Kadriu: Kosovare Krasniqi - Shpirti i gruas në letërsi
| E Diel, 05.03.2017, 10:00 AM |

PERSONAZHI I FEMRËS ASHTU SIÇ I JEP KUPTIM JETËS I JEP KUPTIM EDHE ARTIT, SESPE AJO ËSHTË EDHE KUPTIM EDHE ART

Kosovare Krasniqi “Shpirti i gruas në letërsi”, botoi Rozafa, Prishtinë 2016

Nga Milazim F. KADRIU

Kundërthëniet rreth emancipimit të gruas  që dikur ishin të pranishme  ne shoqëri, tashmë janë tejkaluar. Prapambeturit e asaj kohe ishin si pasojë e ndikimit patriarkal e fisnor  e që kishte ndikim edhe sundimi i huaj në vendin tonë. Prandaj problemi i emancipimit të gruas u paraqit si nevojë dhe ishte me  rëndësi të studiohet edhe në letërsinë shqipe. Një studim të tillë e gjejmë  tek libri “Shpirti i gruas në letërsi”, i autores  Kosovare Krasniqi.

Më herët problemi i gruas u shkrua në mënyrë të përgjithësuar pa u implikuar shumë në problemet sociale të zhvillimit të shoqërisë, por më vonë krijuesit letrar në krijimet e tyre e vënë gruan në raport më të drejtpërdrejtë me problemet e shoqërisë në tërësi.

Libri i Kosovare Krasniqit me një titull paksa të veçantë “Shpirti i gruas në letërsi”, autorja ka zgjedh që të flas  për shpirtin e gruas në letërsi ku në  brendinë e librit prej  200 faqe   paraqiten studime, kritika dhe recensione. Pra të gjitha shkrimet e botuara nëpër gazeta dhe revista si dhe studimet e prezantuara në konferenca të ndryshme shkencore autorja i ka mbledh dhe i ka fut brenda kopertinave të librit të saj.

Shumë krijues letrar qoftë në prozë apo poezi portretin e femrës e vejnë në qendër të vëmendjes, ngase me të drejtë konsiderohet se personazhi i femrës ashtu siç i jep kuptim jetës i jep kuptim edhe artit, sepse ajo është edhe kuptim edhe artë. Këtë me të drejtë e konstaton edhe vetë autorja e këtij libri. Prandaj edhe në shkrimet e saj autorja ka zgjedhe  dhe ka shkruar shkrime në të cilat shfaqet shpirti i gruas në letërsi.

Mendoj se autorja ka bërë mirë dhe me plotë të drejtë ka shkruar shkrime (studime, kritika dhe recensione )  në librin e saj sepse askush nuk e njeh dhe kupton më mirë shpirtin e femrës sesa vetë femra. Bazuar në këtë edhe autorja thotë se “ mora guximin të shkruaj një libër  timin për shpirtin  femëror ,duke i vrojtuar shpirtrat  e atyre personazheve  femra të cilat marrin  guximin dhe thyejnë tabut  e krijuara nga shoqëritë e ndryshme patriarkale ,dhe synojnë drejtë realizimit të ëndrrave  të tyre,duke  mos mbetur  nënë mjegullnajën  e errët, por të ndriçojnë rrugët e tyre “.

Libri “Shpirti i gruas në letërsi”, është i ndarë në tri pjesë : ( Studime, Për poezinë, Për prozën ) e që për studim janë marr një varg veprash letrare të autorëve të ndryshëm  tek të cilat vepra gjen temën që e trajton për shpirtin e femrës  duke analizuar personazhet e  femrave. Kështu në pjesën e parë të librit nisë me një studim të kryevepër së De Radës  “Këngët e Milosaos” për të vazhduar me studimin  “Kosova në poezinë e Visar Zhitit”, “Miti i Kosovës në poezinë e sotme shqipe, dhe Profile krijues i Petrit Palushit

Në pjesën e dytë autorja flet për portretin e Adem Demaçit në vargje,e më konkretisht për librin “Demaçi - aromë Atdheu” që ngërthen 80 poezi të shkruara nga krijues të njohur. Duke folur për Demaçin autorja thotë se “Demaçi me fuqinë e fjalës dhe me qëndrimin e tij prej titani nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, për popullin shqiptarë u bë zë i guximit,zë i shpresës,zë i forcës,zë i besnikërisë; vet emri dhe qenia e tij i reflektonin të gjitha këto; ai, duke u sakrifikuar, u kthye në simbol të udhërrëfyesit për popullin e tij”. Më tej autorja në këtë pjesë të librit të saj sjell shkrime për librin “I përndjekuri i dashurisë” të Dritëro Agollit, pastaj shkrimi “Bota urbane në poezi” ku flet për “Trungu ilir” të Sabri Hamitit,” Poema” lirike e Sali Bytyçit, ”Gjak në mallin tim” të Qerim Raqi.

Në pjesën e tretë ku sjell shkrime për prozën  autorja nis me romanin “Qyteti i Fundit të Pero Markos, pastaj me nobelistin Mario Vargas Llosa “Vajza e Paparë”, ”Grahma e fundit “ të Romain Gary. Më pas shkrimin me titull : Femra dhe kanuni në romanin “Prilli i thyer të Ismail Kadaresë, romanet ‘Mjegullat e Tiranës” të Ismail Kadaresë dhe “Dashuria e Mimozës” të Nasho Jorgaqit që janë dy romane të ndryshme dhe bëjnë fjalë për të njëjtën ngjarje. Pastaj vjen shkrimi për novelën “Një grua e ndershme “ të autorit Zyhdi Morava, pastaj shkrimet për romanet “Artemisa e mëkatit” dhe “Këpucët e Kaltrinës” të Petrit Palushit, ”Rrëfenjë me ndërkombëtarët” të Ylljet Aliçkajt, “Luftë e vogël e përkorë” të Elvira Dones dhe “Koncerti” (tregime nga Kosova të autorit Ludo Hupertsit, i cili libër trajton ngjarje reale të përjetuara  nga populli i Kosovës.

Andaj s’ka dyshim se me librin “Shpirti i gruas në letërsi”, Kosovare Krasniqi përuron një fushë të re  në veprimtarinë e sajë letrare, manifeston cilësi të çmuara si studiuese e kritike  dhe premton për studime tjera  në këtë lami të rëndësishme të shkencës sonë letrare.

Libri “Shpirti i gruas në letërsi”, Kosovare Krasniqi,ka pasuruar kritikën tonë letrare shqipe  dhe do të shërbej për studime të mëtejme në fushën e diskursit kritik për gjeneratat e reja.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: