Qazim Shehu: Vështrim etnomuzikor i thelluar
| E Diel, 12.03.2017, 11:16 AM |

NJË VËSHTRIM ETNOMUZIKOR I THELLUAR DHE PËRFSHIRËS

Lidhur me librin: ”Mati-një vështrim etnomuzikor “të Esat Rukës

Nga Qazim D.  Shehu

Libri i Esat Rukës (injohur si kantautor i suksesshëm ) na befason me gjurmët dhe gjurmimet që ai ndjek lidhur me traditën folklorike të rrethit të Matit, kësaj pjese të rëndësishme të Gegnisë Qendrore, njohur për histori e tradita të vlerta,  të cilat kulmojnë dhe sendërtohen që nga lashtësia dhe gjer më sot,  duke ndjekur një vijë të pashkëputur zhvillimi dhe që,  vërtet , meritojnë të studiohen dhe të nxirren në dritë, në mënyrë që këto tradita të pasurohen më tej, të njihen dhe të sillen vijimësisht në kujtesë. Besoj kësaj ideje i është përmbajtur edhe autori Ruka, kur e ka shkruar këtë libër. Esat Ruka është një profesionist i vërtetë dhe,  mbi të gjitha,  një kurajoz me dinjitet, sepse kjo është një ndërmarrje e vështirë, kërkon njohje,  punë, përkushtim, selektim dhe saktësi. Po ai ka ditur t`ia ndalë mbanë kësaj dhe,  siç do ta shohim , ka arritur të shkruajë një libër që mund ta përmblidhnim në termin:”Një enciklopedi muzikore të rrethit të Matit”. Në një vështrim të parë të bie në sy dhe të impresionon fakti se autori librin e tij e mbush,  madje e “tejngop” me emra artistësh dhe virtuozësh popullorë, për të treguar se arti etnomuzikor në këtë trevë nuk ka qenë “pronë “e dy tre njerëzve, po ai është zhvilluar si një kuturisje dhe trill shpirtëror i një populli të tërë, i cili edhe pse shpesh në kufijtë e mbijetesës ka ditur të ruajë të gjallë magjinë e fjalës dhe të tingullit, ka ditur që artin ta ruajë të pastër,  vijimësisht të bukur dhe prezentabël në një origjinalite që shumëfishohet  kohërave prej brezit në brez. Duke qenë se Esati ka punuar në institucione të rëndësishme të kulturës në Mat, rasti dhe fati e ka sjellë që,  krahas kontaktit njerëzor,  të ketë pasur edhe kontakt artistik me dhjetra artistë të fyellit çiftelisë, sharkisë, laurisë, me dhjetra poetë e rapsodë popullorë, herë duke i drejtuar ata e herë duke mësuar prej tyre, siç ndodh me artistët e vërtetë, të cilët dinë të përthithin eksperiencat dhe t`i shkrijnë pastaj në një kontekst më të gjërë dhe impenjativ. Kështu,  këtë domethënie mesazhore ky libër ta jep edhe në reflektimin e një kënaqësie të posaçme të leximit dhe vetvetiu , krahas një vepre shkencore,  lexuesi ndjen  edhe një frymë poetike e cila e mbarështron gjithnjë librin drejt kualiteteve të mirësjellshme duke u bërë sa një libër tezash të sistemuara me kujdes,  sa divulgative aq edhe e ndërtuar me terma të thelluar që kërkojnë specialistin. Autori e njeh mirë lirikën popullore, llojet e këngëve të saj, që nga këngët e punës, këngët e dasmës , këngët e atdheut e të trimërisë, këngët e dashurisë,  kurbetit, këngë ritualistike dhe të mbushura me çaste të një përditshmërie prekëse. Ai i ka ndjekur këto këngë dhe në libër i ka pasqyruar si një profesionist me vlerën tyre autentike. Pikërisht kjo lirikë ka edhe bartësit e vet, krijuesit e teksteve dhe këngëtarët,  duke krijuar kështu shtratin e vet të  cilin e shohim sa të vjetër aq edhe të zgjeruar nga rrebeshet e kohërave dhe dallgëzimet e një jete të jetuar gjithnjë të lidhur me truallin arbëror. Është e vërtetë se  tipare të ndryshme të lirikës popullore gjejnë pikëtakime me zona të tjera të Gegnisë, po autrori na i le ato t`i gjykojmë vetë edhe pse nuk harron t`i sqarojë, qëllimi i tij është të na rrëfejë dhe të na paraqesë përmes argumentit të analizës dhe tendosjes së sintezës se çfarë është në të vërtetë kjo traditë e krijimit të poezisë popullore në Mat dhe si ajo ka marrë gjithnjë relievin e zgjerimit të kufijve nëpër kohëra. Kështu,  lexuesi  me imagjinatën e tij ndjek rrugën e zhvillimit të këngëve të uprive(argatëve);këngët e sofrës, këngët e humorit në lojra dhe festa popullore etj e dhe duke na dhënë në mënyrë të detajuar, në pak faqe mënyrën e këndimit të këtyre këngëve dhe njëkohësisht aspektin e tyre përmbajtësor dhe vlerat e jashtëzakonshme që ato kanë,  duke shumëfishuar rrugës hijeshinë dhe bukurinë e tyre. Autori i zbulon këngës krahas funksionit të saj estetik , argëtues,  edhe funksionin e saj shoqëror, pra kënga popullore dekretohej dhe krijonte fuqinë e saj në polifunksionaliteti n  e shumëfishuar duke e shtrirë pamjen e vet në plane të gjëra të jetës. Kjo, se e tillë ka qenë jeta, luftrat, përpjekjet, terreni dhe , mbi të gjitha,  kënga për shqiptarin gjithnjë është edhe mobilizim,  dhe na shpjegon rrethanat e qëndresës së tij morale dhe patriotike. Një kapitull të veçantë mjaft interesant në libër,  përbën ndarja ku trajtohet me kompetecë të argumentuar numri i veglave muzikore të përdorura në Mat, vegla të cilat edhe sot janë po ashtu autentike dhe sjellin freski e dinamizëm. Mati si krahinë(aty ku ishin Pirustët) shquhet për zejen e farkëtimit dhe të mjeshtërive të tjera. Autori sjell dëshmi nga kohërat ilite, po së shumti nga koha e Skënderbeut (tuba dhe korni). Këto vegla ai i paraqet që nga elementët e parë muzikorë((gjethja, cingla vrazulla, pallaska) e më tej, për të treguar mbështetur   në mendime edhe të studiuesve të tjerë,  se veglat muzikore kanë lindur së pari nga ritmi. Kështu,  gjejmë shpjegime mbi:Tingëzat, Stringlat, Lugët, Mashat, Këmborët, Briri, Gjethja e Arrës etj , etj. Shpjegimet vijojnë me veglat arerofone si :bilbili, fyelli, kavalli dhe autori duke i shjeguar këto vegla të  njohura me një përhapje të gjërë jep edhe përdorimin e tyre në Mat. Edhe këtu,  duke ndjekur procedeun e tij krijues dhe rrafshin e përgjithshëm kompozicional që trasohet nga ideja e përfshirjes së larmishme e shumë dimensionale , autori nuk harron të japë kohërat dhe emrat e atyre artistëve që u shuan dhe dhanë vlera që përmenden duke i luajtur me vrtuozitet  këto vegla muzikore të cilat dallojnë për bukurinë dhe botën impresive tingëllore që paraqesin. Në këtë hulli vijon ai edhe në përshkrimin e thukët e plot masë të veglave membranofone  e kordeofone, çiftelia, sharkia,  duke i përshkruar ato si traditë dhe veçori e Matit si një pjesë integrale e fortë e Gegnisë Qëndrore dhe Veriore , po e gjithë kombit shqiptar. Aspekti i përimtimit profesional vjen në trajtësën e formacioneve orkestrale,  duke na shpjeguar si krijoheshin ato dhe cila ishte shtrirja e tyre,  cilët mjeshtër apo familje kanë qenë të përmendura në Mat, si familja e Shahin Cenit, familja Kurti,  apo emra të shquar si:Dali Faslliu, Lit Haxhiu, Demë Luli etj , etj mjeshtër të valles, këngës dhe orkestracionit popullor ;ata e mbajtën dhe e kultivuan magjinë e muzikës popullore duke ia ruajtur me sukses ngjyrën dhe bukurtingëllimin kombëtar dhe krahinor njëherit. Në krijimet rapsodike,  autori  dhe i përmend hulumtueszhëm, dhe  ato janë:ato krijime muzikore të mrekullueshme që dëgjohen edhe sot me pathos e vëmendje dhe ngjallin emocione të fuqishme. Rapsodët,  këta individë të spikatur , ishin ata që zbukuronin dasmat apo rastet e tjera të jetës, njerëz të përmendur dhe me vlera të cilat,  të lindur për këtë lloj arti , shquheshin,  përmendeshin dhe krijonin emocione të befasishme. Krijiimi i instucioneve kulturore dha mundësinë që,  krahas eventeve me një rrezatim familjar apo fisnor, roli i këtyre bartësëve të folkorit të merrte konotacione të reja,  kur ata u ngjitën në skena përreth një publiku më të gjërë. Midis këtyre rapsodëve ia vlen të përmendet Qamil GjikaNezir Neli, Ymer Toçi, Avni Hoxha, Tom Gjergji, Abdyl Neli, Dedë Gjinaj, Vitore Gjeçi, Fran Menga, Gjin Ndue Cara.  Duhet thënë se autori jo vetëm që i përmend me respekt këta emra po ai u kushton paragrafë të tërë atyre duke spikatur veçoritë dhe individualitetin e secilit dhe duke shpërndarë prej secilit e për secilin vlerat e talentit që ata dispononin dhe kështu krijohet ajo aureolë e ndriçme e rapsodisë popullore në Mat që u manifestua në skena sa lokale , aq kombëtare,  madje më gjërë. Në këtë libër e ka parë aritn popullor si një art që u vu në vëmendje të institucioneve , që,  për hir të së vërtetës , në atë kohë pati profesipnistë të vërtetë që punuan me këngën popullore dhe një nga këta ishte vetë autori, Naim Gjoshi apo këngëtarë të spikatur si Feride Kurti. Duke kaluar në këtë rrafsh patjetër që kënga popullore gjeti një stad më të ngritur të përpunimit dhe veglat muzikore  temperimin , duke sjell një vrull më të hovshëm në krijimtarinë artistike,  gjë e cila krijon patjetër edhe vlerën e nevojshme të rritjes dhe kodifikimit. Me një prozë shkencore që shtrihet në kënde të ndryshme të vështrimit ku synohet sa plotësimi i tablosë tematike aq edhe nevoja për të parë më thellë, autori na bind dhe na kriojn përmes faktesh dhe emrash sesi u rrit dhe u zhvillua kënga popullore dhe ajo qytetare me intonacione popullore në Mat. Në këtë libër do të gjejmë emrat e mjaft drejtuesve, mjeshtërve, kompozitorëve si Mynir Shehu, Shefqet Doda, Naim Gjoshi, po edhe gjithë atyre artistëve (okestrina e vajzave), mbledhësve të folklorit etj ;autori përmend sa detaje biografike jetësore,  po aq edhe elementë të ndryshëm të konktesteve kulturorë dhe të krijimtarisë  për të sjellë me syrin e artistit,  po edhe të studiuesit një repertor të pasur të kësaj krijimtarie, treguesve të mrekullueshëm artistikë në Mat që e çuan përpara këngën dhe muzikën . Si kryetipar i  tekstit shkrimor të këtij libri  është se autori lëmin e muzikës dhe kulturës popullore e njeh mirë, madje në nivele të përcaktuara qartë dhe  bindshëm sipas një kriteri tematik;gjurmon kohërat dhe i sjell ato në afërsi të dukshme duke bërë lidhjet midis tyre, identifikon qartësisht dhe me pak faqe sqaron bindshëm protagonistët e bartësit e folklorit, gjithashtu artin popullor të krahinës së Matit e shikon në origjinalitetin e vet,  po edhe si vazhdim i artit kombëtar, si vlerë e shtuar në këtë aspekt. Është një studim i gjërë me një prerje vertikale  duke u përcaktuar përmes metodës së analizës dhe konfirmimit të vlerave, të cilat nëpër kohëra,  dekada, kanë lënë gjurmë të mëvetësishme tek njerëzit. Disa këngë janë bërë hite kombëtare si:”Kjo Shqipni ka rritur burra”, e Imer Toçit, ”Skënderbeu tek Guri i Vashës”,  e Qamil Gjikës, ”Heroit të popullit Isa Boletin”,  e Esat Rukës”Liqenit të Ulzës” e Mynir Shehut, ”Po pyet bota për Shqipninë” e Xhavit Liçit etj. Me një stil të rrjedhshëm, frazë konkrete ku vërshon pasuria e informacionit, autori arrin të krijojë bindjen për rrjetën tematike që thur, krijon një panoramë të gjërë të kohës dhe të artit folklorik, letrar,  muzikor, koreografik, shenjon përpikmërisht dhe detajon biografinë artistike të bartësve të kulturës dhe krijimtarisë, ndërton bindshëm një kriter çështjesh që ndërvaren nga logjika kohore dhe shkojnë krah për krah konform idesë së librit , ide që lidh dhe trason gjithë atë punë krijuese e cila në fund të fundit shenjon dhe tejçon nëpër kohëra shpirtin artistik të një populli të lashtë. Libri gjithashtu shërben për të njohur më gjërësisht, e kjo vjen natyrshëm,  trashëgiminë kulturore të popullit tonë, një trashëgimi e pasur dhe me plot ngjyra e nuancë, po kështu njihemi me tradita të lashta të punës dhe prodhimit të veglave artistike, me rite dhe zakone të kodifikuar në mënyrë të tillë që të na reflektojnë sjelljen e një populli punëdashës,  kulturëdashës dhe atdhedashës. Ruka tregohet studiues i zoti dhe me interesa të gjëra kur është fjala për të kuptuar se përmes prozës së tij shkencore identifikohet dhe radhitet një punë disavjeçare me synime të freskëta. Krahas tiparit të tij artistik si një kantautor me zë, zbulohet edhe një tipar tjetër,  ai i studiuesit të kujdesshëm dhe të pangutur, gjë që tregon se nuk mund të jesh artist i mirë pa këto interesa dhe përpjekje për të njohur diçka më gjërësisht se interesat e momentit. Po kështu,  në këtë libër, përsa thamë më lart, si nevojë për ripërsëritje dhe në vazhdën e vijimit të një konceptimi , mund të konstatojmë se ky libër nuk synon të paraqesë tregueshëm, po të paraqesë duke analizuar, konkluduar dhe sintetizuar gjithë ato dukuri të artit në këtë trevë. Ai këtë e ka si element bazik të metodës së tij shtjelluese dhe arrin të ndërtojë arkitekturën e një vepre që  ngre lart ngrehinën e shpirtit shekullor të popullit artist. Gjithashtu,  ky libër u bën homazh gjithë atyre artistëve që nuk janë më ose për shkaqe të caktuara e kanë ndërprerë veprimtarinë artistike, por që nuk mund të lihen në heshtje,  sepse ata me krijimtarinë e tyre gëzuan, argëtuan dhe i dhanë  lartësi shpirtit njerëzor në kohë  të qeta e dramatike. Ky homazh nuk është thjesht një kujtesë, po më tepër autori sistemon dhe shpalos një përvojë të pasur,  kur është fjala të kuptojmë vlerat e artit që nuk i përkasin vetëm një kohe, po të gjitha kohërave dhe krijojnë kështu një gjerndan perlash që zbukuron  gushën e çdo busti artistik. Arti, me gjithë uljengritjet nuk mund ta harrojë tendencën dhe nuk mund të mos ndjejë nevojën për të ecur përpara, por kurrë kjo nuk mund të arrihet pa shfrytëzuar dhe pa u frymëzuar nga ajo trashëgimi e vyer e shpirtit të popullit përmes verbit artistic, ngjyrës, tingullit dhe melodive shekullore të jetës në këtë trevë dhe më gjërë. Kjo vjen si një kumt i rëndësishëm dhe mendohet si jehonë e vetvetishme e ideotematikës së këtij libri me vlera…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: