Baxho: I lumtur larg futbollit
| E Shtune, 30.08.2008, 01:50 PM |

Roberto Baggio
Roberto Baggio
Edhe pse kalon 20 vjet duke shpresuar të kthehesh në fushë sa më parë të jetë e mundur vjen një kohë kur uron që të mos kthehesh më. Dikur dëshira për ta parë në fushë me lojën dhe fantazinë e tij ishte më e madhe se gjithçka tjetër, por sot është pak e dhimbshme kur zbulon se njeriu me dëshirat e tij të thjeshta, që përdorte aq bukur topin, e ka humbur vendin e kampionit dhe emocioneve të veçanta që ai dinte të dhuronte. Nga normaliteti tek e jashtëzakonshmja, nga e jashtëzakonshmja te normaliteti: një rrugë që Roberto Baxho ka ditur ta përshkruajë me përulje, dëshirë dhe ambicie. Në "Altavilla Vicentina", një rrugë malore dhe pak me kthesë, Robi ka nisur të kositë barin në kopshtin e shtëpisë së tij me një makinë që bën një zhurmë të tmerrshme. Është i veshur thjeshtë, me pantallona të shkurtra, këmishë ngjyrë jeshile dhe kapele në të cilën ishte shkruar një nga shprehjet më të famshme argjentinase "que perro camorrero...", "çfarë rrëmujaxhiu...". Një shprehje që të kthen në kohën kur Robi shkoi te Lipi, në sezonin e tensionuar kur luanin tek Interi, kur në kokë kishte vendosur një kapele ku shkruhej "më vrit nëse nuk të duhem". Ashtu i djersitur ulet dhe nis të tregojë: "Muajt e fundit kam shtuar pak në peshë, është faji i verës. Kur ulem në tavolinë nuk i rezistoj dot disa gotave, sidomos në ditë të nxehta si këto. Nëse heq dorë një muaj, humbas menjëherë katër apo pesë kile. Pastaj, kam një metabolizëm që ma shpif, shëndoshem edhe duke e parë ushqimin", nis të tregojë në një mënyrë sikur kërkon të shfajësohet. Me çfarë merret tani Baxho? Si jeton? Kur do të kthehet? Por, a ka dëshirë të kthehet? Mërzitet pa topin? Me të vërtetë nuk i mungon? Si i mbush boshllëqet? Sa shumë pyetje, pothuajse të njëjtat, dhe të bëra me shumë dashuri dhe respekt gjatë katër vitesh mungesë.

Roberto Baggio - Juventus
"Jam mirë, me të vërtetë. Kjo që sheh është bota ime, shtëpia, lugina, pylli, zogjtë, magazina. Nuk mendoj se do të mundja të prishja gjithçka për të nisur nga e para. Një zhvendosje tjetër nuk është e mundur dhe në këtë moment as që e dëshiroj. Jemi pesë vetë dhe para së gjithash duhet të mendoj për fëmijët e mi, 18, 14 dhe 3 vjeç. Ata kanë të drejtën që të rriten me ne pranë. Shijoj lirinë për t‘i parë me besim se çfarë i pret në të ardhmen. Me gjithë ato gjëra që kam për të bërë nuk kam kohë për t‘u mërzitur por në fund të fundit edhe pak mërzi duhet. Ndihem padron i ditëve të mia dhe kjo është një ndjenjë e mrekullueshme. Kisha ëndërruar gjatë për të pasur një jetë të tillë: që të mos kisha më presidentë, drejtorë, trajnerë, detyrime, apo orare për t‘u respektuar. Atë që doja të bëja e bëra, gjatë viteve që isha aktiv iu përkushtova futbollit me mish e me shpirt. Që kur isha fëmijë nuk kam menduar për gjë tjetër. Stërvitje, tërheqje, udhëtime, hotele, ndeshje dhe sërish stërvitje. Nuk jam kthyer kurrë pas në jetën time, thjesht kam ecur përpara". Sidomos si njeri. "Nuk më pëlqen të diskutoj për çështje shumë serioze, megjithatë kam menduar edhe për këtë. Tani që e mendoj mirë, në 14 vjet miqësi dhe bashkëpunim me Vittorio (Vittorio Petrone, agjenti i tij) nuk kemi projektuar kurrë një karrierë të dytë, që do të kishte të bënte me futbollin. Doja të shihja se si ishte bota, të provoja shijen e gjërave të thjeshta dhe të bëja me kohë të plotë të gjitha ato gjëra, që gjatë kohës që luaja futboll mund t‘i bëja vetëm 20 ditë në vit. Mbi të gjitha të qëndroj pak nën shoqërinë e miqve të mi sepse miqësia është vlera më e lartë dhe më e çmuar e qenieve njerëzore", tregon. Në pulsin e dorës së djathtë mban dy byzylykë prej gome, në të cilët shkruhet

Roberto Baggio - Milan
"Heroes Company". Thotë se është një nga sipërmarrjet e tij me të cilën merret. "Një organizatë jo fitimprurëse që themelova me Vittorion një vit më parë, në shtatorin e 2007-ës. Ishim të ftuar në një fshat të vogël, rreth 70 kilometra nga Vientiane, kryeqyteti i Laosit, ku kishim çuar mjete për të luftuar virusin e shpendëve. Prej gjashtë vjetësh jam ambasador i Fao-s. Më kishte prekur puna e vullnetarëve, këtu heronjve modernë, dhe ndjeva dëshirën për t‘i ndihmuar. Pikërisht aty lindi "Heroes Company". Prej disa muajsh jemi duke menduar për disa projekte në ndihmë të personave të dëmtuar rëndë nga shpërthimi i minave, duke u dhuruar gjymtyrë artificialë. Ëndërroj gjithashtu të shkoj në Birmani, për t‘i dorëzuar çmimin "Nobel" për paqen San Suu Kyi, aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut, çmimet që Presidenti italian Napolitano dhe Valter Veltroni, kur ishte kryetari i Bashkisë së Romës i kanë dhënë kësaj gruaje të mrekullueshme dhe me energji të jashtëzakonshme për të luftuar për të drejtat. Ishte pikërisht ajo, që donte ta merrja unë në vend të saj atë çmim. Problemi është se në këtë moment, si unë, ashtu edhe Vittorio, gjendemi në listën e zezë të personave të padëshiruar nga qeveria biramaneze". Robi duket i kënaqur, në harmoni perfekte me gjërat që e rrethojnë, por mbi të gjitha në harmoni perfekte me të tashmen. Një gjë tjetër që i pëlqen të bëjë është edhe gjuetia. Në fund të korrikut u kthye nga Argjentina, ku kishte shkuar posaçërisht për këtë punë. Në foto të vendosur mbi komodinë duket qartë, teksa natën merr shenjë prej një largësie të madhe për të gjuajtur një derr të egër. "Ditën, kafshë të këtyre përmasave nuk i sheh dot. Një mashkull 168 kile, dinak, nuk është e lehtë ta gjuash, aq më tepër që i njeh mirë gjuetarët, qentë, e ndjen erën kilometra larg. Pasi e provuam tri herë, por pa rezultat, e provuam sërish. Më parë kishim hasur vetëm femra dhe këlyshë të vegjël, por femrat dhe të vegjlit nuk preken. Të arrish të mendosh njëlloj si kafsha që po ndjek, të bësh lëvizje më të zgjuara se ai, është një lojë e vështirë sepse kështu instinkti është kundër instinktit, ndërsa eksperienca kundër eksperiencës. Për më tepër nëse hyn në territorin tij. Ta dije se sa fshatarë na kërkojnë t‘i ndalojnë derrat që u shkatërrojnë të mbjellat. Shumë herë jam përpjekur t‘u shpjegoj raportin tim me gjuetinë, por nuk kam arritur dot. Vetëm kush e jeton me të njëjtin entuziazëm dhe respekt si unë mund ta kuptojë". Nga "pjesa" e parë e jetës të ndërtuar me këmbët dhe topin, te "pjesa" e dytë të ndërtuara me punë, me duar. Me mjete të reja, tema të reja dhe elementë të rinj. Për më tepër, Robi koleksionon edhe kafaze për zogj të cilat i rregullon personalisht. Ka më shumë se 200 të tillë në shtëpi. Kam me qindra lloj zogjsh në kopsht dhe dhjetëra çarqe nga të gjitha llojet, angleze, franceze të fillimit të shekullit 19-të për të kapur laureshat, dhe qindra e qindra objekte të tjera të vjetra të ruajtura me kujdes. Për më tepër Robi punon me përkushtim të madh edhe me dru, madje vetë ka arritur të
Roberto Baggio - Inter
rregullojë një varkë shumë të bukur peshkatarësh që e ka vendosur në mes të një prej tre dhomave që ia ka kushtuar tërësisht këtij pasioni. Janë të pakta gjurmët e futbollit në vilën e tij trekatëshe. Në mure fotot e Ronaldos, Zamoranos, Zanetit me Valentinën dhe Matian ( dy fëmijët e tij të mëdhenj). Topi i Artë, duket se ka vendim më të privilegjuar, pikërisht në vendin që të çon në dhomën e gjumit. Është vendosur në krah të këpucëve të para numër 28, që e ëma ia dha 33 vjet më vonë, kur Robi mbushi 40 vjeç. Fanella thuajse nga të gjithë, me të cilat janë mbushur disa kanate dollapësh të bardhë të mbyllur me çelës, poshtë në magazinë. "Nuk ja kam treguar kurrë askujt, kam më shumë se 600 të tilla. Të Maradonës nëpër Botërore, të Peles dhe pastaj të Van Bastenit, Gulit, Zico, Baresit. Kam ruajtur edhe këpucët dhe fanellat". Të gjitha janë të vendosura me kujdes dhe me një rregullsi të habitshme. "Kam lënë gjithçka pas. Nuk kam më nevojë për fishekzjarrë, por as për sakrifica. Kujtoj gjithmonë vitet me Kombëtaren, nën drejtimin e Sakit, çdo sezon me të vlente sa pesë me të tjerët. Nuk lodhej kurrë. Mes kampionatit dhe kupave, luanin të dielën, të mërkurën dhe sërish të dielën. Stërviteshim çdo ditë, edhe më 31 dhjetor dhe më 1 janar, me pak fjalë asnjë ditë pushim. Nga fusha, për drekë, videokaseta, dhe sërish në fushë. Kur arrija të shkëputesha e të shkoja në shtëpi për një ditë, më dukej sikur kisha shkuar në Parajsë. Mbi të gjitha lodhja ishte mendore, për një shpirt të lirë si ky imi. Nuk i kam parë fëmijët e mi të rriteshim për shumë vite me radhe ndërsa i vogli, Leonardo, kur më pa një fundjavë në shtëpi bërtiti me të madhe: gjysh". Dushet e shpejtë në dhomat e zhveshjeve para ndeshjes apo bishti që e karakterizonte, nuk është më prej kohësh. Tani flokët janë të prerë shkurt dhe me një ngjyrë gri të bukur. Shkojmë të hamë drekë dhjetë minuta larg me makinë Altavillës, në një lokal ku rriteshin pula të freskëta dhe çdo ushqim e haje pa merak. Me në është edhe Klaudio, babai i bashkëshortes së Roberto Baxhos, Andreinas. Bisedat janë nga më të ndryshmet dhe herë pas herë shkojnë edhe te futbolli. "Kur Berluskoni dhe Galiani nisën të flasin për Ronaldinjon e kuptova menjëherë se do ta kishin marrë. Te Milani njerëzit janë gatuar kështu, i duan ata lloj futbollistësh. E dija që do të donin të ndërtonin një grup brazilian dhe të rikuperonin Ronaldinjon, i stimuluan konkurrencën përballë kampionëve të tillë si Pato dhe Kaka. Nuk mund t‘ia lejojë vetes që të kthehet i treti në Brazilin e tij. Nuk e di se çfarë mund t‘i ketë ndodhur te Barcelona, por me siguri që diçka ka ndodhur sepse në një farë pike Rajkard nuk e përfshiu më në skuadër, ndaj filluan të dilnin zërat për një mospërputhje me Eto‘o, thashetheme të cilave nuk u kam besuar kurrë. Nëse në skuadër ke Ronaldinjon, është e sigurt se
Roberto Baggio (Brescia) - Alessandro Del Piero (Juve)
nuk mund ta mbash në pankinë, të paktën nëse nuk ke vërtet një motiv shumë të fortë. Tani Barcelonën e drejton miku im, Pep Guardiola, një njeri shumë inteligjent të cilit i uroj të marrë të gjithë sukseset që meriton. E pashë që i nisi shkëlqyeshëm ndeshjet paraeliminatore të Championsit". Një sekondë pushim para se të flitet për Interin. "Mançini ia bëri vetë gropën vetes pas ndeshjes me Liverpulin. Aty mu kujtua edhe si sportist. Një lojtar i jashtëzakonshëm por me një limit, ose të paktën kështu thotë historia e tij. Në sfidat e vërteta dhe me rëndësi të madhe kishte gjithmonë vështirësi". Ndonjë kujtim i hidhur? "Më tepër mendime që të kthehen ndonjëherë në kokë. Gjuajta jashtë në ndeshjen me Francën në Botërorin e 98-ës, për shembull. Në atë rast, Bartez rrëshqiti ndërsa unë e kuptova me vonesë, kur e kisha përgatitur në mendjen time gjuajtjen. Nëse do të kisha qenë më i shpejtë, me siguri që do të kisha shënuar dhe nuk do të na kishte ndaluar më askush".

Kampioni

"Miqtë, familja, udhëtimet, gjuetia, mbushin ditët e mia. Nuk kam kohë të mërzitem edhe pse pak mërzitje ndonjëherë duhet". Ndonjë kujtim i hidhur? Gjuajta jashtë ndaj Francës në Botërorin e ‘98 në Francë"

Historia dhe rekordet

Roberto Baggio - Italia
Roberto Baxho lindi në Caldogno, më 18 shkurt të vitit 1967. Që në moshën 15-vjeçare nisi të luajë me "Lanerossi Vicenza". Debutimi i tij në Serinë C1, në vitet ‘83 dhe ‘84-‘85 e udhëhoqi skuadrën drejt Serisë B. Në Serinë A, debutoi me Fiorentinën, më 21 shtator të 1986-ës kundër Napolit të Maradonës. Në Serinë A do të luante edhe me skuadrën e Juventusit, Milanit, Bolonjës, Interit dhe Breshias. Me Juventusin ka fituar Kupën Uefa, në vitet ‘92-‘93, një Kampionat Italian dhe një Kupë Italie (‘94-95). Me Milanin ka fituar Kampionatin Italian në sezonin ‘95-‘96. Ka marrë çmimin "Bravo" në vitin 1990, "Topin e artë" dhe "Fifa World Player" më 1993-shin si dhe çmimin e lojtarit më të mirë të Serisë A në vitin 2001. Ka luajtur ndeshjen e fundit të karrierës në San Siro, më 16 maj të 2004-ës në ndeshjen Milan-Breshia, që përfundoi me rezultatin 4-2. Me Kombëtaren ka luajtur tre Botërorë "Italia ‘90" (vendi i tretë), "Usa ‘94" (vendi i dytë ) dhe "Francë ‘98". Mban vendin e pestë ndër golashënuesit më të mirë në gjithë historinë e Serisë A, me 205 gola dhe të katërtin në Kombëtare me 27 gola, është i vetmi italian që ka shënuar në tre botërorë dhe me nëntë gola shënuesi më i mirë italian në Kampionatet Botërorë së bashku me Paolo Rossin

452 ndeshje të luajtura në Serinë A
56 ndeshje të luajtura me Kombëtaren Italiane
315 golat e shënuar në gjithë karrierën e tij në 694 ndeshje zyrtare të luajtura


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: