Ilir Çumani: Partitë mbi të gjitha!
| E Marte, 28.02.2017, 06:46 PM |

RROFSHIN E QOFSHIN, PARTITË MBI TË GJITHA...!

(Në prag të zgjedhjeve)

Nga ILIR ÇUMANI

Më shumë se një ngjarje e rëndëshme në jetën politike të vendit, zgjedhjet në Shqipëri gjatë këtij çerekshekulli kanë marrë një fizionomi. Ato kanë një tjetër kuptim, duke e kthyer  këtë proces  si element shumë jetik për demokracinë, në një ritual tradicional allashqiptar, e për rrjedhojë, ato kanë një tjetër dimension të natyrës festivo - grotesko - folklorike. Partitë janë faktorët kryesor në përfshirjen e një procesi zgjedhor, të cilat kanë në gjirin e tyre anëtarësinë dhe që në fushata zgjedhore të mara së bashku, ato përbëjnë në tërësi elektoratin.

Mirëpo, nëse dëshironi të anëtarësoheni në ndonjë parti politike në Shqipëri, kjo është fare e thjeshtë. Po, po! Eshtë shumë më e thjeshtë nga ç’e mendoni. Kemi plotë, plotë.  Mbi 140 parti e partiçka të vockla. Por, me një kusht: Së pari, duhet të njiheni me “manifestin” e tyre. Të mësoni 10 cilësitë e çmuara të “idealit” që ato kanë...!

1 - Nëse dëshiron të njohësh një popull të nënështruar dhe një komb që hera herës “noton” i përhumbur në ndërgjegjen dhe vetëdijen kombëtare, merrni leksione dhe lexoni “manifestin” e partive tona. Ato janë të njëjta si binjake dhe nuk ndryshojnë nga njëra tjetra. Gënjejnë dhe premtojnë njësoj. Njësoj përgjerohen e ulërijnë. Betohen e përbetohen njësoj. Njësoj çirren dhe qajnë deri në ekstazë para sovranit në kohë zgjedhjesh, e po njësoj të bëhen “kurban”. Pas zgjedhjeve, po ato, njësoj e injorojnë dhe e shpërfillin sovranin, e po njësoj ngërdheshen e kapardisen para tij.

2 - Në Shqipëri, partitë politike janë “anestezia” që në mënyrë konstante mbajnë në gjumë letargjik popullin e vet.

3 - Pas 27 vitesh pluralizëm politik, partitë mbetën pjesë e gjenezës së tyre; copëza mbetjesh të mitrës së përgjakur të nënës që i lindi dhe i rriti: Partia e Punës.

4 - Në vendin tonë, partitë janë si bisha të uritura, partiçkat, krijesa po aq të lebetitura e të llahktarisura. Në çdo çast, ato janë gati të shqyejnë njëra tjetrën, e në pamundësi, nëse nevojitet, janë të gatshme të hanë edhe krijesën e vet...! Dhe mos u çuditni. Në fund të fundit, në habitatin e tyre e gjitha kjo është një modus vivendi, luftë për mbijetesë, pa parime, pa kauza, pa moral.

5 - Partitë janë si “fallxhoret” e bukura që shkëlqejnë me gurë diamantesh. Ushqimi i përditshëm i tyre janë njerëzit e varfër, turmat lumpiane dhe të dëshpëruara – viktimat e tyre. Por edhe të kamurit - “borgjezët fisnikë” e injorantë, zengjinët e rinj qesharak, të babëziturit dhe të  pangopurit e kësaj bote të marrë fund,  janë veçmas ushqimi preferencial dhe i zgjedhur proteinik i këtyre fallxhoreve.

6 - Partitë janë lojtarë të shkëlqyer të bixhozit. Letrat dhe gurët e tavllës që ato i luajnë mrekullisht, është një popull i ç’orientuar, i cili historikisht udhëhiqet dhe drejtohet nga turmat e verbëra.

7 - Partitë janë si prostitutat e bukura “Vip”. Gjithmonë ato shkëlqejnë dhe sfilojnë në dekore gjigande, shembëllejnë me ndriçime llampash e neone shumëngjyrëshe. Gjatë sundimit, ato miklohen, por edhe egërsohen, hynë në garë me njëra – tjetrën kush të kafshojë më shumë pjesë nga Atdheu i përbashkët. Pas zgjedhjeve rrëshqasin, shkëputen butë – butë nga turmat dhe nisin të jetojnë në një tjetër realitet, në një jetë të re. Në godina gjigande e luksoze. Mblidhen dhe shtrojnë çdo ditë tryeza, dreka dhe darka qeveritare nëpër salla mondane. Luajnë poker dhe organizojnë ankande “bamirësie”, ballo e mbrëmje “aristokratësh”, bëjnë “diplomaci” e pazare të ndyra ku të munden e si të munden, në resorte e vila, në jahte e aviona çarter... E së fundmi, kur trokasin zgjedhjet e radhës, sërish “prostitutat Vip” zgjohen nga gjumi përrallor. Zbresin butë – butë, nga lartë - poshtë, në popull, atje ku është turma... Pse jo, dalin edhe në semafor, atje ku është stacioni i preferuar, ngase aty ka nisur rrugëtimi i tyre i parë dhe fshehtas, i’a shkelin syrin njëra – tjetrës për të kapur gjahun e radhës: grabitjen e votave.

8 - Partitë janë “bakterie” të këqia. Ato gjallojnë vrullshëm, në mënyrë të ç’rregullt e të pakontrolluar, në trupin e një populli të tërë që dergjet në stratin e të sëmurit kronik, në Dispancerinë - Atdhe.

9 - Mileti – elektorati, tradicionalisht është i ndarë në parcela mes partive. Mirëpo, gjithmonë të fituara kanë dalë dhe dalin këto të fundit, duke e lënë popullin me gisht në gojë. Deri kur...?!

10 - Për sa kohë do të vazhdohet të tubohet nëpër sheshe e zgëqe të fëlliqura mes moçaleve për partitë dhe partiçkat tona të “ëmbëla”, të “mira” dhe të “dashura”, për aq kohë ato nuk do të kursehen t’ia bëjnë në kokë të gjithë shqiptarëve!

E nëse je dakort me përmbajtjen e këtij “manifesti” dhe nuk ke asnjë kundërshti i dashur populli im “sovran”, të lutem mos hezito, shko dhe anëtarësohu. Sa më shpejt. Mos humb kohë. Rrofshin e qofshin, partitë mbi të gjitha..!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: