http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Skënder Kapiti: Patrioti Ilir Malindi dhe Kosova
| E Hene, 20.03.2017, 08:55 PM |

Patrioti Ilir Malindi dhe Kosova

Nga Skënder S. KAPITI

Kisha dëgjuar për Ilir Malindin që në vitin 1985 si një intelektual të guximshëm dhe patriot i cili kritikonte hapur dhe me guxim Regjimin komunist enverist, politikën e tij dhe sidomos atë të izolimit dhe  indiferencën totale pothuajse të tij për shqiptarët jashtë Shtetit shqiptar në trojet e tyre etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Ҫamëri.

Iliri, që atëhere ishte mik i ngushtë i shqiptarëve të  Kosovës, të cilët kishin mërguar dhe të përndjekur nga regjimet shoviniste dhe nga barbaria sllavo-serbe kishin lënë Kosovën dhe ishin vendosur në Shqipëri dhe prej të cilëve ai mësonte dhe  dëgjonte me shumë dashuri dhe vetë Historinë  e Kosovës kreshnike, pasi sic dihet regjimi komunist në Shqipëri nuk interesohej për çështjen kombëtare, për shqiptarët në trojet e tyre etnike jashtë Shqipërisë, siç edhe e shpreh këtë autori Malindi në librin e tij “KOSOVA është imja “ kur  ai ishte nxënës në shkollën  “Kosova”se: “kur drejtoresha e shkollës na tregonte diçka për Kosovën, shokët dhe shoqet e mia e dëgjonin disi të habitur, thuajse flitej për ndonjë vënd në Afrikë”.

Patrioti,  historiani, shkrimtari, publicisti dhe avokati Ilir Malindi i është shumë mirënjohës  Arsimtares dhe patriotes së madhe Eleni Stefa e cila siç më tregoi Z. Malindi ka qenë arsimtare për tre vite gjatë luftës së Dytë Botërore edhe në Kosovë për hapjen e shkollave shqipe edhe si mësimdhënese atje, si dhe bashkeshortja e patriotit  Kostaq Stefa, djalit të motrës së Rilindasit të madh Konstandin Kristoforidhi të cilët kishin kontribuar aq shumë për edukimin e nxënësve me patriotizmin dhe për çështjen kombëtare. Dhe për motive patriotike,  për qëndrimet e tij kundër regjimit Komunist në lidhje me çështjen e Kosovës  dhe të akuzës si agjent anglo-amerikan, patrioti Kostaq Stefa u pushkatua.  Nga  E. Stefa, nga kjo intelektuale patriote , Iliri mori frymëzimet e para të cilat ndikuan në kultivimin te ai të patriotizmit kombëtar si dhe dashurinë e jashtëzakonshme të tij për Kosovën të cilën ai e tregoi  me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij.

Një specifikë për t’u theksuar për z. Malindi e cila  është për t’u përmëndur,  është respekti dhe mirënjohja e madhe e tij për figurën dhe pesonalitetin shqiptar më të madh politik, diplomatik dhe kombëtar  të kohëve moderne, për Ibrahim Rugovën në respekt të të cilit z. Malindi ia ka dedikuar edhe Librin “Kosova është imja” ku citojmë prej atij libri  të Malindit se:

“Këtë Libër ia kushtoj Presidentit, Ibrahim Rugova, që aq shumë e deshi Kombin Shqiptar dhe lirinë e Kosovës, dhe që gjithë jetën e tij, deri sa ndërroi jetë, mendoi, punoi, dhe jetoi për Shqipërinë e Bashkuar”.

Patrioti Ilir Malindi vjen nga Skrapari, nga një krahinë patriotike  dhe nga një familje me tradita dhe me edukatë e trashëgimi patriotiko-kombëtare e cila ka ndikuar  shumë dhe së pari në formimin e tij nacionalist. Pra, nuk është dicka rastësore formimi i personalitetit dhe intelektualitetit të tij patriotik aq më tepër se ai lindi dhe u rrit në një ambjent të egër komunisto-internacionalist  dhe ateist siç ishte Shqipëria komuniste e asaj kohe.

Këtë e verteton më së miri e tërë veprimtari praktike si dhe ajo krijuese letrare  të cilat lexuesi do t’i gjejë në veprat e tij, dhe pikërisht ne ato  më të rëndësishmet të tij “Kosova është imja”, “LUFTA IME” si dhe 60 volumet e “United States of Albania”. Vetë titujt mjaft domethënës të këtyre veprave tregojnë përkushtimin, seriozitetin dhe profilin, dimensionin dhe diapazonin e gjërë, gjithpërfshirës, të thellë dhe erudit të këtij intelektuali të shquar dhe patriot që ia ka kushtuar çështjes sonë kombëtare, Bashkimit Kombëtar, pa marrë parasysh pengesat, rreziqet dhe kërcënimet politiko-ideologjike në Shqipëri si dhe ato të agjenturave të huaja  antishqiptare sllavo-greke shoviniste.

Veprat e Z. Malindi janë njëkohësisht edhe autobiagrafia e këtij patrioti të madh, tek i cili shqiptarët kanë se çfarë të mësojnë dhe të marrin  si eksperiencë dhe si model se si duhet përkushtuar dhe kryer detyra dhe përgjegjësia para kombit dhe atdheut së pari.

Së dyti: këto vepra të tij janë dhe një leksion për intelektualizmin shqiptar kundër egoizmit dhe gjelozisë së sëmurë ndaj ndershmërisë, përkushtimit dhe patriotizmit të njerëzve të mëdhenj të cilët  kanë dhënë kontribute të mëdha kombëtare pa marrë parasysh bindjet politike, fetare, krahinore etj., ku këto i gjen në letërkëmbimet, korespondencat dhe në takimet me individët dhe me personalitetet më të shquara kombëtare të Kosovës, të Shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Shqiptarëve të Ҫamërisë dhe të arvanitasve të Greqisë  dhe në diasporë  si dhe në aktivitetet më  të rëndësishme patriotike, letrare, politike  dhe historike  të kudozhvilluara ato,  të paraqitura dhe të përjetësuara me mjaft talent dhe mjeshtri  në Librat e tij me shumë zell, mirënjohje dhe me respekt e përkushtim të jashtëzakonshëm; ashtu sikurse nga ana tjetër, Z. Malindi ka fshikulluar dhe demaskuar ashpër politikanët dhe individët e papërgjegjshëm  të cilët për interesa të ngushta personale politiko-ideologjike, pushteti dhe për përfitime të tjera  kanë  mashtruar, abuzuar e  spekulluar me mundin dhe sakrificat e popullit shqiptar dhe me interesat publike dhe kombëtare.

Libri  “Kosova është imja” ka domethënjën e asaj se Kosova nuk i përket vetëm shqiptarëve të Kosovës për ajo është  e cdo shqiptari, është edhe e skraparliut Ilir Malindi sikurse është edhe e të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria, nga të gjitha trojet e tjera shqiptare ashtu dhe të atyre nga Diaspora.

Po kështu edhe Libri tjetër “LUFTA  IME” është një si nje thirrje që i drejtohet cdo shqiptari për të kontribuar, sakrifikuar dhe luftuar për prosperitetin, integrimin  dhe për të realizuar qëllimin final kombëtar, Bashkimin e Kombit.

Një  vepër unikale  do ta quaja në llojin e vet është  kryvevepra  voluminoze e tij, “Unitet States of Albania”(Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë) që për mendimin  tim kur të botohet së shpejti ajo do të jetë enciklopedia e vërtetë panshqiptare që i paraprin edhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare të ndara në dy shtetet shqiptare Shqipëri, Kosovë si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës dhe të Ҫamërisë.

Studimet e Z. Ilir Malindi nuk janë thjesht enciklopedike, por ato janë dhe studime, dhe analiza akademike, politike, diplomatike, sociologjike dhe vizionare; nuk janë vetëm kronologji ngjarjesh por ato janë dhe leksione që parashikojnë në shumë raste duke i paraprirë edhe zhvillimeve të mëpastajme në këndvështrimin e rrjedhës logjike, politike, diplomatike, demokratike dhe patriotike duke i bërë dorëshkrimet apo veprën e tij thesare të vyera për analiza historike, sociologjike dhe shkencore për të ardhmen. Dhe sa më shumë kalon koha aq më me vlera, aq më të kërkuara, të nevojshme do të jenë e do të bëhen ato.

Këto vepra janë mundi dhe përkushtimi që i dedikohen një njeriu apo personaliteti i cili ka njohuri të thella  përvojash, kontributesh dhe sakrificash mbinjerzore për mbijetesë  luftarake, politike, diplomatike  dhe patriotike të kombit shqiptar  dhe të heronjve të tij; si dhe të një studiusi të mirëfilltë  i cili demaskon  strategjitë , planet, intrigat djallëzore dhe  genocidin e  armiqve tanë sllavë e grekë si dhe të aleatëve të tyre.

Pra së fundmi i urojmë z. Malindi suksese të mëtutjeshme për vepra të tjera me vlerë si dhe i shprehim  falenderimin tonë për atë kontribut të madh që ai po i lë si një trashëgimi të vyer brezit të sotëm dhe atyre që do të vijnë për të mësuar dhe studiuar të vërtetat e mëdha dhe të rëndësishme kombëtare në shërbim të edukimit patrotik  dhe  historiko-kombëtar  të tyre. Urime z. Malindi!