Saro: Recitimi i Qato Vjeshtës për Shën Valentin
| E Marte, 14.02.2017, 08:32 PM |

Vangjush Saro

RECITIMI I QATO VJESHTËS PËR SHËN VALENTIN

(Fragment nga romani “Kurora e Ballkanit” *)

Mik i shtrenjtë! Uroj të jeni mirë!

Të falenderoj nga zemra që tregon kurajo dhe kërkon saherë rrugë të pashkelura... Këto cilësi të kanë karakterizuar gjithnjë, sa të mbaj mend, në krye të letrave shqip... Ti, o miku im Qako, me zemrën e madhe, me talentin e madh, gjithnjë o mik e ke shpalosur me sukses filozofinë tënde... Mbase nuk të besohet; pyes nganjëherë veten: Ç’do të bënte vallë letërsia shqiptare pa ty? Më thuaj, ç’do të bënte?

E nejse. Ja kështu. Gjërat e bukura ndjekin njëra-tjetrën. Këto ditë, shoku im, u festua me madhështi Shën Valentini, Dita e të dashuruarve; pra sot po të shkruaj edhe për këtë gëzim të patreguar. Nuk e di si e kaluat ju andej, por këtu te ne shkoi për bukuri të Zotit, mjaft këndshëm... Një mbrëmje madhështore, nën kujdesin e deputetit të zonës.

Hare dhe bollëk. Ah, si nuk u ngopën njëherë me vakte këta njerëz... Po le të vijmë në çastet më interesante të kësaj mbrëmjeje. Mua, si poet, më ra barra e vështirë të recitoja atje një nga krijimet e mia. Jo se kjo gjë ishte e planifikuar, jo; por në gaz e sipër, gjatë mbrëmjes, unë iu afrova me shumë mirësjellje zotërisë që drejtonte programin dhe i thashë jam filani, katër libra me poezi dhe me kujtime, dy intervista, i njohur në botën e letrave... U tha u bë; megjithëse atje ishte një rrëmujë e paparë dhe, për më tepër, organizatori nuk se tregoi ndonjë dashamirësi të madhe. Nuk e kuptojnë poezinë, i dashur. Nuk i çmojnë letrat, o heroi im...

E nejse. Mora në dorë mikrofonin. Kam menduar, ia fillova me kujdes, ta përshëndes këtë auditor të nderuar me një nga krijimet e mia, që sapo e kam përfunduar. Titulli i vjershës është “Ku po shkon?” Mendohet të përfshihet në antologjinë që... Kjo është një nismë e disa shkrimtarëve me peshë, që... Ou! Për pak harrova vjershën. Por i futa një tjetër “E nejse”, edhe iu dhashë i gjithi sallës:

Ku po shkon ti zemra ime e lënduar.../ Zogjtë ikin edhe vijnë/ nuk arrijnë./ Ku po shkon ti zemra ime e lënduar.../ Ka një breg edhe një mal, /por ti nuk ndal...

Kur më të kanë filluar duartrokitjet. Ke parë ti! Po kështu, brohori. Unë vjershën s’e kisha mbaruar. Se unë vjershën e kam ndërtuar në këtë mënyrë. Vargu i parë është i gjatë dhe shtron linjën... Ku po shkon ti zemra ime, etj. Dy vargjet e tjera kanë një karakter më përmbledhës. Si ta them... E nejse. Iu bëra një shenjë njerëzve kështu, që prisni de... Dhe u hodha në strofat e tjera:

Kush më thotë se e humba dashurinë?.../ Vetëm gjethet mund të bien, /edhe fshihen...

Nuk do ta besosh, por njerëzit prapë ia filluan me duartrokitje. Dezdemona, ime shoqe, do të më thoshte më vonë se ata kishin kujtuar se mbarova, prandaj kishin duartrokitur. Po jo, moj zemra ime, i shpjegova unë, është shenjë inkurajimi, është bis... Jo për gjë, po unë isha edhe brenda tematikës së mbrëmjes. E nejse. I hodha një vështrim sallës, nuk e di pse shumica ishin kthyer me kurriz, pak e habitshme, por gjithsesi, unë edhe njëherë, me atë grintën time:

Ku po shkon ti zemra ime e lënduar...

Nuk të kam thënë që vargu i parë është i njëjti, përsëritet disa herë, në mënyrë që të krijojë një gjendje vlimi... E nejse. Tension, pra. Ku po shkon ti zemra ime... Gruaja që nga tavolina jonë, më bënte shenja: Mbylle! Hajde ulu. Mirëpo në këtë kohë, kishin shpërthyer sërish duartrokitjet. Po si? Valë-valë... Na moj, i thashë Dezdemonës - edhe unë me shenja - këta po më duartrokasin. Uluuu!... Kanë kujtuar se mbarove, bënte ajo shenjat e veta që nga tavolina, ku edhe vajzat po më shikonin të shtangura... Por unë gjeta kurajon për ta ngritur zërin sërish:

Ku po shkon ti zemra ime e lënduar...

Në sallën e mbrëmjes dikush filloi të tështinte fort. Dezdemona do të më tregonte më vonë se ai kishte njëlloj alergjie nga vjershat. Ndërkaq, aty pranë meje sekush tha pa druajtje fare: “Çëre prasi... O mush dynjoja gjith’ me budallenj.” Një tjetër, mu përpara syve të mi, tundte kokën sikur të donte të thoshte: “Edhe ty të kishim mangut.” Dezdemona andej, vazhdonte edhe ajo të më bënte shenja: “Ulu, o katran me bojë, uluuu!...” Po si more, të uleshaaa. Një pjesë e madhe vazhdonte të duartrokiste; që do të thotë se vdesin për poezinë... Jo, ore, do ta ngrija zërin unë:

Kush ju tha se dashuria perëndoi?/ Kush ju tha se zemra ime nuk këndon,/ po gabon...

Prapë duartrokitje. Dhe Dezdemona gjithnjë në sfond, duke zënë faqet me gishtërinjtë e bërë si cfurqe, gjasme... po na turpëron. Po ç’thua moj, aty u shkund salla e tërë. Po. Duartrokitjet vazhdonin... Dhe as vetë nuk di pse edhe vajzat e mia këtë do ta komentonin më pas si një shenjë përcjelljeje... Ore, publiku ra përmbys për mua, sadoqë ai drejtuesi i mbrëmjes po më lutej të këpusja qafën... Madje ndjeva se dikush edhe më shtyu, aq sa për pak rashë përmbi pajisjet e panelit. Por nga recitimi s’hiqja dorë, jo. Isha në vargjet e finales. Përsëritej pyetja e parë retorike. Ama vdes për këto pyetjet retorike:

Ku po shkon ti zemra ime e lënduar.../ Nëpër shtigje  e dhiare,/ jetë xanxare.

Hë, çfarë t’u thosha më!... Po bëja të pamundurën. E prapë, sekush më shtyu; edhe më dolën pak të sfumuara ato vargjet e fundit... Nëpër shtigje e dhiare/ jetë xanxare... Ndjeva që po më hiqnin nga skena zvarrë. Lanë nam, lanë. Ç’bëni, ore të uruar?... Dhe kur, në finale, në vargun e fundit. Po unë s’hiqja dorë:

Ku po shkon ti zemra ime e lënduar...

Ishte një mbrëmje fantastike. E paparë. Kisha pirë edhe pak raki. E nejse. Vjersha pati shumë sukses... Le të thotë Dezdemona: jo po kishe mbaruar, jo po s’kishe mbaruar. Njerëzit u ngritën peshë. Ç’lumturi, o Zot! Ciklin e plotë them t’ia nis nesër në mëngjes gazetës “Në mbrëmje”.

Epo, kaq për sot, o mall. Më shkruaj sa më shpejt. Të fala nga shtëpia.

Sa ishte ora, mo?... E nejse.

......................................................................................

* Romani sjell pamje groteske nga qarqet letrare të ditëve tona, duke përqeshur vanitetin dhe grafomaninë. Për të interesuarit, linku ku mund të lexohen disa faqe ose mund të porositet libri online: amazon.com/Kurora-Ballkanit-roman-humoristik-Albanian/dp/1523738383



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: