Portiere te medhenje ne penen e mencur te Ismet Belloves
| E Shtune, 30.08.2008, 11:41 AM |

“PORTIERE TE MEDHENJ” NE PENEN E MENÇUR TE ISMET BELLOVES

Nderimi për sportistët e shquar është fenomen karakteristik i ç`do vendi dhe i ç`do kohe

Nga Shpendi TOPOLLAJ

Një nga mjeshtrit më të shquar të mikrofonit futbollistik, zëri më autoritar dhe hipnotizues që ka dalë ndonjëherë pas Anton Mazrekut të pavdekshëm, ai që për vite e vite me radhë, me freskinë dhe elokuencën e transmetimeve, ka pushtuar dhe ka çuar peshë zemrat e qindra e mijra njerëzve në të katër anët e Atdheut, Levitani ynë i paqes, Ismet Bellova, që më shumë se “Mësues i Popullit” do t`i shkonte titulli “Miku i Popullit”, kohë më parë, ka shkruar po aq mjeshtërisht, një libër të mrekullueshëm, kushtuar tigrave të portës, atyre që më shumë se cilido lojtar i fushës së blertë, e kthejnë atë në një arenë të vërtetë cirku.

Nderimi për sportistët e shquar është fenomen karakteristik i ç`do vendi dhe i ç`do kohe. Në të gjitha lojrat që organizoheshin në lashtësi, e sidomos në ato Olimpiket që zhvilloheshin në luginën e lumit Alfe, të themeluara para 2284 vitesh nga Pelopi, pas fitores së tij mbi mbretin e Pizës, Enomain, jo vetëm që ato ktheheshin në një festë të vërtetë e kudo pezulloheshin të gjitha luftimet, por dhe arrinin kulmin e tyre ditën e pestë, pra kur shpalleshin fituesit të cilët merrnin një kurorë me degë ulliri e më pas, pasi u ngrihej një statujë, u jepej e drejta e të ushqyerit nga pritania, pra këshilli i qytetit, etj. deri sa privilegje gëzonin dhe fëmijët e tyre.

Këtë traditë kemi ruajtur, sipas mundësive tona edhe ne shqiptarët, gjë që vihet re në të gjitha qytetet tona, ku kampionët dhe rekordmenët e mëdhenj, janë pa diskutim, nga njerëzit më të dashur dhe më të respektuar për këdo.

Por risia që sjell në këtë drejtim, profesori ynë i shtrenjtë i shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, Ismet Bellova, është se ai, si askush tjetër, ka ditur t`i gdhendë e t`i përjetësojë ata me një daltë dashurie e mirësie, jo vetëm sportive, por dhe njerëzore të pashoqe, dashuri e mirësi tipike e këtij burri zemërmadh dhe figurë gjigande e sportit dhe gazetarisë tonë.

Që prej dyzet e tetë vjetësh, e ruaj në kujtesë, të mirin dhe të thjeshtin, profesor Bellova, me një biçikletë të vjetër përdore. Them përdore, pasi atë e ndalojnë dhe e përgëzojnë aq shumë miq e shokë, të njohur e të panjohur, sa as që ia vlen të udhëtojë rrugëve të Tiranës i hipur në të. Këtë ngrohtësi e afinitet, ai e gjen kudo, por unë do të theksoja Durrësin ku unë jetoj, të cilin ai me të drejtë e quan qytet plot tradita të lashta kulturore, artistike e sportive, ku siç shprehet në epilogun e librit “Portierë të mëdhenj”, sheh përherë fytyra të njohura e të qeshura, emra të nderuar e të respektuar. Për koinçidencë duhet thënë se nga rrethi i Durrësit dhe shkolla ushtarake “Skënderbej” kanë dalë portierët më të spikatur, si Niko Dovana, Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Shefqet Topi, Milorad Jeremiq, Dhimitër Qoshja, Teli Ciko, Vladimir Ajazi, Agim Maliqati, Xhovalin Kapllani, Mikel Janku, Bashkim Muhedini, Perlat Musta, Artur Lekbello etj. shumica e të cilëve për vite të tëra, kanë mbajtur të veshur plot dinjitet, fanellën me Nr. 1 të Kombëtares sonë.

Duke folur për vlerat

Duke folur për vlerat e këtij libri, pa e fshehur entuziazmin që e përloti, ish portieri e trajnieri i famshëm italian Dino Xof, në përshëndetjen me të cilën çelet libri, thotë: “mendoj se ka vlerë të posaçme përcjellja e fuqishme e idesë për t`i kushtuar libër rolit të portierit, një rol që, i interpretuar me nivel të lartë, kërkon gjithnjë sakrifica të veçanta, një përkushtim të vazhdueshëm, një përgatitje speciale atletike, pakëz sfidë, dhe tepër pasion”. Dhe jo vetëm kaq; se njëkohësisht ata kanë një botë të pafund shpirtërore, e cila siç shprehet vetë autori i këtij libri “Eshtë me të vërtetë një botë më vete: e pastër, e çiltër, e pasur si minierë dhe e bardhë si borë”.

Mendimi i dashamirësit të futbollit Bajram Haxhiu, për t`i kushtuar një libër Perlat Mustës, bëri që tek prof. Bellova, të “arrinin” menjëherë Marjani, Dovana, Gurashi, Tahiri, Bonati, Maliqati, Janku, Kaçi, Dinella, Ndoja, Lekbello, Strakosha e mjaft të tjerë, yje të portës këta që meritojnë secili nga një libër më vehte. Në këto rrethana, Bellova, mori përsipër ta shkruante këtë libër, por duke përfshirë në të njëjtin plan edhe Qemal Voglin, gjë e cila u pranua me kënaqësi nga sponsorizuesi dhe botuesi, por ai që e ka lexuar këtë libër retrospektiv, ka parë se ata nuk mund të veçohen nga portierët e tjerë, si shqiptarë, ashtu dhe të huaj, për të mos thënë se ata janë vazhdim logjik i tërë ecurisë së këtij sporti, madje i lidhur ngushtë dhe me sportet e tjera. Eshtë për këtë që lexuesi çmallet me shumë emra nga “Kalatë e fundit”, si Mazurkieviç, Zhilmar, Karizo, Majer, Planiçka, Zamora, Grosiç, Remeter, Zeman, Svenson, Najdenov, Benks, Shilton, Shumaker, Xof etj. etj. deri tek Lev Jashini, i cilësuar “portieri më i mirë” i vendit të vet dhe i botës për të gjithë kohërat, i cili “Për stil, intuitë, për aftësinë e kapacitetin e vendosjes ndërmjet dy shtyllave, për gjigandizmin e tij në portë si dhe për një sërë cilësish madhështore të njeriut të thjeshtë e modest, ka mbetur e do të nderohet si një legjendë e papërsëritëshme, ndoshta për shekuj me radhë”.

Emrat e mëdhenj

Emrat e mëdhenj të “katrorit magjik”, Ismet Bellova, nuk i përmend si dekor për librin e tij. Duke i skicuar ata, ai jo vetëm na fut në një botë emocionesh dhe përjetimesh të veçanta, por dhe i thërret si pikë referimi e krahasimi me portierët tanë. Kështu, ai kujton mbresat nga stërvitja e përbashkët në stadiumin e Moskës e Lev Jashinit dhe Qemal Voglit tonë. Ai përsërit fjalët e sinqerta të Jashinit për Qemalin, të cilat sot duken shumë të çmueshme dhe ta shtojnë krenarinë:

- E kam parë në Moskë Qemalin tuaj dhe jam mahnitur. Eshtë një portier madhështor, trim, i guximshëm, me krahë si të shqiponjës. Reagon në mënyrë të përsosur, ka reflekse jashtëzakonisht të zhvilluara, është shumë energjik dhe ka një temperament të çuditshëm. Rrallë herë kem parë kësi talenti.

Dhe pastaj fjalën e pati përsëritur duke cituar edhe një herë me gjithë shpirt:

- Da, da,...orël!.. (Po, po, ...shqiponjë!...)

Dhe zemra e madhe e Bellovës, ligështohet: “Mirëpo nuk e dinte Jashini i shkretë se çfarë e kishte gjetur dhe si e kishte pësuar shqiponja e tij”.

Dhe zemra fisnike e Bellovës, ndjen keqardhje: “Në atë atmosferë aq të hareshme e gazmore, askujt nuk mund t`i shkonte ndërmend se ky do të ishte “takimi i lamtumirës” midis nesh. Më vonë ai do të kishte një varg hallesh e problemesh me shëndetin, gjendja e tij do të vinte duke u përkeqësuar dhe se, më në fund, ai do të ndahej nga jeta përgjithmonë. Askush nuk mund ta pranonte që ai lis i madh të gjunjëzohej, pale më të shtrihej përdhe. Morëpo, ja, që ligjet e natyrës bëjnë të vetën dhe mposhtin dhe malet”.

Dhe zemra e ndjeshme e Bellovës revoltohet: “(Qemalit) “Lajmi i vdekjes i ka rënë si bombë dhe e ka tronditur shumë, aq sa ka qarë me dënesë si fëmijë.

Disa kohë më vonë i ka vajtur mendja që të shkonte në Moskë, të ngushëllonte familjen e Jashinit dhe të bënte vizitë tek varri, duke vendosur atje një buqetë me lule të freskëta, për t`i shprehur kështu nderimet e mëdha dhe mirënjohjen e thellë portierit legjendar, më gjigandit të gjigandëve të botës.

Por burokratët e sportit... jo vetëm që nuk e kanë mbështetur e ndihmuar, por përkundrazi kanë bërë çmos, në mënyrë që Qemali të mos e realizonte dëshirën e tij... Sa keq!”

Dhe kjo keqardhje merr të tjera përmasa, tani që edhe “mali” ynë Qemal Vogli nuk rron më.

Ka qënë fat për futbollin tonë që të ketë patur një komentator, analist e propagandist të flaktë e vital si Ismet Bellova, i cili me një memorje fenomenale ka arritur përmasat e një enciklopedisti të vërtetë (shihni librin e tij kushtuar intelektualëve të Dibrës së Madhe dhe do të bindeni për këtë) dhe që së bashku me Anton Mazrekun mund të krahasohen me Sandro Çotin e Enriko Amerin e futbollit italian. Por ka qënë po kaq fat gjithashtu edhe për ndjekësit e shumtë të këtij sporti që qëndron në krye të të gjithë sporteve të tjera që kanë përjetuar nga pasioni dhe erudicioni i Bellovës, momente të papërsëritëshme kënaqësie. Prandaj, askush nuk ka përse të habitet, kur të shohë në këtë libër kushtuar portierëve të këtij sporti kolektiv, emrat e ndritur të sulmuesve, mesfushorëve, a mbrojtësve të famshëm që nga Llushta, Biçaku, Boroçi, Resmja, Manushi, Jareci, Frashëri, Pano, Bizi, Haxhiu, Jashari, Demollari, Ballgjini etj. etj. të cilët me mënçurinë e tyre taktike dhe me elementë të përsosur të teknikës si driblimet, fintat alla braziliane, zhonglimet e veprime të tjera të ekzekutuara me virtuozitet, i kanë dhënë lojës një bukuri të tillë, sa futbolldashësit kanë dalë nga stadiumet të qeshur e të gëzuar, shend e verë. Po ashtu askush nuk ka përse të habitet që autori i librit del nga kornizat e shifrave të ftohta dhe u jep jetë atyre, u jep shpirt, duke mos kursyer aftësitë e veta letrare. Si të tillë, duke përshkruar me ngjyra të gjalla e plot optimizëm, rrugën e futbollit tonë në përgjithësi dhe në veçanti atë të portierëve, të cilët që nga emrat e hershëm krijuan shkollën e portierëve shqiptarë, duke bërë që të lulëzojë si institut më vete roli i portierit, i quan ata me të drejtë “Poema e bukur e fushës së blertë”.

Mbrapa librit

Mbrapa librit, poshtë fotos ekspresive të Ismet Bellovës, një dorë për ne e pa njohur, ka shkruar një të vërtetë shumë të madhe; “Lexuesit e brezave të ndryshëm e njohin mirë Ismet Bellovën, këtë urë pasionante që ka ditur e di të lidhë kaq bukur brigjet e sportit me brigjet e shpirtrave njerëzorë”.

E kujt nuk do t`i ngjallen kujtime të këndëshme, kur të lexojë se N. Dovana, emrin e të cilit mban sot qyteti i Durrësit, ky sportist i shkëlqyer, shtatlartë, teknik e mjaft elegant që “vinte nga Italia enkas për ndeshje e ikte përsëri, për t`u rikthyer në ndeshjet pasardhëse... pritej me entuziazëm dhe sidomos kur fitonte skuadra e “Teutës”, në fushë dëgjoheshin brohoritje:

Nik` Dovana me fustana

Fitoi Durr`si, humbi Tirana!...

Dhe sa miqësor e vëllazëror tregohet Bellova, kur shton:

“Ndërsa, kur fitonte Tirana, ndodhte ndryshe. Atëhere tifozët e saj të zjarrtë, të gëzuar e të kënaqur, brohorisnin:

Nik` Dovana me fustana

Humbi Durr`si, fitoi Tirana!...

Në poemën e fushës së blertë, çdo portier ka strof(k)ën e vet.Po përsëris vetëm dy të tilla:

Sulejman Maliqati: Një emër shumë i njohur për shumë vite. Titullar i “Partizanit”, disa herë kampion. Por dhe i Kombëtares... është konsideruar e vlerësuar si një nga portierët më të shquar. Elastik si rrallë kush, i mprehtë e gjakftohtë, i matur e i pjekur në ndërhyrjet dhe daljet nga porta. Mbi gjithçka: humori i itj karakteristik, që gjallëronte tërë skuadrën dhe ngrinte lart moralin e saj. Me shakatë e tij kaloheshin edhe çaste të vështira e të mbushura me emocione të mëdha”.

Mikel Janku:

“...ishte nxënësi im në shkollën “Skënderbej”. Luante futboll...volejboll e basketboll. Njëherë e ngjitëm dhe në ring e doli kampion ushtarak. Ishte i gjithanshëm. Në mësime mëse i shkëlqyer... Menjëherë “pushtoi” portën e “Partizanit’ dhe fill pas kësaj zuri vend edhe në Kombëtare... duke u shquar për një tok cilësish të larta morale e fizike si trimëria, guximi, vendosmëria, zgjuarsia, mënçuria, kultura, përgatitja e gjithanëshme fizike, elasticiteti, shkathtësia, refleksibiliteti, etj. Por mbi të gjitha, puna këmbëngulëse dhe plot vullnet”...

Në libër parakalojnë shumë e shumë nga këta zotër të “arenës së luftimeve të ashpra sportive, vullkan emocionesh të mëdha, një nga burimet dhe dashuritë më të zjarrta të lojës magjepsëse”, por autori siç e thamë pak më sipër, u ka dhënë shumë më tepër hapësirë, dy emrave nga më të shquarit e portës tonë, sipërfaqen e së cilës prej 17.861 centimetra katrorë Bellova e quan “epiqendra e ndeshjes”. Dhe ata janë Qemal Vogli “portieri i madh i një vendi të vogël”dhe Perlat Musta “një shembull i shkëlqyer për të gjithë brezat, një burim frymëzimi dhe objekt rrezatimi.”

Për Q. Voglin, Ismet Bellova shkruan se “...çdo gjë që do të shkruhet për të, çfarëdo epiteti që do t`i vihet atij, çdo lloj fjale e mirë e lëvdatat që mund të bëhen në adresë të emrit të tij, do të ishin plotësisht të meritueshme e mbase nuk do të mjaftonin”.

Tek asnjë sportist tjetër shqiptar, lavdia dhe misteri, nuk kanë qënë kaq pranë, sesa tek Qemal Vogli. Asnjëherë një njeri i anatemuar si ky bir i lavdishëm i fidanishtes të futbollit tonë, Kavajës, nuk ka qenë kaq i dashur për të gjithë njerëzit edhe pse ylli i shndritshëm i tij, u shua shumë shpejt, duke u burgosur dhe persekutuar pambarimisht dhe duke i a mbyllur në hekura jo vetëm zemrën e tij të pastër, rininë dhe vitet më të bukura të jetës, por edhe një talent të rrallë. Duke zëvendësuar italianin Pozeli, idhullin e tij, që mbylli sytë pak kohë më parë pa e harruar asnjëherë Shqipërinë, pra duke mbrojtur portën e ekipit Kombëtar qysh në moshë shtatëmbëdhjetë vjeçare, Qemali shënon një rast unikal për t`u rregjistruar në analet e historisë botërore të futbollit. E ky Vogël - “i tillë në moshë e në mbiemër, por i madh në trup e në portë”, shfaqet në skenë në mënyrë të bujshme, aq sa kur del nga porta, ngjet me atë tigrin e zi që shpërthen nga kafazi dhe mjerë kush i del përpara.

Rruga sportive e Qemal Voglit ka kaluar përmes vështirësish e pengesash jo të vogla. Saldator në Kantjerin Detar, atij i takonte të stërvitej pas punës së rëndë e të lodhshme, por që kaloheshin, siç thotë vetë se “vullneti ynë ishte i admirueshëm, ku sakrificat as që mund të imagjinohen”. Kombëtarja jonë matet me sukses në ato vite në arenën ndërkombëtare, por të mos harrojmë se Qemal Voglit me shokë, u mungonin gjërat më elementare, qysh nga ushqimi, baza materiale, mjediset sportive etj. Por siç pohon vetë Qemali: “Në skuadër kishim harmoni, por dhe një disiplinë të fortë e çka është më e rëndësishme, mjaft të ndërgjegjëshme”. E përpjeta e çoi Qemalin tek “Dinamo” dhe përfundimisht tek Kombëtarja, ku bien në sy, mjaft rezultete të larta në takimet që vetëm Ismet Bellova, di t`i riprodhojë me aq besnikëri dhe ku falë punës shembullore në stërvitje, Qemali tregohet madhështor edhe në humbje.

Peripecitë

Bellova, duke ruajtur kërkesat e natyrës së këtij libri, përshkruan dhe të tatëpjetën e këtij heroi të futbollit tonë. Na duket se po lexojmë një roman policor, kur ai nis e përshkruan peripecitë e tij, pas 29 gushtit të vitit 1956, pra, plot 52 vjet më parë, kur pas fitores së bujshme kundër “Dinamos” së Berlinit, që u gjykua me aq kompetencë nga çekosllovaku Jarosllav Velçek në prani të 50.000 spektatorëve, i quajturi “Postblloku shqiptar” u arratis.

Nuk mund të le pa përmendur atë që thekson për këtë njeri, prof. Bellova “Se me atë gjak të ëmbël që kishte, Qemalin e bëje shok e mik brenda pak kohësh”. Dhe për këtë cilësi të mrekullueshme të tijën, nuk mund të mos përmend atë që më tha shoku u tij i asaj kohe, Artisti i Merituar Qemal Kërtusha që e ka patur Voglin ndihmësin e tij në Kantjer, se futbollisti i njohur Alush Merhori e kishte paracaktuar si një profet, se Qemal Vogli do të bëhej hero i portës shqiptare. Dhe tani vonë është po ky përfaqsues i denjë i njërës prej familjeve më të nderuara e më të mëdha të Kavajës që konkludon: “Natyrisht, klasi i tij i lartë nuk zbriti nga qielli, por u arrit me një punë titanike dhe me një stërvitje të jashtëzakonshme”.

Përherë i mbetemi mirënjohës njeriut dhe portierit vigan, Qemal Vogli, i cili me përkushtimin e tij të rrallë, bashkoi në një të vetme, lavdinë dhe misterin.

Portierët e mëvonshëm, e patën më të lehtë ecjen e tyre përpara, se veç të tjerash, kishin se kujt t`i referoheshin. Kështu, vlonjati Perlat Musta, vërtetë nuk u pranua në shkollën e futbollit, si i pa talentuar, ç`ka duhet t`i bëjë të skuqen “specialistët e mëdhenj” të saj, “por gjeti një shkollë tjetër, atë që Bellova e quan - të talenteve të panumërta: shkollën “Skënderbej”, këtë vatër sportive që e thithi në gjirin e saj dhe i çeli rrugën e madhe”. Atë dhe shokun e tij, portierin tjetër aq të talentuar, kolonjarin Artur Lekbello, i piketoi dhe i stërviti trajnieri i palodhur dhe mjaft intuitiv, modesti me vlera të jashtëzakonshme, Sherif Çiçiku, i cili ka mbetur në mendjen dhe zemrën e çdo skënderbegasi i nderuar dhe i dashur.

Duke u qëndruar pranë, Ismet Bellova sheh se: “Kështu ecnin dhe Turi me Perlatin e ne shikonim se si rriteshin para syve tanë këta djem të talentuar. Habiteshim me përparimn e madh që kishin bërë e bënin dhe shpesh na dukej e pabesueshme. Sidoqoftë ata marshonin drejt mjeshtërisë”.

Kur në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, u përfshi tek ekipi i “Partizanit”, Perlati pati thënë: “Fati e solli që unë të përfshihesha në formacion. Çështje gustoje. Jo se unë isha më i mirë se Turi”. Pavarësisht nga kjo, ai si tek “Partizani”, ashtu edhe tek Kombëtarja, siç thuhet në libër: “Luajti në kampionate e në kupa dhe shkëlqeu në të gjitha takimet, duke qënë përherë ndër më të dalluarit e në më të shumtën, figurë qendrore. Qe gjithnjë i përkryer dhe me një teknikë të përsosur, thuajse në tërë elementët e lojës së portierit. I shkëlqyer në kapjet e topit, i sigurt në zënien e pozicioneve, i matur e racional në daljet nga porta, i guximshëm në ndërhyrjet e në grushtimet në luftën në ajër, mjeshtër në pritjet spektakolare dhe në plonzhonet akrobatike, sidomos në ato anash e në shpinë, orientues i saktë i shokëve në mbrojtje dhe deri në mesfushë e më gjerë, dirigjent klasi i skuadrës së vet në tërë fushën e gjelbërt dhe madje i veçantë ndoshta midis përjashtimeve të rralla në karakteristikën e tij origjinale si penalltist i përpiktë”.

Një portier madhështor

Edhe në moshën tridhjetë e shtatë vjeçare Musta shpallej në ndeshjen me “Fenerbahçe” më i madhi në stadiumin e Izmirit.

Jup Dervali, e pat quajtur atë “Një portier madhështor”.

Një nga revistat më prestigjioze të futbollit në botë, “Franc Football” i kushtonte kopertinën emblematike portierit tonë të pamposhtur e të pakalueshëm, Perlat Musta.

Oshëtima e gëzueshme e lojrave të bukura të kohës së Mustës, ende kumbon në veshët tanë, ndaj është e tepërt të ndalem më tej në sukseset e tij.

Për këtë shkrim, u mundova të numëroj emrat që autori I. Bellova, përmend në librin e tij. Qe thuajse e pamundur, pasi vetëm kur flet për modestinë e sportistëve, ai rreshton plot gjeshtëdhjetë e katër të tillë.

Ismet Bellova që ka shkruar këtë libër me të njëjtën lirshmëri, si të ishte duke transmetuar një ndeshje të vetme, bile duke përdorur me shumë efikasitet të njëjtin fjalor, të njejin zell dhe të njëjtat metafora, ka vënë në rreth 250 faqe, shpirtin e tij human, shpirt i cili gjer para se të shkruhej ky libër, paska qënë çuditërisht shumë i fortë, për të duruar e përballuar aq shumë ngarkesë emocionale që buron nga një dashuri e pashoqe për futbollin dhe protagonistët e tij. Veç s`duhet harruar se ai sojin simpatik të portierëve nuk e diferencon; ai për të gjithë thotë: “Do të ishte një detyrim i madh për të gjithë shoqërinë futbollistike të mbarë botës për të kujtuar e nderuar vazhdimisht e gjatë gjithë jetës portierët e shquar, që nuk jetojnë më, por që kanë lënë emrin e tyre të bukur dhe kontributin e çmuar në historinë e vendit të vet dhe të gjithë futbollit... po kështu... propagandimi e popullarizimi i figurave të ndritura të portës do të përbënte një objekt të rëndësishëm dhe interesant... të mbarë shoqërisë futbollistike”.

Përmenda deri tani, atë çka profesor Bellova ka shkruar aq bukur në librin e tij, por desha të ve në dukje se po aq me interes është edhe ajo që aty nuk është thënë dhe që dua të besoj se secili do ta formulonte kështu: “Shihni se ç`mund të bëjë njeriu për lavdinë e vendit të tij, kur mbi gjithçka ve dashurinë për Atdhe”.

E më tej: “Zotërinj politikanë! Hidhni një vështrim nga miqësia e pastër, e patundur, njerëzore e sportistëve tanë ndër vite dhe mësoni prej tyre sesi mund të luani, të ndesheni, të fitoni ose të humbisni, duke bërë pjesë në ekipe të ndryshme dhe jo vetëm që do të korrni njëlloj duartrokitje e mirënjohje, por dhe do të mbeteni përjetësisht vëllezër të një gjaku”.

Vetë Ismet Bellova i njohur veçanërisht si komentator i zjarrtë, e kryen këtë detyrë fisnike jo vetëm si njeri me vlera të spikatura, kur fatkeqsisht nga shumë njerëz ato po harrohen, por në radhë të parë si një shqiptar i madh, para veprës dhe jetës së ndershme të të cilit, jo vetëm ne nxënësit e tij, duhet të ndjehemi krenarë.


G. Ndryshe

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: