë, në heshtje, me oficerët e karrierës, të cilët dëshmuan atdhedashurinë dhe gadishmërinë e tyre, për të luftuar për çlirimin e Kosovës.

Dështimi i Marrëveshjes të Osllos, në Norvegji, për unifikimin, bashkimin e faktorit ushtarak, me intrigat e hafijeve të Serbisë dhe të Tiranës zyrtare, social-komuniste, bëri që lufta kundër pushtuesit të mos e këtë efikasitetin e nevojshëm për çlirim, me forcat vetanake të shqiptarëve. Por, lideri Ibrahim Rugova me shokë shumë, kishte punuar për të zënë miq, sepse, siç thoshte Ai "shtëpia pa miq nuk mbahet". Madje, ai përfitoi edhe ata, si Anglinë dhe Francën që, në raport me shqiptarët, rreshtoheshin përkrah Rusisë. Rrjedhimisht, Kosova u çlirua nga ndërhyrja e fluturakeve "Apaç" të NATO - paktit, më 12 qershor 1999. Përndryshe, hamendësimet tjera, nga ndoca bukëshkalë e mosmirënjohës ndaj palës luftarake ndërkombëtare, do të ishin çoroditëse dhe "zëra në shkretëtirë".

Vitet e Kosovës, nën Protektoratin Ndërkombëtar, ishin zhgënjyese. Krimi i organizuar politik dhe ekonomik, nismoi shpengueshëm. UNMIK-u, jo vetëm që nuk administroi disa sektorë vitalë, në mes tyre, sistemin e drejtësisë, por edhe e favorizoi, duke toleruar bandat e haraçit, grabitjen, uzurpimin e pasurive shoqërore e shtetërore si dhe krimin vrastar politik. Edhe EULEX-i, i cili premtoi shumë, deri tani, nuk ka realizuar asgjë, për t`u shënuar. Pas zvarritjes 9-vjeçare, pikërisht, më 17 shkurt 2008, në një seancë solemne parlamentare, Kosova u shpall shtet i pavarur, por, me një mbikëqyerje të kësaj pavarësie.

Vitet e pas pavarësisë provuan atë më të rëndën: "Shqiptarët e Kosovës ende nuk janë gadi për të mbajtur shtet". Është kjo një tezë e hershme, e lansuar nga Serbia. Klasa politike bëri vetëm një ndryshim: Pushoi së vrari ata që kishin bërë e dhënë shumë për lirinë e Kosovës, sepse tani ishin të gjithëpushtetshëm. Dhe, e kompensuan me tenderimin, shitjen e përshitjen e pasurive të brezave shqiptarë. Tokat e trojet shtetërore, që i kshin blerë dje metrat me vezë, sot i shesin me lopë ato.  Një korrupsion, thënë shqip - vjedhje zyrtare, e legalizuar, e ligjësuar, e tjetërsuar, sikur të ishin toka e gjyshit apo të babait. Përshkak të dosjeve të hapura, krerët politikë, kanë vënë në anëkand edhe kullotat, pyjet, bjeshkët, si tokë "me re", "pashnjak", "utrinë",  "tokë, e cila nuk është në kadastrimin privat, atëherë, është tokë e tepërt dhe nuk bëhet qameti nëse ua falim fqinjëve", - mendojnë e thonë pushtetarët tanë!

Dështimet bazë të Kosovës së pavarur  sot, janë: mosfunksionimi i ligjit; arsimimi me cilësi të dobët; papunësia masive; migrimi ekonomik numerikë; korrupsioni, hajnia zyrtare shfrenuese; i  trashëguar dhe i  pandëshkuar mbetet edhe krimi i organizuar vrastar politik.

Festën e pavarësisë e zvetënojnë një serë mangësish, që sot e stopojnë ecjen para, zhvillimin dhe funksionimin e mirëfilltë të shtetit të brishtë të Kosovës tonë, të kapur nga krimi i organizuar, madje deri në kupolë të shtetit dhe të pushtetit.

Thonë se shpresa vdes e fundit. Dhe, ne, lë të ngushëllohemi me këtë sentencë. Studjuesit ekonomikë, në llogaritjet e tyre, prognozojnë se pasuritë e Kosovës tonë, mbi dhe nëntokësore, janë të mjaftueshme, për të bërë një jetë, me standarde të kohës, për trefishin e banorëve aktualë të Kosovës. Mjafton vetëm menaxhimi, administrimi profesional dhe i ndershëm i këtyre pasurive, të dhuruara nga Perëndia.

Intelektualët në Kosovë, ata që e duan një Atdhe të prosperuar, të përparuar, po i referohen, madje, gjithnjë e më shumë, rinisë shkollare të Mërgatës, të cilët, me përgaditjet e tyre profesionale dhe me edukatën supreme perëndimore, në zbatimin e ligit dhe të administrimit ligjor të pasurive shtetërore, një ditë do të kthehen dhe do të bëhen zotër fisnikë edhe në trojet e Dardanisë Anike të Presidentit Rugova. Këshilloj dhe uroj ta bëni detyrën e shenjtë prindërore, jo vetëm lindjen dhe rritjen, por edhe arsimimin e fëmijëve tuaj engjëllorë! Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Paçi gëzime e harmoni, në shenjtërinë e familjeve tuaja", - përfundoi fjalën e tij Idriz Zeqiraj.

Grupi i fëmijëve valltarë të Shoqatës "Sali Çekaj"

Në vijim grupi i fëmijëve të Pfaffenhofenit shfaqi një program modest kulturor. Skeçin "Rrenacaku" e interpretuan  Jeta dhe Vlera Kolgeci; poezinë " 17 Shkurti" Valerina Bunjaku; poezinë "17 Shkurti 2008" Era Kolgeci. Grupi i fëmijëve, të përgaditur nga Gazmend Dashi, Shemsi Haziri dhe Shaban Muli, interpretoi vallën "Shota", "Vallja e Pavarësisë" dhe "Vallja e Rugovës".

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", ishte përkujdesur edhe për argëtimin e bashkatdhetarëve, duke përzgjedhur këngëtare,

n e mirënjohur Arta Osmanin dhe sintistin Bekim Çollaku, të cilët, me programin e begatë muzikor, i kënaqën mërgimtarët e pranishëm në mbremjen festive.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: