Leonora Laçi: Mons. Zef Oroshi - Si e njoha Nolin
| E Diel, 19.03.2017, 12:31 PM |

Mons. Zef Oroshi  “Si e njoha Fan Nolin”

Si kujtesë për përvjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, peshkopit,shkrimtarit,  historianit, politikanit, perkthyesit, Fan S. Nolit.

Nga Leonora Laçi

Tomë Mrijaj në veprën e tij “Monsinjor Dr.Zef Oroshi- Një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, Nju York, 2009, i kushton një monografi të pasur ku mpleksen dhe shumë personalitete të tjerë më të cilët Mons.Dr.Zef Oroshi pati raporte dhe leterkëmbime. Këtu do marrim një fragment nga libri shkrimtarit Tomë Mrijaj ku Mons.Oroshi flet për Peshkopin Noli.

Po çfarë i bashkon këta dy klerik?!

Peshkop Fan S.Noli themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA ndërsa Mons.Zef Oroshi themelues i Kishës së Parë  Katolike Shqiptare.

“Dijmë se Fan Noli nuk qe vetëm Ipeshkvi i Ortodoksvet shqiptarë n’Amerikë. Ai qe njeriu i aktivitetevet të mëdhaja e të shumta. Megjithatë, ai mbetet i pavdekshëm për

themelimin dhe udhëheqjen e Kishës Shqiptare n’Amerikë. Ai qe letrar i mirë, poet, historian, kritik, poliglot, orator, muzikant dhe megjithëse, për pak muej qe dhe i pari Kryeminister i Republikës Demokratike të Shqipnisë, por koha nuk e priti, që as të krijohej nji Kushtetutë demokratike dhe as të baheshin zgjedhjet e lira… Noli ka qenë nji zheni për të parapa dhe projektue nji Shqipni me të vërtetë demokratike, drejt zhdukjes së obskurantizmit shekullor aziatik, drejt nji shteti modern, me të drejta të barabarta, me nji ndergjegje të plotë, të pastër nacjonale.”

Imzot Zef Oroshi i shkruan kujtimet e tij  “Si e njoha Fan Nolin”, në librin: “Flamurtar i Kombit” (1882-1982), Editor Eduard Liço, Boston, Mass., botim i Federatës Pan Shqiptare Vatra në Amerikë. Për 8 muaj, Imzot Joseph J.Oroshi jetoi në Boston, ku takohej vazhdimisht me  Peshkopin dhe patriotin e madh shqiptar, Imzot Fan Stilian Noli.

Meshtari katolik, kujton: “Ishte viti 1937. Gjindeshim në Romë, n’Universitetin “Propaganda Fide”, pesëdhetë shqiptarë, studenta Filozofiet e Theologjiet. Për Nolin, kishim ndie dhe lexue pak aty-këtu nga punimet e veprat e tija. Po rreth asaj kohe, patem themelue shoqaten letrare shqiptare “Shën Asti”. Si president i parë, qeshë vu me korrespondencë me Imzotin, për t’i kërkue botimet. Librat na i dërgoi me nji letër të bukur e zemërdhanëse, e cila qe ruajtë me kujdes n’arkivin e shoqatës.

Takimi im personal me Imzot Nolin, ngjau, vetëm në shtatorin e vitit 1961. Kur erdha së parit n’Amerikë, ndejta rreth tetë muaj në Boston, Mass., nën drejtimin e Kardinalit Richard Cushing, Arqipeshkvi i atij qyteti, që njihej edhe si kryeqyteti i Shqiptarvet t’Amerikës. Gjatë kësaj kohe bana disa hapa fillestarë për t’organizue diçka fetarisht për katholikë shqiptarë, që kishin ardhë ma të vonit në këte vend dhe nuk e  kishin kurrkund nji çerdhe të vetën.

Takimin e parë, mjaft të përzemert, i bamë në rezidencën modeste të Imzotit. Ai u interesue për klerin katholik. Natyrisht, mosha dhe peripecitë e jetës sonë kishin qenë të ndryshme. Kishte simpati, sidomos për disa të klerit katholik, që kishin qenë afër me idetë e tija për nji Shqipni demokratike. Megjithatë, kurrë nuk hapi direkt çashtje politike.”

Takimet e shpeshta qëllimmira midis tyre kanë qenë gjithnjë miqësore dhe të përzermërta. Shpesh bisedonin me orë të tëra, duke evokuar shumë kujtime, gjatë takimeve me Kryepeshkopin shqiptar të Boston-it. Edhe arti, kultura, tradita dhe historia e lashtë e Shqipërisë dhe birit të denjë të saj, Gjergj Gjon Kastriotit, ishin objekte të bisedave, deri në orët e imta të mbrëmjes. Ata diskutonin e komentonin me krenari e pasion bashkatdhetarësh për historinë e lashtë të krishtërimit në trojet etnike shqiptare, për librat e ndryshëm të autorëve shqiptarë dhe të huaj, duke shprehur dhe mendimin e tyre, të cilat shpesh kristalizoheshin në artikujt publicistikë, që botonte në shtypin shqiptar të kohës në Amerikë e Europë.

“Mbas takimit të parë, mjaft të perzemërt, gjatë të cilit u mundova t’i jepshe nji përshkrim objektiv, persa u përkitte pervojevet personale dhe ngjarjevet, nder të cilat, ishem gjetë gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botnore, takimet tona u banë ma vonë edhe ma të shpeshta. Siç u tha, Këshilli Ekumenik, ishte kah hapej në Romë, prandej nisem të bisedojshim me Imzotin edhe punë të dobishme ekumenike. Ai, tue i parapa ma së mirit kohnat, i diskutonte me njifarësoj kënaqësijet shpirtnore çashtjet e ditës. As që i ndejti larg idesë s’afrimit në mes të Kishës Orthodokse dhe Katholike, sidomos në nji formë interkomunikimit. Sigurisht, në një formë, ku secila Kishë të ruente individualitetin e vet me normë, ligje e tradita, deri ku t’ishte e mundun.

Për këte arsye, tue pasë pëlqimin e plotë t’Imzotit, nisa të merrshem kontakte për këte qëllim me Kardinalin Cushing. Kështu, në muejin e marsit 1962, qe pregatitë nji takim zyrtar në pallatin e Kardinalit, ku morën pjesë, posë Kardinalit, Imzot Noli, famullitari i Kishës së Shën Gjergjit Christ Ellis, theologu i theologjisë Orientale i St.John’s Seminary në Boston dhe i nenshkruemi.

Hapja e mbledhjes filloi me kuvendime vllaznore. Imzot Nol, pruni shkurtimisht çashtjen e diskutueshme se mos asht shkrue ma parë nder tre Synoptikë, Ungjilli i Shën Matheut apor i Shën Markut. Kardinali, i siellet Profesorit t’Orintales: “Çka ke ruejtë ti që s’ma ke prue këte Peshkop kaq të mirë ma para për t’u pa me të, derisa ky ka jetue tash pesëdhetë vite në Boston?”

Menjiherë mandej filluen kuvendimet rreth mundesivet t’afrimit të dy Kishavet. Imzoti i tha Kardinalit se ai kishte qenë gjithmonë nji studjues i afërt i Kishës Katolike dhe se kishte qenë gjithmonë nji admirues i sajë, në Shqipni dhe jashtë. Në bisedë erdhi edhe bashkëjetesa shembullore, që ka ekzistue në Shqipni, sidomos mbas vitit 1912, ose me fitimin e Pamvarësisë.

Imzoti tashti kishte edhe nji moshë mjaft të shtyme. Ardhshmenia e Kishës Orthodokse Shqiptare, në rasë të vdekjes së tij, e mbante nder mendime. Dihet se Noli nuk ka pas ndonji simpati për grekët. Po, as Kardinali Cushing nuk ka qenë fort simpathizues i tyne.”

Nolin e madh ai e donte dhe respektonte shumë, sepse i kishte sjellë kulturës shqiptare një shërbim të madh dhe popullit një zgjim e vetëdije të pavarur. Këtë ndjenjë Oroshi e shpreh në disa artikuj të rëndësishëm, që i hartoi dhe i botoi në revistat prestigjioze të kohës në emigracion. Për më tepër, Peshkop Noli, ia hapi zemrën dhe mori këshillim direkt me Kardinalin Cushing, për shqetësimin, që kishte ai, për vijimësinë e kishës ortodokse mbas vdekjes së tij dhe kalimit në amshim.

Oroshi, kujton: “Kur në vjetin 1965 doktorët e lajmruen Imzotin se ai kishte nji sëmundje të pashërueshme, preokupimi i tij qe Kisha. Noli, u këshillue edhe me Kardinalin për këte punë. Dijmë me siguri se Kardinali e pyeti, se a mos kishte ndonji prift të pamartuem. Noli i foli per Stefen Lasko, por natyrisht tue i diftue edhe se sa pregatitje kishte për atë rang. Tue e pa situatën mjaft të deshperueme, Kardinali, i ka thanë Imzotit: “Veç bane Peshkop sa ma parë, për të shpetue situaten tashma.” Në fakt njashtu ngjau. Noli ia rekomandoi Laskon, me letër përcjellëse për Vodicën, Kryepeshkopit të Tiranës. Në ditën kur Noli ndrroi jetë, në Fort Lauderdele, në Florida (me 13 mars, 1965), Stefen Lasko, u shugurue Peshkop në Tiranë. Ky episod, difton se sa miq mbeten Noli e Cushing, mbas asaj mbledhjeje të vitit 1962. Si do të shofim, çashtja për të cilen qe ba mbledhja, nuk pat sukses, por jo për fajin e dy udhëheqësavet.”

Dr.Oroshi, pohonte me mburrje se Imzot Dr.Fan Stilian Noli, ishte një patriot i vërtetë shqiptar. Gjatë takimeve të shpeshta ekumenike dy prelatët bashkëatdhetarë kishin shfaqur idenë e afrimit të Kishës Shqiptare Ortodokse me Kishës Katolike Shqiptare. Asokohe, kardinali i Boston-it Mass., i ndjeri Richard Cushing, e kishte pritur mirë këtë ide dhe kishte marrë përsipër ndërmjetësimin për ribashkimin e kishave tona.

Inisiatori dhe ndërmjetësi Oroshi, kujton: “Tue këthye prapë te kuvendimet e mbledhjes së marsit 1962, kishte qenë Imzoti vetë, që kishte mendue ta hapte këte mbledhje me Eminencen e Tij. Në fakt, n’atë kohë, shumica e denominimevet të kishavet kristjane, ishte tue u pregatitë, për të dergue delegacjon observuese në Romë, gja të cilen, mund ta bante dhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës.

Eminenca e Tij Kardinali, i cili e kishte ndjekë me vemendje kuvendin, tha se ai do ta përkrahte çashtjen dhe se do t’i jepte krejt kontributin e tij, nëse mendimi i njij afrimit do të vinte tue u pjekë.

Imzot Noli, tha: “Në muejin korrik, na kemi mbledhjen e pergjithshme të klerit. Ju siguroj Eminencë, se do t’ua propozoj këte çashtje. Zakonisht, kleri im nuk m’i kundërshton mendimet. Teksa ta marr dhe mendimin e tyne, bisedimet kemi për t’i vijue, dhe mendoj se do të kenë sukses të plotë.”

Me këto fjalë, mori fund mbledhja. Tue dalë nga pallati argjipeshkvnor, Father Ellis, më tha: “Shkruaju tani të gjithë miqëve, se puna u bë”. Ma mirë po presim të flasë puna vetë, i përgjegja miqësisht.

Mbas rreth njizet ditësh, shifem për nji punë tjetër me Kardinalin. Papritmas, më tha: “Ajo puna, për të cilen kemi pasë mbledhje me Arqipeshko Nolin, nuk bahet”, dhe kaloi në bisedë tjetër, pa kurrfarë komentit.

Natysisht, mue më ra si nji kovë ujit të ftoftë në krye në dimën, por, derisa ai si sekretar zyrtar nuk e komentoi aspak, nuk e pyeta se si kishte ngja ajo punë. Por, si mora vesht ma vonë, Kardinali, në vend që t’ia kishte sjellë çashtjen Kongregacjonit të Kishës Orientale në Romë, ia kishte sjellë Archibishop Egidio Vagnozzit, Delegatit Apostolik në Sh.B.A.. Ky, të cilin e njofta personalisht, ishte nji konservator i tepruem. Në vend që të caktonte ndonji kompetent, që të kuvendonte gjanë e gjatë me Nolin, i kishte dergue rregulla të preme konservative Kardinalit.

“Dritarja për ajri të freskët”, që pat premtue papa Gjoni XXIII, nuk ishte hapë ende në Kishën Katholike.

Por nuk mund të mohohet, se këto mbledhje e dhanë frytin e vet. Kardinali Richard Cushing dhe Metropolitan Noli mbetën miq të përhershem e të çiltert. Noli, në vështirësi

kah mbarimi i jetës, mund të këshillohej me Kardinalin si me vllan e vet. Dhe Kardinali aty e mbrapa, i desht e i respektoi shqiptarët perherë e ma tepër.”

Me vdekjen e Peshkop Nolit, më 13 mars të vitit 1965, bashkimi i kishave të krishtera  mbeti vetëm një ide, që koha e harroi dhe zbehu ngadalë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: