Mrika Krasniqi: Tubim mbresëlënës nga Mërgimtari
| E Diel, 19.03.2017, 11:30 AM |

TUBIM  MBRESËLËNËS, NGA SHOQATA “MËRGIMTARI”, NË KIEL TË GJERMANISË...

(U përurua një libër, me autor Dr. Hamdi Reqica)

Nga MRIKA KRASNIQI

Shoqata “Mërgimtari”, e cila është e regjistruar në organet vendore, Shoqatë Kulturore Shqiptare-Gjermane,  para disa ditësh organizoi një përurim libri, në lokalet e Brigitte Thomas Haus,  të qytetit verior Kiel.

Autori  Hamdi Reqica u prit me një interesim të veçantë,  nga kryetari i Shoqatës “Mërgimtari” Florim Morina, anëtarët tjerë të  kryesisë dhe gjithë të pranishmit në këtë veprimtari. Në një nga dhomat e Shoqatës gjendeshin pije freskuese , kafe,embëlsira dhe libra, që mund t’u shërbeheshin të ftuarëve.

Shumë bashkatdhetarë, adhurues të librit, u drejtuan për në sallën, ku do të bëhej përurimi i një libri shkencor. Tema kryesore e tij është çështja e sigurisë dhe mbrojtjes së shteteve europiane , me theks të posaçëm zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, aty ku piqen edhe kufinjët artificialë të trojeve etnike shqiptare.Në skenë ishin vendosur Flamuri Gjerman, Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe ai i Shtetit të Kosovës. Autori i librit, Dr. Reqica është edhe konsull i Kosovës, në Munchen(Mynih).

Tubimin e hapi Ejup Krasniqi, bashkatdhetar, si dhe njëri nga themeluesit e Shoqatës “Mërgimtari”, i cili jeton dhe punon prej vitesh, në qytetin Kiel.Pasi i përshëndeti të pranishmit, ai ftoi kryetarin e Shoqatës “Mërgimtari”, që ta marrë fjalën. Pra, Florim Morina i përshëndeti përzemërsisht  të pranishmit dhe u uroi një pasdite të bukur,sepse aty po gërshetoheshin, vlera e librit dhe përkushtimi i Shoqatës “Mërgimtari”.

Më tej, veprimtaria vazhdoi me fjalët përshëndetëse nga: Dr. Hamdi Reqica e  Dr. Med. Shukri Zejnullahun-kirurg. Pastaj përshëndetën mësuesiAfrim Hasani; Sënke Klettner, drejtues i Asamblesë Komunale/Mettenhof; zonja Boloë, përgjegjëse për qendrën e rinisë; zonja Schmidt, nga Brigitt Thomas Haus  e disa të tjerë.

Në vazhdim, Jup Krasniq foli, në pika të shkurtëra, për biografinë e autorit H.Reqica dhe  për vlerat europiane të këtij libri shkencor. Duke u thelluar në brendinë e tij, tha se vlerën këtij libri ia shton vetë lexuesi. Në të, ai do të gjejë çaste të viteve 80-të, në shekullin e kaluar dhe deri te përfundimi i luftës e fitorja përfundimtare, në Kosovë.Por këto janë vështruar,  gjithnjë, të lidhura me sigurinë e shteteve europiane.  Në vitin 1954, ato kishin dështuar të formonin nje trupë të përbashkët, që do merrej me sigurinë  mbrojtëse të këtyre shteteve.Por, për fat të mirë, kjo u arrit vetëm, kur filloi shkatërrimi i ish-Jugosllavisë.

“Është një vepër me vlera të mëdha shkencore.Prandaj mendoj që ia vlen ta lexoni”, tha më tej J.Krasniqi. Ai ftoi që, fjalën kryesore rreth librit, në gjuhën gjermane, ta thoshte përfaqësuesi i Asamblesë, z. Klettner. Ndër të tjera, ai u shpreh: “Në dorë kam një libër, nga i cili kam mësuar shumë. Ky më dha mjaft detaje e informata të vlerëshme dhe të detajuara, nga burime të verifikuara. Prandaj, kur një vepër ka diçka me vlerë, ku njeriu, duke lexuar, gjen shumë , kjo është kënaqesi. Çdo vepër është si jeta. Për ta kuptuar të tërën, duhet t’i dilet deri në fund. Unë kam ardhur këtu, pasi e di se kjo ditë e imja nuk është e humbur. Por sot kam mësuar e do mësoj edhe me shumë, sidomos për vlerat shkencore, me të cilat autori Reqica i nderuar, jo vetëm  ka nderuar Shoqatën “Mërgimtari” dhe komunitetin, por ai ka nderuar edhe qytetin tonë Kiel, duke bërë përurimin e kësaj vepre shkencore, këtu te ne, në Veriun gjerman”. Ai vazhdoi, duke folur gjatë për vlerat e këtij libri dhe pasqyrimin dinjitoz, që ka bërë autori Reqica, nëpërmes rreshtava të këtij libri, shumë mirë të kuptueshem.

Tubimin e përshëndetën edhe shumë pjesmarrës tjerë. Konsulli i Republikës së Kosovës, Dr. Reqica,  foli për punën, që i është dashur të bëjë për këtë libër, në gjuhën gjermane. Pastaj  tregoi, shkrtimisht,  përmbajtjen e tij, duke u lënë vend pyetjeve të miqëve gjermanë dhe atyre shqiptarë. Pyetjet ishin të shumta, nga të dyja palët. Sabri Selmani, pyeti se a u bë intervenimi ushtarak, në Kosovë, për çështje humanitare apo për çështje strategjike? Daut Krasniqi u interesua që të dijë rreth mbajtjes peng të Ramush Haradinajt dhe në se Europa, ende, po luan “lojërat e vjetra”? Florim Morina pyeti rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, sidomos, me theks për mërgatën.

Kurse miqtë gjermanë ishin tejet të interesuar për zhvillimet gjatë viteve 1989-1999, që ndodhën në Kosovë. Duke filluar nga protestat e minatorëve e deri në përfundimin e luftës. Po kështu, pyetën rreth ikjes dhe kthimit, thuaja mitik, të shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës e shumë të tjera, deri te korrupsioni dhe burimet  turistike, që sjellin trojet shqiptare.

Shoqata “Mërgimtari” u dhuroi miqëve gjermanë nga një libër.Pastaj, të gjithë u drejtuan në lokalet e Shoqatës, për të ngrënë darkën, së bashku. Atë e kishin përgatitur me bujari: Sami Brahimi, Alex Braqi, Hasan Seferi  dhe Ejup Krasniqi.

Shoqata dha një program të bukur, me këngë e valle, për nder të konsullit dhe mysafirëve të shumtë. Për këtë shfaqje, më së shumti, e falënderojmë mësuesin Afrim Hasani, i cili kishte bërë një punë të mrekullueshme .

Pjesëmarrësit u ndanë shumë të kënaqur, nga tërë veprimtaria e organizuar nga Shoqata “Mërgimtari” dhe që morën pjesë në përurimin e librit, me shumë vlera, me autor konsullin e Republikës së Kosovës. Me modestinë dhe thjeshtësinë e tij shpirtërore, ai kaloi një mbrëmje vllazërore, me bashkëatdhatarë nga të gjitha trevat shqiptare. Të gjithë së bashku, përjetuam çaste të traditave të bukura e të thjeshta shqiptare, por me shumë vlera.

Si gjatë veprimtarisë, por dhe në darkën e përbashkët, pjesëmarrësit bënë mjaft fotografi, të cilat mbeten për të gjithë kujtim i bukur, mbresëlënës dhe i paharruar.

Osloring-Kiel(Gjermani), mars 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: