Bardhyl Maliqi: Pajtim Çaushi - Monumenti i hijeve
| E Shtune, 11.03.2017, 12:36 PM |

“MONUMENTI I HIJEVE”- E  KUNDRUAR SI POLIFONI SHUMËSHKRIMORE KUNDËR VESIT

Nga Dr. Sc. Bardhyl Maliqi

Pajtim Çaushi, si shkrimtar i njohur duhet kundruar si krijues i poilfonisë shkrimore në krejt veprën e tij në poezi e në prozë, në letërsinë për të rritur dhe për fëmijë, por veçanërisht në romanin “Monumenti i hijeve”, ku ai e vë këtë polifoni shumëzorëshe kundër vesit si ndyrësi morale në pushtetin e provincës. Kjo pikturë e përmasave epifanke, skicuar me shkumës të zi, i ngjan vetëm vetvetes. Pajtimi, në gjithë korpusin e vet romanesk griset me pushtetin qëndror (Kryeministri 1 e 2, nenkryeministri dhe me pushtetin e provinces: I shquari i kohës, Heshtja e Unit dhe veçanërisht “Monumenti i hijeve”, që mund të përmbyset si hijet e Monumentit, por pa ndryshuar asgjë. Kjo më kujton jo më kot debatet për portretin presidencial në zyrat e hierarkisë shtetërore: Skënderbeu, Ismail Qemali apo Bujar Nishani; dhe në roman monument i Dorian Ollit liliput, Ardit Panit budallashejtan apo i penisit vigan?!

Titujt e veprave të Pajtimit si krijesa letrare shkumëshkrimore mund të grupohen në disa mënyra: Ja p.sh:

Veprat për fëmijë: Pasqyra Çudi, Vogelushe Vesa, Shëronjësi i Kaonisë, Endrra shqiptare, etj.

Poezi:

Novela: I shquari i kohës, Pasqyra Çudi, Vogelushe Vesa, Shëronjësi i Kaonisë

Romane: Robina e enjgjejve, Heshtja e unit, Kryeministri i reve I dhe II, Nënkryeministri, Zana e Syrit të Kaltër, Monumenti i hijeve.

Ese: Portreti i njeriut të mençur etj.

Pra ky autor është një krijuesor shumëplanësh, por kjo nuk është kryesorja, pasi veprat e Pajtimit në prozë në të vërtetë janë një aliazh i fortë në përbërjen e të cilit janë edhe rrëfimi, edhe poezia, edhe filozofia, edhe gojëtaria, edhe muzika, edhe koreografia, edhe miti, edhe pikturografia, pra këto janë vepra të polifonisë shumëshkrimore, si tek asnjë shkrimtar tjetër yni, krahasimisht në nivel kombëtar. Ky shkrim kompleks është sa origjinal nga njera anë, aq edhe i vështirë në lexim, kuptim, përkthim e interpretim nga ana tjetër. Lojrat poetiko-gjuhësore brenda tekstit në prozë, bashkëjetesa e ditirambit me groteskun apo seriozitetit me satirën, paraqesin probleme për lexuesit e pa kultivuar apo për ata që e kanë të vështirë shijen e arteve sinkretike, megjithëse në orgjinë e tyre artet të tilla kanë qenë. Pra Pajtim Çaushi në krijimtarinë e tij në prozë është, sa antik nga njera anë, aq edhe modern nga ana tjetër. Jo rastësisht pak më lart thashë “Kjo pikturë e përmasave epifanke, skicuar me shkumës të zi” që na kujton Mikelanxhelon nga njera anë dhe deheroizmin e Xhojsit te romani “Ulisi” nga ana tjetër.

Në romanin”Monumenti i hijeve” gjejmë personazhe të shumëllojshëm, por ata kanë një emërues të përbashkët janë provinciale në botëkuptim, të etur për para dhe pushtet, perversë dhe banalë në të gjiha pikëpamjet: Personazhet kryesore:  Ardit Pani (Kryebashkiak) Dorian Olli (deput), Dodona Kapo - Kryetare e Këshillit Bashkiak, Eva Banushi - mesuese, këshilltare  e opozitës, Lola Morava-skulptore, Ladi Kërnaja- drejtor shkolle, këshilltar i pozitës etj. Të kuptohemi: këtu termat pozitë dhe opozitë janë shumë konvencionalë dhe të përkohshëm, ndërsa imoralitetin si komponente sjellore e kanë të përhershme.

Mesazhi që përcjell te lexuesi romani “Monumenti i hijeve” mund të përmblidhet shkurt: Ne gjithëjetë njerëzit përgjithësisht dan përjetësim, pra duan monumente, pavarësisht nga meritat. Skena e propozimit të qytetarëve të  nderit, propozimi i monumentit të Dorian Ollit, përmsat e monumentit, skulptoja dhe vepra e saj, pritja pompoze e monumentit dhe zhgënjimi i turmës, ngjtja në sheshmonument e vocrrakut deputet dhe e penisit vigan etj. bëjnë që Figura Boshtore (kompozicionale) të bëhen satira dhe grotesku. Po të kujtojmë dekorimet e vlerësimet e kohëve të fundit, ku një i paarsimuar, për më tepër pa asnjë kontribut për demokracinë tonë të brishtë, privat këtu e 27 vjet, vlerësohet si “Mjeshtër i Madh” apo “Nder i Kombit”, gjallë apo pas vdekjes, përjetësimdashja bëhet epidemi me përmasa kombëtare. Pra vlerësimi real i njerëzve në vend që të jetë motivim për punë shërben si lavdiboshe e të vdekurve apo lëng stërlëngut të tyre si pasardhës.

Modelin e polifonisë shumëshkrimore Pajtimi si krijues e ka marrë nga begatia gojore popullore, të cilën e ka studiuar me zell gjatë punës si mësues letërsie. Mbase shkaku ka qenë se gjimnazi i Konispolit, i vetmi gjimnaz me konvikt në rrethin e Sarandës, i pari i vendit i ngritur në një trevë rurale,  ishte nga vetë përbërja pedagogjike e trupës arsimore dhe kontingjentet frekuentuese të nxënësve, për nga orgjina, mosha, seksi, krahina dhe etnia një polifoni shumëzërëshe.  Aty gjeje mësues dhe nxënës nga të 4 trevat etnokulturore të Sarandës, si nga: Çamëria, Minoriteti, Bregdeti dhe Rrëzoma, por shumë tepër se kaq, pasi aty kishte edhe fëmijë nga popullsia arumune dhe rome e rrethit, por edhe fëmijë ushtarakësh katolikë nga Veriu i Shqipërisë. Kanë qenë 35 vite të arta, kur Konispoli.vërtet nuk ishte më Prefekturë më vete si në kohën e Mbretërisë, por ishte një trvë e begatë multikulturore dhe kjo na bënte krenarë ne ish mësuesve dhe nxënësve të këtij gjimnazi.

Po përshkruaj një moment nga “Monumenti i hijeve” për të argumentuar një nga tezat e kësaj eseje:

Kryetari i Bashkisë së Qytetbregut Ardit Pani, njëherazi edhe kryetari Komisionit të Monumentit me një nuhatje qeni pas të bukurës dhe epshit, vërejti i stepur dy flakëza që digjeshin thellë bebëzave sterrë të Lola Moravës, skulptores që kishte marrë përsipër monumentin e ish deputetit Dorjan Olli, të rënë në detyrë si deputet i kryeqejfit. Ardiit që e kishte marrë përsipër misionin e kësaj dërgate i nxitur nga kërkesa dhe opinioni për skulptoren bukuroshe dhe tekanjoze. Lola Morava, me sa duket i zienin rropullitë, megjithëse ishte takimi i parë, ai nuk mund t’ia hiqte sytë.  Duket se vështrimet e saj i thoshnin “Loargoji sytë, or i pakulturë!” Por ai nuk mnd t’i largonte, se zëri i poshtëvetes ia nisi gazit e këngës. Këngën e shoqëroi me dredhje e përdredhje zëri gjatë isos:

“O vëllam, të zunë xhinitë, ei, ei, eiii,

Me flakë të mbytën gjemitë, ei, ei, eiii...

Sa shpejt që gripi t’u ngjit, ei, ei, eiii,

T’u ngjit e nuk t’u shqit, ei, ei, eiii...

T’i nxorri sytë me gisht, ei,ei,eiii,

Turit i hodhi pulishtë, ei, ei, eiii...”

Tani le të përqendrohemi. Siç e dimë isopolifonia 4 zërëshe luan njëherasi disa role dhe kryen disa funksione: Marrësi në rastin tonë është autori, por në rolin e medituesit del edhe ndonjë nga personazhet kryesorë. Hedhës janë në të gjitha rastet disa nga personazhet e radhës së parë si ish deputeti Dorian Olli, Kryebashkiaku Ardit Pani e drejtori Ladi Kërrnaja, kthyeset janë kryesisht femra, si Dodona Kapo, Eva Banushi, Lola Morava, Irena Vogli etj, mbushës bëhen të gjithë personazhet e dorës së dytë, p.sh. Sandër Bushi e Nik Çapelja, por të gjithëmbetur hije pa personalitet. Kështu simbolika e metaforika e titullit të veprës s’është veçse realitet ynë i djeshëm, i sotmë dhe i nesërm. Pasi çuditërisht kujtimet e të vdekurve bëhen viruse vdekjeprurëse në trurin e të gjallëve.

Eva Banushi i buzëqeshi kryebashkiakut që nuk ia ndante sytë:

- I trembëdhjeti i bie të jetë në listë ish-deputeti...Numër ters për tersnjeriun, mendoi.

- Nuk do ta lemë të trembëdhjetin. Do ta vemë të parin, ngriti zërin Dodoba Kapo.

Kaq u desh e sherri plasi. Në fillim si lojë fëmijësh. Pse të parin? Po ku? Atje ku i takon, të trembëdhjetin. Ua, cilin do të vesh të trembëdhjetin, more? Atë që thashë, pse kë, veten!? Më pas tonet u ngritën. Zërat e çjerrë femërorë dhe zërat e trashë mashkullorë kacavireshin duke i venë brrylat shoshokut për t’u ngjitur sa më lart në pemën e fjalomanië. Tollovi. Papërmbajtje. Ngjyrje. Zhurmëri...

Viruset vdekjeprurëse të të vdekurve në trurin e të gjallëve, që i përmendëm si dukuri psikoletrare edhe më lart i kanë dhënë dorë autorit që nga simbolizmi i Monumentit të hijeve, nga grotesku real i pseudodemokracisë të shenjohet përmes realizmit magjik. Po vazhdoj citimin pak më poshtë:

Ndërsa salla e mbledhjeve nisi të boshatisej, tek dera u shfaq ish deputeti Dorjan Olli, me pamje të ngrysur. Qëndroi te hapsira e kanatës e megjithatë këshilltarët vazhdonin të dilnin pa penguar prej trupit të tij gjysmëlakuriq. Edhe Dodona nuk shprehu asnjë lloj shenje për praninë e mikut të saj. Ardit Pani u drodh.  Është hije, mendoi, ka ardhur vetëm për mua, të tjerët as e ndjejnë as e shohin. O Zot! Qëndron  te pragu i derës sikur do të më hajë të gjallë...

Qysh në çeljen e Filialit Universitar të Universitetit të Tiranës për Sarandën, dega anglisht, unë dhe Pajtimi kemi shërbyer si lektorë dhe pedagogë të jashtëm, unë për Morfologjinë dhe Pajtimi për sintaksën e shqipes. Unë e ndjej mësimdhënien e morfologjisë në krijimtarinë time poetike dhe eseistike, por jo pak ka ndikuar sintaksa e shqipes në krijimtarinë e Pajtimit. Pasazhi i mposhtëm ku evidencohen llojet e fjalive dhe të ligjërimeve thirrmore do të qe ilustrim shumë i mirë për tekstin e sintaksës dhe është produkt i punës së tij si pedagog. (Ilustrim:  Romani “Monumenti i hijeve”, Milosao, Sarandë, 2013, faqe 27 në fund):

Zëri i kryekeshillëtares doli me nota mallëngjyese:

-Jo, kurrë! Do të flas në këmbës e s’mund të flas ulur...Zonja dhe zotërinj këshilltarë, ju kërkoj falje për një lajthitje e harresë që s’duhej të ndodhte. Më besoni, e kam bërë padashje e megjithatë është faj, ndaj ju kërkoj falje për të dytën herë.

Salla e mbledhjes u mbush me fjalë të llojllojshme.

Ngushëlluese: “Vetë shëndosh, se njeriu gabimtar është!’

Proverbiale: “Koka e falur s’pritet.”

Përgjithësuese: “Njeriu sa rron, edhe gabon.”

Justifikuese: “Kur fajtori pendohet, faji përgjysmohet.”

Shkakore - lejore: “Mos e bëj kaq të madhe, se s’ndodhi hataja.”

Pyetëse - habitore: “Pse moj kryetare kërkoke falje?!”

Dëshirore - thirrmore: “Falur qofsh!”...etj.

Në këtë vepër të dorës së parë, theksohen disa ide të tjera të rëndësishme siç janë p.sh. ato të zbrazëtisë morale, të zhgënjimit, turpit dhe ndjenjës së fajit, pasi pa faj nuk jemi as ne kur zgjedhim këto vemje të ngjiten në shkallë dhe pedistalet e pushtetit. Mbase Pajtimi e ka tepruar me zvenimin moral, detajet e shprehjes së perversitetit të një bote që bukurudhat kalojnë vetëm nga shalët e femrave dhe kanë vetëm një stacion, pavarësisht nëse je kaposh si Dorjani, potent si Ardit, vanitoz si Kërrnaja apo impotent si shefi i rendit Major Mani. (simbol për një polici të paaftë dhe të korruptuar).

Ky pseudoromantizëm mitik i meshkujve nuk buron vetëm nga fantazia e shkrimtarit, por mbështetet në një boshësi kohore sterile, ku nuk thahen vetëm meshkujt, ku nuk shkallojnë vetëm femrat që të çojnë në grminë si çoi Dodona Dorjanin, nuk ngrihen vetëm monumentet e perversitetit dhe të hiçit të hijeve, por është koha që nga njera anë qesh deri në papërmbajtje, nga ana tjetër leh e angullin si qen rrugësh.

Kështu, romani ‘Monumenti i hijeve” shndërrohet më monumentin e satirës dhe groteskut në letërsinë tonë, si asnjë vepër tjetër ku lulëzon imoraliteti.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: