Elvi Sidheri: Gjorge 'fikus' Ivanov ventilatori
| E Enjte, 02.03.2017, 08:00 PM |

Gjorge “fikus” Ivanov ventilatori

Nga Elvi Sidheri

Flamuri i republikës sonë fqinje, të njohur me shumë emërtime, ndër të tjera edhe FYROM, IRJM, Maqedoni, etj, ka disa cilësime dhe përshkrime përkatëse, ndër të cilët spikat padyshim krahasimi me një pajisje tejet të vlefshme shtëpiake, sidomos në kohë vere, gjatë periudhave me temperatura të larta si pasojë e vapës së stinës së ngrohtë.

Ventilator pra, kështu mund të përcaktohet imazhi që të jep pamja e flamurit maqedonas, një tentative surrogate për t’i ravijëzuar në formë të përngjashme (kopjace fundja) trajtat e flamurit të lashtë legjendar të Aleksandrit të Madh, të flamurit dhe emblemës së Maqedonisë Antike, asaj që siç e dimë të gjithë neve gjindja e shëndetshme mendërisht, nuk ka fare lidhje me banorët sllavë që përbëjnë rreth 65% të popullsisë zyrtare të Republikës ish Jugosllave të Maqedonisë.

Kështu që, pas pavarësisë së këtij vendi, si u pat synuar fillimisht shtegu i përdorimit të flamurit të lashtë të Aleksandrit të Madh, por të gjendur përballë reagimit dhe refuzimit absolut nga Greqia, atëherë autoritetet maqedonase-sllave, do të vendosnin një imitim të këtij flamuri historik, duke adoptuar një flamuruq të sajuar shkel e shko aty për aty, fort të ngjashëm me një ventilator verdh e kuq për nga ngjyrat karakteristike të tij.

Sot ndërkohë, në dhjetëvjeçarin e tretë të ekzistencës së këtij shteti, në një periudhë krize politike dhe institucionale që zgjat prej vitesh, presidenti i IRJ Maqedonisë Gjorge Ivanov, nën hijen e flamurit të tij “me ventilator”, merr një vendim antikushtetues për fatet e vendit të vet, i hyn një rruge grushti shteti ndaj kushtetueshmërisë së funksionalitetit të këtij vendi, dhe gjithaq, i shpall luftë thuajse zyrtarisht, komunitetit shqiptar në këtë vend, ashtu si edhe shtetit shqiptar njëkohësisht.

Dukshëm pra, “ventilatori” që mishëron sot flamurin modern të shtetit maqedonas, pak efekt paskësh patur mbi gjendjen e alteruar emocionale të presidentit maqedonas, duke mos arritur dot që të ashtuquajturit “Fikus” (siç e quajnë Ivanovin rëndom shpotitshëm nënshtetasit e tij, ashtu si edhe tërë opozitarët shumetnikë të mënyrës se si e kryen punën e tij ky njeri) t’ia zbusë “zhegun” apo “vapën” mendore që e ka shpënë këtë personazh tragjikomik, në kufijtë e të qenit jo thjesht qesharak, por edhe kërcënueshëm i prapambetur mendërisht.

Dhe, kur një njeri me aftësi inekzistente mendore dhe intelekt të barabartë me atë të një mushkonje kënete, vihet në krye të një shteti, për më tepër të një vendi multietnik me probleme të thella ekzistenciale, që gjendet në pikën e skizmës mes botës rusofile dhe asaj Perëndimore, aty ku përplasen interesat serbe me ato shqiptare, ku rivalizojnë fetë njëra me tjetrën dhe ku ndeshen mendësitë orientale kundrejt përparimit oksidental, atëherë gurguleja është e pashmangshme.

Gjë që “fikusi” Ivanov, me atë buzëqeshjen e tij të pamungueshme prej “homo ridens” kokëtrashë dhe trutharë, nuk mungoi ta bëjë pa humbur shumë kohë...

Fjalimi i tij i 1 marsit 2017, mënjanë që shënon fillimin e pranverës zyrtare, përbën edhe shembullin e lartësimit në nivel qiellor të marrëzisë së një kryetari shteti, në nivel ballkanik, e ndoshta edhe europian në dekadat e fundit.

Sepse është e pamundur që presidenti i një vendi demokratik (ose thuajse të tillë), që supozohet të mishërojë unitetin dhe interesat e tërë qytetarëve të vendit të tij, pavarësisht kombësisë, gjuhës apo fesë së tyre, pavarësisht nëse këta qytetarë e kanë votuar atë apo ajo, nëse e simpatizojnë dhe mbështesin apo jo, të mbajë një fjalim të këtillë pra.

Një përsiatje banale e racizmit më anakronik, e shovinizmit më prapanik antishqiptar, një gëfurrje vetëmburrëse në rrekje e sipër për t’u kacafytur idealisht me gjithë botën konspiracioniste dhe komplotiste në dëm të interesave të shenjta të Maqedonisë dhe kombit maqedonas.

Ku, padyshim që faji dhe fajtorët, janë gjithmonë “dezhurn”, me tre turne pra, shqiptarët!

Pastaj merret vesh që është edhe faj i Amerikës, BE-së, NATO-s e kujtdo tjetër, dhe larg e larg i kërkohet në modelin “bjeri pragut të dëgjojë dera” edhe ndihmë Mëmës Rusi, për t’iu kundërvënë “shqiptarëve të nëmur”, dhe mundësuar “dhomat e gazit për shqiptarët”, sipas kërkesave të rregullta dhe parrullave që kujiten e piskaten çjerrshëm nga sheshet e Shkupit, sa herë që ithtarët e VMRO-së së “fikus” Ivanovit dhe “komit” Gruevskit dalin për të shpërfaqur tërë urrejtjen e tyre patologjike ndaj shqiptarëve dhe Perëndimit.

Problemi me krizën në Maqedoni është fare i thjeshtë faktikisht, zgjidhja e krizës në fjalë po ashtu nuk ka për të vonuar, sidomos me sqarimin e situatës së re globale pas ndërrimit të administratave në Uashington, por çështja specifike e shqiptarëve me Ivanovin dhe filozofinë politike që ky njeri, Gruevski dhe partia e tyre mishërojnë, do të ketë nevojë për të tjera faza të mëtejshme analize dhe kundërmasash përkatëse.

Jo më larg se një ditë para se “fikus” Ivanovi të dilte në lehjen e radhës antishqiptare, ku i refuzoi në mënyrë krejtësisht antikushtuese mandatin liderit opozitar Zaev, i cili gëzonte mbështetjen e tre partive dhe 18 deputetëve shqiptarë, si dhe atë të rreth 70 mijë votuesve të tjerë shqiptarë të partisë së tij LSDM, nëpër mediat shqiptare, nuk mungonin ende ata që lëvdonin Gruevskin, duke e shpallur atë fitues absolut të zgjedhjeve në Maqedoni dhe duke kritikuar partitë shqiptare që nuk pranonin të bashkëpunonin me të.

Dhe gëlboqja drejt qiellit, u ra të tërëve në turi.

Ivanovi nuk humbi rastin që këtë “mbështetje” jo edhe aq të tërthortë nga segmente mediatike shqiptare, ta “falenderojë” me një “mirënjohje të thellë” duke iu përgjigjur me një vendim pikësëpari, dhe fjalim pasues, ku shqiptarët ishin kryefjala e tërë çështjes.

Kryefjala në kuptimin më negativ, përçmues dhe fyes të imagjinueshëm!

Sepse arsyeja për të cilën opozitarit Zaev nuk i jepet mandati qeverisës, është se ky i fundit iu qenkërka përulur shqiptarëve dhe kërkesave të tyre, duke hequr dorë nga interesat kombëtare të maqedonasve.

Në këtë mënyrë, avancimi i pozicionit të gjuhës shqipe në IRJ Maqedoni, rregullimi i sistemimit me ligj të përdorimit më të gjerë të saj, sipas parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, në parlament, në qeveri, në gjyqësor, në komunikimin e qytetarëve shqiptarë me institucionet, etj, nga presidenti Ivanov shikohet si akt i papranueshëm, si kërcënim për shtetin maqedonas dhe si provokim i rëndë.

Jo vetëm kaq, por platforma e partive shqiptare në IRJM trajtohet me përçmim si diçka e imponuar dhe e importuar nga Tirana, duke u cilësuar kështu si një ndërhyrje në punët e brendshme të IRJ Maqedonisë.

Që domethënë, se sipas këtij këndvështrimi racist, shqiptarët e Maqedonisë dhe partitë e tyre, nuk qenkërkan aspak të aftë që të drejtat e tyre të ligjshme demokratike dhe qytetare, t’i kërkojnë, përpilojnë dhe formulojnë vetë...

Ata, në sytë e Ivanovit, janë thjesht ca bujkrobër gjysëmshtazë me bishtin e fshehur diku nën pantallona (se fundja, kafshë janë këta “Šiptari” të mallkuar) të paaftë për të menduar me trurin e tyre, që nuk meritojnë e as kërkojnë apo pretendojnë për të drejtat e tyre, për gjuhën e tyre aq më pak.

Ndaj dhe, Shqipëria s’ka përse t’i fusë hundët në punët e Maqedonisë, dhe gjithaq edhe shqiptarët e Maqedonisë, ta mbyllin gojën, të mos e zgjasin shumë llapën dhe të mjaftohen me faktin se “fikusi” Ivanov dhe “komiti” Grujo e gjindja e tyre shoviniste, nuk po shkojnë t’i therin, t’i përzënë për në Turqi si dikur, nuk po i plasin burgjeve apo shfarosin masivisht si deri jo shumë vite më parë.

Vizion kristal i qartë ky!

Kjo është demokracia multietnike “made in Ivanov”.

Përparimi i përdorimit dhe respektimit të gjuhës shqipe, trajtohet si kërcënim për unitetin e Maqedonisë, dhe për më tepër edhe si “provokim” ndaj komuniteteve të tjera etnike të pranishme në IRJ Maqedoni.

Shqiptarët, që zyrtarisht përbëjnë 25% të popullsisë së vendit, krahasohen kështu me turqit që nuk kapin as 3%, romët në rangun e 2%, boshnjakët në 0,5%, vllehët (gjithësej 8 mijë veta), serbët e Kumanovës etj.

Pra, tërë komunitetet e tjera pakicë, nuk arrijnë as në 1/5 e përqindjes së përgjithshme zyrtare të shqiptarëve në IRJ Maqedoni.

Dhe nuk po flasim për shifrat jozyrtare, që shqiptarët i llogarisin në mbi 30%.

Kjo ndërkohë që komuniteti turk, për shembull, që përmes partisë së tij kryesore, aleate të Gruevskit, nuk ngurroi të dalë haptas kundër platformës së partive shqiptare dhe përdorimit të përmirësuar të gjuhës shqipe (provë tjetër e pabesisë turke ndaj filoturqizmit të mjaft shqiptarëve), në shumë qytete ku nuk e kalon 10%, si në Gostivar, Çair etj, gëzon, falë zemërgjersësisë së shqiptarëve, megjithëse kjo gjë nuk parashikohet në ligj apo kushtetutën e IRJM-së, të drejta të njëjta me shqiptarët sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës turke, ndonëse nuk plotësohet askund kushti për praninë e 20 përqind të pjesëtarëve të këtij komuniteti etnik në këto zona siç shkruhet në ligj.

Mënjanë kësaj, për Ivanovin, 300 mijë votat shqiptare, dhe 18 deputetët shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë, janë baras me zero, të parëndësishme, të anashkalueshme dhe totalisht të kota, të tepërta, të panevojshme e të injorueshme.

Duke i ndarë kështu maqedonasit sllavë dhe votat e tyre, në njerëz, banorë, nënshtetas, qytetarë të Dorës së Parë, dhe sakaq shqiptarët e votat e tyre, në njerëz, banorë, nënshtetas e qytetarët të Dorës së Dytë.

Gjuha shqipe është provokim, kujdesi i shtetit shqiptar për bashkëkombasit e vet në IRJ Maqedoni është ndërhyrje në punët e brendshme, kurse votat e deputetëve shqiptarë, nuk vlejnë aspak, injorohen, anatemohen, shahen e mallkohen.

Epo, kështu nuk shkon! Nuk shkon askund!

Shqiptarët e Maqedonisë dhe komuniteti ndërkombëtar, Ivanovit, Gruevskit, VMRO-së dhe shovinistucëve të tjerë të IRJ Maqedonisë, do të dinë t’ua tregojnë vendin shpejt.

Aventurat shoviniste me konture reminishence millosheviçiane në kontekst maqedonas, nuk të çojnë aspak larg, thjesht thellojnë krizën dhe kutërbimin e moçalit në të cilin zhytet IRJM-ja përditë e më tepër.

Ajo që na takon neve ndërkaq, është që mos ta hamë sapunin për djathë dhe t’u japim mend deklamueshëm shqiptarëve të Maqedonisë, por t’u ofrojmë atyre mbështetjen tonë të çiltër.

Të pandehësh sot se Gruevski e Ivanovi janë të mirë për shqiptarët, është njëlloj si të besoje dikur se Milosheviçi do të tregohej zemërbutë dhe bamirës me shqiptarët e Kosovës.

Këdo që e pret malli për Sllobon & CO, për Grujon apo Ivanovin, më mirë të mjaftohet me ndonjë këngë të Lepa Brenës apo Zdravko Çoliçit si rëndom, dhe mos ta fusë gojën kot në punë.

Më keq se racizmi i këtyre shovinistëve antishqiptarëve, është pikërisht vetëracizmi ynë, Sindroma jonë e Stokholmit kundrejt dhunuesve tanë historikë.

Le të shërohemi pra!



(Vota: 37 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: