Dedë Preqi: Nokë Sinishtaj - Motive Malësore
| E Shtune, 04.03.2017, 09:52 AM |

«MOTIVE MALËSORE»  NGA NOKË SINISHTAJ

Nga Dedë Preqi

Është kënaqësi të shkruash për një poet që ka dell poetik, ashtu sikur i sugjeroj me këto fjalë njëherë autorit të këtij libri në fillim të shkrimeve të tija, njeriu i madh i letrave shqipe,  poeti dhe shkrimtari Martin Camaj. Dhe fjalët e Camaj, e nxitën poetin dhe e frymëzuan të shkruaj dhe të mos ndalet deri në ditët e sotme, duke krijuar një mori veprash, të cilat paraqesin një krijimtari të frytshme dhe  artistike, të jetës intime dhe asaj mbi rrethanat e kohës dhe jetës malësore.

Libri më i ri i autorit Sinishtaj, që u botua këto ditë me titull « Motive Malësore », tingëllon këndshëm, por ngjarjet e përkatësisë regjionale malësore jepën të dhimbshme dhe shumë tërheqëse për lexuesin. Autori duke çëndruar largë asaj gjithçkaje, që atë e rriti dhe e formësoj si njeri, nuk e lë të qetë ajo botë e mrekullueshme, por e shdërruar në boshatisje, shpërbërje e braktisje të malësorëve të vet, duke e shkrirë poetin në një vullkan të zjarrtë ndjenjash.

Libri më i ri « Motive Malësore », është një krijimtari dhe përmbledhje e re me poezi nga poeti Nokë Sinishtaj, një lirikë me shumë përshtypje për të cilën rrah pa pushuar zemra e tij, me natyrën autentike malësore dhe gjuhë origjinale. Dhe është e mundshme që poeti Sinishtaj, të ketë shkruar edhe këtë përmbledhje sikur edhe të tjerat, pa u shkëputur nga fryma malësore, të cilat si tërësi e posedojnë një vullkan  ndjenjash, që gufojnë nga shpirti i tij poetik për Malësinë e vet.

Poetin Sinishtaj, e mundon shpërngulja dhe shpërbërja e malsorëve nga ato vise, të cilët përveq që shkakëtojnë boshatisjen e trojeve të veta, mungon edhe ajo solemja e dikurshme, mikpritja dhe shumë rite e doke malsore, të cilat e kanë mbajtur gjallë Malësinë dhe shpirtin malësor. Pikërisht kjo plagë e dhembjes malësore vazhdon edhe në ditët e sotme, ku nuk mirret me mend fundi i kësaj loje, nëse një pikë të shkakut të këtij motivi do ta kërkonim dhe arsytonim në ndonjë presion, duke ia shtuar edhe mjerimin ekonomik.

Dhe poeti Sinishtaj, nga brumi i këtyre rrethanave ka sjellë në këtë përmbledhje me poezi, një kompleksitet të brendshëm dhe një barrë të rëndë që ndikon në shpirtin malësor dhe në trevat e saj. Autori këto plagë i përjeton vet dhe gjitha elementet e ndjenjës atdhetare thua se, i fut në një barkë të vogël, të cilën e lundron nëpër lumenjt e gjithë botës, por parkimin e saj nuk ia gjenë dot, vetëm te lumi Cem, atje dikund në Malësinë e tij.

Poeti përveq që i këndon shumë elementeve të Malësisë, ai i këndon fushave, maleve, krojeve, lumenjëve, Kshevës së tij pa shoqe, por nuk  lë mangu edhe anëtarët e familjes, farëfis, miq e shokë, me të cilët i ka kalue çastet më të mira të jetës. Nga ana tjetër, nuk pajtohet me rrënjët e të keqës, të cilat e kanë kapluar popullin e tij, sidomos ajo që rritët në kopshtin e jetës së përditshme. Sinishtaj i këndon edhe vendit të huaj (mërgimit) kur thotë ; Në vend të huaj është i ftohtë dielli/ si ke njehë nuk të pyet askush/ e kthejnë kokën si grue-shtrigë/ e jo si tonat faqeprush.

Ngado që niset dhe ngado që shkon, në fakt poetit diçka i mungon, duke  ndjerë mallë të pashterrshëm për vendlindjen dhe të dashurit e tij, të cilët nuk mundet me asgjë ti  kopenzojë.  Autori Sinishtaj, duke investuar me tërë qenjen e vet prej njeriu dhe krijuesi të zellshëm, përveq stilit të tij të rrallë në nivelin e asaj që e kërkon poezia, disponon edhe me gjuhën e tij malësore, e cila e dallon me këtë shprehje dhe origjinën e autorit.

Poeti Nokë Sinishtaj, përmes poetikës dhe lirikës së tij të pasur me metafora e mbresa të thella, afron dhe jep material të bollshëm për studiusit e lëndës dhe vlerave letrare, i cili gjatë shprehjes së vargut, poeti nuk shkarkon vetëm emocione, të cilat i mbulon me petka subjektive, apo fjalë të bukura e të thella, të ilustruara me poetizëm, por i cili në realitet shpjegon pa zbukuruar dhe zgjedhur fenomenët, duke gjetë ato tabllo, të cilat flasin vet përmes gjuhës së lirë dhe emocioneve të frenuara, që ngërthejnë në vete plot rrëfime, por edhe përjetime, duke i kombinuar me mjeshtërinë  poetike e rrjedhën  intelektuale.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: