Florim Zeqa: Familja emblematike Jashari
| E Shtune, 18.03.2017, 09:18 AM |

Familja emblematike Jashari, mbi partitë politike!

Shkruan: Florim Zeqa

Ka kohë që jam duke u munduar të analizoj vizitën e krerëve të Lëvizjes "Vetëvendosje" në Familjen Jashari me rastin e Epopesë së UÇK-së, si dhe mundësinë e përafrimit të kësaj partie me Familjen emblematike në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe atyre të rregullta komunale në vjeshtën e këtij viti! Të vërteta apo spekulime, lajmet e disa portaleve, që paralajmëruan kandidimin e Murat Jasharit, djalin e Rifat Jasharit për kreun e Skenderajt, si kandidat i VV-së, vetvetiu shtron pyetjen hipotetike, vallë a mos po dëshirojnë edhe një grup tjetër i politikanëve të dyshimtë të vijnë në majat e pushtetit përmes Familjes Jashari, ashtu siç u ngritën pas lufte kjo klasë e shëmtuar kusarësh politikë.

Familja Jashari, simbol i qëndresës dhe rezistencës kombëtare përballë makinerisë vrastare të Milosheviqit, rast ky unikal në botë për sakrificën sublime për liri dhe të drejta kombëtare, e respektuar dhe nderuar anekënd trojeve etnike edhe falë paanshmërisë partiake që ka mbajtur përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe paspavarë- sisë. Andaj, Familja emblematike Jashari e tillë duhet të mbetet edhe tani e tutje, simbol i unitetit kombëtar dhe sinonim i brezave për dashurinë ndaj atdheut, e jo të bëhet levë e asnjë subjekti politik.

Këtyre viteve të paspavarësisë, identifikimi i një pjese të lidershipit të korruptuar shtetëror dhe partiak me Familjen Jashari dhe komandantin legjendar Adem Jashari, ishte bërë irritues dhe i papëlqyer nga shumica e popullatës shqiptare, deri në veprimin e para disa viteve të Familjes Jashari, e cila vuri "vijat e kuqe" për disa liderë të korruptuar dhe të shantazhuar partiakë. Veprim ky, sa i mençur po aq edhe pragmatik i kësaj Familjeje, i cili fillon ndarjen e parë të "shapit nga sheqeri" në Kosovën e uzurpuar nga kusarët politikë, që rropën e çrropën gjithç- ka nga pasuria shtetërore dhe publike në vendin tonë.

VV-ja në fillimet e saj, përkundër parimeve të shëndosha kombëtare, veprimet në terren dhe përmbajtja e saj strukturore kanë ndryshuar dukshëm. Bashkëngjitja kësaj lëvizjeje të elementëve të dyshimtë, si të "pakënaqur" me partitë e tjera, e vë në dyshim të ardhmen e këtij subjekti politik.

E quajta subjekt politik, ngase me hyrjen e saj në Parlamentin e Kosovës e ka humbur primatin e të qenit lëvizje popullore. Me hyrjen e VV-së në Parlament, ndodhin edhe shkeljet e para parimore të saj. Sjellja tepër e papërgjegjshme dhe e pamoralshme e liderëve të VV-së, me kritere të dyfishta ndaj shtetit dhe qytetarëve, është pak më tepër se skandaloze. Kur u bie mirë, të marrin paga të larta nga shteti, e pranojnë, të bëjnë vizita jashtë vendit në emër të shtetit, e pranojnë, të fitojnë tenderë qindra milionësh nga buxheti i shtetit, e pranojnë,....ndërsa kur është në pyetje konsumi i politikës ditore, e refuzojnë shtetin, i injorojnë simbolet shtetërore dhe Kushtetutën e vendit.

Çështja tjetër paradoksale brenda këtij subjekti politik, që veten e quan organizatë e jo parti politike, është se disa figura të dyshimta të saj, paraprakisht kanë kalëruar nëpër partitë e tjera politike, ndërsa shkaku i humbjes privilegjeve në partitë paraprake iu bashkëngjitën "Vetëvendosjes", me shpresën që nesër të jenë më afër pushtetit që e pretendojnë liderët e këtij subjekti politik.

Lëvizja "Vetëvendosje" e sheh si shpresë të vetme për thyerjen e PDK-së në bastionin e saj në Skenderaj me kandidaturën e Murat Jasharit për kryetar të Komunës, duke qenë të sigurt që kandidatura e Murat Jasharit e dëmton shumë PDK-në në Skenderaj dhe mund t'ia japë teposhtën këtij subjekt politik. Pavarësisht dëshirave dhe ambicieve të ndonjë subjekti politik, në rastin konkret të VV-së, Familja Jashari duhet të tregohet e kujdesshme në mosrënien në kurthet dhe prapaskenat e partive politike. Mundësia e përfshirjes në politikë e Murat Jasharit është e madhe, madje do të thosha është e pakufishme. Mirëpo, kjo përfshirje duhet të jetë e pavarur nga të gjitha subjektet, e në veçanti ndaj atyre që katandisen vendin për këto 18 vite rresht.

Pse të mos kandidojë Murat Jashari në zgjedhjet e ardhshme komunale për kryetar të Skenderajt si kandidat i pavarur, ku lehtësisht do të dilte fitimtar edhe para këtyre subjekteve politike të korruptuara, apo të kandidojë patjetër nesër si kandidat i pavarur për deputet në Parlamentin e Kosovës.

Të qenit në "partinë" e popullit është nderi dhe respekti më i madh, përfaqësimi i zërit të popullit në Parlament është privilegji më i madh për një veprimtar të çështjes kombëtare, në këtë rast Familjes emblematike Jashari, krenarisë së gjithë shqiptarëve.

Thellësisht jam i bindur se prezenca e zotit Murat R. Jashari në Parlamentin e Kosovës si deputet i pavarur, përveçse zë i fuqishëm i popullit, do të ishte edhe zë i ndërgjegjes së pastër kombëtare.

Futja brenda konjukturave partiake për një veprimtar të devotshëm, është e barabartë me futjen brenda grilave, ku të tjerët të mbajnë peng dhe servojnë "ushqime të gatshme" sipas orekseve të tyre, pa të pyetur ndonjëherë për shijen e gjellëve, shpeshherë të prishura!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: