Kosta Nake: Luan Kalana - Prelud Krenarie
| E Diel, 12.03.2017, 11:11 AM |

SHQIPERIA -PRELUD  I EUROPES..

nga shkrimtari Luan Kalana

PASTHËNIE e Librit

"PRELUD  KRENARIE-mozaik letrar"

Nga Kosta Nake

Çerekshekullin e fundit mund ta përkufizojmë si përmbushja e ëndrrës amerikane të shqiptarëve. Pasi kishin ndërprerë kapërcimin e Atlantikut për më shumë se gjysmë shekulli, ndryshimi i sistemit politik u bëri të mundur atyre që t’i kthehen rrugës së largët, që fatmirësisht ishte shkurtuar për shkak të braktisjes së vaporëve dhe zgjedhjes së avionëve. U rizbuluan lidhjet e vjetra dhe u gjetën të reja me aplikimin në llotarinë amerikane. Si në gjithçka tjetër, edhe këtu nuk kemi të dhëna të sakta dhe të përditësuara se sa shqiptarë ishin në SHBA para vitit 1990 dhe sa është numri i atyre që kanë hyrë këtë çerekshekulli legalisht dhe ilegalisht. Gjithsesi, shifrat janë të pabesueshme, kur dëgjon se ka më shumë sinicarë në Boston se në Sinicë, se gjysma e vishocicarëve tani janë në Waterburg, etj.

Emigrimi i ri është përcjellë me ndryshime të shumta dhe thelbësore në krahasim me atë të viteve ’30 të shekullit të kaluar:

Së pari, u zhvlerësua ajo shprehja e dikurshme: Ha – merr – ikë, dollarët nuk mblidhen më me lopatë dhe ata që kthehen përkohësisht në Shqipëri, nuk sjellin sëndukë me plaçka.

Së dyti, emigrimi është familjar dhe me një kahe pa kthim. Formalisht, nuk e tërheqin gjendjen civile nga atdheu, por realisht, nuk i ushtrojnë të drejtat dhe detyrat që burojnë nga mbajtja e shtetësisë shqiptare.

Së treti, në valle u futën edhe shqiptarët e brezit të tretë që Amerika nuk i “ngroh” më, inkuadrimi i tyre në jetën amerikane është në masë i pamundur. Ata rrinë si mbi gjemba për hir të fëmijëve që i kanë tërhequr atje ose për të bërë sakrificat e fundit që të mbledhin në Amerikë fëmijët e tjerë që nuk kanë alternativë tjetër për t’u zbritur në tokën e lirisë.

Amerika ishte një zgjidhje fatlume për mësuesin Luan Kalana që mbërriti atje me një shëndet të rrënuar, falë saj ai mundi të rifillojë një jetë tjetër dhe, duke patur një kulturë të mjaftueshme dhe një vullnet të çeliktë, sfidoi edhe sëmundjen edhe barrierat e gjuhës. Por, kur gjysmën e jetës e ke kaluar në Shqipëri, “vargonjtë” e vendlindjes të bëjnë “skllav” përjetësisht. Pasi ka përmbushur ëndrrën amerikane, studjuesi Luan Kalana i ka kthyer sytë dhe mendjen nga Shqipëria dhe zbulon se paska marrë me vete një hambar mbresash që jo vetëm nuk mund të fshihen, po mezi presin të shkarkohen për t’ua lënë vendin atyre që janë përftuar nga atdheu i ri.

Me botimin e librit "Prelud krenarie - mozaik letrar" shkronjësi modest Luan Kalana mbyll ciklin trilogjik të veprës me subjekt gjurmët e trashëgimisë dhe me mesazhin jetësor të mallin për Atdheun në kërkim të së ardhmes. Ky botim është një epilog përmbledhës, apo si e quan vetë autori - mozaik letrar, fryt i pasionit të tij publicistik, dëshmi e përpjekjeve për përsosjen e mjeshtërisë letrare, trase e ngritur mbi përvojën e gjatë si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë, mishërim i një kujtese për t’u admiruar.

Të tre librat, organizuar mbi retrospektivën dhe ushqyer nga hapësira mes dy kontineteve, Europës dhe Amerikës, e fokusuar te Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, ndërlidhin brezat në tre shekuj dhe na përcjellin mesazhin filozofik se pema e kombit shqiptar do të rrojë në shekuj, ajo ushqehet me rrënjë të thella gjaku dhe nga një traditë e shëndoshë e familjes shqiptare.

Vepra  zbulon hobin e tij të kahershëm - studimet gjuhësore - i bindur se gjuha shqipe është gjuha nënë e njerëzimt, ajo do të lartësohet dhe do të rrojë sa vetë bota, ajo mbijetoi në kushtet kur edhe gjuhë të mëdha mbyllën sytë, sepse ajo i përket një populli vital që ka në epiqendër atdhetarinë, idealin e shenjtë të shqiptarizmit, një prelud krenarie që i ka dhënë librit emrin e vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: